Brickos

Ramadan Deli Elshani (20.1.1969 - 14.12.1998)

Ramadan Deli Elshani (20.1.1969 – 14.12.1998)

Ramadan Elshani lindi më 20 janar të vitit 1969 në fshatin Ngucat të Malishevës. Kushtet materiale të prindërve të tij, Deliut dhe Hajrisë, ishin mjaft të rënda, prandaj, në vitin 1979, ata u detyruan të shpërngulen nga fshati Ngucat, në Shtime.

Mësimet fillestare, Ramadani i kreu në Ngucat. Dy vjetët e parë të shkollës së mesme i kreu në Shtime, ndërsa dy të fundit, drejtimin për agjustator, në Ferizaj. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, më 1989, në përpjekje për të gjetur punë dhe për t’ i ndihmuar familjes, Ramadani shkoi në Slloveni, ku asokohe punonin edhe dy dajat e tij, Ramiz Qeriqi dhe Idriz Qeriqi.

Ishte punëtor dhe i afërt me shokët. Natyra i kishte falur shtat atleti. Falë forcës fizike dhe vullnetit për punë, ai shquhej në mesin e shokëve. Punonte pandërprerë për t’ i ndihmuar familjes, meqë pas rastit fatkeq të vrasjes së babait, kishte mbetur më i madhi prej vëllezërve.

Me rastin e fillimit të luftës në Slloveni, Ramadani kthehet në Kosovë. Familja e Deli Elshanit në atë kohë përjeton edhe një tragjedi tjetër të rëndë. Një serb i Shtimes e kishte shkelur me veturë vëllanë 14-vjeçar të Ramadanit, Deliun, i cili e kishte trashëguar emrin e babait të vrarë. Në shtëpi kishte mbetur me nënë Hajrinë, dy vëllezërit, Rizahun e Samedin, dhe me motrën, Irfeten.

Për shkak të natyrës dhe temperamentit të tij të papërkulshëm, Ramadani bie në sy të policisë së Shtimes. Ajo, disa herë e bastisi shtëpinë e tij me pretekst të kërkimit të armëve. Duke qenë të bindur se Ramadani, krahas tregtisë merrej edhe me punë të tjera ilegale, policët serbë disa herë i maltretuan Ramadanin dhe vëllanë e tij, Samedin, të cilët ishin treguar të papërkulshëm dhe të pabindur ndaj pushtetit okupator.

Në mars të vitit 1998, daja i Ramadanit, Ramiz Qeriqi, së bashku me disa bashkëluftëtarë kthehet i armatosur në Drenicë, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke qenë në dijeni të kthimit të dajës së tij në Krojmir, në mars të vitit 1998, Ramadani kontakton me Ramizin, të cilin e ndihmon në kryerjen e detyrave me të cilat ai asokohe e kishte ngarkuar.

Duke qenë se edhe ashtu familja e tij ishte në shënjestër të policisë serbe, në qershor të vitit 1998 definitivisht vendoset në Krojmir, ku asokohe ishte themeluar pika vendore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Së bashku me Idriz Qeriqin, Isë Qeriqin dhe Përparim Qeriqin, fillimisht angazhohet në logjistikë dhe në kryerjen e detyrave të ndryshme me të cilat e ngarkonte Ramiz Qeriqi, asokohe i njohur si komandant “Luani”.

Me rastin e zënies së Grykës së Carralevës nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 14 qershor të vitit 1998, familja e Ramadanit, nëna Hajrie, Samedi dhe Erfetja, largohen ilegalisht nga Shtimja dhe vendosen në Mollapolc.

Në radhët e UÇK-së inkuadrohet edhe vëllai i Ramadanit, Samedi, i cili po ashtu kryen detyra të caktuara në shtabin vendor të logjistikës në Krojmir.

Më 25 korrik, në ditën e ofensivës së forcave serbe kundër pozicioneve të UÇK-së në Zborc, Ramadani dhe Samedi nga pika e Rancës depërtojnë nëpër Grykën e Carralevës dhe nën breshërinë e granatave të armikut arrijnë në Krojmir. Po atë ditë, popullata e Krojmirit, e Pjetërshticës dhe e fshatrave të tjera lëshojnë shtëpitë dhe futën në grykat e maleve. Ramadani ishte kudo në ndihmë të ushtrisë dhe të popullatës civile. Ai, së bashku me Përparim Qeriqin, Bashkim Krasniqin dhe me disa të rinj të tjerë, përveç punëve në hapjen e bunkerëve, ishte ngarkuar edhe për bartjen e municionit në vende të caktuara, sipas urdhrave të komandës vendore të UÇK-së në Krojmir.

Ramadani ishte krah i fortë i luftës çlirimtare. Kurdoherë në veprim, qoftë duke hapur bunkerë e transhe, qoftë duke bartur municion për bashkëluftëtarët në vijat e frontit, qoftë duke u përkujdesur për miellin që nga Shtabi i Krojmirit depërtonte në Malishevë dhe në Dukagjin.

I zellshëm, i fuqishëm fizikisht, fjalëpak, i papërtueshëm, kurdoherë ishte ndër të parët, kudo ku kërkohej nevoja, qoftë për të bartuar armatimin apo për t’iu shkuar në ndihmë të zhvendosurve.

Më 3 nëntor të vitit 1998, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ramadan Elshani caktohet në grupin e luftëtarëve të batalionit “Ruzhdi Salihu” të brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”, për të shkuar në Shqipëri për furnizim me armatim. Asokohe nga ky batalion, për në Shqipëri nisen: Ramadan Elshani, Bashkim Krasniqi, Arben Hyseni, Isë Olluri, Enver Olluri, Naser Krasniqi, Enver Krasniqi, Xhelë Xheladini e shumë të tjerë.

Pas depërtimit në bazat ushtarake të UÇK-së në Shqipëri, ata pajisen me armatim dhe municion, mirëpo për shkak të dëborës së madhe, e cila i kishte zënë të gjitha shtigjet nëpër të cilat duhej të kalonin çlirimtarët, gjatë kthimit në Kosovë, detyrohen të qëndrojnë disa javë në kazermat e UÇK-së në brezin kufitar.

Pasi ishte marrë vendimi për t’ u nisur, formacioni ushtarak prej 143 luftëtarëve të lirisë, në krye me komandantin Mujë Krasniqi, më 13 dhjetor të vitit 1998 fillojnë rrugën e kthimit në Kosovë. Në agim të 14 dhjetorit të këtij viti, në vendin e quajtur Te Likenet e Hasit, në Malësinë e Gorozhupit në Pashtrik, ky formacion ushtarak bie në pritë të forcave serbe. Pas një lufte të ashpër dhe të pabarabartë, në pritën që e kishin kurdisur trupat pushtuese, në mesin e 36 dëshmorëve, në altarin e atdheut, në radhët e para të luftëtarëve bie edhe Ramadan Elshani, trimi i papepur i luftës çlirimtare.

Pranë tij bie edhe Bashkim Krasniqi nga fshati Zllakuçan i Lypjanit dhe Mentor Ibriqi i fshatit Bushat (ish-Kamaran), ndërsa plagoset rëndë Enver Krasniqi, nga fshati Karaçicë i malësisë së Shtimes.

Dy javë pas rënies, me nderime ushtarake, trupi i dëshmorit Ramadan Elshani varroset në Varrezat e Dëshmorëve, në fshatin Kleçkë. Atë ditë me acar dimri, në ceremoninë e varrimit morën pjesë nëna, motra, dajallarët dhe qindra banorë të fshatrave Krojmir, Shalë, Pjetërshticë etj.

Në nderim të jetës dhe veprës së tij heroike, familjes së dëshmorit Ramadan Elshani i ka dhënë Mirënjohje Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Kuvendi Komunal i Shtimes dhe Zona Operative e Neredimes.

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …