Qytetarët e Mitrovicës janë vetëdijesuar dukshëm për raportimin e rasteve të dhunës në familje

Organizuar nga zyrtarja për barazi gjinore në komunën e Mitrovicës, Besa Veseli, është mbajtur në ambientet e ndërtesës së komunës një tryezë e rrumbullakët me temën “Rezoluta 1325 -Gruaja, Paqja dhe Siguria e Këshillit të Sigurisë të OKB dhe Implementimi në Nivelin Qeveritar dhe Lokal”.

Në takim morën pjesë përfaqësuesja e Policisë së Kosovës, nënkolonelja Afërdita Mikullovci, mbrojtësi i viktimave  të dhunës  në familje, Burhan Maxhuni, koordinatori i Njësisë për të drejtat e njeriut në Komunë, Fitim Rama, përfaqësues nga Shoqëria Civile dhe gra të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës.

Fillimisht Besa Veseli, zyrtare për barazi gjinore në Komunën e Mitrovicës i njoftoi të pranishmit për aktivitetet e zhvilluara gjatë këtyre viteve në implementimin e Planit të Veprimit të Rezolutës 1325 të KS të OKB.

Nënkolonelja Afërdita Mikullovci foli për pjesëmarrjen e femrës në policinë e Kosovës, në rajonin ku ajo punon dhe për nivelin e barazisë gjinore. Ajo tha së në Policinë e Kosovës ka  police që kanë grada duke filluar nga ajo e lartë kolonel e  deri tek grada më  e ulët. Po ashtu, Mikullovci theksoi se policia e Kosovës ka bashkëpunim të mirë me të gjitha institucionet kur është fjala edhe për realizimin e të drejtave të grave dhe barazinë e tyre edhe në fushën e sigurisë.

Burhan Maxhuni nga Prokuroria e Shtetit, si mbrojtës i viktimave të dhunës në familje, foli për numrin e rasteve të evidentuara gjatë viteve të fundit. Ai shtoi se është bërë një vetëdijesim i madh i qytetarëve të cilët raportojnë dhunën në familje.

Edhe përfaqësuesit tjerë të shoqërisë civile raportuan për aktivitet e tyre që i kanë zhvilluar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të femrave nëpër vendet rurale, por edhe ato urbane.

Kontrolloni gjithashtu

Komiteti për Politikë dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e rregullt

Këtë të mërkurë Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt Xhavit Zariqi, ka mbajtur mbledhjën …