vala – old
vipa
driloni com
muqa 900
mbpzhr
Fillimi / Kalendari kombetar / Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – Shtator
Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – Shtator

Radio Kosova e Lirë, Kalendari kombëtar – Shtator

Më 1 shtator 1888 lindi në Prishtinë, Ahmet Gashi. Ai ishte gjeograf dhe historian shqiptar, “Mësues i Popullit”, profesor, autor tekstesh shkollore dhe veprimtarish të tjera arsimore e pedagogjike. Rrjedh nga një familje muhaxhirësh të dëbuar me dhunë nga Jabllanica, tani në Serbi,  dikur  vise të banuara me shqiptarë.

Ahmet Gashi mësimet e para i mori në vendlindje në gjuhën turke. Studioi në Universitetin e Stambollit ku u diplomua për histori e gjeografi. Profesorët e sugjeruan që të vazhdonte punën në Universitet, por ai nuk pranoi, u kthye të shërbej në Kosovë. Më 1912 së bashku me nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës , u përfshi në një lëvizje çlirimtare . Shkoi në Selanik, pastaj në Vlorë për t’u bashkuar me Isa Boletinin dhe shqiptarët tjerë që kishin ardhur nga Kosova.

Ahmet Gashi që në vitin 1908 jepte fshehurazi gjuhën shqipe në Prishtinë. Shkollat zyrtare në atë kohë ishin në gjuhën turke. Më vonë punoi si mësues në Normalen e Elbasanit, ku më pas u zgjodh edhe drejtor i saj. Më 1933 transferohet në Institutin e Vajzave ” Nëna Mbretëreshë” në Tiranë. Gjatë viteve 1943–1944 qe drejtor i fundit i Gjimnazit “ Sami Frashri” të Prishtinës.

Është autor i shumë teksteve mësimore të gjeografisë e të historisë së parë të Shqipërisë, i hartës së Shqipërisë së vërtetë e i një tok hartave të tjera tematike-historike për lëvizjet shqiptare kombëtare. Pushteti komunist i pas Luftës së Dytë Botërore nuk i dha vend të merituar. E caktoi mësues të thjeshtë në një shkollë shtatëvjeçare, profesorin që ishte anëtarë nderi i Shoqatës Kombëtare Gjeografike të Amerikës më 1936. Vdiq në Tiranë , më 1977.

 

Më 1 shtator 1916, u formua në Shkodë, Komisia letrare. Komisia ishte një këshill i formuar nga intelektualët më në zë të kohës mbi çështjen e gjuhës shqipe, ndër këtë elitë merrnin pjesë edhe albanologë të huaj. ë të përkohshmen “Lajmet e Komisisë Letrare Shqipe”, 1918, f.2 shënohet se Komisia filloi veprimtarinë e vet të 1-ën e shtatorit 1916. Në fillim anëtarët e Komisisë u mblodhën disa herë e biseduan gjatë e gjatë mbi statutin, mbi rregulloren e mbi mënyrën , mbas së cilës do të niseshin me zhvilluem programin e punës që statuti i vinte për barrë Komisisë”. Por puna përgatitore kishte filluar edhe më parë , mbasi nuk kërkohej vetëm dëshira e mirë e secilit prej pjesëtarëve të saj, por edhe miratimi i komandës ushtarake austriake. Atë koncension që bënë autoritetet ushtarake austriake për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, patriotët shqiptarë e shfrytëzuan me zgjuarsi dhe shumë shpejt, pa kaluar vetëm pak muaj pas pushtimit hodhën idenë për themelimin e Komisisë Letrare Shqipe. Por vendimi për miratimin e Komisisë ishte marrë më 30.06.1916. Ka edhe një version tjetër për fillimin e Komisisë, të cilin a e jep Pal Duka-Gjini në monografinë “Gjergj Fishta jeta dhe vepra” (Tiranë, 1992, f.100) ku shkruan: ”Dishiri dhe përkrahja e Austrisë për të mëkambë gjuhën shqipe i dhanë zemër veteranëve të kombit për punë përherë e ma të vlershme në këtë drejtim. Kjo përkrahje trimënoi L.Gurakuqin të themelonte , më 3 gusht 1916, nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake të kryesueme nga gjeneral Trollman dhe i ndikuem nga Dr.R.Nachtigal, studiues ky i gjuhës sonë, si dhe nga dr. Gjergj Pekmezi Komisinë Letrare”

Më 1 shtator të vitit 1928 Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë, Mbretëri dhe Ahmet Zogun, mbret të shqiptarëve, ndërkohë që miratoi edhe Statusin e Mbretërisë.

Më 1 shtator të vitit 1998 kanë rënë dëshmorët e UÇK-s, Agim Shala dhe Samidin Emini

 

Më 2 shtator të vitit 1892  lindi Llazër Shantoja, klerik, shkrimtar përkthyes.

Lazër Shantoja lindi në Shkodër më 2 shtator 1892,  në një familje tradicionalisht të shquar për patriotizëm, intelektualizëm dhe kontribut në fushën e albanologjisë. Nacionalist e demokrat, orator, poet lirik, eseist, përkthyes, i mbiquajtur “famullitari i pianofortit”, Shantoja do kujtohet sidomos si përkthyesi i veprave të mëdha të Gëtes, Shilerit dhe Hajnes. Shkrimet e Shantojës mbetën të shpërndara ndër gazeta e revista, por u përmblodhen e u botuan në 2005 nën kujdesin e botimeve françeskane në “Vepra, Lazër Shantoja”.

Më 2 shtator të vitit 1957 u themelua Universiteti Shtetëror i Tiranës.

Më 3 shtator të vitit 1878 forcat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të udhëhequra nga Sylejman Vokshi vranë në Gjakovë mareshalin turk, Mehmet Ali Pashë Magjari, në kullat e Abdullah Pashë Drenit. Gjatë përleshjeve disa ditëshe janë vrarë rreth 400 kryengritës shqiptarë dhe 92 ushtarë të Perandorisë turke. Mareshali turk kishte shkuar në Gjakovë me qëllim për t i bindur shqiptarët t’i lëshonin Malit të Zi Plavën Gucinë, Ulqinin e toka të tjera, sipas Konferencës së Berlinit të qershorit të vitit 1878, ku ishte injoruar ekzistenca e Shqipërisë, ndërsa emri i saj ishte cilësuar vetëm si shprehje gjeografike. Turqia, pas humbjes në Plevne në vitin 1877,   me qëllim të ruante territoret e tjera të Perandorisë kishte nënshkruar Traktatin e Berlinit në dëm të tokave shqiptare.

Më 3 shtator 1987 është vrarë Aziz Kelemdi.  Ai kishte lindur në fshatin Karaçicë të  Drenicës. Ishte vrarë në dalje të Kazermës së Paraçinit, në Serbi më 3 shtator të vitit 1987, pasi paraprakisht dyshohej se kishte vrarë katër  ushtarë jugosllavë.  Kjo vrasje mbeti enigmatike për faktin se u krijuan dy versione krejtësisht të kundërta. Versioni zyrtar i eprorëve të Armatës së Jugosllave, i politikës zyrtare  dhe i komunistëve të Kosovës, deklaronte se i riu Aziz Kemendi ishte i indoktrinuar me nacionalizëm dhe irredentizëm shqiptar dhe  kishte vrarë katër ushtarë jugosllavë e pak më vonë e kishte vrarë edhe vetën. Versioni tjetër i përfolur në Kosovë, që i shkonte përshtati politikës durimtare pacifiste, kishte projektuar versionin se Shërbimi  Sekret Serb  brenda Ushtrisë së Jugosllavisë kishte vrarë vetë katër ushtarët, duke përzgjedhur në mesin e tyre një serb, një kroat një boshnjak dhe një tjetër, me qëllim për të t’ia adresuar ushtarit Aziz Kelmendi, të cilin e kishin zgjedhur se qengj të flijimit. Armata jugosllave asokohe dënoi me burg të rëndë shtatë nga shokët e tij,  prej 3 deri në 20 vjet burg, të akuzuar se kishin ditur se Aziz Kelmendi po projektonte vrasjen e ushtarëve.  Fushata kundër Aziz Kelmendit, familjes dhe të njohurve të tij ishte fushatë e egër me shpifje, izolim të familjes, madje edhe me shkrime  të ulëta e fyese sikur kishte bërë asokohe publicisti,  Veton Surroi i cili kishte kërkuar luftë pa kompromis kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar dhe kishte trajtuar si armiqësore kërkesën e shqiptarëve për Republikën e Kosovës.

 Më 3 shtator të vitit  1998 në frontet e luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:  Esat Kastrati, Mazllum Kastrati dhe Xhafer Vehapi.

Më 4 shtator të vitit 1885 lindi Vinçenc Prenushi, klerik, publicist, poet, mbledhës i folklorit dhe përkthyes. Lindi në një familje modeste, në Lagjen Rus, në rrugicën e Makajve.

Prindëri t e tij ishin Gjon e Drande Prenushi. Është pagëzuar me emnin Kolë. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i vazhdoi në seminarin e njohtun të Troshanit, ku, ju kushtue Urdhnit Françeskan (OFM) me 1900. Më 25 mars 1908, shugurohet meshtar i Urdhrit Françeskan O.F.M. duke marrë dhe emrin Át Vinçenc. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. “Kangët” e Prennushit u bënë themeli mbi të cilin më vonë do të ngrihej vepra monumentale kombëtare; “Visaret e Kombit”. Ky botim pati një jehonë të gjerë në vend, por sidomos në emigracionin shqiptar. Me të ardhun në Atdhe përjetoi një nga ngjarjet ma të randa të qytetit të vet të lindjës, së Shkodres së rrëthueme nga malazezët dhe pushtimit të saj të përkohshëm në vitin 1913, ku preku me dorë “lugën e urisë” së cilës, pak ditë mbas fitimit të Lirisë dhe bashkimit të qytetit me Shqipninë e Pavarun, do t’ishte pikërisht Ky At Vinçenc, që me 14 Mars 1914, kur në Kështjellën “Rozafat” u ngrit me brohoritjen e mbarë Popullit të Shkodres, i Lumnueshmi Flamur Kombëtar, do të ishte Ai frati i zgjedhun që do të mbante fjalimin e rastit aty[3]. Në vitin 1917, ishte anëtar i “Komisisë Letrare Shqipe” në Shkodër ku u përcaktuan rregullat e para të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Më 1918 botoi “Fjala e Zotit” si he “Grueja shqyptare” e para vepër letrare e tij e botuar në shtypshkronjën françeskane[2]. Më 1919, botoi dhe shfaqi në Shkodër dramën “E tradhtuemja”, një përshtatje e goditur nga T. A. Rolando. Në vitin 1921, në moshën 36 vjeçare, boton përmbledhjen e njohur poetike: “Gjeth’ e Lule”. Poezi të bukura, të ëmbla e delikate. Ai ishte pendë letrare dhe shkencore ndër fletoret ma në za të klerit, ishte një drejtues i “Hyllit të Dritës”, ”Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout” por, ai ishte edhe një ndër thëmeluesit e bashkëpunëtorët e grupit ma me rëndësi të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923–24 formuen edhe fletorën e tyne “Ora e Maleve”, ku, At Vinçenci, ashtë ndër penat ma me vlerë të demokracisë që posa kishte lindë në Shqipëni[3]. Më 1924 boton broshurën “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë”, At Vinçenci jep mendime të sakta për një shtet të andrruem demokratik të tipit Përëndimor.

Më 4 shtator të vitit 1998 kanë rënë duke luftuar për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe  Arben Bytyçi dhe Mark Sopjani

 

Më 5 shtator të vitit 1933, vdiq Milo Duçi, atdhetar i njohur, shkrimtar, dramaturg e publicist. Milo Duçi lindi në vitin 1870 në Korçë.  Ishte edhe pjesëmarrës i lëvizjes kombëtare të shqiptarëve të Egjiptit. Ishte ndër organizatorët e shoqërisë “Vëllazëria”, themeloi dhe drejtoi disa organe si: Revistat “Toska” (1901-02), “Besa-Besë” (1904-05), gazetat “Shqipëria” (1907) dhe “Bisedimet” (1925-26). Shkroi artikuj për çështje të gjuhës letrare të përbashkët dhe të zhvillimit të kulturës dhe letërsisë shqiptare si dhe disa pjesë komike (“E Thëna”, “Gjaku” etj.) Boti tregime e poezi të shpërndara në shtypin e kohës.

5 shtator të vitit  1998 ka rënë duke luftuar kundër forcave okupatore serbe, luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  Afrim Bajraktari

Më 6 shtator të vitit 1970, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore i Shqipërisë mori çmimin, “Gjerdani i Artë” dhe u shpall fitues i vitit 1970, në Festivalin ndërkombëtar të Dizhonit,  në Francë.

 

 

Më 6 shtator 2017 Ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare, profesor doktor, Muhamet Tërnava, historian, i burgosur politik i viteve 80, profesor i anatemuar në kohën e regjimit jugosllav.

Prof. Dr. Muhamet Tërnava, me punën dhe njohuritë e thella prej shkencëtari arriti t’i thyejë tezat e akademikëve serbë rreth përkatësisë  popullsisë së Kosovës gjatë periudhës mesjetare. Vepra shkencore e Profesor Tërnavës “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI” e botuar në Prishtinë në vitin 1996,  mbetet bazament i fortë i argumentimit të vazhdimësisë së popullimit të territorit të Kosovës me popullsi shqiptare gjatë gjithë periudhës mesjetare. Për shkak të argumenteve dhe mbrojtjes së tezave në ketë vepër, regjimi serb e burgosi e maltretoi dhe e dënoi me burg. Profesor Tërnava i takon gjeneratës së historianëve të Kosovës, të cilët punuan dhe vepruan në kushte të jashtëzakonshme. Ligjëroi historinë e Mesjetës në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës me dekada, derisa u burgos dhe u dënua për shkak të angazhimit në veprimtaritë patriotike. Për pasojë regjimi e largoi nga puna. Ndërkohë pati edhe probleme shëndetësore.

 

Më 6 shtator të vitit 1998 kanë rënë heroikisht në luftë kundër forcave serbe, luftëtarët e lirisë:  Shani Hoti dhe Fehmi Berisha

 

Më 7 shtator të vitit 1457 u zhvillua “Beteja e Albulenës”, në afërsi të Laçit.

Beteja e Albulenës, u zhvillua prej 2 deri më 7 shtator të  1457 midis forcave shqiptare te drejtuara nga Skënderbeu dhe një force ekspedite te forcave te perandorisë osmane. Ajo ishte një ndër fitoret më të rëndësishme të Skënderbeut kundër osmanëve në fushë të hapur. Ushtria osmane kishte përafërsisht 80.000 ushtarë, edhe pse është vënë në dyshim që të kenë qenë më shumë se 40.000 në fushëbetejë, pasi që mijëra ushtarë kanë qenë të shpërndarë në vise të ndryshme të vendit. Forcat shqiptare që numëronin rreth 20 mijë vetë u përballën me ato osmane në fushën e Ujëbardhës në mes të Krujës dhe Lezhës dhe fituan betejën, e cila shërbeu për konsolidimin dhe përparimin e  më tejmë të forcave shqiptare të Skënderbeut

 

Françesko Anton Santori u lind më 7 shtator 1819 në Picilia të Kozencës, Itali. Në moshe të re filloi te merret me mësim për murg. Në moshën 16 vjeçare në vitin 1842 hyri në Manastirin Françeskan. Atje jetoi 18 vjet deri ne 1860, me pas u kthye në vendlindje ku punoi si mësues. Me 1885 u përcaktua si prift ne famullinë e Shën Mjakut ku edhe vdiq në shtator të vitit 1894. Ndonëse pjesën më të madhe e kaloi si murg, ai mori pjese edhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Shqipëri. Santori është autor i një numër të madh poezish, pjese teatrale, tregime, novela. Shumë komedi të shkruara nga Santori nuk u botuan asnjëherë pasi disa nga ato mbeten edhe të papërfunduara por me dy romane dhe gjashtë novela Santori arriti te behej shume i njohur. Subjektet e novelave janë jo të papritura të jetës së përditshme. Santori përshtati rreth 112 fabula të Ezopit si dhe shkroi rreth 1845 vargje satirike të cilat kanë dalë në dritë në kohët e fundit. Në këto vargje shprehet ngjashmëria, humori popullor qe tregon lidhjen e tyre me Folklorin Arbëreshe. Santori është autor edhe i një gramatike të shqipes e shkruar në vargje, gjithashtu është edhe hartuesi i një fjalori të Shqipes. Vdiq në shtator t vitit 1894.

Vepra letrare të botuara në kohen kur ishte gjallë vet autori jane: vëllimi poetik Këngëtarja Arbëreshe, të botuara te numri i të përkohshmeve, Arbëresh i Italisë u botua në vitin 1850. Poema Italisht dhe disa pjese në Shqip.

“I burgosuri politik” (1851) ku shfaqen idetë e Santorit i cili e dënon me force absolutizimin dhe shfaq simpati për Lëvizjen Kombëtare në Shqipëri.

Romanet “Vija e mallkuar” (1858) në italisht prej së cilës nuk gjendet asnjë kopje ndërsa Sofia Kominiate dhe Ushtari Arbëreshe kanë ngele në dorëshkrime.

Kryevepra e Santorit drama “Emira” ne të cilën përshkruhen ngjarjet e përditshmërisë .Arbëreshe dhe personazhet janë të karakterizuara me cilësitë e përzgjedhura nga autori.

 

 

Më 7 shtator 1910, lindi Aleks Buda, i biri i Dhimitër Taq Budës. I ati ishte farmacist, delegat i Elbasanit në Kongresin e Manastirit, n’atë të Elbasanit dhe deputet në dy legjislatura në Kuvendin Kombëtar. Një ndër financuesit e Shkollës Normale të Elbasanit.

Mësimet e para Aleks Buda i nisi kur ishte 7 vjeç në shkollën fillore të qytetit të lindjes. Pa kryer klasën e dytë i vijoi studimet në Lecce të Italisë. Më 1920 bashkë me dy vëllezërit e tij shkon me studime në Austri. Atje plotësoi filloren dhe kreu më 1929 gjimnazin në Salzburg. Më tej ndoqi studimet në Universitetin e Vienës, në Institutin Ballkanistik (1930 – 1935) ku mori mësime nga profesorë të njohur, si Karl Patsch, Reiniger dhe Norbert Jokl. Gjatë kësaj periudhe u aktivizua në Shoqëninë e studentëve shqiptarë Albania të Vjenës, së bashku me Lasgush Poradecin, Skënder Luarasin, Eqrem Çabejn, Krist Malokin, Qemal Butkën etj., duke qenë edhe bashkëpunëtor i revistës “Dialëria” të kësaj shoqërie.

Në vitin 1938 u kthye në Shqipëri. Punoi së pari, si arsimtar në Gjimnazin e Tiranës (që nga shtatori 1939), ndërsa më 1940 transferohet në Liceun e Korçës. Në fund të viti 1941 shkoi në Itali në Universitetin e Padovës pranë profesorit të njohur Karlo Taljavini për t’u kualifikuar në fushën e gjuhësisë së përgjithshme ballkanike dhe të shqipes, por pas një viti kthehet në atdhe, për shkak të luftës.

U lidh me lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe më 1944 zgjidhet nënkryetar i Këshillit ANÇl të qarkut të Elbasanit. Menjëherë pas Çlirimit të vendit punoi si drejtor i Bibliotekës Kombëtare (1945-1946), por shpejt (1946) u bë një nga organizatorët e Institutit të Shkencave, ku punoi si përgjegjës i seksionit të historisë, sociologjisë dhe ekonomisë. Aty ndihmoi në krijimin e sektorëve të arkeologjisë dhe të historisë së lashtë, të historisë së Mesjetës dhe të artit mesjetar, të historisë së kohës së re, të etnografisë etj. Së bashku me kolegët e sektorit të tij, bënë të mundur publikimin e studimeve e arritjeve në fushën e arkeologjisë e të etnografisë, që u ekspozuan në Muzeun arkeologjik-etnografik të përuruar më 1947. Fitoi përvojë si pedagog i historisë që në fillimet e Institutit pedagogjik dyvjeçar (1946); më 1955 u bë një nga organizatorët dhe studiuesit më me përvojë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë, i sapokrijuar. Me krijimin e Universitetit të Tiranës më 1957, A. Buda do të ishte një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në këtë universitet. Viti 1972 qe një vit i veçantë për jetën shkencore në Shqipëri, njëherazi edhe për A. Budën: U themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Në mbledhjen e parë të asamblesë (1973), të çelur nga akademiku Eqrem Çabej, Aleks Buda zgjidhet kryetar i Akademisë, detyrë që e mbajti deri në fund të jetës, pasi u rizgjodh dy herë. Aleks Buda vdiq pas një sëmundjeje të rëndë, në Tiranë, më 7 korrik 1993.

 

Më 8 shtator të vitit 1943 kishte  kapitulluar zyrtarisht  Italia fashiste, njëra nga tri shtetet e mëdha fashiste të botës pas Gjermanisë dhe Japonisë. Itali më 6 prill të vitit 1939 kishte pushtuar Shqipërinë me ç’ rast edhe kishte filluar lufta e armatosur e forcave shqiptare kundër pushtimit të huaj.

 

Më  8 shtator të vitit 1998  kishte rënë në luftime kundëçr focave serbe, luftëtari i UÇK-së, Driton Zeneli

 

 

Më 9 shtator të vitit 1945 në rrethinat e Shkodrës  dhe të Postribës kishte shpërthyer një kryengritje e forcave nacionaliste shqiptare, kryeisht të Ballit Kombëtar kundër pushtetit komunist, i cili kishte fillluar të instalohej në tërë Shqipërinë. Forcat antikomuniste përsuan disfatë në terren dhe u vranë shumë prej tyre. Disa nga ata kishin çarë rrethimin dhe kishin ikur nga vendi. Përpjekjet për rrëzimin e Qeverisë në Shqipëri nuk kishin rreshtu për shumë vjet, por nuk kishin rezultuar me sukses. Në përpjekje të tilla sidomos në vitet 50 dhe 60 janë vrarë qindra shqiptarë, diverzantë të cilin kishin hyrë tinës nga Greqia, Jugosllavia, Italia, e shpeshherë edhe ishin lëshuar  nëpër male  parashuta të aeroplanëve të shteteve perëndimore.

 

Më  10 shtator të vitit 1998  ka rënë dëshmor, Përparim Krasniqi

 

Më 11 shtatot të vitit 1997, aktorit të njohur shqiptar Mirush Kabashi iu dha çmimi “Sfinksi i Artë” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrove në Kajro të Egjiptit.

 

Më 11 shtator të vitit 1998 ka rënë luftëtarin i lirisë, Mirush Dakaj, i cili kishte luftuar edhe në frontet e luftës në Kroaci dhe në Bisnje kundër forcave serbe të regjimit të Milosheviqit.  Më 11 shtator të vitit  1998  kanë rënë dëshmorët e UÇK-së Sadri  Vishaj dhe Xhevat Sejfijaj.

 

Më 12 shtator të vitit 1882 lindi Qazim Kokoshi, atdhetar i njohur antizogist e më vonë edhe antifashist. U lind në Vlorë ku dhe mbaroi mësimet e para. Më vonë ndoqi gjimnazin e njohur “Zosimea” në Janinë. Ishte delegat i Vlorës në Kuvendin e Greçës në vitin 1911. Mori pjesë në luftën partizane. Vdiq në vitin 1947.

 

Më 13 shtator të vitit  1907  lindi shkrimtari i njohur, Dhimiter Pasko, i njohur si Mitrush Kuteli,

Dhimitër Pasko (Pogradec, 13 shtator 1907 ─ Tiranë, 4 maj 1967) ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar, i njohur ndryshe me emrin e penës Mitrush Kuteli. Pseudonime të tjera që përdori për të shkruar qenë edhe Janus, Izedin Jashar Kutrulia me Dr. Pas.  Mitrushi – trajta përkëdhelës e emrit Dhimitër – lindi më 13 shtator 1907 dhe ishte i vetmi djalë i Pandit dhe i Poles[2] mes dy motrash: Agllaisë dhe Liries. Në një mjedis të tillë, të mpleksur dhe me përrallat e Nënës, Kuteli jetoi fëmijërinë dhe mori bazën letrare. Mbresa të pashlyeshme i lanë më pas dhe librat e librarisë së vogël të të atit. Leximet e tij të para lidhen me emrin e Naimit, Çajupit, Spiro Dines, Gramenos, Lumo Skëndos, më vonë edhe të Fan Nolit. Shkollën fillore e kreu në Pogradec, më 1919. Pasi priti dy vjet t’i plotësoheshin kushtet ekonomike të familjes, më 1921 Kuteli shkoi në Selanik, ku i ati kish mundur t’i siguronte një bursë për në Shkollën Tregtare Rumune. Kishte prirje për letërsi e dëshirë për mjekësi, por mundësitë iu krijuan në degën ekonomike. Më 1926, 19 vjeçari Kuteli ishte një nga themeluesit dhe drejtuesit e Shoqërisë së nxënësve shqiptarë të Selanikut ku merrnin pjesë të rinj nga të gjitha shkollat e qytetit. Shoqëria u quajt “Kostandin Kristoforidhi”, siç propozoi Dhimitri. Po atë vit, shteti shqiptar i refuzoi kërkesën për bursë që të vazhdonte studimet e larta në Paris, ndonëse shkollën e mesme e mbaroi shkëlqyeshëm, duke kaluar dy klasat e fundit në një vit. Kuteli shkoi në Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar. Banonte në një mansardë, megjithatë ndiqte edhe kurse letërsie, kritike, folklori, etj. Lexonte frëngjisht, rumanisht, italisht, latinisht e greqisht. Ishte antar, më pas sekretar dhe në vitet 1931-34 kryetar i Shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë. Në vitet 1928-1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re” në Kostancë, në faqet e së cilës hapi më 1929 rubrikën “Shënime Letrare”. U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ”.

 

Veprat e Mitrush Kutelit:

 

Rrjedhin lumenjtë

Vjeshta e Xheladin Beut

Lasgush Poradeci (1937)

Netë Shqipëtare (1938)

Pylli i gështenjave (1958)

Ago Jakupi, e të tjera rrëfime (1943)

Sulm e Lotë (1943)

Shënime letrare (1944)

Havadan më havadan (1944)

Kapllan Aga i Shaban Shpatës (1944)

Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea (1946)

Tregime të moçme shqiptare (1965)

Tregime të zgjedhura (1972)

Baltë nga kjo tokë, (1973)

Në një cep të Ilirisë së poshtme (1983)

Këngë e britma nga qyteti i djegur

E madhe është gjëma e mëkatit (1993)

Xinxifilua

Rine Katerineza

Përkthime:

“Kujtimet e një gjahtari” të Turgenjevit

“Tregimet e Petërburgut” dhe “Shpirtra të vdekura” të Gogolit

“Zotërinj Gollovlinovë” të Sllatikov Shçedrinit

 

 

Më 13 shtator të vitit 1998 ka rënë në lufdtë kundër forvace serbe,   Skender Salihaj

 

Më 14 shtator të vitit 1921 lindi Ndreko Rino, veprimtar partizan, gazetar, shkrimtar, “Heroi i Popullit”. U lind në Libohovë, një familje të njohur atdhetare. Ka marrë pjesë në luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Ishte komandant i parë i njësisit gueril të Lobohovës. Pas luftës e kreu Akademinë ushtarake në Moskë.

 

Më 14 shtator të vitit 1998 ka rënë dëshmori i UÇK-së,  Asllan Kleçka

 

Më 15 shtator të vitit 1920 lindi, Hekuran Pobrati, luftëtar partizan, “Hero i Popullit”. Ka marrë pjesë në LNAÇ, ndërsa pas luftës ishte i angazhuar në kapjen dhe likuidimin e deverzantëve që shkonin në Shqipëri nga Greqia, Jugosllave e Italia.

Gjatë betejës së Kaqanollit në Zonën Operative  Llapit, më 15, 16 dhe 17 shtator të vitit  1998 kanë rënë shtatë dëshmorë: Bekim Maliqi, Bekim Lushaku, Habib Zeka, Nazmi Zhegrova, Fadil Sejdiu, Islam  Rekaliu dhe Selim Rekaliu, si dhe u plagosën disa luftëtarë tjerë.

 

Më 16 shtator të vitit 1942 u mbajt Konferenca e Pezës, e cila pati për qëllim organizimin e forcave të ndryshme politike në një luftë të përbashkët kundër Italisë fashiste. Kë vonë ky organizim mori emrin Fronti Nacional-Çlirimtar,

 

Konferenca e Pezës u mbajt në Pezë, një fshat pak kilometra distant nga Tirana. Protagonistë të këtij kuvendi ishin 20 delegatë përfaqësues të krahinave, dhe besimeve të ndryshme fetare, klasa dhe shtresa me bindje politike nga më të ndryshmet.

 

Pjesëmarrësit vinin nga rryma të ndryshme politike. Ndërmjet tyre ishin Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini (më vonë Hoxha).[1]

 

Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar, Mustafa Gjinishi.

 

Në konferencë u diskutua organizimi i forcave në një luftë të përbashkët kundër okupatorit, organizim ky që mori emrin më vonë, Fronti Nacional-Çlirimtar.

Të pranishmit hynë në debate në lidhje me simbolet komuniste, si ylli i kuq, i cili nuk pranohej nga jokomunistët.

U miratua një rezolucion, në të cilin thuhej se përfaqësuesit e të gjitha tendencave nacionaliste, PKSH-së, Rinisë Komuniste, Rinisë Nacionaliste dhe Rinisë Femërore Popullore, miratonin deklaratën përkatëse ku përkrahej koalicioni kundër boshtit, akuzohej rëndë Mustafa Kruja dhe përkrahej lufta e atyre çetave që kishin luftuar deri ato momente, duke i dhënë rëndësi, nga ana tjetër, çështjes së këshillave nacionalçlirimtare.

 

Rezoluta e  Konferencës së Pezës

 

Delegatët e ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, përfaqësuesit e gjithë tendencave të nacionalizmit shqiptar, të Partisë Komuniste, të Rinisë Nacionaliste, të Rinisë Komuniste dhe Rinisë Femnore Popullore të Shqipnisë, të udhëhequr nga qëllimi i shenjtë për çlirimin e Shqipërisë nga thundra e Italisë fashiste dhe nga tradhtarët e shitur tek i huaji, mbasi përkujtuan dëshmorët e rënë në luftë kundër fashizmit, mbasi shqyrtuam mirë gjendjen shqiptare dhe veçanërisht, mbasi theksuan dëshirën dhe nevojën për organizimin e të gjithë energjive shqiptare për bashkim të plotë të tyre me luftën NÇ, arritën në këto përfundime: Gjendemi në një botë të përgjakur anekënd prej forcave të errëta prej skllavëronjësve të fashizmit. Popuj e kombe u shkelën pa mëshirë prej barbarisë fashiste. Në këtë luftë gjiganteske që i ka kushtuar njerëzimit miliona e miliona të vrarë e të plagosur, që ka shkretuar e ka shembur fshatra e qytete të tëra, dy principe, në kundërshtim si dita me natën, në njërën anë tirania barbare dhe me skllavëronjësja që ka parë bota deri më sot, tirania fashiste, nga ana tjetër, blloku anglo-sovjeto-amerikan, bashkë me popujt e robëruar që bëjnë luftë të drejtë për zhdukjen nga faqja e dheut të murtajës fashiste, luftën për lirinë, për independencën dhe për lumturinë e popujve mbarë. Traktati i 27 shteteve, i nënshkruar në Uashington prej Amerikës, Anglisë, Bashkimit Sovjetik dhe të Moskës dhe përpjekjet vetë të popujve të shtypur, na japin garanci për pavarësinë dhe lirinë tonë…

 

Fronti i dytë është një çështje javësh, luftërat nacional – çlirimtare sa vijnë po bëhen më të tmerrshme…

 

Shqipëria jonë qe nga të parat në Evropë që pati fatin e zi të robërohej prej fashizmit italian me pushkë kresë. Një të premte të zezë, më 7 prill, djemtë e Shqipërisë me Bazin e Canes në krye, i treguan fashizmit italian se populli shqiptar di të vdesë për tokën e vet. Në Shëngjin, në Durrës, në Vlorë, në Sarandë, gjaku i djemve tanë skuqi buzëdetin e Adriatikut. Kudo në Shqipëri u ngrit populli për të rrokur armët, kudo rinia shqiptare kërkoi armë, protestoi me demonstrata, greva e të tjera kundër zaptuesit dhe tradhtarëve. Qindra patriotë morën rrugën e hidhur të mërgimit.

 

(“Politikë antikombëtare e Enver Hoxhës…”, faqe 174 – 179).

 

Këshilli i Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar

 

Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacional, të përbërë nga :

 

Kamber Qafmolla (kryetar)

Mustafa Gjinishi (sekretar)

Ndoc Çoba

Myslim Peza

Abaz Kupi

Enver Hoxha

Ymer Dishnica (anëtar)

Me përjashtim të Enver Hoxhës dhe Myslim Pezës, të gjithë të tjerët u cilësuan si tradhtarë nga historiografia komuniste

 

Është për t’u theksuar se konferenca u dekonspirua shumë shpejt, gjë që linte të mendohej se ky dekonspirim kishte qenë shumë i shpejtë falë informatave të siguruara brenda pjesëmarrësve. Pasi fashistët kapën dokumente në lidhje me këtë konferencë, ata goditën Pezën. Pas pak javësh u ndërrua edhe drejtuesi i policisë.

 

 

 

Më 17 korrik të vitit 1588 vdiq në Stamboll, Mimar Sinani apo Arkitekt Sinani. Ai  lindi më 29 maj  të vitit 1489 në afersi të Kajserit në kohën e Perandorisë Osmane. Si i ri, Sinani ishte rradhitur ne repartet e Jenicereve të Sulltanit. Gjate fushatave ne rajone te ndryshme si ushtar i Sulltan Sulejmanit ai u njoh me arkitekturen ne vende te ndryshme duke filluar nga Egjipti,Persia,Siria etj.

 

Karriera e tij si arkitekt është e njohur pas ndërtimit të ures mbi Lumin Prut, në Moldavi. Këtë ure, Sinani e projektoi dhe ndertoi brenda 13 ditëve qe ti shërbente Ushtrisë së Sulltan Sulejmanit (te ashtëquajturit “Kanuni” ose “Ligjvenesi”) i cili po merrte pjesë në fushatën e Kara Budanit. Nga ky moment, Sulltan Sulejmani e mbante Sinanin afër dhe me urdher të tij më vone punoi si kryeartitekt i perandorisë. Evropianët e krishterë, Sinanin e krahasonin me Mikelanxhelon dhe e thërrisnin “Mikelanxheloja i Orientit”. Sinani si kryarkitekt punoi edhe gjatë kohës së sundimit të Selimit II dhe Muratit III.

 

Projektet e kryera nën mbikëqyerjen e tij ndahen ne tre drejtime: ndërtimet e Kultit,Ushtarake dhe Civile.

 

Gjatë karrieres së tij Sinani projektoi objektet më të medha dhe simbolike te perandorise si: Xhamia Shehzade Mehmetit (i biri i vdekur i Sulltan Sulejmanit),xhamia Sulejmania në Stamboll si edhe Selimijen në Edrene. Për shërbimet e bera u quajt Koxha Sinan(Sinani i Madh)

 

Nga arktitektet moderne të tona ditëve, Puna e Sinanit vlersohet per perdorimin e Gurit dhe për akustikën e objekteve.

 

Historianët e arkitekturës mendojnë se ai kishte e ndare veprimtarin e tij në Tri periudha. Ne Periudhe e Pare, fazën e çirakllëkut(ndeihmesit) në arkitekturë, ai ndërtoi Xhaminë e Shezade Mehmetit në Stamboll. Periudha e Dyte ajo e kallfës(mjeshtrit) është në të cilën ndërtoi Sulejmanien Madhështore po në Stamboll në një hark kohor prej 7 vjetësh, kushtuar Sulltan Sulejmanit.Ne Fazën e Tretë dhe e fundit, në atë te ustallëkut ose Krye-mjeshtërit, Sinani ndërtoi Selimijen në Edrene, né kohen kur mbretëronte Selimi i Dytë.

 

Po ashtu Sinani është i njohur për ndërtimin e ujësjellësit “ 40 “ çezmat (Kërkçeshme) në të Stamboll . Arkitekt Koxha Mimar Sinani ka vdekur në natën e 17 korrikut në vitin 1588 në të shtartin e tij kërkuar duc një gote (kupe) uje.

 

Mimar Sinani ka ndertuar 92 xhami, 52 mesxhide, 55 medrese, 7 daryl-kurra(shkollë per kuran), 20 tyrbe , 17 imaret(Vende ku shpërndahet ushqim per te varfurit), 13 daryshifa (spitale), 6 rrugë uji , 10 ura, 20 kervansaraje(hotele), 36 saraja , 8 podrume ve 48 de hamame dhe gjithsej bëjnë 384 vepra. Ne Shqiperine Otomane te asj perudhe Arkitekt Sinani ka vene vulen e tij ne xhamine Muradie ne Vlorë dhe xhamine e Plumbit ne Shkodër .

 

Më 17 shtator të vitit 1942 u vra Mine Peza, Heroinë e Popullit. U Lind në Tiranë, në vitin 1875. Mori pjesë aktive në Demonstratat e Grave para dyerve të Burgut të Tiranës. U godit me armë zjarri dhe më pas vdiq. Ajo ishte dëshmorja e parë e LANÇ-së në rrethin e Tiranës. Peza  në krye me atdhetarin dhe legjendarin e luftës Antifashiste Myslim Peza ishte bërë baza e parë  e luftës Antifashiste në Shqipëri dhe në Evropën e asaj kohe. Gjatë luftës, Peza 3 herë radhazi, ishte sulmuar nga forcat fashiste. Ajo i dha atdheut 327 dëshmorë, prej tyre 24 ishin gra dhe vajza me në krye nënën heroinë Mine Peza, pionieri 15 -vjeçar “Heroi i Popullit” Met Hasa, Hasan Çoku, Kajo Karafili, Mihal Duri dhe Maliq Muça e shumë te tjere.  Mbi bazën e këtij heroizmi masiv të popullit të trevës së Pezës, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NAÇl në Pezë u krijua Brigada 22 më 18 shtator 1944. Më 4 batalione të grupit partizan të Pezës, i cili luftoi nga Peza deri në Vishegrad të Bosnjes duke bërë një rrugë prej 3500 km me temperaturë minus 25 gradë 2 metra dëborë, sidomos në Malin e Zi deri në Vishegrad.

 

Më  17 shtator të vitit 1825, lindi në Shkodër Pashko Vasa, i njohur si Vaso Pashë Shkodrani. Vdiq në  Bejrut, 29 qershor 1892. Ka qenë atdhetar, diplomat, poet, romansieri i pasë shqiptar, nëpunës i konsullatës britanike në Shkodër, oficer kalorësie në Bolonjë, revolucionar i Risorxhimento-s, nëpunës i Perandorisë Osmane dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Më 1978, me rastin e një qind vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, eshtrat e tij atdhesohen dhe vendosen të prehen në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës.

 

Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsulatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmirsojë dijet e tij në gjuhët e huaja: Italishte, Frëngjishte, Turqishte dhe Greqishte. Gjithashtu kishte njohuri në Anglishte e Serbishte dhe më vonë mësoi edhe Arabishten.

Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për liri. Ai mori pjesë gjallërisht në radhët e forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Rojës Qytetare. I frymëzuar nga atdhetarët e shquar italianë, si Mazzini, Garibaldi, Gioberti, dhe të vendeve tjera si Mickieviçi etj. Idetë që e ushqyen për këtë qëllim solidar ai i shpreh në dy letra, që i dërgon në qershor dhe korrik 1848, nga BolonjanNikolo Tomazeut, poet dhe enciklopedist, mik i Jeronim De Radës dhe i Dora d’Istrias. Në shpalljen e Republikës Venedikase jetëshkurtër, nga Daniele Manin, mori pjesë përkrah popullsisë kryengritëse të atij qyteti që u rrethua nga austriakët në Mestre. Ndërkohë që austriakët hynë me 28 gusht 1849 dhe Pashko Vasa u largua me disa shokë tjerë për në Ankona. Aty austriakët e kapën dhe e detyruan, si shtetas turk, të kthehej në Stamboll.

 

Për atë çka pa e përjetoi në Itali, botoi pas një viti librin La mia prigionia, episodio storico dell’assedio di Venezia, 1850 (Burgimi im, episod historik nga rrethimi i Venedikut). Nuk është e rastit që kjo biografi historike italisht mban një titull të ngjashëm me atë të kujtimeve të famshme të atdhetarit dhe dramaturgut italian Silvio Pellico (1789-1845), Le mie prigioni (Burgjet e mija), botuar më 1832[3].

 

Mbas disa peripecish zë vend në shoqërinë e tramvajeve të kryeqytetit, duke u ngjitur më vonë në shkallët e administratës së saj. Që këtej u vendos me punë në aparatin e Ministrisë së Jashtme të Perandorísë Osmane.

 

Nga disa të dhëna që dalin nga përmbledhja me vjersha italisht “Rose e spine” (“Trëndafila e gjemba”), botuar në Stamboll më 1873, mësohet se Pashko Vasa ka qenë i martuar me një shqiptare (rreth vitit 1855), që vdiq më 1872. Nga po kjo vepër mësohet se Pashko Vasa të paktën që nga viti 1861, ishte me punë në Halep të Sirisë. Gjitashtu thuhet se Pashko Vasa kishte shërbyer disa vjet pranë ambasadës turke në Londër, ku dhe botoi më 1887 veprën frëngjisht “Gramatikë e shqipes”. Më 1862 e gjejmë në Shkodër. Vit në të cilin nji grup intelektualësh, përfshirë Zef Jubanin e tjerë, u përpoqën për një kryengritje antiosmane në Shqipërinë e Veriut, në Mirditë. Më 1864, në Stamboll, bashkohet me Kostandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin, për sigurimin e fondeve financiare, lidhur me formimin e shkollave shqipe, si dhe me caktimin e nje alfabeti të vetëm. Më 1867 ai qëndron në krye të përpjekjeve për themelimin e një shoqërie kulturore dhe të një alfabeti të përbashkët mbi bazën e alfabetit latin. Më 1869 merr pjesë në grupin nismëtar për krijimin e një shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor e gjuhësor. Më 1871, gjithënjë në Stamboll, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin, nis përpjekjen për krijimin e një organizate atdhetare shqiptare. Pashko Vasa hyri që herët në lëvizjen patriotike, por veprimtarinë e dendur për çështjen kombëtare e zhvilloi në vitet 70, kur bashkë me Kostandin Kristoforidhin, u përpoq për krijimin e një shoqërie për përhapjen e shkrimit shqip dhe ngjalljen e ndërgjegjies kombëtare. Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të «Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip». Pashko Vasa ishte autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të jetuar i lirë dhe i pavarur. Botoi «Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë («Esquisse historique sur le Monténégro d’après les traditions de l’Albanie», Constantinopole, 1872), ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatët, «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l’Albanie et les Albanais», Paris 1879), në të cilën, krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Penës së Pashko Vasës i përket edhe vepra «Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut» («Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi», Constantinopole 1865).

 

Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» («L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise», Constantinopole 1878, «Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» («Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître», London 1887).

 

Pashko Vasa zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej; ai është autor i vjershës së njohur «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!» (1880), e cila u botua si fletë fluturuese. Me dashurinë e flaktë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht «Rose e spine» (1873). Që nga viti 1883 e derisa vdiq Pashko Vasa shërbeu si Guvernator i Përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq.

 

Më 17 shtator të vitit 1998 ka rënë dëshmori i UÇK-së,  Musa Begu

 

Më  18 shtator të vitit 1825, lindi në Shkodër Pashko Vasa, i njohur si Vaso Pashë Shkodrani. Vdiq në  Bejrut, 29 qershor 1892. Ka qenë atdhetar, diplomat, poet, romansieri i parë shqiptar, nëpunës i konsullatës britanike në Shkodër, oficer kalorësie në Bolonjë, revolucionar i Risorxhimento-s, nëpunës i Perandorisë Osmane dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Më 1978, me rastin e një qind vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, eshtrat e tij atdhesohen dhe vendosen të prehen në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës.

Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsulatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmirësojë dijet e tij në gjuhët e huaja: Italishte, Frëngjishte, Turqishte dhe Greqishte. Gjithashtu kishte njohuri në Anglishte e Serbishte dhe më vonë mësoi edhe Arabishten.

Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për liri. Ai mori pjesë gjallërisht në radhët e forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Rojës Qytetare. I frymëzuar nga atdhetarët e shquar italianë, si Mazzini, Garibaldi, Gioberti, dhe të vendeve tjera si Mickieviçi etj. Idetë që e ushqyen për këtë qëllim solidar ai i shpreh në dy letra, që i dërgon në qershor dhe korrik 1848, nga BolonjanNikolo Tomazeut, poet dhe enciklopedist, mik i Jeronim De Radës dhe i Dora d’Istrias. Në shpalljen e Republikës Venedikase jetëshkurtër, nga Daniele Manin, mori pjesë përkrah popullsisë kryengritëse të atij qyteti që u rrethua nga austriakët në Mestre. Ndërkohë që austriakët hynë me 28 gusht 1849 dhe Pashko Vasa u largua me disa shokë tjerë për në Ankona. Aty austriakët e kapën dhe e detyruan, si shtetas turk, të kthehej në Stamboll.

Për atë çka pa e përjetoi në Itali, botoi pas një viti librin La mia prigionia, episodio storico dell’assedio di Venezia, 1850 (Burgimi im, episod historik nga rrethimi i Venedikut). Nuk është e rastit që kjo biografi historike italisht mban një titull të ngjashëm me atë të kujtimeve të famshme të atdhetarit dhe dramaturgut italian Silvio Pellico (1789-1845), Le mie prigioni (Burgjet e mija), botuar më 1832[3].

Mbas disa peripecish zë vend në shoqërinë e tramvajeve të kryeqytetit, duke u ngjitur më vonë në shkallët e administratës së saj. Që këtej u vendos me punë në aparatin e Ministrisë së Jashtme të Perandorísë Osmane.

Nga disa të dhëna që dalin nga përmbledhja me vjersha italisht “Rose e spine” (“Trëndafila e gjemba”), botuar në Stamboll më 1873, mësohet se Pashko Vasa ka qenë i martuar me një shqiptare (rreth vitit 1855), që vdiq më 1872. Nga po kjo vepër mësohet se Pashko Vasa të paktën që nga viti 1861, ishte me punë në Halep të Sirisë. Gjitashtu thuhet se Pashko Vasa kishte shërbyer disa vjet pranë ambasadës turke në Londër, ku dhe botoi më 1887 veprën frëngjisht “Gramatikë e shqipes”. Më 1862 e gjejmë në Shkodër. Vit në të cilin nji grup intelektualësh, përfshirë Zef Jubanin e tjerë, u përpoqën për një kryengritje antiosmane në Shqipërinë e Veriut, në Mirditë. Më 1864, në Stamboll, bashkohet me Kostandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin, për sigurimin e fondeve financiare, lidhur me formimin e shkollave shqipe, si dhe me caktimin e nje alfabeti të vetëm. Më 1867 ai qëndron në krye të përpjekjeve për themelimin e një shoqërie kulturore dhe të një alfabeti të përbashkët mbi bazën e alfabetit latin. Më 1869 merr pjesë në grupin nismëtar për krijimin e një shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor e gjuhësor. Më 1871, gjithënjë në Stamboll, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin, nis përpjekjen për krijimin e një organizate atdhetare shqiptare. Pashko Vasa hyri që herët në lëvizjen patriotike, por veprimtarinë e dendur për çështjen kombëtare e zhvilloi në vitet 70, kur bashkë me Kostandin Kristoforidhin, u përpoq për krijimin e një shoqërie për përhapjen e shkrimit shqip dhe ngjalljen e ndërgjegjies kombëtare. Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të «Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip». Pashko Vasa ishte autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të jetuar i lirë dhe i pavarur. Botoi «Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë («Esquisse historique sur le Monténégro d’après les traditions de l’Albanie», Constantinopole, 1872), ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatët, «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l’Albanie et les Albanais», Paris 1879), në të cilën, krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Penës së Pashko Vasës i përket edhe vepra «Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut» («Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi», Constantinopole 1865).

Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» («L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise», Constantinopole 1878, «Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» («Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître», London 1887).

Pashko Vasa zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej; ai është autor i vjershës së njohur «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!» (1880), e cila u botua si fletë fluturuese. Me dashurinë e flaktë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht «Rose e spine» (1873). Që nga viti 1883 e derisa vdiq Pashko Vasa shërbeu si Guvernator i Përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq.

Më 18 shtator të vitit 1998  kanë rënë dëshmorët e UÇK-së, Xhemajl Agushi, Islam Rekaliu dhe Shkelzen Krasniqi.

Më 19 shtator të vitit 1908 u themelua “Kanonizma e Shoqërisë Shqiptare, “Dielli i Shqipërisë” e cila vepronte në Saurthbrigde Mass, Kanonizma kishte 22 nene.

19 shtator  të vitit 2000 në luftën e Ushtrisë Çlirimtare  të Preshevës, Medvegjes e Bujanoci kanë rënë dëshmorë  Eqrem Hoxha dhe Shkëlzen  Krasniqi

Më 20 shtator të vitit 1931 vdiq Kasëm Qafëzezi. Kasem Qafzezi, ishte njëri ndër themeluesit kryesorë  të Ushtrisë Shqiptare, ish ministër i luftës.

Më 21 shtator të vitit 1944 u vra Heroi i Popullit, Hysen Çino.  U lind në Vranisht të Vlorës në vitin 1920. Ishte atdhetar, partizan.

Më 22 shtator të vitit 1874 lindi Fejzi Alizoti, atdhetar, ministër deputet

Fejzi bej Alizoti u lind në Gjirokastër, 22 shtator 1876 – vdiq në Tiranë, më 14 prill 1945) Fillimisht ishte nëpunës i Perandorisë Osmane, e më pas kryeministër i dytë i Shqipërisë së pavarur, financier në administratën austriake të vendosur në Shkodër, nëpunës, ministër i herëpashershëm dhe nën pushtimin italian, komisar civil i Tokave të Lirueme në qeverinë Vërlaci. Gjykohet nga Gjyqi Special, dënohet me vdekje dhe pushkatohet.

Leu në Gjirokastër në gjirin e oxhakut të Alizotëve, i biri i Hasan beut dhe Zybejtes nga Kokajt e Delvinës. Familja e tij qe e përmendur qysh më paraardhësin Alizot pasha, në mbarë trevat jugore shqiptare. Dërgohet qysh në moshën 8 vjeçare në Janinë ku kryen shkollimin fillor e plotor, më pas nis gjimnazin klasik në Selanik. Shkollimet e larta i vijoi në Shkollën Civile e Administratës Mbretërore “Mülkiye-i-Sehahané” për ekonomi dhe administratë civile.

Dërgohet me shërbim administrativ në Siri dhe Bejrut 1892-’97, nënprefekt në prefekturën e Selanikut dhe prefekt në Hums 1903-’07. Mbasi i shkruan eprorëve në Stamboll për ta kaluar me funksione administrative diku ndër trojet shqiptare, emërohet prefekt i Korçës. Pas shpalljes së Kushtetutës 1908 dërgohet në Prizren deri në majin e 1910 kur me rastin e trazirave në Vilajetin e Kosovës, Stambolla e thërret për ta dërguar në Rumani në një kurs specializimi. Pas gjashtë muajsh e caktojnë në Urfa të Azisë së Vogël dhe mbasandej në Al-Khums të Libisë.

Alizoti ishte Ministri i Financave i Shqipërisë në 1918-1920, 1927 dhe gjatë pushtimit italian në qeverinë e Shefqet Verlaci nga 12 prill 1939 – 1940.

Më 22 shtator të vitit 1998 ka rënë dëshmor, veprimtari politik, profesori i gjuhës shqipe  pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mustafë Shyti.

Më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të përmasave të mëdha, kanë rënë në altarin e lirisë, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi – Lladrovci,  Fatime Hetemi,  Shefqet Zeka. Fehmi Lladrovci ishte veprimtar dhe i burgosur politik i viteve ’80, pjesëmarrës në luftën Atdhetare të Kroacisë, në vitin 1991, pjesëmarrës në organizimin e luftës së UÇK-së dhe Komandant i Zonës Operative të Drenicës në verë  të vitit 1998

Më 23 shtator të vitit 1903 vdiq Said Najdeni, i njohur si Hoxhë Voka

Said Najdeni i lind në Dibër të Madhe më 13 maj, 1864, Ishte hoxhë, arsimtar dhe veprimtar i çështjes shqiptare.

Lindi në Shehër të Dibrës, i biri i Islamit dhe Esma Najdenit. I ati zejtar me të parë që kreu shkëlqyeshëm shkollimin në vendlindje më 1882, e dërgoi në Stamboll ku ndoqi studimet e larta teologjike në medresen “Hajdar Pasha”.

Njihet me parinë atdhetare të shqiptarëve në kryeqytetin perandorak, Shemsedin Saminë, Naim bej Frashërin dhe Ismail Kemal bej Vlorën. I ndërgjegjësuar për gjendjen e atdheut nën regjimin  e otomanëve, më 1888 mbaron shkollën dhe kthehet në atdhe me një sasi abetaresh të shtypura nga Shoqëria e Stambollit. Jep mësim gjuhën shqipe më ato abetare në Dibër po atë vit. Veprimtarinë e tij e shtriu jo vetëm në Shehër edhe në krahinë: në Gollobordë, në Grykë të Vogël, në Bllacë, në Maqellarë, në Brezhdan, në Dohoshisht e shumë fshatra të tjerë të Dibrës. Djalëria që mori mësim ndër tregtizat e pazarit të Shehrit më 1888 do ta ndihmonte për të shpërndarë kumtin e zgjimit kombëtar me abetaret që Hoxhë Voka i merrte nga Stambolla.

Autoritetet turke në vitin 1895 duke parë aktivitetin e Saidit e arrestoi atë dhe e internoi në Edrene. Pas kthimit në Dibër, Said Najdeni së bashku me nxënësit e tij: Shaqir Daci, Shyqyri Qoku, Kadri Fishta, Hamdi Ohri, Nazif Sharofi, Hajdar Varvarica etj., në vitin 1896 organizuan brenda në Shehër (Dibër), në shtëpinë e Abdullah Manjanit, një kurs të fshehtë për mësimin e shkrimin shqip. Ky kurs dokumentohet si i pari kurs shqip në trevën e Dibrës. Internohet sërish në Edrene atë vit dhe lirohet më 1897 dhe u kthye në atdhe ku propagandoi në Ohër, Strugë e Elbasan nevojën për shkolla shqipe. Lidhje të vazhdueshme u mbajtën sidomos me shoqëritë shqiptare “Dituria” të Bukureshtit dhe “Dëshira” të Sofjes, me Kosovën dhe me Shqipërinë e Mesme nga vinin në Dibër abetare e libra shqip të rilindasve. Në Dibër u përhap në këtë kohë “Abetarja” e Sami Frashërit me të cilën raportonte konsulli austro-hungarez, A. Kral në Manastir: “Mësuan të shkruanin në gjuhën shqipe qindra dibranë. Deri në vitin 1899, kishin mësuar të shkruajnë e të lexojnë shqip më shumë se 300 dibranë”.

Sipas praktikës së përdorur për të urtuar njerëzit që mësynin nga ngritja e ndërgjegjes kombëtare, iu ofruan zyra në administratë dhe të qenit pedagog në medresen “Sulltan Ahmet” në Stamboll. Duke gjykuar toskërishten si të zorshme për dibranët e tij, Hoxhë Voka boton në Sofie “Abetare e gjuhës shqipe ndë të folë gegënisht” dhe tekstin fetar “Ferrëfenja myslimane” më 1900 në shtypshkronjën “Mbrothësia” të K. Luarasit.

Me organizimin e Lidhjes së Pejës nga Haxhi Zeka, punimet e të cilës ndikuan në punimet e kuvendeve të mbajtura në Dibër nën udhëheqjen e nxënësve dhe miqve të hoxhës, Selim Rusit dhe Hamdi bej Ohrit.

Më 1903 merr pjesë në një takim të mbajtur në Tarabulluz, me Ismail Qemali, Refik bej Toptanin aty ku ishte vali Rexhep pashë Mati. Tuberkulozi iu rëndua, falë miqve iu bë e mundur një konsultë në Romë por mjekët s’i dhanë shpresë e kësodore mblodhi forcat sa për t’u kthyer në vendlindje ku dha shpirt më 23 shtator.

Më 23 shtator të vitit 1920 lindi Marie Logoreci, aktore e Tetrit dhe Kinematografisë, Artiste e Popullit.

Marie Logoreci lindi më 23 shtator të vitit 1920 në Shkodër, Shqipëri. Ishte aktore shqiptare e teatrit dhe filmit. Pioniere e kinematografisë shqiptare. Paraqitja për herë të parë në film ishte tek Skënderbeu, më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh te shkurtër Fëmijët e saj, dhe me pas ne filmin e pare shqiptar Tana dhe Toka jonë etj. Maria bëri regjinë e dramës Drita te M. Luca. Ajo luajti ne filmin televiziv, Gjenerali i Ushtrisë se Vdekur. Ka mbetur si një nga aktoret më të mëdha të Shqipërisë. Ajo ngriti në art karaktere te ndryshme të nënave shqiptare duke u kthyer vete në simbol të Nënës shqiptare.

Maria e filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante ne teatrin e shkollës vizatonte dhe këndonte. Ne vitin 1945 ajo filloi te këndoje ne Radio Tirana dhe në koncerte qe jepeshin ne qytete te Shqipërisë si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit Përgjithshëm i Shtetit. Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën ne Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretoi i pare i saj ne skenën e Teatrit ishte Elmira në komedinë Tartufi të Molierit. Filmi i pare ku mori pjese ishte bashkëpunimi ruso-shqiptar Skënderbeu.

Filmografia

Np filmin Skënderveu Skënderbeu (1953) Kontesha

Femijet e saj (1957) – IMDB – Fatimeja

Tana (1958) – IMDb – Nena e Stefanit

Detyre e posaqme (1963) – IMDb

Toka jone (1964) – IMDB

Oshëtime në bregdet (1966) – IMDb – Nena

Njësiti guerril (1969) – IMDb – Nena

Operacioni Zjarri (1973) – IMDb

Dollia e dasmes sime (1978) – IMDb

Drama

Çeshtja ruse (1947) – Xhesi

Tartufi (1947) – Elmira

Rrënjë të thella (1949) – Alisa Lengton

Komploti i të dënuarve (1950) – Kristina Padera

Halili dhe Hajria (1950) – Fatimja

Gjashte dashnoret (1952) – Aljona Patrovna

Toka jone (1954) – Loke

Intrige e dashuri (1957) – Ledi Milford

Shtate shaljanet (1958) – Triga

Hamleti (1960) – Gertruda

Shtepia e Bernarda Albes (1961) – Bernarda Alba

Morali i zonjes Dulska (1962) – Tadrahova

Muri i Madh (1966) – Nena Xhun

Perkolgjinajt (1966) – Mara

Drita (1967) – Manushaqja – regjia: Marie Logoreci

Cuca e maleve (1967) – Prenda

Çatia e të gjithëve (1968) – Plaka

Përmbytja e madhe (1977) – Gjela

 

Më 23 shtator të vitit 1944 u vra Ibe Palikuqi, partizane antifashiste, Heroinë e Popullit. U lind në Dibër në vitin 1927. Shtëpia e saj ishte bazë e LANÇ-së.

 

23 shtator të vitit 1998 ra duke luftuar kundër forvace serbe luftëtari i lirisë, Hamit Hysen Lladrovci

 

 

Më 24 shtator të vitit 1821 u vra kapedani i njohur arvanitas Gjergj Kirxhaliu, pjesëmarrës në luftën e popullit grek për çlirim nga Turqia. Ka luftuar në radhët e kryengritësve edhe në Rumani e Moldavi në përpjekjet e ayre popujve për çlirim nga robëria.

Marie Kraja lindi më 24 shtator 1911 në Zarë të Dalmacisë dhe vdiq në Tiranë më 21 nëntor 1999.

Në moshën 6 vjeçare, familja e saj vendoset në Shkodër. Studimet e larta për kanto i kreu në Konservatorin e Graz-it në Austri, në vitet 1930-1934. Aktiviteti i saj koncertal fillon më 1934 së bashku me pianistin Tonin Guraziu, në një koncert që kanë dhënë në Tiranë. Para këtij koncerti, Maria kishte marrë pjesë në “Mbrëmjen e kombeve” në Vjenë ku kishte përfaqësuar Shqipërinë me interpretimet e dy këngëve popullore ”O bilbil, i mjeri bilbil” dhe “Çilni, ju moj lule çilni”. Mbas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri më 1938 ku dhe fillon një aktivitet të dendur koncertal. Punon si mësuese muzike në Institutin Nëna Mbretëreshë. Punon pranë Radio-Tiranës dhe Liceut Artistik më 1946, më pas në ILA dhe TOB ku ka kënduar që në premierën e parë të këtij institucioni. Edhe pse me një jetë artistike të pasur në skenat e Italisë, Austrisë, Gjermanisë, etj, karriera e saj lidhet ngushtë me gjithcka që ndodhi në muzikën shqiptare. Me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para. Së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj, Marie Kraja interpreton në rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit”, si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj. Përveç roleve operistike, pjesë e repertorit të saj janë dhe shumë arie, romanca, pjesë koncertore, si dhe mbi 300 këngë popullore, sidomos ato të veriut. Repertori i saj i këngëve popullore përfshinte traditën mbarëshqiptare të këngës popullore qytetare duke filluar me këngët e qyteteve Pejë, Gjakovë, Shkodër, Korçë, Berat, Elbasan, Tiranë etj. Ndër këngët popullore të kënduara nga Marie Kraja përmendim: “Çila sytë me të pa”, “Dola në penxhere”, “Marshalla bukurisë sate”, etj. I gjithë ky repertor u realizua në qindra koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Kinë, Kore, Gjermani, Itali, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Bashkimin Sovjetik, etj, dhe një pjesë e tij është i dokumentuar në fondin muzikor të Radio Televizionit shqiptar. Regjistrimin e parë të këngës popullore e ka bërë në pllaka gramafoni në vitin 1940 me këngën “Çilni ju moj lule”.

Sa i përket aktivitetit pedagogjik, nis që me krijimin e shkollave të para të muzikës në Shqipëri, Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në vitin 1946 dhe Konservatorit Shtetëror të Tiranës në 1962 dhe vazhdoi deri në fund të jetës, pavarësisht nga dalja e saj në pension në vitin 1966. Për meritat e saj si artiste dhe mësuese Maria Kraja u nderua me çmime, medalje dhe tituj të ndryshëm. Është “Artiste e Popullit”, mban Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë, medaljen “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe Laureate e Çmimit të Republikës së Klasit të Parë.

Më 24 shtator të vitit 1915 u vra Dedë Gjo Luli, udhëheqës i shquar i Malësisë së Mbishkodrës në luftën për çlirimin kombëtar dhe për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut, Hero i Popullit. Në vjeshtën e vitit 1840, në Traboin, Gjon Lulit i kishte lindur djali i parë dhe i vetëm në shtëpinë e tij i cili kishte trashëguar emrin e gjyshit, Dedë Broçit. Ai edhe pse trupvogël në kuvendet e malësorëve njihej për dije të gjerë dhe trimëri të mëdha në ato anë. Deda qysh në moshë të re ishte martua me Prende Gjeloshin nga Selishta e Grudës, me të cilën kishte pasur katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza të cilët i pati krah gjatë gjithë luftërave kombëtare për mbrojtjen e Atdheut.

Mori pjesë në qëndresën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Hotit e të Grudës që qarqet shoviniste malazeze kërkonin t’i aneksonin në bazë të vendimeve të Kongresit të Berlinit. Lidhjes shqiptare të Prizrenit i duheshin organizim i njëmendët dhe veprime të shpejta ngase Pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për dorëzimin e tokave shqiptare, vendeve fqinje, forcat turke largoheshin nga pozicionet të cilat duhej ti zinin forcat e lidhjes shqiptare të degës së Shkodrës, para se t’i pushtonte ushtria malazeze duke u konfrontuar shpesh me ushtritë e tyre pushtuese. Dedë Gjon Luli kundër malazezëve, kishte luftuar edhe në vitet 1880-1881 dhe Ai tashmë i kishte bindur të gjithë se ishte mjeshtër i rrallë i luftës dhe shfrytëzimit të terrenit të cilin e njihte me pëllëmbë në ato anë, duke mos u koritur asnjëherë përballë armikut, e as atëherë kur u priu forcave shqiptare, me pushkë në dorë kundër ushtrisë së Malit të Zi, të cilën e udhëhiqte, ish-shqiptari i dikurshëm i Fisit të Kuqit i kthyer në malazez-Mark Milani, me të cilin Dedë Gjon Luli, në krye të 18 trimave të zgjedhur të Hotit dhe Grudës, do të matej tek ura e Rrzhanicës. Aty mbeten të vramë vetëm nji malazez e nji malcor shqiptar, sepse as Mark Milani s’e donte at konflikt ngaqi kishte martue të bijen në Hot.

Dedë Gjo Luli  edhe pse e parandjeu grackën, që i kishin vënë forcat serbe malazeze të cilat  e mbanin Shkodrën në rrethim edhe pse e paralajmëroi vetë Nora, reja e tij, që ai e thirrte me përkëdheli “Djali ma i mirë i babës”, që të mos udhëtonte në kohë të turbullta, për besë burrash shkoi në takim. Vetëm, kur në vend të prijësve, i doli përpara kapiteni serb Gjura, ai gjakftohtë, u tha mirditorëve, që e shoqëronin : – … paskemi mbarue! Nuk e dha veten. As kur e prenë me bajonetë bashkë me shtatë mirditorët (1. Mark Llesh Doda, 2. Ndue Kol Pjetri, 3. Zef Ndue Gjoka, 4. Preng Qup Deda, 5.Preng Gjok Skana, 6.Bib Marlula dhe 7.Llesh Deda), nuk e lëshoi veten dhe dha jeten në Sheshëz t’Oroshit në Mal të Shejt, e atje në grykë të shpellës së Akullit, që është 15 metra e thellë në tokë. Dhe me 18 mars të vitit 1964 do të vdiste edhe Nora, pjesëmarrësja e të gjitha luftërave të lavdishme për çlirimin e vendit dhe bashkimin gjithë shqiptar dhe dëshmitarja e fundit e një tradhtie të madhe mbi vrasjen në pritë të një luftëtari të dëshmuar kombëtar.

Më 24 shtator të vitit 1998, në frontet e ndryshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë dëshmorë,duke luftuar kundër forcave opkupatopre serbe  Agim Ramadani, mjeku i luftës Lec Gradica Leci, Skender Alushani

Më 25 shtator të vitit 1998, në frontet e ndryshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë dëshmorë, duke luftuar kundër forcave okupatore serbe: Xhevat Shala, Besim Muleta, Bashkim Muleta, Ramadan Muleta, Naim Kluna, Ahmet Pantina,  Zenel Morina etj.

Më 26 shtator 1886 lindi Kolë Kamsi, folklorist, historian, gjuhëtar, përkthyes, shkrimtar e pedagog.

Kolë Kamsi lindi në Shkodër me 26 shtator 1886. Në historinë e kulturës kombëtare shqiptare njihet si ajo e një personaliteti shkencor dhe letrar, historian, filolog, gjuhëtar, folklorist, mësues dhe pedagog i gjuhës shqipe, hartues tekstesh shkollore, përkthyes, prozator e fabulist, publicist e redaktor.

Duke ecur në gjurmët e një tradite patriotike e kulturore shekullore të të parëve të vet, Kolë Kamsi ndoqi shkollën fillore e të mesme duke marrë diplomën në Shkollën Teknike Tregtare italiane në qytetin e lindjes. I vijoi, pra, me 1904 studimet në Kolegjën e Shën Adrianit, duke kryer me 1907 shkollën normale në atë qendër arbënore. Po atë vjetë emërohet mësues i gjuhës shqipe në Shkollën e Vlorës. Ndërsa më 1915-1916 emërohet drejtor kur çelet shkolla fillore për djem në Vlorë, dhe gjatë vjetëve të Luftës së parë Botërore boton disa libra për shkollat fillore (abetaren «Jeta e re» që pati dy botime e nji botim të tretë të përgatitun, por të pabotuem; «Mësime përmbi natyrën» e antologjinë «Lulet e mendimit»). Ka punuar si mësues në qytete të ndryshme të vendit, si në Vlorë, Korçë, Shkodër e Tiranë, duke dhënë një kontribut të madh për gjuhën shqipe. Jep mësim shqipje, bashkë me Jani Mingën, në kursin e shkurtë pedagogjik për përgatitjen e mësuesve shqiptarë, që do të jepshin mësim në 44 shkollat e hapuna në krahinat e Vlorës e të Gjirokastrës. Më 1920 Kolë Kamsi ishte në Shkodër në shkollën qytetëse të françeskanëve dhe me hapjen e gjimnazit të shtetit punoi aty si mësues i gjuhës shqipe. Më 1940-n ai punoi në Komisionin Teknik të teksteve pranë Ministrisë së Arsimit së bashku me Aleksandër Xhuvanin dhe Eqerem Çabejn. Pas Luftës së Dytë Botërore punoi për pak kohë në Institutin e Studimeve në Tiranë me cilësinë e folkloristit pastaj në qytetin e lindjes, në gjimnazin “29 nëntori” dhe në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”. Me riorganizimin e Institutit të Shkencave Kolë Kamsi u zgjodh “kandidat i shkencave”, ndërsa më pas punoi si pedagog i folklorit shqiptar në Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Shkodrës. Kolë Kamsi është autor i mjaft teksteve shkollore, si dhe bashkautor me Ndue Palucën dhe Ernest Koliqin,etj. Kola është autor i disa artikujve për zhvillimin e arsimit shqiptar, ndërsa është vlerësuar si një shkencëtar i shquar , veprimtaria kërkimore-shkencore e të cilit shtrihet në një periudhë 53-vjeçare (1907-1960). Kontributet e tij në studimet albanologjike janë të trefishta: në lëmin e gjuhësisë, të letërsisë e folkloristikës dhe historisë.

Qe drejtor i shkollës fillore «Teuta» në Shkodër (1924), drejtor i Kursit pedagogjik në Korçë (1925) si dhe themeluesi e i pari drejtor i shkollës Tregtare e i Konviktit në Ujë të Ftohtë – Vlonë (1926); drejtor i Institutit Tregtar, po në atë qytet (1927); drejtor i Institutit Femnor «Donika Kastrioti» (Shkodër, 1936); drejtor i Institutit «Nana e Skanderbegut» (Tiranë, 1939); drejtor i Gjimnazit të Shtetit (Shkodër, 1942). Përveç këtyne detyrave, që diftojnë zotësí e vlerësim, e që lidheshin vetëm me nji anë të veprimtarisë së tij, Kolë Kamsi qysh heret pat fillue me dhanë ndihmesën e vet në fushën e folklorit, si mbledhës e si studjues. Kështu qe mis i rregullshëm i Institutit të Studimeve Shqiptare (1940), themelue prej Ernest Koliqit, e i Institutit Shqiptar për Studime e Arte (1944), president i të cilit qe Át Anton Harapi. Nji kohë të shkurtë punoi në Institutin e Shkencave në Tiranë (1948), Institut që kishte trashigue, përveç veprimtarisë, arkivin dhe bibliotekën e çmueshme albanologjike të Institutit të mâparshëm, tue qenë praktikisht vijim i tij. Kthei përsërí në Shkodër dhe me 1957 qe emnue pedagog i folklorit në Institutin e Lartë Pedagogjik Dyvjeçar të Shkodrës[1]. Dhe kryevepra e tij është veçanërisht fjalori arbëresh, i cili u botua vetëm pas 40 vjetësh.

Në fushën e gjuhësisë ai u dallua me veprën “Manual praktik i gjuhës shqipe”, shkruar italisht-shqip mbi strukturën gramatikore të gjuhës shqipe. Me rëndësi është dhe bashkëpunimi i tij në “Fjalorin italisht-shqip” të Fulvio Kordinjanos. Të vlefshme janë dy monografitë e tij “Jeta dhe veprat e Frang Bardhit” dhe “Disa vërejtje gjuhësore mbi veprën e Pashko Babit”. Për institutin e Studimeve, më 1948-n, Kamsi redaktoi veprën “Material leksikor”, të mbledhur në rrethin e Gjakovës nga Murat Paci, ish-nxënës i Gjimnazit të Shtetit të Shkodrës që u vra nga fashistët në vitin 1943.

Për historinë e letërsisë shqiptare, përveç artikujve mbi shkrimtarët arbëreshë, Kolë Kamsi botoi punime me vlerë edhe për Pashko Vasën, Shirokën, Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Fan S. Nolin, Justin Rrotën etj. Me interes janë edhe artikujt mbi Ismail Qemalin, Miss Edit Durhamin, etj. Në fushën e folkloristikës sonë Kolë Kamsi mbetet një nga studiuesit më të mirë të proverbave të shqipes me veprën e tij të çmueshme “Goja e popullit tonë”. Libri përmbledh thënie popullore të shkurtra, Në fushën e krijimtarisë së tij letrare janë për t’u shënuar disa vjersha për fëmijë, disa tregime të bukura edukative etj. Për të gjitha këto, Kolë Kamsi është nderuar me tituj si “Urdhrin e Flamurit”, “Mësues i Popullit”, “Profesor”, “Mirënjohje e qytetit të Shkodrës”, ndërsa dhe një titull nderi që jepet në Shkodër për personalitetet e arsimit mban emrin “Kolë Kamsi”.

26 shtator të vitit 1998 kanë rënë dëshmorët: Fatos Krasniqi dhe Valdet Xhemajlaj

Më 27 shtator të vitit 1944 vdiq Petro Poga, veprimtar e atdhetar

Petro Poga ishte një ndër figurat e apostujve të shqiptarizmës në brezin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Lindi në Erind të Gjirokastrës ku edhe ndoqi mësimet e para. Më pas shkollohet në Gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe pastaj në degën e Drejtësisë së Universitetit të Stambollit ku fitoi një kulturë të gjerë. Njihte mirë disa gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht, greqisht dhe turqisht. Në Stamboll bashkëpunoi me vëllezërit Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, si dhe me Jani Vreton, Koto Hoxhin, Shahin Kolonjën, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin. Në vitin 1884 themeloi dhe botoi gazetën “Drita” të Stambollit, që me pas e vijoi botimin patrioti rilindas Pandeli Sotiri. Ne kujtimet e tij, Petro shkruan: “Fletorja Drita e zgjoi idealin e shenjtë Kombëtar dhe ndikoi për crrënjosjen nga zemrat e shqiptarëve të mendimit që fetë nuk e ndryshojnë kombin, duke mos mundur të ndryshojnë gjuhën dhe zakonet që formojnë Kombin.” Në vitet 1906-1908, Petro Poga gjendet në Gjirokastër ku dha ndihmesën në përhapjen e gjuhës shqipe dhe ndjenjave Kombëtare. Roli i tij më i dukshëm u shfaq në themelimin e Klubit Patriotik “Drita” të Gjirokastrës, të cilin me vone e udhëhoqën atdhetarët Hasan Xhiku, Idriz Guri, Hysen Hoxha dhe Elmaz Boçe.

Në vitin 1912 Petro Poga mbështeti fuqimisht kryengritjen antiosmane të Shqipërisë së Jugut. Në nëntor të vitit 1912, parësia e Gjirokastrës e zgjedh delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Petro Poga bëhet kështu një nga nënshkruesit e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, Petro Poga caktohet Ministër i Drejtësisë si pjesë e Qeverisë së Parë Shqiptare, post të cilin e mban deri në vitet ’20. Krahas kësaj detyre, Ismail Qemali dhe Qeveria e Vlorës e ngarkuan edhe me detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë 1913-1915. Së bashku me avokatët e shquar Kristaq Tutulani dhe Feim Mezhgorani harton Statusin që shkëputi Gjykatën Shqiptare nga juridiksioni i Perandorisë Osmane. Pas veprimtarisë në Vlorë, shkoi në Durrës ku iu dha posti i Ministrit të Drejtësisë në Qeverinë e Princ Vidit. Më 25 dhjetor, 1918 ishte përfaqësues i Gjirokastrës në Kongresin e Durrësit, ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i kabinetit të Turhan Pashës. Së bashku me Luigj Gurakuqin në diskutimet e tij në këtë Kongres ata kërkuan të respektoheshin liritë fetare sipas parimeve evropiane. Një pjesë të madhe të jetës Petro Poga ia kushtoi Drejtësisë Shqiptare. Mendja e tij u shfaq edhe në hartimin e Legjislacionit Shqiptar dhe ndërtimit të Kushtetutës së Mbretërisë më 1928. Vitet e fundit të jetës Petro Poga i kaloi në vendlindjen e tij, Erind.

27 shtator 1998  në frontet e luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorët: Afrim Hajdaraj dhe Sadri Lokaj

Më 28 shtator të vitit 1730, në Stamboll, filloi kryengritja e jeniçerëve në krye me Halil Patronën. Kjo kryengritje del e shënuar në të gjitha enciklopeditë historike botërore. Halil Patrona një shqiptar me origjinë nga Hurpishti, fshat i rrethit të Manastirit, arriti që me një kryengritje gjithë popullore të turmave të pakënaqura të Stambollit dhe me përkrahje të regjimentit të Pestë të Jeniçerëve, të cilin e përbënin rreth 12.000 jeniçerë shqiptarë, të ndërronte nga froni Sulltan Ahmedin e Tretë dhe ta vendoste në post, djalin e vëllait të tij, Sulltan Mahmudin e Parë.

Halil Patrona lindi rreth vitit 1690 në fshatin e quajtur Hurpisht, mbase afër Kavadarit apo Manastirit në Maqedoni. Qysh si fëmijë ishte rrëmbyer nga turqit dhe ishte dorëzuar në mesin e jeniçerëve. Në vitin 1720 ishte komandant i jeniçerëve në Vidin. Mori pjesë në një kryengritje që u zhvillua asokohe në Nish, dikur qytet shqiptar, tash i mbetur nën Serbi. Duke qenë i ekskomunikuar nga radhët e jeniçerëve, ai ka punuar si shitës ambulant nëpër rrugët e Stamollit. Më vonë kishte ngritur një hamam publik në qendrën e Perandorisë. Asokohe Halil Patrona tubonte rreth vetes jeniçerët e pakënaqur shqiptarë, në një mejhane të Gallata Sarajit. Të dhënat historike të asaj kohe dhe kronikat e Stambollit, bëjnë të ditur se regjimenti i Pestë i jeniçerëve, kishte rreth 12.000 jeniçerë, kryesisht shqiptarë. Halili ishte jeniçeri më me ndikim në këtë regjiment. Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë kanë qenë: Musli bashi, Ali Kafexhiu, greku i pasur, Janaqi, Emir Aliu, Ahmet Çinari, Mehmet Onduçi, Mustafë Lazi, Ismail Tursuçi, Ali Gavuri, Ramazan Çigerxhiu e të tjerë.

Halil Patrona, e bëri çështje, zërin e vegjëlisë dhe të rajasë, duke kërkuar nga Sulltani të hiqte me një ferman special “malikanet”, tatimet e përjetshme, që paguante populli dhe të jepte urdhër për shkatërrimin e 120 shtëpive publike, që kishte ngritur Sulltan Ahmedi në vendin e quajtur “Ujërat e Ëmbla”, po në Stamboll.

Kjo kryengritje në literaturën marksiste, njihet me emrin “Kryengritja e esnafëve” ashtu sikur e kishte emërtuar, vetë Karl Marksi.

Halil Patrona, ky vigan i historisë së përgjithshme, është anashkaluar nga tekstet e Historisë së popullit shqiptar. Vetëm në Fjalorin enciklopedik të vitit 1985, botuar në Tiranë, janë prezantuar disa zëra për biografinë e tij, e cila është më se e njohur në të katër anët e rruzullit, sidomos në Historinë e Perandorisë Osmane. Edhe Sami Frashëri e kishte radhitur në mesin e personaliteteve të njohura shqiptare të kohës së Perandorisë Osmane, por, për shkaqe të panjohura e ka anashkaluar historinë e ngjarjeve të shtatorit, tetorit dhe nëntorit të vitit 1730.

Vendin meritor, këtij trimi me gjak arbri, ia njohu historiani i madh austriak, Jozef von Hammer, i cili në veprën e tij madhore “Historia e Perandorisë Osmane”, ( botuar në Zagreb në vitin 1978, nuk është përkthyer në gjuhën shqipe) në të cilën kishte punuar 30 vjet, përshkruan deri në detaje tronditjen më të madhe që kishte përjetuar Perandoria turke, nga kryengritja e Halil Patronës, njeriut të vegjëlisë i cili arriti ta bëjë çështje dhe ta artikulojë aspiratën e vegjëlisë, të trumave, që vdisnin urie në Stamboll, në kohën kur Sulltan Ahmedi III kishte ngritur dhjetëra hareme dhe në to mbante 200 gra robëresha, kishte ndërtuar 120 shtëpi publike në Stamboll dhe kishte urdhëruar të kultivoheshin kudo lulelajlet të quajtura “tulipanë”, prej nga edhe epoka e tij u quajt “Epoka e tulipanëve”.

Halil Patrona e detyroi Sulltan Ahmedin të dorëzonte kokat e kreut të shtetit, Vezirit të Madh Damad Ibrahim, Kryeqehajasë, Kryemyftiut dhe Kapudan Pashait, admiralit turk të flotës perandorake. Sulltani nën presionin e turmave kishte përfillur të gjitha kërkesat e kryengritësve, ndërkohë që kishte ngritur në krye të Këshillit të luftës Halil Patronën dhe disa nga jeniçerët e tij besnikë, duke iu premtuar, atij dhe të gjithë kryengritëseve, paqe dhe jetë të sigurt në hierarkinë sunduese.

Më vonë, pasi ishte fashitur kryengritja, e cila mori vetëm katër kokat e shtetit, kundërshtarët e Halil Patronës me lejen e Sulltanit, i cili edhe pse i kishte dhënë fjalën e kreut perandorak se nuk do t’i ndodhte asnjë e keqe, Halil Patronës dhe 25 anëtarëve të elitës së tij u shkurtohen kokat tinëzisht dhe pabesisht.

Ndërkohë fillon sulmi kundër regjimentit të Pestë të jeniçerëve dhe për tri ditë luftime në Stamboll, në nëntor të atij viti, vriten rreth 7000 jeniçerë shqiptarë. Fushata kundër jeniçerëve shqiptarë u ndërmor edhe në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Kosovë, ku ata që kishin shpëtuar duke ikur nga Stambolli ishin vendosur në malet e largëta të Atdheut. Ekspeditat ndëshkuese të udhëhequra nga Osman Topall Pasha i Moresë depërtuan në të gjitha vise e atëhershme të Shqipërisë, në kërkim të jeniçerëve të Halil Patronës.

Literatura historike për Halil Patronën, e tejkalon literaturën e prezantuar në gjuhët e huaja për Skënderbeun e mbase për të gjitha personalitetet shqiptare të kohës. Për Halil Patronën janë shkruar me mijëra shkrime, jo vetëm në gjuhën turke por në shumicën e gjuhëve të botës. Janë shkruar edhe tregime të shumta dhe romane. Shkrimtari më i madh i Hungarisë i shekullit XIX, Jokai Mor, autori i 100 romaneve dhe novelave të botuara dhe të përkthyera në 25 gjuhë të botës, ka shkruar romanin historik “Trëndafili i bardhë”, që i kushtohet kryengritjes së jeniçerëve shqiptarë në Stamboll në krye me Halil Patronën.

28 shtator të vitit  1998, gjatë ofensivës serbe kundër Zonës së Neredimës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë përballë forcave pushtuese dëshmorët:  Lulzim Guta, Bashkim Vishi, Sejdi Sejdiu, Bajram Sylejmani, Gursel Sylejmani, Kemajl Hetemi, Nazim Terziu.

 

Më 29 shtator të vitit 1886 vdiq, Vinçenc Stratigo, poet e veprimtar i shquar arbresh. U lind në vitin 1822 në Ungër të Kozencës në Itali. U shkollua në Shën Miter Korone, ku ishte  nxënës i De Radës. Në gjuhën shqipe shkroi veprat: Bersalieri, Vajtim mbi vdekjen e atij që nuk ka, L’ albanese, Shqiptari, një vepër që i kushtohet Historisë së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

30  shtator të vitit  1998, ka rënë dëshmor, veprimtari dhe mjeku i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  Shpëtim Robaj