Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar - korrik

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – korrik

Më 1 korrik të vitit 1643, vdiq Frang Bardhi, ipeshkvi, shkrimtar, leksikograf, folklorist dhe etnograf shqiptar. U lind në vitin 1606  në Kallmet, në krahinën e  Nënshatit të  Zadrimës. Vinte nga një familje e klerike e Zadrimës. Studioi në Seminarin e Loretos në Itali. Frank Bardhi ishte ipeshkvit i Sapës. Ishte shkruesi i parë i një fjalori për gjuhën shqipe i cili fjalorë ka rreth 5000 fjalë të përkthyera nga latinishtja në shqip, si dhe numërorë, emra vendesh dhe një sasi fjalësh të urta e shprehjesh të mbledhura në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Kjo e bënë që Bardhi të jetë leksikografi i parë i gjuhës shqipe dhe folkloristi e etnografi i parë shqiptar i njohur deri më tani. Vepra më e njohur e Bardhit është “Apologjia e Skënderbeut”, botuar latinisht në Venedik më 1636. Titulli i saj i plotë është: “Gjergj Kastrioti epirotas, i quajtur zakonisht Skënderbe, princ trim mbi trima dhe i pathyeshëm i shqiptareve, u kthehet bashkatdhetarëve dhe atdheut të tij”, Vepra në të vërtetë është një apologji (mbrojtje) që i bën autori Skënderbeut, si bir dhe hero i popullit shqiptar, prandaj edhe është quajtur Apologjia e Skënderbeut.

Më 1 korrik të vitit 1928, në Tiranë  u lind Esma Agolli. “ Artiste e Merituar”. Ajo ka Interpretuar  shume role ne skenën e Teatrit Kombëtar që në fillimet e tij si dhe disa role ne kinematografi. Ka luajtur role në filmat:  Fëmijët e saj, Tana, Në shtëpinë tonë,  Mysafiri, Përtej mureve të gurta,  Fletë të bardha e filma të tjerë.

Më 1 korrik të vitit 1934 vdiq Sylejman Starova. U lind në Korçë në vitin 1874.

Mësimet e para i mori në vendlindje dhe në Manastir, pastaj shkoi në Stamboll, qytet ku mbaroi studimet e larta, në financë. Deri në fund të vitit 1912 punoi si bankier në Stamboll, më ndërmjetësinë e legatës frënge arrin të kthehet në atdhe. Më 1913-1920 punoi nëpunës finance i administratës shqiptare. Më 1920 filloi punë si këshilltar në Ministrinë e Financave. Në vitin  1921 iu dha portofoli i ministrit të Financave në qeverinë, Kosturi. Dhjetorin e vitit 1923 kandidoi si deputet i prefekturës së Korçës, u rizgjodh më 1925 dhe 1928. Pas vdekjes së tij fëmijët iu rritën dhe arsimuan dhe gjatë Luftës Nacional çlirimtare djali i tij i madh Petriti iu bashkua çetës së Partizanëve.

Më 2 korrik të vitit 156 para Epokës së Re ka lindur Leka i Madh, në historinë botërore dhe atë greke i njohur si Aleksandri i Maqedonisë, i cili kishte krijuar Perandorinë më të madhe të kohës, duke depërtuar deri në lindje  deri në Indi ndërsa ne perëndim deti në Gjibraltar. Autorët e vjetër të letërsisë shqipe kanë zbuluar se Leka i Madh kishte lindur në Mat të Shqipërisë. Lidhur me origjinën e këtij strategu të madh ka shumë spekulime, por faktet historike janë të pamohueshme dhe bazohen në mijëra burime të lashta të Greqisë, Persisë e shteteve të tjera.

Më 2 korrik të vitit 1943 ka rënë, Asim Zeneli, komandant partizan. Hero i Popullit. Lindi më 3 maj të vitit 1916 në Progonat të krahinës së Kurveleshit, në një familje me tradita atdhetare. I ati, Zenel Mehmeti ishte nder atdhetarët e shquar të krahinës. Si anëtar i klubit patriotik “Arbëria” ai punoi për çështjen e shkollës dhe gjuhës shqipe. Asimi mbaroi shkollën fillore në Kuç të Vlorës. Vështirësitë ekonomike e detyruan që ende i ri të merret me  punë të ndryshme. Më 1930 mundi të fillojë mësimet në shkollën e mesme ushtarake në Tiranë. Si student në kryeqytet, Asim Zeneli, u njoh me militantë të tjerë atdhetare si Qemal Stafa, Mustafa Matohiti. Nga fundi i vitit 1941, iu  bashkua Batalionit “Dajti” i cili ndërmori sulme kundër forcave pushtuese në Shqipërinë e Jugut dhe atë të Mesme. Në këtë moment të jetës së tij politiko-ushtarake u bë dhe drejtues politik i çetës “Hajredin Tremishti”. Puna e tij i shkaktoi dëme të rënda pushtuesit dhe për këtë u vu në shënjestër të qarqeve pushtuese. Ai nuk u frikësua, por vazhdoi luftën e tij derisa më 1943 në Mezhgoran në një përleshje me nazistët ra dëshmor i kombit.

Më 2 korrik të vitit 1990 u miratua publikisht Deklarata Kushtetuese, e cila shpalli Kosovën republikë. Miratimi i kësaj deklarate ishte një akt me rëndësi politike për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.

Më 2 korrik të vitit 1999, nga pakujdesia e forcave të KFOR-t, gjatë një manifestimi në qendër të Prishtinës   kanë rënë dëshmorë Avni Dudi dhe Fahri Bici, pjesëtarë të luftës së UÇK-së.

Më 3 korrik të vitit 1601, në Teatrin e Londrës u shfaq premiera e dramës: “Historia e vërtetë e të madhit Skënderbe”, vepër e dramaturgut të madhe anglez, Kristofor  Marlou,  i cili ka vdekur në vitit  1593.

Më 3 korrik të vitit 1927 Shote Galica u vendos në Shqipëri, ku vdiq në Fushë Krujë e braktisur nga qeveria e Zogut. Shote Galica, apo Qerime Halil  Radisheva, lindi më 4 tetor të vitit 1895 në fshatin Radishevë të Drenicës. Ishte bashkëshortja dhe bashkëluftëtarja e    prijësit të çetave çlirimtare të Drenicës e Kosovës, Azem Bejtë Galica. Mori pjesë në më shumë se 40 aksione të rëndësishme kundër armikut. Kundërshtoi fuqishëm politikën e dhunës e të terrorit të regjimit shovinist të Beogradit kundër popullsisë shqiptare. Më 1919 mori pjesë në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa më 1922-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, e cila shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës e të Malësisë. Në korrik 1924 mori pjesë në mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës (Arbërisë së Vogël). Në korrik 1924 pas rënies së Azem Galicës vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij. Së bashku me qindra luftëtarë të Kosovës në dhjetor të 1924 luftoi kundër ushtrive serbe e bjellogardiste dhe forcave të Ahmet Zogut. Regjimi kriminal i mbretërisë serbe i kishte vrarë  22 anëtarë të familjes së saj. Ajo vdiq e braktisur nga regjimi i Zogut, meqë së bashku me burrin Azem Galica ishte kundërshtare e atij regjimi despotik.

Më 3 korrik të vitit  1881, vdiq Hasan Tahsini atdhetar, rilindës, filozof, matematikan, psikolog. U lind në Ninat të Sarandës në vitin 1811. Mësimet dhe studimet e larta i mbaroi në Stamboll. Ishte rektor i Universitetit të Stambollit për shumë vite. Me kohë kishte hartuar një alfabet të gjuhës shqipe me 38 shkronja. Hasan Tahsini mori pjesë në Komisionin, i cili e hartoi Alfabetin shqip të  Stambollit.

Më 3 korrik të vitit 1968 në Gllogjan, afër Deçanit, u lind Ramush Haradinaj. Është politikan dhe ish-komandant i Zonës Operative të Dukagjinit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prej datës 3 dhjetor 2004 deri më 8 mars 2005 ka qenë Kryeministër i Kosovës dhe që nga data 9 shtator 2017, është zgjedhur përsëri Kryeministër i Republikës së Kosovës. Ramush Haradinaj ishte komandant në Zonën Operative të Dukagjinit të UÇK-së. Pas luftës me transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ai emërohet zëvendëskomandant i TMK-së. Në prill të vitit 2000 largohet nga jeta ushtarake dhe themelon partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kryetar i së cilës është edhe sot. Më 3 dhjetor 2004 në parlamentin e Kosovës u zgjodh kryeministër me shumicë votash. Dy herë ka qenë i akuzuar për krime lufte nga Tribubali i Hagës, por është liruar dhe është shpallur i pafajshëm.

 

Më 4 korrik  Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot Ditën e Pavarësisë.  4 Korriku shënon 241-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shpallja e Pavarësisë së Amerikës shënoi shkëputjen e kolonive nga Britania e Madhe 241 vjet më parë, por ajo ishte vetëm fillimi i vendosjes së lirisë në këtë vend, pasi në atë kohë në shumë koloni praktikohej skllavëria, gratë nuk gëzonin të gjitha të drejtat për të cilat bëhej thirrje në Shpalljen e Pavarësisë dhe fatkeqësisht indiano-amerikanët vendas u detyruan të shpërnguleshin nga toka e tyre, ndërkohë që kolonët e ri kishin filluar të vendoseshin anë e mbanë vendit.

më 4 korrik të vitit  1962 u lind aktorja,  Anisa Makarian një shqiptare me origjinë armene . Me profesion mjeke, por aktore dhe skenariste e talentuar. Jeton dhe punon në Francë që prej vitit 1991, si mjeke. Ka interpretuar në disa filma ku ka fituar dhe çmime kombëtare. Ka botuar poezi, tregime e novela, dhe librin “Sënduku i kujtimeve”.

Ka luajtur role me rëndësi në filmat: Ngjyrat e moshës, Pranvera s’erdhi vetëm, Në çdo stinë. Vajzat me kordele të kuqe, Është nderuar me kupën e Festivalit de IV te Filmit si aktorja me e mire ne rol kryesor.

Më 4 korrik të vitit 1922 në Tepelenë u lind Viktor Gjoka. Vdiq me 26 tetor 2007, është aktor i njohur shqiptar. Aktivitetin e tij artistik e filloi që në rininë e tij. Në Teatrin Kombëtar u pranua në vitin 1946 dhe punoi deri në vitin 1971. Ndër rolet e tij më të suksesshme përmendim pjesët “Revizori”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Fytyra e dytë”, “Karnavalet e Korçës”, etj. Shquhej për humorin e hollë dhe interpretimin e shkëlqyer të roleve. Në vitin 1959 merr një bursë për studime në BS, ku studion për dy vjet dhe me ndërprejrjen e marrëdhënieve në vitin 1961 kthehet në Tiranë dhe i vazhdon ato në Konservatorin e Tiranës. Në Teatrin Kombëtar rikthehet në vitin 1991, pas një mungese të gjatë prej më shumë se dy dekadash, ku fillimisht e shohim në rolin e Spirakes në komedinë rumune “Valsi i Titanikut” dhe më pas në komedinë “Revizori”, me regji të vetë Viktorit. Veprimtaria e tij artistike është e suksesshme sidomos në Estradën e Tiranës. Edhe në filmin artistik ka interpretuar disa role. Filmat e tij kryesore janë: Babai i studentit Zëvendësi i grave, Historiani dhe kameleonet, Kush është vrasësi. Vdiq me 26 tetor  të vitit 2007.

Më 5 korrik të vitit 1987 vdiq Vexhi Buharaja, studiues, orientalist dhe përkthyes i njohur. U lind në Berat më  12 maj të vitit 1920. Ka përkthyer veprat e Naim Frashërit nga gjuha persiane, por ashtu edhe vepra të Sami Frashërit dhe shkrimtarëve të mëdhenj të lindjes.

Më 5 korrik të vitit 1949, u vra Shkurte Cara, aktiviste e ndërtimit socialist të vendit, Heroinë e popullit. U vra në pritë nga një bandë mercenarësh e akuzuar se po luftonte për emancipimin dhe barazinë e femrës.

Më 5 korrik të vitit 1998, në luftë kundër forcave ushtarake e policore serbe kanë rënë heroikisht  dëshmorët e UÇK-së,  Burim Hamza dheDaut Pllana.

Më 5 korrik të vitit 1979, në fshatin Tërbovc (Malishtë), të komunës së Lipjanit, u lind Zylfije Gashi, dëshmore e kombit. Shtëpia e saj  u shndërrua në bazë të sigurt të ushtarëve të lirisë të anëve të ndryshme të Kosovës, prej nga mbaheshin lidhje e koordinoheshin aksione nga Drenica, Nerodimja, Karadaku, Llapi e Gollaku. Në verë të vitit 1998, e tërë familja Gashi ishte vënë në shërbim të UÇK-së. Vëllai i madh i Zylfijes, Mustafa, i punësuar prej vitesh në Gjermani, po ndihmonte pa kursim fondin “Vendlindja Thërret”. Vëllai tjetër, Agroni, po ndihmonte në fushën e logjistikës dhe u inkuadrua në radhët e UÇK-së, për të marrë pjesë në shumë fronte të luftës kundër forcave pushtuese serbe, deri në kapitullimin dhe tërheqjen e tyre nga Kosova.  Më 16 prill të vitit 1999, në orët e para ditës, Zylfije Gashi  ishte përjetësuar  në altarin e lirisë.

 

Më 6 korrik të vitit 1914 u vra në pritë nga bandat e Esad Pashë Toptanit, atdhetari i njohur shqiptar,  Menduh Zavalani. Ai kishte lindur në vitin 1889,  në Korçë,  Babai i tij, Mehmet Zavalani, ishte shqiptar bektashian dhe nëna e tij ishte, Hedije Luarasi. Babai i Menduh ishte një kushëri i parë i Abdyl, Naim dhe Sami Frashërit, tre nga ideologët kryesorë të Rilindjes Kombëtare,  ndërsa nënat e tyre Fatime dhe Emine Myteveli ishin motra nga Panarit. Pas mbarimit të mësimeve  në qytetin e tij të lindjes, në vitin 1905 Menduhu shkoi në Manastir për të vazhduar arsimin e mesëm. Ai formoi grupin e vet revolucionar dhe ishte njëri nga udhëheqësit që çliroi Përmetin dhe rrethinat nga Perandoria Osmane. Menduh ishte delegat i emëruar nga Korça në Kongresin Kombëtar Shqiptar që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Në nivelin intelektual Menduh u shënua për përkthimin e dramës Vilhelm Tell të Shilerit, në gjuhën shqipe Ai u vra në një moshë shumë të re pranë Pogradecit, nga një grup i forcave të Esad pashë Toptanit së bashku me forcat serbe me të cilat ai bashkëpunonte.

Më 6 korrik të vitit 1943 u vranë nga forcat fashiste, Kristaq Tutulani dhe  Margarita Tutulani, dëshmorë të Luftës Antifashiste, heronj të  popullit. E lindur në Berat, Margarita Tutulani ishte mbesa e Dhimitër Tutulanit, politikan shqiptar dhe një prej firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ishte bija e  Miltiadh Tutulanit, që shërbeu si Ministër Finance në vitin 1930. Nga ana e nënës, ajo ishte mbesa e Sotir Kolesë, një folklorist, diplomat dhe aktivist i Rilindjes Kombëtare. Kristaqi, 24 vjeç dhe Margarita, 19 vjeç, lanë studimet jashtë vendit dhe u kthyen për të luftuar për çlirimin e atdheut. Motër e vëlla ranë dëshmor më 6 korrik të vitit 1943, në Gosë të Kavajës.

Më 6 korrik  të vitit 1946 vdiq i helmuar në spitalin e Prizrenit atdhetari i shquar shqiptar,  Bedri Pejani. Ka qenë nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, publicist, diplomat dhe atdhetar i njohur.  Lindi më 10 tetor të vitit 1885 në Pejë, në familjen e Abdi Pejës. Shkollën e Mesme e kreu në “Kolegjin Robert” dhe studimet e larta nё Degën e Historisë në Universitetin e Stambollit. Ishte delegat në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, pastaj organizator dhe kryetar i Kongresit të Dytë të Manastirit dhe sekretar i Komitetit i Komitetit të Kosovës, në vitet 1918-1924. Në nëntor 1912, u zgjodh përfaqësues i Plavës, Gucisë, Gjakovës dhe Pejës, firmoi aktin e pavarësisë me 28 Nandor 1912 me singlën ‘Bedri Pejan”. Më 1920 bëhet redaktor i gazetës Populli me qendër në Shkodër. Përkthen “Kujtimet” e Hasan Prishtinës nga frëngjishtja. Gjatë viteve  1921-1923 është Kryetar i Partisë Popullore. Nga janari deri nё mes tё qershorit të vitit  1944 ishte kryetar i Lidhjes sё Dytё tё Prizrenit. Pas luftës u arrestua nga komunistët jugosllavë dhe u helmua në një siptal.

Më 6 korrik të vitit  1998 kanë rënë duke luftuar kundër forcave serbe: Arsen Mazrekaj dhe Rrustem Bruçi, luftëtarë të njohur të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 7 korrik të vitit 1911 lindi Antoni Athanas, atdhetar dhe personalitet me rëndësi shqiptaro-amerikan. U lind në Korçë dhe në moshën 4-vjeçare së bashku me familjen ishte shpërngulur për në Amerikë. Fillimisht punoi në rrugë duke shitur pemë e perime, pastaj u njoh me Fan Noli, Faik Konicën dhe atdhetarë të tjerë nga Shqipëria. Pastaj kishte hapur një restorant dhe me kohë ishte radhitur në mesin e biznesmenëve të njohur. Restoranti i tij për 15 vjet ishte shpallur restoranti më i mirë i vitit, ku kanë frekuentuar edhe personalitetet më të larta amerikane deri edhe Xhon Kenedi. I kanë shprehur mirënjohje për punën dhe angazhimin edhe kryetarët e Amerikës si Riçard Nikson dhe Bill Klinton.

Më 7 korrik të vitit 1920 u lind në Durrës,  aktori i njohur shqiptar,  Prokop Mima. Ai shquhej për diksionin e tij  dhe ishte një mjeshtër i pasionuar i gjuhës shqipe, një aktor brilant  i karaktereve. Që i ri ishte i dhënë pas recitimeve. Veprimtarinë e tij në skenë e ka filluar që në vitin 1945, me krijimin e Teatrit Popullor. Roli i tiji i parë është në dramën “Topazi” e më vonë në dhjetëra role të suksesshëm. Deri në vitin 1982 ai interpretoi mbi 70 role. Ka interpretuar disa role të spikatura edhe në filmin artistik shqiptar. Është nderuar me titullin “Artist i merituar”. Ishte daja i aktores Anisa Markarian dhe kunat i përkthyesit,  Robert Shvarc. Vdiq  më 18 gusht të vitit 1986 në Tiranë.

Më 7 korrik të vitit 1987, vdiq  aktor i njohur shqiptar, Kujtim Spahivogli. Lindi më 30 korrik të vitit 1932. Studimet e larta për teatër i kryen shkëlqyeshëm në Moskë në vitin 1956. Ishte një ndër studentët brilant të ardhur nga Bashkimi Sovjetik. Në vitin 1956 emërohet aktor në Teatrin Kombëtar. Roli i tij i parë në skenën e Teatrit Kombëtar ishte Xherxhinski në dramën “Orët e kremlinit”, dhe më pas vijnë një sërë rolesh në dramat “Majlinda”, “Në anën tjetër”, “Dragoi i Dragobisë”, “Hamleti”, etj. Por më shumë ka punuar dhe u shqua si regjisor në Teatrin Popullor dhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Ka vënë në skenë pjeset: “I Çuditshmi”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Në tufan”, “Shtëpia në bulevard”, “Drita”, “Karnavalet e Korçës”, “Qielli i kuq”, etj. Kujtim Spahivogli është themeluesi i Fjalës artistike. Kujtimi qe në të njëjtë kohë edhe dramaturg. Drama e tij “Një shok i klasës sonë” pati një sukses të madh: Ai shkroi edhe poezi , artikuj e ese.

Më 8 korrik të vitit  1869, u lind, Fejzi bej Alizoti. Ishte i biri i Hasan bej Alizotit dhe Zybejde hanëmit nga familja e njohur  Kokaj e Delvinës. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme në Janinë, shkollimet e larta i vijoi në Shkollën Civile e Administratës Mbretërore për ekonomi dhe administratë civile më 1891. Dërgohet me shërbim administrativ në dhe Bejrut,  Më 1897-1899 nisi punën si kajmekam ndër provincat arabe, ndërsa më pas më 1899-1903 në sanxhaqet e Vilajetit të Selanikut. Ishte sekretar i përgjithshëm i Ejaletit të Tripolitanisë, mytesarif i Prizrenit. Më 1 qershor të vitit 1943 u emërua anëtar i Këshillit Qendror të Ekonomisë Korporative, ndërkohë që më 16 maj 1943 qe kryetar i Këshillit të Epërm Korporativ Fashist, deri më 4 gusht 1943. U arrestua nëntor të 1944, u dënua me vdekje nga Gjyqi Special partizan, në vitin 1945 nën akuzën e sabotatorit të luftës kundër pushtuesit”. E kishin pushkatuar në Tiranë, më 13 prill 1945.

Më 8 korrik të vitit 1935 – Vdiq Lazër Mjeda. U lind në Shkodër në vitin 1869, u shugurua prift katolik në vitin 1891. Ka  shërbyer si ipeshkëv i Sapas, pastaj si arkipeshkëv i Shkupit, më 1921 kthehet në Shkodër si arkipeshkëv. Lazër Mjeda ishte vëllai i poetit Ndre Mjeda; gjatë kohës së shërbimit në Shkup dhe Prizren, ishte dëshmitar i krimeve serbe ndaj shqiptarëve dhe i dërgoi Vatikanit një raport të hollësishëm. Raporti i Lazër Mjedës do t’i shërbente publicistit vjenez, Leo Frojndlih për librin “Golgota e Shqipërisë”, botuar në vitin 1913. Pas publikimit të librit Frojndlih, pati kontaktet e para me Shqipërinë, si ushtar me forcat austro-hungareze në Luftën e Parë Botërore.

 Më  8 korrik të vitit 1944 u vra luftëtari i njohur partizan pjesëtar i luftës Antifashiste Myslim Shyri. Pas luftës ishte shpallur Heroi i Popullit.

Më 8 korrik 1944 ka rënë në luftën Antifashiste, Penelopa Pirro, partizane, Heroinë e Popullit.

Më 8 korrik 1998, në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  kanë rënë dëshmorët: Agim Mazrekaj, Arben Ukshini, Nezir Elezaj, Sylejman Avdyli,  Ymer Bytyçi dhe Blerim Ukshini dhe Fatmir Doçi.

Më 9 korrik të vitit 1900 vdiq në Athinë, Jani Vreto, rilindës i shquar shqiptar. U lind në vitin  1822. Ishte shkrimtar, botues, figurë e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare. Lindi në Postenan, pranë Leskovikut, në Vilajetin e Janinës më 14 janar 1822. Mësimet i ndoqi në një shkollë greke në Vurban afër Konicës, kurse nga 1843 deri 1847 ndoqi gjimnazin e mirënjohur “Zosimea” në Janinë. Më 1854 u shpërngul në Konstantinopojë. Në fillimin e viteve shtatëdhjetë ishte njohur e lidhur me figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare shqiptare: Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Ferid pashë Vlora. Gjithashtu mbante letërkëmbim me figura të shquara shqiptare në Egjipt si Thimi Mitko, Spiro Dine dhe Thimi Thoma Kreji si dhe me Dhimitër Kamardën dhe Jeronim De Radën në Itali. Në vjeshtën e vitit 1877 u bë anëtar themelues i Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare, Në maj 1878, botoi veprën “Apologjia” në greqishte, në të cilën shtjellon prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara prej tyre e të drejtat e tyre. Në fillim të vitit 1879 u caktua anëtar i komisionit të ngritur nga Komiteti qendror për të vendosur për alfabetin përfundimtar të shqipes.  Më 12 tetor 1879 mori pjesë në themelimin e Shoqëri e të shtypurit shkronja shqip, e cila do t’ia kushtonte energjitë e veta botimit të librave shqip, sidomos të teksteve shkollore, si dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Pikërisht në këtë kohë ai u shkishërua nga mitropoliti ortodoks i Gjirokastrës. Pas kthimit në Stamboll, Vretoja punoi me energji për botimin e organit periodik “Drita”, që më pas mori emrin “Dituria”, e cila doli në Konstantinopojë nga gushti 1884 deri në korrik 1885.

Më 9 korrik të vitit 1924, lindi në Ferizaj, Nikollë Mini prift dhe veprimtar i njohur . Ishte më i vogli ndër katër fëmijët e Kolë Minit dhe Monika Kajtazit. Shumë shpejt mbeti jetim dhe iu desh të strehohej në dyert e të afërmve. Gjatë shkollimit vëmendjen e meshtarëve vendas, që e përcollën në seminarin e Prizrenit e pastaj në Seminarin e Shkodrës e të Zagrebit, ku kreu studimet filozofike e teologjike.U shugurua meshtar njëherësh me Don Milorad Defarin, misionar kroat i mirënjohur ndërmjet shqiptarëve me emrin Dom Mila, në vitin 1950. Nisi menjëherë shërbimin kudo e kërkoi Kisha: nga Shenjtnorja e Zojës së Crnagorës në Letnicë, në Novoselë të Gjakovës, në Bec, Zym, Velezhë e në katedralen e Prizrendit, ku mbylli sytë më 15 maj 1992 në elter, ndërsa kremtonte Meshën shenjte, duke vulosur kështu përkushtimin themelor ndaj Kishës, për të cilën ishte përpjekur gjithë jetën. U  dallua si Meshtar, si ndërtues kishash, organizator i rinisë katolike, mjeshtër i korit kishtar. Vdiq në vitin 2007.

Më 9 korrik 1943 u mbajt Kuvendi i Poçemit ku fillimisht 2000 burra të armatosur u betuan për të luftuar kundër fashizmit dhe për çlirimin e vendit.

Më 9  korrik të vitit  1998 ka rënë në altarin e Atdheut luftëtari i UÇK-së, Kolë Mirdita.

Më 10 korrik të vitit 1821 ka vdekur Engjëll Mashi, studiues i njohur arbresh. U lind në vitin 1758 në Kalabri. Pasi kreu studimet e larta në Napuli në vitin 1807, boti në italisht librin: “Ligjëratë mbi prejardhjen, traditat dhe gjendjen aktuale të kombit shqiptar”. Vepra pati ndikim pozitiv tek arbëreshët e Italisë dhe rilindësit shqiptarë. Botimi i parë i saj u përkthye frëngjisht nga gjeografi i njohur Maltebrun duke i bërë të njohur shqiptarët në botën e jashtme.

Më 10 korrik 2005 vdiq, Iliaz Fishta. Lindi në Shkodër më 26 maj të vitit 1926 , ku edhe kreu studimet e mesme, ndërsa studimet e larta i kreu në Universitetin e Shën Peterburgut për Ekonomi Financë. Pas kthimit në vendlindje, ai kreu një sërë detyrash të rëndësishme administrative shtetërore. Veprat e tija shkencore janë autentike dhe të argumentuara nga burimet dokumentare. Gjatë jetës së tij shkencore Ilaz Fishta shkroi mbi 13 000 faqe me vepra shkencore, 13 monografi dhe botime tjera dhe 135 artikuj shkencorë, referate dhe punime tjera që kanë të bëjnë me lëmin e ekonomisë. Studimet kryesore të tij kanë të bëjnë me tri fusha kryesore : Teorinë e Ekonomisë, Politikën Ekonomike të Shtetit dhe Historinë e Ekonomisë së Shqipërisë nga fundi i shek. XIX deri në vitin 2005. Pas monografisë “Sistemi Monetar dhe i Kreditit në Shqipëri (1925-1944)”, shkroi trilogjinë mbi kapitalin e huaj në Shqipëri e cila merret si vepra kryesore e tij. Në vitet e fundit të jetës së tij shkroi vëllimin “Historia e Ekonomisë së Shqipërisë”. Prof. Fishta është dekoruar dy herë me urdhrin “Naim Frashëri” (Klasi I e II) pastaj me “Çmimi i Republikës.

Më 10 korrik të vitit 1943 në Labinot të Elbasanit i krijua Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH-së i përbërë nga 13 anëtarë. Komandant ishte zgjedhur, Spiro Mojsiu, ndërsa komisar politik,  Enver Hoxha.

Më 10 korrik të vitit  1930 u lind në Durrës Kozma Lara. Është kompozitor i mirënjohur shqiptar, autor i shumë krijimeve muzikore, si kuartete, trio, romanca, rapsodi, etj, dhe i shumë këngëve për fëmijë. Ka qenë President i Shoqatës muzikore “Tonin Harapi”, i Festivalit të Romancës Shqiptare, si dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Kompozitorëve të Shqipërisë. U nda nga jeta më 18 janar 2019. Mësimet e para në piano i merr nga prof. Tonin Guraziu. Në vitet 1946-1949 mbaron shkollën e mesme të përgjithshme “16 Shtatori” në Durrës. Ndjek liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku dhe diplomohet në degën e pianos me prof. Tonin Guraziu në vitin 1954. Gjatë viteve 1972-1978 ka qenë inspektor, specialist për Muzikën në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, Tiranë. Në vitin 1979 ka qenë mësues i Harmonisë, Analizës dhe Orkestracionit pranë shkollës së mesme të muzikës “Jan Kukuzeli”, Durrës. U nda nga jeta më 18 janar 2019.

Më 11 korrik të vitit 1811 ka lindur albanologu më i njohur i kohës, diplomati austriak,  Georg Von Jahhanes Hahn. Ishte konsull i Austrisë në Janinë. Është i njohur për veprën e tij në disa vëllime “Studime shqiptare”, pastaj veprat studimore “Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit”.  “Udhëtim prej Beogradit në Selanik etj; Hahni ishte albanologu i parë i cili kishte vërejtur dhe kishte konfirmura shkencërisht  se motivet shqiptare në këngë, etnologji, kulturë, art, leksik ishin më të vjetra se të të gjithë popujve të Ballkanit.

Më 11 korrik të vitit 1930 vdiq Andon Zako Çajupi, poet, dramaturg, atdhetar  dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare. U lind më 26 mars të vitit 1866 në Sheper të  Zagorisë. I ati Harito Zakos, ishte një tregtari duhani i cili punonte në Kavallë dhe në Egjipt. Andon Zako, i njohur më vonë me emrin letrar, Çajupi, nga emri i një mali në krahinën e Zagorisë. Mësimet fillore i mori  në shkollën greke në Nivan të Zagorisë. Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi frëngjisht për pesë vite. Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avoketër të huaj, që i dhanë bindjen të vazhdonte studimet për jurisprudencë në Zvicër, ku Çajupi shkoi më 1887 dhe vazhdoi studimet për pesë vite në këtë disiplinë. Atje takoi bashkëshorten e tij të ardhshme, Eugjeninë, me të cilën pati një djalë, Stefanin. Nga viti 1892 vdiq Eugjenia, që për të qe humbje tragjike. Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: Përralle nga e kaluara dhe Pas vdekjes, shkruar më 1910, botuar më 1937. Pas vdekjes është një komedi politike. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia Burri i dheut (botuar më 1937, pastaj poema epope Baba Musa Lakuriq dhe shumë vepra të tjera.

Më  11 korrik të vitit 1946, në Mitrovicë u lind, Musa Hoti. Qe në fëmijëri, i edukuar me frymë dhe ndjenjë kombëtare nga babai, Daut Hoti, ish-luftëtar i brigadës së Shaban Polluzhës dhe më vonë i burgosur politik si dhe nga gjyshja Nurie, mbesë e Shaban Polluzhës. Pasi kreu studimet për një kohë punoi në arsim. Por krahas mësimdhënies merrej edhe me veprimtari praktike atdhetare. Që herët Musa Hoti që në demonstratat e vitit 1968 shquhet për tiparet e një lideri politik i nivelit shumë të lartë. Prandaj në Drenas qeveria e asaj kohe e kualifikoi atë si person të papërshtatshëm politikisht. Iku nga Kosova dhe u vendos  në Bruksel, si emigrant politik, vijoi veprimtarinë, duke u organizuar në Lëvizjen Kombëtare për Republikën e Kosovës. Më 4 gusht të vitit 1981, në rrethana të vetëmbrojtjes qëlloi kundër të të dërguarve të UDB-së famëkeqe, duke vrarë njërin prej tyre, dhe plagosi dy të tjerë. UDB-ja me të dërguarit e Beogradit dhe spiunët e saj e ndoq këmba këmbës Musa Hotin derisa më 16 janar 2004 kur e  vranë në Bruksel, duke e përjetësuar si një hero të kauzës kombëtare. Musa Hoti u varros me nderime të posaçme dhe ceremoni shtetërore në varrezat e dëshmorëve të Prishtinës.

Më 12 korrik të vitit 1874 u lind, Shtjefen Gjeçovi, veprimtar, atdhetar, studiues, mbledhës dhe sistemues i veprës madhore, kombëtare: “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. U lind në Janjevë afër Lypjanit në Rrafshit të Kosovës. Në vitin 1920 mori pjesë në luftën e Vlorës kundër pushtimi italian. Ishte atdhetar, arsimues, shkrimtar dhe klerik.  Ka shkruar drama dhe vepra të tjera si: Dashuria e Atdheut, Jeta e Shën Luçisë, Agimi i Qytetnisë e të tjera. Vepra e tij kryesore në të cilën ka punuar mbi 30 vjet është “Kanuni i Lekë Dukagjinit” botuar në Shkodër në vitin 1933. Më 13  tetor të vitit 1929 bandat vrastare të Nikolla Pashiqit i kishin organizuar një pritë dhe e kishin vrarë në Zym të Gjakovës, për shkak të aktivitetit të tij kombëtar.

Më 12 korrik të vitit 1912, u vra nga bandat andarte greke  Kadri Gjata, atdhetar i njohur, kryetar i Klubit shqiptar të Janinës.

Më 12 korrik të vitit 1923 vdiq arsimuesi,  studiuesi, poeti dhe shkrimtari arbresh, Leondaro De Martino. U lind në vitin 1830 në krahinën e Puljes, në një familje arbëreshe.  Në vitin 1865  erdhi nga Italia në Shqipëri dhe filloi aktivitetin e tij arsimor e fetar. Ishte mësues i Ndre Mjedës, Gjergj Fishtës, Luigj Gurakuqit  dhe ai atdhetarëve e shkrimtarëve të tjerë shqiptarë. Boti përmbledhjen “ Harpa e një italo-shqiptari”, “Mundimi i Jezu Krishtit”. Arbënorëve të krishterë të grishun festuer” e vepra të tjera. Vdiq në Napuli të Italisë

Më 12 korrik të vitit 1952 vdiq, Hafiz Ibrahim Dalliu, atdhetar klerik islam dhe arsimues. U lind në Tiranë në vitin 1878. Studimet e larta i mbaroi në Turqi. Mori pjesë në Kongresin e Elbasanit, në vitin 19o9 ku u vendos të hapet Normalja e Elbasanit, ku ishte edhe mësimdhënës. Ndihmoi në hapjen e shkollë së parë për vajzat shqiptare në vitin 1906. Pushteti turk i kohës e ndoqi dhe e burgosi për aktivitetin e tij atdhetar. Me ndërhyrjen e deputetëve shqiptarë në Parlamentin e Turqisë ishte liruar nga burgu. Në vitin 1924 mor pjesë në Revolucionin e Qershorit së bashku me Fan Nolin, Luigj Gurakuqin e të tjerë. Ishte  dënuar me shumë vjet  burg nga regjimi i Zogut si kundërshtar politik.  Ka shkruar veprat: “Partiotizma në Tiranë”, Kreshniku i Atdheut, Avni Rrustemi, “Dokrrat e hinit”.  Ka përkthyer edhe pjesë të Kuranit në gjuhën shqipe. Ka lënë 15 vepra të botuara dhe në dorëshkrim.

Më 12 korrik të vitit 1927 u lind këngëtari i mirënjohur, Xhevdet Hafizi. Me krijimin e Ansamblit të Shtetit mori pjesë në të gjitha koncertet brenda dhe jashtë Atdheut. Janë shumë të njohura dhe vazhdimisht të dëgjuara këngët e tij: Ndrec Ndue Gjoka, Ali Pashë Tepelena, Bajram Curri, Dedë Gjo Luli e shumë këngë të tjera, epike, lirike,  këngë të trimërisë dhe historike.

Më 13 korrik të vitit 1878 u nënshkrua  Traktati i Berlinit, dokumenti i Kongresit të Berlinit, që përbëhej nga shtatë shtetet më të mëdha të kohës, Gjermania, Anglia,  Austro-Hunagaria, Rusia, Franca, Italia dhe Turqia.  Me këtë traktat famëkeq u “legjitimua” copëtimi i trojeve shqiptare.  Në mbrojtje të trojeve shqiptare u ngrit populli shqiptar i katër Vilajeteve dhe u formua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila në programin e vet parashihte bashkim e katër vilajeteve në një të vetëm, me qëllim për të mbrojtur trojet etnike.

Më 13 korrik 1908 lindi, Bedri Spahiu, atdhetar, politikan, veprimtar dhe i persekutuar  nga të gjitha regjimet e kohës.  Mësimet e para i mori në Gjirokastrës, vijoi studimet në Stamboll. U arrestua nga regjimi i Zogut si mbështetës  i kryengritjes së Fierit. Më vonë iu bashkua Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ishte kuadër i lartë i shtetit.  Ka kryer detyra me rëndësi në Shqipërinë komuniste deri në vitin  1958 e dënua me 25 vjet burg nga regjimi për shkak të ideve të tij liberale.  Në vitin 1990 u lirua nga burgu. Vdiq më 12 janar 1998.

Më 13 korrik të vitit 2013, në Florida të Amerikës vdiq shkrimtari i njohur shqiptaro-amerikan, Sotir Lashova. Ai u lind në vitin 1931 në fshatin Lashovë të rrethit të Kolonjës në një familje me taban të hershëm atdhetar. Edhe pse i vogël në moshë, ai i kontribuoi luftës për çlirimin e Atdheut nga nazifashistët. Mbas çlirimit te vendit nga te huajt, Sotiri shërbeu me përkushtim atdhetar ne radhët e Ushtrisë. Disa vite pat punuar korrespondent i gazetës “Luftëtari”, organ shtypi i ish Ministrisë së Mbrojtjes.

Që nga viti 1960 ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ka shumë vëllime në prozë e në poezi, por më shumë është shquar si fabulist. Midis vëllimeve të shumta me humor e satirë shquhen “Korbi i varrim – zhvarrimeve”, “Gomari që desh të bëhej mbret”, “Dhelpra në grevë urie”, “Hija nuk matet në mëngjes”, “Stafi i bishave”, “Kacafytje” etj., etj. Me shumë interes ka qënë edhe libri i tij më i fundit “Pellazgët”.

Më 13 korrik të vitit 1998, kanë rënë dëshmorët e UÇK-së  Artan Qorraj dhe Rexhë Qorraj

Më 14 korrik, 1867, lindi, Murat Toptani, atdhetar, poet skulptor dhe veprimtar kombëtar. Ishte martuar me bijën e Naim Frashërit në Stamboll. Në vitin 1897  Qeveria turke e burgosi për shkak të ideve të tij atdhetare. Iku nga burgu dhe u vendos në Brindizi.  Ka botuar broshurën “Shqipëria e shqiptarëve”,  veprën,  “Shpata e Skënderbeut” e vepra të tjera. Në nëntor të vitit 1912 priti në Durrës Ismail Qemalin dhe mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Në vitin 1914, kushëriri i tij famëkeqi Esad pashë Toptani ia dogji shtëpinë, bibliotekën dhe tërë literaturën dhe dokumentacionin me vlerë historike kombëtare që e kishte grumbulluar gjatë jetës së tij. Ishte poliglot ndër më të dalluari dhe zotëronte shumë gjuhë të botës. Është e njohur skulptura e tij për Skënderbeun. Vdiq në Tiranë më 20 shkurt të vitit 1918.

Më 14 korrik të vitit 1925 vdiq luftëtari popullor, Mehmet Konjuhi. Ishte luftëtar dhe prijës i shquar i luftës së armatosur kundër sundimit serb në vitet 1918-1925. Ushtria dhe xhandarmëria serbe i masakroi shtatë pjesëtarë të familjes. Për shkak të ndjekjeve të vazhdueshme u detyrua të shpërngulet në Turqi, ku vdiq i helmuar nga agjentët serbë.

14 korrik  të vitit 2018  vdiq Stan Dragoti, shqiptaro amerikan i njohur. U lind në Nju Jork më 4 tetor të vitit 1932. Është vlerësuar nga Shqipëria me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Në kohën e luftës së Kosovës, Stan Dragoti ishte një nga intelektualët shqiptaro-amerikanë më aktiv në mbrojtjen e të drejtave të kombit të tij. Stan Dragoti është me origjinë nga Dragoti i Tepelenës. Ai është i biri i Asllan Dragotit, veprimtarit të shquar të Vatrës, mbështetësit të Fan Nolit. Rrënojat e shtëpisë së tij janë ende në fshatin tepelenas të origjinës. Stan Dragoti vdiq dje më 14 korrik në moshën 86 vjeçare në Los Angeles.

Më 14 korrik 1998 ka rënë dëshmori i UÇK-së,  Enver Avdimetaj

Më 15 korrik të vitit 1915 u kap tradhtisht dhe u vra pabesisht në një pritë nga forcat malazeze e serbe, Çerçiz Topulli, atdhetar, komandant i çetave kryengritëse në jug dhe veri të Shqipërisë, “heroi i Popullit”. U lind në Gjirokastër në vitit 1880.  Së bashku me vëllanë e tij Bajo Topulli, atdhetar dhe intelektual i njohur u bashkua në luftë për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Mori pjesë në Komitetin Për lirinë e Shqipërisë. U vra nga malazezët, në fushën e shtojit në Shkodër ku kishte shkuar të luftonte kundër pushtimit të Shkodës nga sllavët. Po atë ditë ishte vrarë edhe Muço Çulli dhe Mehmet Shpendi.

Më 15 korrik të vitit 1915 u vra në pritë nga malazezët, Mehmet Shpendi. U lind në Pacaj në vitin 1851. Ishte bashkëthemeluesi dhe udhëheqësi kryesor i Djelmnisë së Shalës, përfaqësues i Shalës në kryengritjen e përgjithshme të Malësisë së Madhe, udhëhoqi çetat e luftëtarëve trima kundër forcave Turke dhe Malazeze.  Mehmet Shpendi, rrjedhë  nga fisi kryengritës i Shalës, nga një familje e dalluar me tradita të larta Atdhetarie, e respektuar jo vetëm në fshatin ku jetonte, por në të gjithë krahinën e Dukagjinit dhe tanë Malësinë kreshnike. Burri heroik i Shalës, i cili u shqua në shumë luftëra për trimëri dhe qëndresë të vendosur Kombëtare, duke mos pushuar së luftuari për liri dhe Atdhe deri në vdekje. Ishte gjithashtu pinjoll i njërit nga 7-të Heronjtë e paharruar të Shalës (Shtatë Shaljanët), si pasardhës i denjë i trimave të tillë legjendar.

Më 15 korrik të vitit 1915 u vra në pritë Mustafa Hilmiu,  i njohur si Muço Qulli. U lind në Leskovik, në vitin 1887. Ka qenë veprimtar i dallura i  çështjes kombëtar, gazetar dhe botues. U pushkatua me Çerçiz Topullin nga malazezët kur administronin qytetin gjatë Luftës së Parë Botërore. Kreu studimet ne Stamboll në Shkollën Ushtarake e Mjekesise Veterinare dhe në Shkollën e Drejtësisë. Në vitet 1911-1912 botoi gazetën Drita në Manastir. Më 4 prill 1914 nxori gazetën Populli në Vlorë, të cilën më pas nisi ta botonte në Shkodër, njëherë si Drita e Popullit dhe sërish Populli. U arrestua nga autoritetet ushtarake malazeze më 15 korrik 1915 dhe së  bashku me Çerciz Topullin u pushkatuan në fushën e Shtojit, pranë fshatit Golem të Shkodrës. Mustafa Qulli u shpall Dëshmor i Atdheut ne vitin 2012.

Më 15 korrik të vitit 1998  ka rënë për çlirimin e Kosovës nga barbaria pushtuese serbe, Miftar Bajraktaraj

 

 

Më 16 korrik të vitit 1943 u vra Reshit Çollaku, ndër komandantët e parët të LANÇ-it. U lind në Poradec në vitin 1914. Ka studiuar në Itali por me rastin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia u kthye në atdhe dhe organizoi rezistencën kundër pushtimit të vendit deri në rënien e tij heroike.

Më 16 korrik të vitit 1966, vdiq në Tiranë, Loro Kovaçi. U lind më 30 gusht të vitit 1903 në Shkodër. Ishte një ndër aktorët e parë shqiptar dhe për veprimtarinë e tij artistike është vlerësuar me titullin “Artist i Popullit”. Aktivitetin teatror e filloi që nga viti 1920. Pas një përvoje të gjatë në teatrin amator,më 1 shtator 1946, së bashku me Pjetër Gjokën e të tjerë, vjen në teatrin e Ushtrisë. Më 1 shtator 1947 kalon pranë Teatrit Popullor të Tiranës si aktor profesionist. Roli i tij i parë ishte në komedinë “Prefekti”. Interpreton më vonë në pjesët “Rrënjët e thella”,”Skenderbeu”, “Guvernatori i Provincës”, “Karakteri moskovit”, “Otello”, “Revizori”, “Intrigë dhe dashuri”, “Orët e Kremlinit”, “Hamleti”, “Mbreti Lir”, “Trimi i mirë me shokë shumë”, etj. Roli i fundit në skenën e Teatrit Kombëtar ishte roli i kolonelit italian në dramën “Tri të shtëna pushke”, të cilin ai e interpretoi vetëm dy herë. Ka marrë pjesë në disa filma artistikë shqiptarë, duke filluar nga “Skënderbeu”.

Më 16 korrik  të  1932 u lind në Tepelenë, Pandeli Cina. Qysh në moshë të vogël ka jetuar në Berat. Ishte djalë i një farmacisti të njohur. Pasi kreu Politeknikumin Mjekësor në Tiranë, u dërgua për studimet e larta në Akademinë Mjekësore të Varshavës. Atje kreu specializim për kardiologji. Pasi mbaroi studimet u kthye në Shqipëri dhe punoi si kardiolog. Në vitin 1960 u transferua në Berat ku dha një kontribut të shquar për të sëmurët me zemër. Nga viti 1976 e deri në vitin 2001 me ndonjë shkëputje përsëri në Berat ka shërbyer në Tiranë, si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës dhe në spital. Aftësitë profesionale të tij, tashmë ishin bërë të njohura. Profesor  Pandeli Çina ka dhënë kontribut me vlerë në ngritjen e Laboratorit të Elektro-fiziologjisë, në vitin 1986. Ka marrë gradat shkencore, Profesor dhe Doktor i Shkencave Mjekësore. Ka botime të njohura në fushën e kardiologjisë. Ka shkruar dhe ka botuar shumë poezi dhe ka shqipëruar nga krijimtaria e poetëve të shquar francezë e polakë. Ka përkthyer në polonisht edhe  poezi të Migjenit dhe të poetëve të tjerë.

Më 17 korrik të vitit 1924, pas një beteje të përgjakshme kundër mijëra forcave serbe pushtuese serbe të Nikolla Pashiqit, pas një lufte heroike u plagos për vdekje,  Azem Bejtë Galica, luftëtari popullor, i cili me trimat e trimëreshat e tij për 12 vjet i rezistoi pushtimit serb të Kosovës. Ka qenë kryekomandant i forcave guerile të Kosovës e më gjerë. Luftëtari më i njohur dhe më i përkushtuar i çlirimit të Kosovës, i cili padrejtësisht u etiketuar si kaçak jo vetëm nga regjimi kriminal i Serbisë, por edhe nga historianët vasalë të regjimit serb. Nga shumë historianë  edhe sot e kësaj dite vazhdon të trajtohet kaçak. Është ndër kryengritësit e vetëm që ka luftuar kundër Serbisë, Austro-Hungarisë dhe pushtimit bullgar të viseve të Kosovës. U lind në Galicë të Drenicës në vitin 1889. Ishte në ballë të luftëtarëve të lirisë, jo vetëm në trojet e mbetura nën pushtimin serb, por edhe në Shqipëri kundër forcave esadite e zogiste. Ka qenë përkrahës i Bajram Currit, Fan Nolit, Hasan Prishtinës dhe kreut përparimtar demokratik të kohës.  Pas vdekjes, bashkëluftëtarët e kishin  varrosur tinës në një shpellë, në fshatin Gllarevë,  me qëllim që regjimi serb të mos e zbulonte trupin e tij.

Më 17 korrik 1942 ka rënë në luftën partizane, Muzafer Asqeriu, “Heroi i Popullit”.

Më 17 korrik 1944 forcat fashiste gjermane ekzekutuan luftëtaret e lirisë, Bule Naipi  dhe Persefoni Kokëdhima. Paraprakisht ata i kishin torturuar në mënyrë çnjerëzore me qëllim për t i detyruar që të dekonspironin luftëtarët partizanë me të cilët ato kishin bashkëpunuar.

Më 17 korrik të vitit 1998, duke luftuar heroikisht përballë forcave ushtarake e policore serbe, kanë rënë dëshmorë në altarin e lirisë së Kosovës:  Avdullah Bugari, Avdyl Hasanaj dhe Besim Bistrazhini.

Më 18 korrik të vitit 1913, vdiq në Krojmir të Drenicës, Azem Ramë Olluri, i njohur si Azem Efendija. Ishte djali i Azem Ramë Ollurit, një klerik islam i njohur i kohës. U lind në vitin 1825. Në moshën 18 vjeçare pasi kishte kryer me sukses mësimin fillor dhe të mesëm, me propozimin e Medresesë së Madhe të  Prishtinës, dërgohet në Stamboll ku ka kryer studimet në drejtësi dhe në teologjinë islame. Në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kishte lënë familjen në Turqi dhe ishte kthyer në Kosovë. Ka qenë pjesëmarrës i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Është ndër të parët që ka përhapur në Kosovë, poemën e Vaso Pashë Shkodranit, “O moj Shiqpni e mjera Shqipni”. Ka mbajtur qëndrim të moderuar në kërkesat e Lidhjes dhe me kohë kishte paraparë rrezikun e pushtimit sllav të trojeve shqiptare. Në decenien e fundit të sundimit osman në Kosovës ishte kryetar i Islihatit në Prishtinë, për rajonin e Drenicës jugore.  Në bibliotekën e tij personale ka lënë rreth 80 libra në gjuhën arabe, turke e persiane, të cilat pas vdekjes  familja e tij ia ka dhuruar, Mulla Emin Miftarit nga Krojmiri. Janë shënuar disa anekdota dhe fjalë të urta që ka lënë trashëgim, muderriz Azem Efendiu i Krojimirit.

Më 18 korrik të vitin 1998, në luftën e UÇK-së, duke luftuar përballë forcave vrastare e kriminale serbe  kanë  rënë dëshmorë: Agron Krasniqi, Gani Paqarizi, Tafil Zyberaj, Visar Thaçi dhe Agim Kelmendi

Më 18 korrik të vitit 2017, në moshën 64-vjeçare vdiq Qani Mehmedi. U lind në vitin 1953 në Dragomisht të Kërçovës ku mori edhe mësimet e para. Shquhej për mendim kritik, solidaritetin me kolegë dhe mbi të gjitha për përkushtimin e tij kombëtar e profesional.

 

 

Më 19 korrik të vitit  1900, u lind Çiprian Nika. Ishte  frat françeskan, mësues dhe publicist shqiptar.  U lind në Shkodër me emrin e pagëzimit Dedë, i biri i Mëhill Nikës dhe Prendës së Ali Mirashit nga fshati Celaj i Shoshit. Deda mbetet jetim nga e ëma kur qe pesë vjeç dhe një frat e afroi në Kuvendin e Françeskanëve në qytet. Përfundoi studimet e Larta Teologjike në Austri dhe më 26 korrik 1924, u shugurua meshtar në Romë, duke marrë emnin Çiprian, në Urdhnin e Fretënve të Vogjël. U kthye në Shkodër dhe u emërua profesor në liceun Ilyricum. I dhënë pas muzikës, nën drejtimin e Át Martin Gjokës mori pjesë në orkestrën frymore të Françeskanëve që përbëhej prej rreth 40 vetësh, ku i binte flautit. Më 1939 u ndodh në postin e Provincialit, më 1943 kur u zgjodh  Mati Prennushi, Nika qishte guardian i provincës. Me hyrjen e regjimit komunist, Çiprian Nika u arrestua i akuzuar për fshehjen e armëve.  At Çiprian Nika u pushkatua më 11 mars 1948, në Zallin e Kirit, në Shkodër.

Më 19 korrik të vitit 1998 ka filluar Beteja për Mbrojtjen e  Rahavecit. Atë ditë komandanti, Agim Çelaj, i shoqëruar prej Agush Gjocajt e Sadik Shalës, me 16 shokë të tjerë, rreshton luftëtarët, në Rrasat e Rahavecit nëpër aksin e magjistrales Prishtinë-Rahavec. Por po atë ditë,  forcat serbe depërtonin nëpër Shpatin e Shtavicës dhe breshërojnë aksin e magjistrales. Gjatë luftimeve përjetësohen në altarin e atdheut Agim Çelaj në krye të grupit e pranë bashkëluftëtarëve: Sadik Shala, Liman Gegaj, Faik Rama, Gëzim Hamza e Abdullah Bugari, ndërsa në vazhdën e këtyre luftimeve përreth Rahavecit përjetësohen edhe Gani Paçarizi, Hamdi Berisha, Afrim Krasniqi, Agim Kelmendi, Skender Jahë Kastrati, Tafil Zyberaj, Mizahir Isma, Arian Brahimi, Bekim Isma, Eshrafedin kastrati, Remzi Ukshini, Gëzim Mullabazi, Samir Nurkasa, Xhafer Nurkasa, Xhevat Kasapi, Habit Berisha, Ramadan Morina e Ruzhdi Xhuliqi. Kështu dhe në këto luftime në sajë të qëndresës dhe heroizmit të luftëtarëve të Fortesës, të Drinasit, të Krushës së Madhe, të Drenajt e të Llapushës, me një sakrificë të madhe e me gjakun e nëntëmbëdhjetë dëshmorëve, u shkrua edhe historia e marrjes së qytetit të Rahavecit dhe të mbajtjes së tij deri me 24 korrik të vitit 1998.

Më 19 korrik të vitit 1940 u lind, Frederik Rreshpja,  poet lirik, eseist, publicist dhe botues shqiptar. Penda e tij është ndër më përfaqësueset e vargut shqip. U lind në Shkodër në një familje me origjinë nga Dukagjini. Fëmijërinë e kaloi në lagjen e Çakajve. Kreu shkollimin fillor dhe të mesëm pranë gjimnazit “29 nëntori”. Studimet universitare i ndoqi, në Tiranë me korrespondencë. Punoi në gjendjen civile ne Dajç të bregut të Bunës, më pas nëpunës si përgjegjës kulturor pranë Kombinatit të Drurit në Shkodër.  Në vitin 1991 Frederiku u bë kryeredaktori i gazetës “Ora” të Partisë Socialiste të Shkodrës. Ai qe gjithashtu kandidat për deputet nga Partia Socialiste në zgjedhjet e marsit 1992. Nga vitin  1992 shpërngulet nga Shkodra në Tiranë, ku u bë themelues e pronar i shtypshkronjës dhe shtëpisë botuese “Europa” dhe drejtor i revistës kulturore-letrare me po të njëjtin emër. Pas vitit 2000 përjetoi një varfëri të skajshme, e më pas pësoi një hemorragji cerebrale më 2001. Vdiq më 17 shkurt të 2006 në Shkodër dhe varroset të nesërmen në varrezat e Rrëmajit.

Më 20 korrik të vitit 1621, kleriku dhe shkrimtari shqiptar, Pjetër Budi u emërua ipeshkëv i Sapës dhe i  Sardës, ndërsa një vit më vonë e nisi misionin e tij ipeshkёvnor në Shqipëri, ku kryesisht zhvilloi aktivitete të natyrës atdhetare e politike. Në dhjetor të vitit 1622 duke kaluar lumin Drin, humbi jetën. Vdekja e tij tragjike mbetët një enigmë. Vepra e parë e ipeshkvit shqiptar Pjetër Budit qe “Doktrina e Krishterp” që është përkthim i katekizmit të Shën Boberto Bellarminit, botuar në Romë në vitin 1618. Disa prej poemave janë përkthim nga latinishtja ose italishtja mirëpo një pjesë e mirë janë origjinale.

Më 20 korrik të vitit 1927 vdiq, Qerime Halil Radisheva, e njohur si Shote Galica. Më 3 korrik të vitit 1927  ishte vendosur në Shqipëri, në Fushë Krujë, me gratë dhe fëmijët e  plagosur të luftëtarëve të lirisë nga Kosova. Atë nuk e kishte ndihmuar  qeveria e Zogut. Shote Galica, lindi më 4 tetor të vitit 1895 në fshatin Radishevë të Drenicës. Ishte bashkëshortja dhe bashkëluftëtarja e   prijësit të çetave çlirimtare të Drenicës e Kosovës, Azem Bejtë Galica. Mori pjesë në shumë aksione të rëndësishme kundër armikut. Kundërshtoi fuqishëm politikën e dhunës e të terrorit të regjimit shovinist të Beogradit kundër popullsisë shqiptare. Më 1919 mori pjesë në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa më 1922-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, e cila shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës e të Malësisë. Në korrik 1924 mori pjesë në mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës (Arbërisë së Vogël). Në korrik 1924 pas rënies së Azem Galicës vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij. Së bashku me qindra luftëtarë të Kosovës në dhjetor të 1924 luftoi kundër ushtrive serbe e bjellogardiste dhe forcave të Ahmet Zogut. Regjimi kriminal i mbretërisë serbe i kishte vrarë  22 anëtarë të familjes së saj. Ajo vdiq e braktisur nga regjimi i Zogut, meqë së bashku me burrin Azem Galica ishte kundërshtare e atij regjimi despotik.

Më 20 korrik të vitit 1957, në Ersekë lindi, Shefki Hysa,  shkrimtar bashkëkohor shqiptar. Shkollën fillore e tetëvjeçare i kreu në Shalës të Konispolit. Shkollën e mesme e përfundoi në vitin 1976 në Konispol të krahinës së Çamërisë. Pas shumë përpjekjesh, në vitin 1989, u diplomua për gjuhë-letërsi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Ka kryer disa specializime në fushën e gazetarisë, botimeve dhe të marrëdhënieve publike e ndërkombëtare. Gjatë viteve 1991-97 ka punuar si gazetar në gazetën “Çamëria” dhe kryeredaktor në gazetat “Kombi” e “Dielli”. Ka drejtuar dhe vazhdon të drejtojë OJQ Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri” (Komuniteti Kulturor i Çamërisë) dhe institucionin Shtëpia Botuese “Bilal Xhaferri”. Që nga viti 1995 vazhdon të drejtojë si botues dhe si Kryeredaktor revistën e përmuajshme “Krahu i shqiponjës”.

Më 21 korrik 1925 lindi Martin Camaj, shkrimtar dhe studiues i njohur i gjuhës shqipe. U lind në Temal të Dukagjinit. Vdiq më 12 mars të vitit 1992 në  Munhen të Gjermanisë. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë jugore. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer.

Më  21 korrik të vitit 1936 në një familje me tradita muzikore u lind, Fiqiri Kraja. Pas studimeve të para në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ai punoi si klarinetist pranë bandës së ushtrisë, e më pas në Ansamblin e Ushtrisë. Fiqiri Kraja është i pari instrumentist i perkusionit në Shqipëri, studimet mbi të cilin i mori në Konservatorin e Sofjes në Bullgari, për ti vijuar më pas në Konservatorin e Tiranës në klasën e dirigjentit, Mustafa Krantja. Nga viti 1966 deri në vitin 1980 ai ju dedikua me mish dhe me shpirt punës si dirigjent, për 14-të vjet me radhë. Kontributi i tij do të ishte i pashlyeshëm si pedagog pranë Institutit të Lartë të Arteve dhe dirigjent i orkestrës simfonike të këtij institucioni dhe njëkohësisht i orkestrës së Liceut Artistik. Vdiq Në Tiranë në moshën 81-vjeçare në vitin 2017.

Më 21 korrik të vitit 1973, në Ferizaj, u lind Hyrë Emini, dëshmore e kombit, pjesëtare e dy luftërave çlirimtare. Familja e saj ishte me prejardhje nga fshati Maçitevë i Therandës, por që u shpërngul me dhunë për në Turqi. Prej atje, rikthehet në Kosovë, për t’u vendosur përfundimisht, në Ferizaj. Hyrë Emini Ishte profesoreshë e gjuhës shqipe. Gjatë luftës ka raportuar për Radion Kosova e Lirë nga Zona e Neredimes. Më 29 korrik të vitit 20o1 në një aksion ushtarak, Hyrë Emini  bie në krye të detyrës, në Kuk Zabel të Gostivarit. Në këtë rast bien edhe bashkëluftëtarët e pandashëm të saj, Komandanti në tri luftërave  çlirimtare, Tahir Sinani, pjesëmarrësi në katër luftëra  çlirimtare, Naser Ademi nga Gostivari, pastaj Brahim Ademi, nga Kosharja e Ferizajt dhe Hisa Fazliu, po nga Gostivari, ndërsa plagosen: Vjollca Hamiti nga Prelezi i Ferizajt dhe Hajrullah Fejzulli nga Gostivari.

 

Më 22 korrik të vitit 1571 vdiq në Stamboll Hajredin Pashë Barbarosa kryekomandant i flotës detare turke. U lind në ujdhesën, Lezbos në vitin 1478, në një familje shqiptare, arvanitase. Fitoret e shumta detare  të Barbarosës siguruan dominimin e Perandorisë Osmane mbi Mesdheun gjatë shekullit të 16-të, duke filluar nga Beteja e Prevezës e vitit 1538 deri në Betejën e Lepantos të vitin 1571. Mbiemrin Barbarosa ia kishte dhënë Sulltan Sylejmani. Me këtë emër u  bë i njohur  në Evropë. Mbiemrin Barbarosa e trashëgoi edhe vëllai i tij më i madh Oruç Reis pasi u vra në një betejë me spanjollët, në Algjeri.

 

Më 22 korrik 1944 në luftë kundër forcave fashiste gjermane u vra, Zonja Çure, partizane, Heroinë e Popullit.  Ajo lindi në vitin 1920 në Tragjas të Vlorës. U vra në Qafshkallë të Klosit, në Mat. Qysh në vitin  1942 ishte përgjegjëse për të rejat antifashiste të fshatit. Në janar të vitit 1944 ne kulmin e Operacionit të Dimrit rreshtohet në radhët e Brigadës së Pestë Sulmuese.

Më 22 korrik të vitit 1998, është parë për herë të fundit, luftëtari i  lirisë dëshmori i UÇK-së,  Remzi Ukshini. Në luftimet për mbrojtjen e Rahavecit prej 19 korrikut të atij viti  kishin rënë edhe komandanti, Agim Çela me 18 dëshmorë. Remzi Ukshini dhe Arian Brahimi nga Shkodra konsiderohen të zhdukur meqë prej 22 korrikut të vitit 1998 ende nuk janë zbuluar trupat e tyre.

 

Më 22 korrik të vitit 2012, vdiq në qytetin Lodve të Francës, poeti Ali Podrimja. U lind më 28 gusht të vitit 1942,  në Gjakovë. Është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi. Ndër veprat më të njohura të tij janë: “Thirrje”, “Dhimbë e bukur”, “Sampo”, “Torzo”, “Folja” , “Credo”, “Sampo 2”, “Drejtpeshimi” e të tjera.

 

Më 23 korrik të vitit 1649 u lind Gjon Françesk Albani, apo Papa Klementi i Nëntë, i mbiquajtur Albani. Vdiq më 19 mars 1721 në Romë. Ai ishte Papa i 243 i Kishës Katolike. Shërbeu si papë nga 23 nëntori i 1700-ës deri më 19 mars 1721. Papa Klementi XI-Albani e drejtoi kishën katolike për 21 vjet dhe rreshtohet i katërti për nga vitet mbas Shën Pjetrit me 35 vjet, Papa Piut me 31 vjet, Papa Gjon Palit me 26 vjet. Në vitin 1660-të pas kryerjes së shkollës fillore ai shkoi në Romë, për të ndjekur kolegjin romak. Aty studioi gjuhë të vjetra dhe drejtësi. Në vitin 1668 diplomohet në drejtësi. Dhe në vitin 1670 fillon karrierën kishtare. Nga Papa Inoçenti do të emërohet si sekretar i dekreteve papnore dhe në shkurt 1690 do emërohet kardinal. Më 9 tetor 1700 zgjidhet papë i kishës katolike. Ndihmesa ndaj Shqipërisë, shpresa e vazhdueshme e papës me origjinë shqiptare Klementit të Nëntë, për të bashkuar Krishterimin, dha rezultate të gjëra në Shqipëri. I përket asaj periudhe mbajtja e “këshillit fetar të parë kombëtar shqiptar” të vitit 1703, i njohur si Kuvendi i Arbrit,  i cili shënoi ndryshimet rrënjësore në linjën e veprimit të klerit për çështjet dogmatike, morale, kanunore dhe ipeshkvore. Priftërinj të shumtë ortodoksë nga Shqipëria, i kishin drejtuar Papës kërkesa ndihme për mbështetje politike duke sjellë edhe një afrim fetar.

Më 23 korrik të vitit 1880 u mbajt Kuvendi i Gjirokastrës, i kryesuar nga Avdyl Frashëri. Kuvendi kërkoi autonomi për trojet e Shqipërisë dhe vendosi që me armë në dorë të mbroheshin viset shqiptare të Çamërisë, Ulqinit, Plavës e Gucisë.

Më 23 korrik  të vitit 2001 ka rënë dëshmori i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare,  Murtezan Etemi. Ai ishte mesin e luftëtarëve të radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. U lindi më 29 korrik të vitit 1962, në fshatin Sllatinë të rrethit të  Tetovës. Shkollën fillore, Murtezani e kishte kryer në vendlindje. Murtezani ka qenë luftëtar në radhët e Brigadës 122 “Mujdin Aliu”. Gjatë luftimeve më 23 korrik 2001 Murtezani  ka rënë në luftë kundër forcave policore sllavomaqedone.

Më 24 korrik 1930 vdiq, Bajo Topulli, atdhetar veprimtari i Rilindjes Kombëtare, luftëtar dhe vëlla i heroit të kombit,  Çerçiz Topulli.  U lind në Gjirokastër në vitin 1868. Pas aktivitetit në Jug të Shqipërisë dhe vrasjes së Dhespotit të Korçës, për të larë gjakun e Papa Kristo Negovanit, Bajo Topulli e pati shumë të vështirë qëndrimin në Shqipëri, ndaj dhe në fund të nëntorit, Bajo i shoqëruar nga Çerçizi dhe Zeman Haskua udhëtojnë drejt Sofjes, ku e priti një grup shqiptarësh me në krye Shahin Kolonjën. Atje u njohën edhe me  Mihal Gramenon, i cili ndikoi në formimin dhe idetë e veprimtarit Çerçiz Topulli deri në fund. Bajo ndërmerr një udhëtim të gjatë në kryeqendra të Evropës dhe në Amerikë, ku u shoqërua nga Fan Noli, për të gjetur mbështetje për çështjen shqiptare. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, madje ai u zgjodh në komisionin e ngushtë të Alfabetit, prej 11 vetësh, ku ndër të tjerë bënin pjesë edhe At Fishta, Dom Mjeda, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, etj. Bajo Topulli ishte përkrahës i variantit të alfabetit me shkronja latine, i cili u pranua si një nga dy variantet, bashkë me alfabetin e Stambollit, që të përdoreshin mes shqiptarëve. Kjo ngjarje e madhe u pasua me hapjen e shkollave dhe klubeve të gjuhës shqipe.

Më 24 korrik 1916, u lind Jashar Bunguri agronom, veprimtar. U lind  në Grevë, një fshat pranë Peshkopisë.  Në vitin 1925-1926, u regjistrua në shkollën fillore të fshatit, ku jepte mësim një mësues nga Kosova.  Në vitin 1933, për arsye të një grindjeje së bashku me një shok tjetër me një nga profesorët, u përjashtuan një vit nga shkolla. Me disa ndërmjetësime u arrit të vazhdonte mësimin në Shkollën Bujqësore Shqiptaro Amerikane të Kavajës. Në vitin 1942 kontakton me partizanët Nazmi Rushiti, Stefan Luarasi, doktor Toma Harito etj. Në këtë kohë pat rastin të binte në kontakt edhe me Haxhi Lleshin, në fshatin Grevë. Për merita lufte, për kontributin e madh në mbështetje të lëvizjes, si mase represive, iu dogj dy herë shtëpia. Me 1 janar 1957, me vendim të partisë u emërua agronom i rrethit e që më vonë, për 14 muaj u emërua e punoi Drejtor i Ndërmarrjes Lokale Bujqësore Peshkopi. Mori medaljen e trimërisë e të kujtimit si dhe medalje të tjera dhe mori pensionin shtesë si veteran lufte deri në fund.

Më 24 korrik të viti 1998 në Betejën për Mbrojtjen e Rahavecit kanë rënë dëshmorët e UÇK-së: Gëzim Mullabazi, Habib Berisha, Samir Nurkasa, Xhafer Nurkasa, Xhevat Kasapi.

Më 25 korrik 1921 në Gjirokastër u formua Organizata e Arsimtarëve të Shqipërisë, e quajtur “Lidhja e mësuesit”. Ishte organizata e parë arsimor në Shqipëri që merrej me aktivitet arsimor, edukativ e pedagogjik.

Më 25 korrik të vitit 1946, në Blinajë, ish Lypovicë, komuna e Lypjanit, u mbajt  Kongresi i Lipovicës, Kongresi i Pestë  i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare. Atë ditë  ishte shpalosur programi atdhetar demokratik i “Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare”. Ky orientim i forcave të vërteta atdhetare sfidonte regjimin komunist, i cili nuk pranonte konkurrencë në ndarjen e pushtetit, edhe pse gjatë luftës ata kishin premtuar se pas fitores do ta lejonin përcaktimin e lirë e demokratik të qytetarëve. Ideologët e kësaj Lëvizjeje të re, e cila nuk ishte komprometuar as në përkrahje të forcave nazi-fashiste, por as në forcat partizane komuniste, pretendonte barazinë, lirinë dhe marrjen e pushtetit me ndihmën e forcave anglo-amerikane dhe vendosjen e rendit demokratik. Më këtë rast përkujtojmë ideatorët dhe luftëtarët më të shquar të kësaj date me rëndësi të luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Më 25 korrik të vitit 1946, në Kongresin e Lipovicës kanë marrë pjesë rreth 150 luftëtarë  nga shumë vise shqiptare që strehoheshin në male, në përpjekje për ta luftuar regjimin titist, i cili kishte aplikuar masa shafaronjëse kundër shqiptarëve, duke i etiketuar si ballistë, me qëllim për t i dënuar si bashkëpunëtorë  të fashizmit. Më 25 korrik 1946 në Kongresin e Lypovicës kanë marrë pjesë: Gjon Serreçi, Ajet Gërguri, Arif Shala,  Osman Bunjaku, Hilmi Zariqi, Jetullah Rezalla, Ahmet Selaci, Mulla Ramë Govori, Azem Jashanica, Osman Bunjaku, Shaban Bunjaku, Ahmet Selaci, Kadri Bebë Ribari, Mustafë Kadri Beba, Salih Rexhë Ribari, Rexhep Salihu, Sadri Duhla, Ali Gashi, Shemsi Gashi nga Mramori dhe shumë luftëtarë të tjera nga të gjitha viset e Kosovës

Më 25 dhe 26 korrik të vitit  1998, forcat ushtarake e policore serbe kishin filluar ofensivën e parë të verës kundër gjitha pikave dhe bazave të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Forca të shumta të artilerisë e këmbësorisë armike në orën 4 të mëngjesit kishin nisr  bombardimet nga Pishat e Shtimet në drejtim të Carralecës e Zborcit, pastaj nga Postblloku i Komaranit kishte filluar sulmi kundër Grykës së Llapushnikut e cila ishte zënë nga luftëtarët e lirisë qysh me 9 maj të tij viti. Po atë ditë kishte filluar edhe sulmi nga vendqëndrimi serb, në Duhle kundër fshatrave të Llapushës, duke filluar nga fshati Bllacë e deri në Malishevë  e fshatra të tjera të kësaj ane ku kishte qindra pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për ofensivën  që zgjati dy ditë ditën e shtunë dhe të diel të 25 dhe 26 korrikut, Kreu politik dhe ushtarak i Serbisë kishte marrë edhe lejen e ndërkombëtare, sepse asokohe lufta e UÇK-së konsiderohej terroriste.

 

 

 

Më 26 korrik të vitit 2018 vdiq, Adem Demaçi. U lind në maj të viti 1935, por zyrtarisht babai i tij Zeqiri e regjistroi më 26. 02. 1936. Që pas mbarimit të shkollës Demaçi ishte pjesë e organizatave, të cilat kundërshtonin shpërnguljen masive nën dhunë të shqiptarëve për në Turqi dhe diskriminimin e tyre. Ai dënoi publikisht  aksionin e mbledhjes së armëve vetëm të shqiptarëve, aksion represiv  që ishte ushtruar në dimrin e viteve 1955 – 1956, në Kosovë. Në pranverën e vitit 1958, në revistën letrare me emër “Jeta e re“ falë guximit dhe përkujdesjes së poetit Esad Mekuli, në dy numra, u botua romani i tij “Gjarpinjtë e gjakut”.  Më 19. 11. 1958, u arrestua nga UDB-ja  në Prishtinë, dhe pas disa muajsh në hetuesi, doli para Gjyqit të Qarkut, ku u dënua 5 vjet burg. Në vitin 1963 themeli organizatën, “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, e cila kishte shtritë aktivitetin në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Në vitin 1964 u burgos dhe u dënua 15 vjet burg. Në vitin 1974 u dënua për herë të tretë, 15 vjet  burg. Pas daljes nga burgu ku ishte mbajtur 28 vite, në vitet 90 u zgjodh kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, me qendër në Prishtinë. Gjatë luftës së UÇK-së ishte zëdhënës i Përgjithshëm i UÇK-së.

Adem Demaçi është nderuar me çmimet:

“Urdhëri hero i Kosovës” në vitin 2010.

Çmimi Saharov për Lirinë e Mendimit, në vitin 1991

Çmimi për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Oslos, 1995.

Adem Demaçi ka qenë edhe shkrimtar, poet e publicist i njohur. Në vitin 2012, në Prishtinë  u botua kompleti  veprave të tij në 10 vëllime.

Më 26 korrik të vitit 1915 lindi Dhimitër Shuteriqi, shkrimtar, poet dhe studiues i letërsisë. Ishte pjesëmarrës i luftës Antifashiste nacionalçlirimtare. Pas luftës ishte deputet në Kuvendin popullor dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Vdiq më 22 korrik 2003. Veprat e tij kryesore janë: “Këngët e rinisë së parë” romani, Çlirimtarët, Përmbledhje me tregime, Gurneçka, pastaj  Fyelli i Marisiasit e të tjera . Ka botuar edhe vëllime të shumta tekstesh mësimore sidomos ato të Historisë  së Letërsisë shqipe për shkollat e mesme.

Më 26 korrik të vitit 1998  në luftë për Mbrojtjen e Grykës së Llapushnikut kanë rënë, komandanti i pikës luftarake, Imer Alushani dhe luftëtarët, Ali Zogaj e Sylë Morina.

Më 26  korrik 1998, në mbrojte të pozicioneve të UÇK-së në Zborc, afër Carralevës ka rënë dëshmor,  Ruzhdi Salihu.

Më 27 korrik  të vitit 1959, vdiq në burgun e Burrelit, Xhevat Korça. Ai u lind më 10 janar të vitit 1893 në Korçë. Ishte ka qenë mësues, historian dhe ministër Arsimi i qeverisë Kruja. Që i ri iu bashkua çetave e Themistokli Gërmenjit dhe Spiro Ballkamenit. Për këtë aktivitet atdhetar u dënua me vdekje si prej autoriteteve osmane dhe grekëve. Ndoqi gjimnazin e Janinës, Zosimean. Me interesimin e Gërmenjit dhe përkrahjen e Bajram Currit, administrata shqiptare gjatë pushtim-administrimit austro-hungarez dërgoi Xhevatin së bashku me disa djem të tjerë me studime në Vjenë. Ndoqi studimet në Fakultetin e Filozofisë, dega histori. Me 15 dhjetor të vitit 1918 së bashku me studentët Jani Basho, Remzi Baçi, Nush Bushati, Raqi Buda, Fuad Asllani, Gjovalin Gjadri, Luigj Kakarriqi i paraqitën presidentit amerikan Wilson një lutje ku i kërkojnë “në emër të djelmërisë shqiptare e të kombit shqiptar të merrni këtë komb fatkeq nën mbrojtjen re tij.

Në prill të vitit 1945 Korça doli para Gjyqit Special, të kryesuar prej Bedri Spahiut dhe Koçi Xoxes. U dënua me vdekje, por më vonë me burgim të përjetshëm. Në vitin 1949 Xhevati ndodhej i shtruar në spitalin e burgut. Del nga spitali pa marrë asnjë mjekim, dhe vijoi dënimin në Burgun e Burrelit, ku pas njëfarë kohe vdiq në grevë urie më 27 korrik 1959.

Më 27 korrik 1913 lindi Koçë Pandeli Gllozheni, obsterër gjinekolog. Ka studiuar në Greqi dhe në Francë. Në veprimtarin e tij shkencore numërohen mbi një mijë artikuj shkencorë nga mjekësia.

Më 27 korrik 1919 Fan  Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur. Një vit më pas, duke pasur parasysh rritjen e figurës së Nolit si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare dhe si shkrimtar, orator dhe komentator politik i talentuar, ishte e logjikshme që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë,  më 17 dhjetor 1920.

Më 27 korrik  të vitit 1998 kanë rënë luftëtarët e  UÇK-së, Shaban Golaj dhe  Fetah Krasniqi.

Më 28 korrik të vitit 1914  ka filluar Lufta e Parë Botërore. Austro-Hungaria i shpalli luftë Serbisë për shkak se atentatorët serbë, një muaj më parë  kishin vrarë, prijësin e Austro-Hungarisë në Sarajevë, Franc Ferdinand. Lufta e Parë botërore ka marrë jetën e rreth 40 milionë njerëzve nga radhët e palëve ndërluftuese. Gjatë kësaj lufte edhe pse Shqipëria neutrale, forcat ndërluftuese vranë masakruan dhe dëbuan nga trojet e tyre dhjetëra mijëra shqiptarë

Më 28 korrik të vitit 1922 u vendosen marrëdhëniet diplomatik në mes të Shqipërisë dhe Shteteve të bashkuara të Amerikës, shteti i cili nuk kishte lejuar gllabërimin e Shqipërisë nga Greqia dhe Jugosllavia.

Më 28 korrik të vitit 1920 lindi në Shkodër, Arshi Pipa. Ka qenë arsimtar, publicist, poet, gjuhëtar, kritik letrar, përkthyes dhe pedagog shqiptar. Ishte i biri Mustafa Nuriut dhe nënë Hatixhesë, me prejardhje nga Libohova por ishin vendosur   në Shkodër. Mësimet fillore dhe të mesme i mori në vendlindje, të parat te Kolegji Saverian e më tej për 8 vjet në Gjimnazin e Shkodrës në degën klasike, që e përfundoi më 1938. Me përkujdesjen e të atit për edukatën fetare, ndiqte mësime në medrese pasditeve. Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences.  U kthye në Shqipëri dhe nga viti 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 dha lëndën e filozofisë në Licetë Shtetërorë të Tiranës, Shkodrës dhe të Durrësit. Burgoset nga Pushteti Popullor për veprimtari antishtetërore. Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të verës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen. Vendoset në Sarajevë gjer më 1959 e më pas në Amerikë ku ka jetuar një kohë të gjatë.  Vdiq në Uashington, më 20 korrik të vitit  1997.

Më  28 korrik të vitit 1998 në fronte të ndryshme të luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorë: Muharrem Hoxhaj, Avdul Jasiqi, Isuf Sadikaj, Mirsad Idrizaj, Rizah Salihaj, Shkelzen Gacaferri, Alush Berisha, Arif Gjocaj  e luftëtarë të tjerë.

Më 29 korrik të vitit  1913, përfundoi punimet Konferenca e Ambasadorëve i filloi në dhjetor të  vitit 1912. Ajo mund të ketë qenë përcaktuese e së ardhmes së Shqipërisë mbi pavarësinë e vendit, por siç dihet nga këtu Shqipëria doli e përgjysmuar në kufijtë e saj.

Kjo konferencë u diktua prej shpërthimit të luftës së parë ballkanike. Morën pjesë fuqitë e mëdha të Evropës, përfaqësuesi i perandorisë osmane dhe përfaqësues të fuqive ballkanike, me përjashtim të Shqipërisë, që nuk njihej si shtet  dhe të Greqisë që nuk e kishte nënshkruar armëpushimin. Nga kjo konferencë doli Traktati i Londrës, mbi ndarjen e territoreve që dolën jashtë perandorisë osmane prej fuqive të mëdha dhe aleatëve të tyre. Ky Traktat mbeti i fshehtë deri në Konferencën e Versajës  në vitin 1918. Në këtë konferencë Shqipëria u njoh si principatë, që do të thoshte se forma e qeverisjes do të ishte monarkike, pushteti i trashëgueshëm, ndërsa pavarësia e kushtëzuar, sepse principata nuk arrin deri tek e drejta e shtetësisë.

Më 29 korrik të vitit 1911 në Orman Çiflig, në luftë kundër forcave turke kanë rënë gjashtë dëshmorë, nga radhët e çetës çlirimtare të Bajazit Rehovës. Luftëtarë të lirisë që ranë në moshë fare të re në luftë me forcat osmane. Kishin kryer shkollën shqipe në Korçë, kishin qenë anëtarë të shoqërisë patriotike «Vëllazëria” të qytetit ose të shoqërive patriotike të mërgimit, si edhe propagandistë të flaktë të arsimit në gjuhën amtare. U rreshtuan në radhët e çetës së Qamil Panaritit dhe të asaj të Spiro Bellkamenit. E para u ndesh me forcat osmane në Orman Çiflig më 29.30 korrik ku ranë Bajazit Rehova, Odhise Kota dhe Kostaq Kosturi. E dyta u ndesh në afërsi të Pojanit ku ranë Kristaq Furxhiu, Tushi Krastafillaku dhe Nuçi Lapi. Të gjashtë këta luftëtarë të rinj hynë në histori si «Dëshmorët e Orman Çifilikut».

Më 29 korrik të vitit 1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londër e njohur Shqipërisë si shtet të pavarur nën kontrollin e shtatë Fuqive të Mëdha, por  dy të tretat e territorit të Shqipërisë etnike ia dha Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të ZI.

Më 29 korrik të vitit 1944 u vra Nimete Progonati, partizane, heroinë e popullit.  U lind në Luz të Tepelenës më 26 korrik të vitit 1929.

Më 29 korrik të vitit 2001, në rajonin e Malësisë së Gostivarit  ka rënë  Komandanti i tri luftërave çlirimtare, Tahir Sinani dhe bashkëluftëtarët e tij, Naser Ademi po ashtu pjesëmarrës në katër luftëra çlirimtare në Kroaci, Bosnje, Kosovë dhe në Maqedoni, pastaj profesoresha, Hyrë Emini  luftëtare  e tri luftërave çlirimtare, Hyrë Emini,  po ashtu edhe luftëtari i tri luftërave çlirimtare,  Brahim Ademi dhe Hisa Fazliu.

 

 

Më 30 korrik të vitit 1520, vdiq Angjelina Aranit Komneni. Ajo rridhte nga një familje fisnike shqiptare dhe ishte kunatë e Skënderbeut. Për jetën e saj të devotshme ajo është shpallur shenjtore dhe nderohet si e tillë nga Kisha ortodokse.

Angjelina Aranit Komneni u lind në Berat, në kohën kur shumica e shqiptarëve ishin të krishterë ortodoksë. Ishte bija e gjashtë e fisnikut Gjergj Arianit Komneni. Ajo Angjelina ishte e motra e Donika Kastriotit, e cila ishte gruaja e Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Ajo u  martua me udhëheqësin serb Stefan Brankoviq. Njohja e saj me Stefanin e verbër, djalin e Despotit të Sërbisë, ndodhi më 1460 kur ai erdhi për vizitë tek Skënderbeu. Zonja Angjelina dhe despoti Brankoviç u larguan për në territoret e Lidhjes së Lezhës dhe më pas në Friuli, Itali, kur Despotati serb dhe territoret e Lidhjes u pushtuan nga Perandoria osmane. Territori i despotatit që nga viti 1459 ishte nën pushtimin osman. Angjelina gjatë gjithë jetës u përpoq të ndihmojë të varfërit. Ajo shkroi një hagiografi të njohur si Hagiografia e Nënë Angjelinës.

Më 30 korrik të vitit 1898 vdiq  kancelari gjerman, Otto von Bismark. Në historinë e popullit shqiptar njihet si mohues i kombit dhe i vendit të Shqiptarëve. Në Kongresin e Berlinit që u mbajt më 13 qershor të vitit 1878 ai kishte mohuar se ekzistonte fare çështja shqiptare dhe ishte shprehur në mënyrë injoruese se Shqipëria nuk ekziston, ajo është vetëm në shprehje gjeografike.

Më 30 korrik, të viti 2018 vdiq Luan Hajradaga, pedagog dhe ministër i shtetit shqiptar.

Lindi në Tiranë më 2 gusht 1948. Gjatë viteve  1966 – 1970 ndoqi Fakultetin e Psikologjisë në Universitetin e Bukureshtit në Rumani. Gjatë viteve  1973 – 1985 qe punonjës shkencor, dhe më pas drejtor i Institutit të Studimeve Pedagogjike deri më 1992. Më 1992 u zgjodh deputet i Partisë Socialiste, më pas kandidoi po ashtu për kryetar bashkie në Tiranë. Më 1992 – 1996 qe anëtar i Kryesisë së PS-së, ndërsa në vitet 1993 – 1996 nënkryetar i partisë. Në vitet 1998 – 2000 u emërua ministër i Mbrojtjes, ndërsa në vitet 2001 – 2005 qe zëvendësministër i Punëve të Jashtme.

Më 30 korrik  të viti 2018 ndërroi vdiq regjisori Bekim Lumi në moshën 51 vjeçare.

U  lind më 17 dhjetor të vitit 1966 në Therandë, ish Suharekë. Gjatë viteve 1987 – 1991 ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Univerzitetit të Prishtinës. Kurse gjat viteve 1992 – 1996 ka mbaruar studimet për Regji Teatri, në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në klasën e profesor Agim Qirjaqit. Në të njëjtin univerzitet, me 2010 ka mbaruar edhe studimet e magjistraturës. Nga viti 2002 deri në vitin 2008 ka punuar si gazetar i fushës së kulturës në radion “Evropa e Lirë”. Përgjatë këtyre viteve, ai ka punuar si regjisor i pavarur, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në Teatrin “Dodona” si dhe ka realizuar projekte teatrore me kompaninë e tij teatrore “Loja”. Me shfaqjet e tija, ai ka qenë pjesmarrës në dhjetra festivale të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, në Zvicër, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bosnjë e Hercegovinë e në vende të tjera. Nga viti 2013 ka punuar si profesor në Fakultetin e Arteve, dega e regjisë së Teatrit.

 

Më 31 korrik të vitit 1948 kanë vdekur  nga torturat, dom Aleksandër Sirdani dhe dom Pjetër Çuni dy  figura të shquara, jo vetëm të Kishës katolike, por edhe të kulturës, sidomos dom Sirdani, njëri nga emrat më të njohur, që botoi në shumë organe të shtypit të kohës, veçanërisht në revistën e jezuitëve ‘LEKA’.  Dom Lekë Sirdani, u lind  në Bogë në vitin 1891, i bëri studimet e para në Seminarin shqiptar e teologjinë në Insbruk, në Austri. U shugurua meshtar më 24 prill 1916. Ka punuar për fe e për atdhe. Kreu shërbimin në famullitë e maleve të kryeipeshkvisë së Shkodrës.

Më 31 korrik të vitit  1948 vdiq pas torturash, Dom Pjetër Çuni. Ai  lindi në Shkodër, më 9 korrik të vitit 1914. Shkollën fillore dhe liceun e kreu në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Kongregatën Propaganda Fide në Romë. U shugurua meshtar më 23 mars 1940. Shërbeu në famullitë e maleve përreth Shkodrës: Reç e Lohe (Shkrel). U arrestua për veprimati armiqësore  në Rrjol më 27 korrik 1948. Vdiq pas torturave më 31 korrik 1948.

Më 31 korrik të vitit 1998, ka rënë heroikisht dëshmori i luftë së UÇK-së Faik Tefik Mjeku nga fshati Grabovc. Dëshmori i kombit Faik Mjeku u lind në fshatin Grabovc i Epërm të Komunës së Kastriotit, (ish-Obiliq) nga prindërit Tefik e Havë Mjeku. Shkollën fillore e kreu në fshatin Shipitullë, ndërsa shkollimin e mesëm në Qendrën Shkollore Teknike në Kastriot. Në verë të vitit 1998 iu bashkua radhëve të luftëtarëve të lirisë. Asokohe në fshatrat Graboc, Shipitullë, Hade, Bardh ee fshtra të tjera vepronin bërthamat e para të armatosura, ku shquheshin Abedin Sogojeva, Ferid Curri, Enver Graiçevci, Bedri Berisha, Shaban Berisha, Fejzullah Graiçevci e shumë të tjerë.

Në mbrëmjen e 31 korrikut të vitit 1998  njësiti i UÇK-së, i kësaj zone mori aksion të furishëm kundër forcave serbe. Gjatë luftimeve, Faik Mjeku u plagos për vdekje dhe në rrugë për në spitalin ushtarak të Likocit mbylli sytë, duke ua lënë amanet bashkëluftëtarëve që ta vazhdojnë luftën deri në fund për lirinë e Kosovës.

 

Literatura:

Kalendari enciklopedik I, Tiranë, 1998.

Fjalori enciklopedik, Tiranë,  1985.

Arkivi I-II- III Radio-Kosova e lirë, Prishtinë 2009.

Feniksët e lirisë, 1-15  ( 2001 – 2015)

Hasan Hasani: Të pavdekshmit e Dukagjinit. Pejë 2002.

Hajrush Kurtaj: Shungullon Gryka e Kaçanikut. Kaçanik 2000.

Në kërkim të dijes dhe lirisë, studentë dëshmorë, ( Grup autorësh). Universiteti i Prishtinës, 2004.

Skënder Zhitia, Dëshmorët e UÇK-së në Llap. Pejë 2000.

Kalendari ditor i Radios-Kosova e Lirë.

Vikipedia, Internet.

Enciklopedia e lirë, internet.

 

 

Të dhënat për dëshmorët e rënë të UÇK-së, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare  nuk  janë të plota. Ato po plotesohen  vazhdimisht. Të gjithë ata që disponojnë të dhëna dhe dëshirojnë të bashkëpunojnë, mund të na kontaktojnë në [email protected]

Kontrolloni gjithashtu

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – Shtator

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – Shtator

Më 1 shtator të vitit 1888 lindi në Prishtinë, Ahmet Gashi, gjeograf dhe historian shqiptar, …