vipa
driloni com
vala – old
mbpzhr
muqa 900
Fillimi / Dëshmorët / Ramadan Halil Morina (1.10.1960 – 17.5.1998)
Ramadan Halil Morina (1.10.1960 – 17.5.1998)

Ramadan Halil Morina (1.10.1960 – 17.5.1998)

Ramadan Morina lindi më 1 nëntor të vitit 1960, në fshatin Rixhevë të komunës së Klinës. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Kijevë. Ishte i biri i Halilit dhe i Zelihasë, bijë e Begajve të Banjës së Malishevës. Halili dhe Zelihaja patën katër bijë: Sylejmanin, Ramadanin, Seferin dhe Miftarin. Ramadani mbante emrin e babagjyshit. Ai rrjedh nga një familje me tradita atdhetare. Xhaxhai i tij, Jonuzi, kishte qenë pjesëtar i çetave kryengritëse të Shaban Polluzhës, në Drenicë, në dimër të vitit 1945.
Pasi përfundoi shkollën e mesme, si shumë bashkëkombës të tjerë, për shkak të kushteve ekonomike dhe varfërisë, si dhe me qëllim për të ndihmuar në ngritjen ekonomike të familjes, merr rrugë për të gjetur punë në vende të ndryshme të ish-Jugosllavisë, si në Slloveni, Kroaci e në Mal të Zi, ku edhe punoi disa vjet. Në vitet ‘90 të shekullit 20, kthehet përgjithmonë në Kosovën e dashur për të mos e lëshuar kurrë më. Ka marrë pjesë në shumë organizime dhe aktivitete që zhvilloheshin në Kosovë kundër robërisë serbe, sidomos në vitet ‘90.
Në dhjetor të vitit 1997, pasi tashmë kishte dalë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vëllai i Ramadanit, Miftari, nga Gjermania kthehet në Kosovë përmes Shqipërisë, nëpër Han të Hotit, Shkodër, Koplik, Bajzë, duke kaluar ilegalisht nëpër kufirin e Shqipërisë me Malin e Zi dhe u sjell armë dy vëllezërve të tij, Ramadanit e Seferit. Pas pak, Miftari kthehet sërish në Gjermani nëpër të njëjtën rrugë. Atë e përcjell vëllai Seferi, deri në Kijevë, ndërsa Ramadani e shoqëron deri në Tuz.
Ramadan Morina fillimisht merr pjesë në shumë organizime e aktivitete në radhët e UÇK-së, duke vëzhguar e duke bërë roje. Në fillim të aktivitetit të tij atdhetar e çlirimtar ishte angazhuar te njësiti “Graniti” i cili së bashku me disa njësite të tjera, më vonë përbëjnë Brigadën 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Opreative të Drenicës. Njësiti asokohe udhëhiqej nga Agim Pantina. Ai ishte betuar se kurrë nuk do ta lëshonte vendin pa luftuar kundër armikut serb. Për këtë qëllim në maj të vitit 1998 kishte dërguar nënën dhe fëmijët në Banjë të Malishevës, meqë gruaja i kishte vdekur më herët dhe fëmijët e tij ishin nën përkujdesje të gjyshes së tyre, Zelihasë. Më 14 maj 1998 shkon në Banjë të Malishevës për t’i parë nënën dhe fëmijët e tij. Forca të shumta policore e paramilitare, që vinin nga drejtimi i Klinës e Kijevës futen fillimisht në familjen e Halil Ramadanit, pasi kjo familje kishte larguar gratë e fëmijët. Natën e 16 majit të vitit 1998 kishin ushtruar roje dy vëllezërit, Ramadan e Sefer Morina, si dhe Brahim Morina e Zeqir Morina. Herët në mëngjes, forcat policore e ushtarake serbe prej 300 trupash, 3 autoblinda e një tank si dhe shumë automjete policore hynë në oborrin e kësaj familjeje, ndërkohë një helikopter i forcave serbe vëzhgonte nga ajri se çfarë lufte do të zhvillohej.
Pas një rezistence të armatosur e në numër krejtësisht të pa barabartë fillojnë luftimet. Ramadani pozicionohet në shtëpinë e vëllait, Seferit, në odën e familjes. Ai kishte filluar kundërsulmin mbi forcat serbe me tërë potencialin që kishte dhe në momentin e fundit kur fillon t’i hedhë bombat e dorës, që i mbante me vete ngado që shkonte, bie dëshmor.
Në ato çaste, kur serbët kishin zënë të gjitha shtigjet, në anën tjetër e odës qëndronte përballë forcave serbe edhe vëllai i tij, Seferi. Ai zbrazte plumbat nga dritarja e herë nga dera e odës. Pas një breshërie të pandalshme të forcave armike, bie heroikisht edhe Sefer Morina, vëllai i Ramadanit. Po në të njëjtin vend, pas një rezistence të armatosur bie heroikisht edhe luftëtari Brahim Morina. Pastaj, forcat serbe e kapin të vëllanë e Ramadanit, Sylejmanin, të cilin e torturojnë fizikisht, duke e sjellë herë te Ramadani, te Seferi e te Brahimi, me qëllim për t i parë vëllezërit e vrarë. Ata i thoshin,”ja si i kemi vrarë tre terroristë”.
Forcat policore zënë gjallë edhe djalin e axhës të Ramadanit, Hajdin Morinën të cilin e torturojnë barbarisht, duke ja futur thikën në fyt e duke u krekosur sesi i kishin vrarë tre kushërinjtë e tij.
Atë ditë, pasi kishin rënë Ramadani, Seferi dhe Brahimi, forcat policore e paramilitare serbe kishin arrestuar shumë kushërinj e bashkëfshatarë të tyre të cilët i kishin rrahur mizorisht. Ata i kishin lidhur dhe i mbanin me kokë për toke bashkëfshatarët e tyre: Sadik Bajram Morina, e Avdullah Deli Desku nga Siqeva (mysafir i Sadikut), Imer Azem Morina, Ajet Sylë Nevada, Brahim Halil Morina, Alush Sylë Musaj, Haxhi Shaban Musaj, Ramadan Shaban Musaj, Halil Shaban Musaj, Brahim Ramadan Musaj, Bashkim Ramadan Musaj, Ramadan Kadri Berisha, Dinore Kadri Maliqaj, Milazim Kadri Maliqaj, Jakup Halil Musaj e shumë të tjerë e gjithashtu djegin shumë shtëpi në këtë ditë, si shtëpinë e Sahit Bajrush Hysenaj, shtëpinë e Hasan Demush Loshit si dhe shtëpia e Brahim Kadri Maliqaj.
Prej orës 7 e 20 minuta e deri në orën 14.00 sa kishin qëndruar forcat serbe në këtë familje pasi i kishin vrarë dy vëllezërit, Ramadanin dhe Seferin, si dhe kushëririn e tyre Brahimin, plaçkitin shtëpitë ua marrin armët dhe uniformat e dy vëllezërve, veturën dhe traktorin dhe gjësende të tjera.
Atë ditë, para se të rrethohej shtëpia e dëshmorit Ramadan Morina, babai i tij, Halili, nuk po dinte se ç’kishte ndodhur në familjen e tij. Më vonë, për atë që kishte ndodhur, merr vesh nga disa bashkëfshatarë të cilët tanimë ishin nisur në drejtim të malit, Te Çuka, në Rixhevë.
Pas tërheqjes së forcave serbe nga Rixheva rreth orës 14.00 në një organizim të mirë nga shumë luftëtarë të lirisë në krye me Bajram Rexhepajn, tani dëshmor i kombit, trupat e tre luftëtarëve të rënë për liri i kishin vendosur në një rimorkio të traktorit, dhe ishin betuar se do të marrin hak. Trupat e tre luftëtarëve tërhiqen në fshatin Zabergjë, ku në mes të dy bijve të rënë qëndronte i ati Halili. Në orët e mesnatës, në kushte dhe rrethana lufte, luftëtarët e rënë për liri, bashkëluftëtarët e tyre i varrosin me nderime ushtarake në varrezat e fshatit Zabergjë.
Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bëjnë betimin se do të marrin hak. Atë natë me zbrazjen e armëve, në shenjë nderimi ishin betuar për luftë deri në fitoren e plotë: Bajram Rexhepaj (Murrizi), Halit Gashi, Bedri Gashi, Arsim Rexhepaj, Bekim Shala, Agim Pantina, Bekim Shyti, “Komandant Shkupi”, luftëtarë të njësiteve “Graniti”, “Alfa”, “Beta” si dhe shumë luftëtarë të tjerë. Forcat serbe nga pozicioni i tyre te mulliri “Prapashtica”, në Kijevë kishin filluar goditjet në drejtim te vendit ku ishin varrosur me nderime luftëtarët e lirisë, Ramadan Morina, Sefer Morina dhe Brahim Morina.
Ramadani ka qenë i martuar me Nixhare Vilakun nga Komorani, e cila kishte vdekur në vitin 1995, gjatë lindjes. Ramadani dhe Nixharja kanë lënë pesë bij e bija: Bashkimin, Valbonën, Besartën, Taulantin dhe Flakën, të cilët u rritën nën përkujdesjen e gjyshes, Zelihes.
Në shenjë respekti për trimërinë e treguar të dy vëllezërve Ramadan dhe Sefer Morina, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve dhe Komuna e Klinës u ndanë mirënjohje. Emrat e dy vëllezërve dëshmorë, Ramadan e Sefer Morina, janë skalitur në kompleksin përkujtimor të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” në qendër të Klinës. Emrat e tyre janë skalitur edhe në pllakën përkujtimore, e vendosur në shkollën e mesme “Lasgush Poradeci” të Kijevës, pasi kishin qenë nxënës të kësaj shkolle. Një pllakë përkujtimore është vënë edhe te dera e oborrit të shtëpisë së tyre, për kujtim e mos harrim të veprës heroike në mbrojtje të nderit dhe dinjitetit të familjes e të luftës për liri.
Në shenjë respekti të luftëtarëve të lirisë Ramadan e Sefer Morina, familja e tyre ua ka vënë mbishkrimin “17 Maji 98”, dyçanit dhe sallonit të ondulimit në Rixhevë.
Gjithashtu në shenjë respekti për luftën e lavdishme të UÇK-së e të dy vëllezërve dëshmorë, vëllai i dëshmorit, Miftar Morina, ka pagëzuar djalin e tij me emrin UÇK. (A. Q.)