leoni

BIK

Reagim publik i Bashkësisë Islame të Kosovës: Kur “Ekspressi” qëllimisht dezinformon opinionin

Reagim idhur me shkrimin “Skandali i BIK’ut me kurbanë – deklaron se pagoi 17 euro për një kilogram mish nga Hungaria” te botuar dje në portin  “Express”, E martë, 19 Shtator 2017 17:33).

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, për hir të informimit të drejtë të opinionit publik,  sqarimit të besimtarëve dhe  të vërtetës e transparencës jep këtë sqarim.

Ditëve të fundit në disa medie tona, kryesisht portale, është ngritur një fushatë e orkestruar lidhur me aksionin e therjes së kurbanëve, të ndërmarrë nga ana e Kryesisë se BIK-ut. Kulmi i kësaj fushate arriti ditën e djeshëm kur “Express”-i  me titull bombastik, pa asnjë të dhënë konkrete, e i bazuar në shpifje, insinuata dhe krejt në funksion të grupeve të ndryshme të interesit, botoi artikullin me titullin “Skandali i BIK’ut me kurbanë – deklaron se pagoi 17 euro për një kilogram mish nga Hungaria”, të cilin më vonë e shpërndanë  si të mirëqenë edhe portale të tjera.

Artikulli në fjalë është i sajuar nga të dhëna jo të plota e të deformuara qëllimisht dhe nga shumë të paqena. Kështu, nuk ka si të kuptohet e trajtohet ndryshe veçse si një fushatë e ulët e tendencionoze ndaj Kryesisë së BIK-ut dhe krejt kjo për qëllim të ulët e meskin të porositësve të shkrimit.

Është e dhimbshme dhe e papranueshme që “Express”-i po edhe portalet e tjera, në emër të  fjalës së  lirë  dhe informimit të drejtë e të lirë, keqpërdorin misionin e tyre dhe bëjnë me vetëdije të kundërtën e misionit, dezinforojnë dhe përbaltin e akuzojnë institucione e në këtë rast BIK-un duke bërë shërbim  klientelist duke shpifur e deformuar.

Ne, Kryesia e BIK-ut, respektojmë dhe angazhohemi për lirinë e shtypit, por jemi kategorikisht kundër që kjo liri të keqpërdoret e të shfrytëzohet për mision të kundërt me informimin e drejtë të publikut. Ne do të jemi të detyruar që ata që shpifin për ne në emrin e fjalës së lirë, t’i paraqitim në organet e drejtësisë..

Shkrimi i djeshëm në gazetën “Express” është i sajuar qëllimshëm  për të përbaltur një aksion transparent,  të realizuar me sukses duke respektuar të gjitha normat e parimet fetare islame  dhe duke respektuar në plotni standardet e BE-së.

Me këtë rast, i kujtojmë Express-it,  të gjitha medieve të interesuara për të informuar drejt opinionin se Kryesia e BIK-ut në çdo kohë është e hapur për t’u ofruar të dhënat e nevojshme lidhur me aksionin për grumbullimin, therjen dhe shpërndarjen e mishit të kurbanit, madje u rikujtojmë që krejt ky aksion në të gjitha fazat e tij është zhvilluar në mënyrë transparente.

Për të kuptuar dhe për të parë spekulimin e qëllimshëm të gazetës “Express” dhe mentorëve të saj,  japim këto të dhëna që janë në funksion të informimit të drejtë të  opinionit të gjerë dhe të besimtarëve tanë.

  1. Kryesia e BIK-ut, me kohë ka hapur tenderin publik për furnizim me kafshë për mish kurbani. Tenderi ka qenë i publikuar, me kushte e parime të qarta. Tenderi në fjalë në kushtet e konkurrencës së hapur është fituar nga një kompani kosovare që bashkëvepron me kompanitë hungareze. Kjo kompani ka ofruar çmimin më të volitshëm dhe të gjitha kushtet që i ka paraparë konkursi.
  1. Aksioni për grumbullimin e mjeteve për therjen e kurbanit në mënyrë kolektive është aksion tradicional që BIK-u realizon prej kohësh. Aksioni ishte i hapur, i bazuar në çmim real të tregut, e i realizuar në bashkëpunim me këshillat dhe xhematet tona. Sa i përket asaj që thonë se dikush paska ofruar kurban me 85  euro,  i themi “Express”-it dhe të gjithë atyre që u intereson që fillimisht të shohin kushtet të cilat, sipas fesë, duhet të plotësojë kafsha për t’u therur kurban e pastaj le të shohin çmimin real në treg dhe ta vërtetojnë vetë nëse gjejnë kund kafshë të vlefshme për kurban me atë shumë që qenka ofruar. Le të mbet në ndërgjegjen e atyre që e marrin një amanet të tillë dhe e Expres-it dhe portaleve të tjera që i përkrahin.
  1. Kurbanët janë therur në përputhje të plotë me dispozitat e Sheriatit, në thertore të certifikuara me Certifikatë Hallall, dhe nga staf profesional për therjen e kurbanit sipas Sheriatit. Gjatë gjithë kohës së procesit të therjes së kurbanëve, më datat 1, 2 dhe 3 shtator, ka qenë i pranishëm Komisioni i autorizuar nga ana e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.

Mishi i kurbanit është përgatitur dhe ambalazhuar në atë mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti i askujt dhe në përputhje me praktika bashkëkohore të trajtimit të mishit.

Mirëpo, është tendencë e qarqeve të ndryshme tregtare te ne dhe e një pjese të medieve që të  derzinformojnë opinionin lidhur me procesin e shpërndarjes së mishit të kurbanit. Kjo më së miri dëshmohet edhe nga publikimi tendencioz i çmimit për kilogram të mishit, siç thuhet nëpër disa medie dhe nëpër disa publikime në rjetet sociale, me qëllimin për të mbjellë huti tek opinioni. Përllogaritja e mishit në fatura, bëhet sipas skemës së kategorizimit të mishit dhe nuk lejohet vendosje e çmimeve paushalle. Bëhet fjalë për vend anëtar të Bashkimit Evropian, kurse në kuadër të çmimit hyjnë edhe të gjitha shërbimet e tjera si kontrollimi sanitar, analizat mikrobiologjike të mishit të kryera në Hungari, përgatitja e mishit, dezinfektimi, ngrirja, transportimi me kamionë frigo.

“Exspress”-i dhe portalet e tjera dezinformojnë qëllimisht edhe me sasinë e mishit të ardhur deri tash në Kosovë, aty me tendencë u referohen herë deklaratave tona duke i nxjerrë nga konteksti e herë kinse burimeve nga dogana, për të nxjerrë atë çmim që të fusin huti, çmimin prej 17 eurove për kg., mirëpo e vërteta qëndron ndryshe. Deri tani sasia e mishit të kurbanit që ka arritur në Kosovë  është 108.123 kg ose mbi 100  tonë, gjithnjë duke llogaritur peshën neto të mishit. ndërsa gjatë javës pritet të vijnë edhe mbi 40 tonë. (Exspressi spekuloi duke manipuluar opinionin  se gjoja kanë arritur 15 tonë) Prandaj është çudi, nga të cilat të dhëna portale tona të prira nga Ekspresi nxorën atë sasi të mishit të kurbanit që e kalkuluan me 17 euro për kg.

Nga të dhënat që ofruam e që janë publike dhe të verifikueshme lehtë,  shihet se në Kosovë kanë arritur mbi 100 tonë mish e jo 15 sa dezinformoi “Exprsess”-i dhe portalet që e ndoqën, dhe çmimi  i dhënë për kg. mishi se gjoja e paska blerë BIK-u  në Hungari është spekulim dhe gënjeshtër e pastër për qëllime të  ulëta klienteliste.

Me këtë rast u bëjmë me dije besimtarëve tanë që amaneti, të cilin na e kanë besuar si zakonisht,  është realizuar në tërësi duke respektuar të gjitha normat e kriteret e parapara me normat fetare.

Ne nuk na mbetet tjetër veçse të informojmë drejt, me kohë e saktë opinion dhe  besimtarët tanë dhe njëherësh të kërkojmë nga portalet dhe mjetet e tjera të informimit që të jenë në funksion të informimit e jo të dezinformimit.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës

Prishtinë, 20 shtator 2017

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …