Reis Mirdita

Reis Mirdita: Milici i Thatishtës

(Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta –XXXV)

Vitet e fundit të tetëdhjetave të qindvjeçarit të kaluar e mbetur në kujtim si një dështim* edhe pse nuk ishte aspak e tillë ngjarja që bëhet fjalë në vazhdim. E vërteta ishte se aty pat ardhur një milic me emër sikurse të ishte i Thatishtës por gjuha amnore e tij nuk i përkiste aspak kësaj ane. Emri i lehtë e megjithatë, kolegët e vet si dhe fshatarët, një numër i mirë i të cilëve ishin të lidhur byth’e brekë me policinë, dikush nga skamja e hidhët e dikush nga vesi e mitomania, e thirrnjin me llagapin Zeta. Disa mendonin se këtë nofke e fitoi nga fakti se ishte i vetmi në atë rreth që pinte cigare me këtë emër. Që në fillim dyshova në të gjithë historinë e thashethemet e tilla. Ai ishte xhinde me surrat njeriu. Metamorfozë që para mbarsimit! Ishte zënë nga nënë njeri i zakonshëm por babai xhinde i lindur, po ashtu i metamorfozuar në njeri fallxhor i cili bashkëshortëve u premtoi se do të bënte ilaçin e mrekullisë dhe se do të kenë fëmijë. Një natë me hënë, xhindi fallxhor ia morri forcën e zgjimit bashkëshortëve dhe barti me vete gruan buzë lumit Zeta në Rrafshinën Bjellopavliç ku rriteshin shelgje lotuese dhe pra ishte qendër e xhindeve. Aty e nënshtroi gruan e kllapitur gjithë duke e mbajtur në sundim gjatë kohës kur shëtitej nga rrënojat e qytetit të lashtë të Dukles, për të cilin flitet nëpër gojëdhëna për qenie të ndryshme mbinatyrore që mbillnin tmerr tek banorët e zakonshëm. Pasi kreu me të, kaloi nëpër ujëra nëntokësore, doli një çast mbi sipërfaqe në gjolin e bredhave të Sharrit, u zhyt përsëri lumenjve dhe para se të zbardh, e vendosi si shtëllungë në shtrat pranë të shoqit që vazhdonte gjumin i kllapitur në shtëpinë-kasolle, buzë rrjedhës së poshtme të Vardarit.

Në pranverë, lindi xhindeja që do ta thërresin më vonë, Zeta. Nuk ia donte shkolla se udhëtonte me të mëdhenjtë e racës skajeve të botës. Është thënë në fillim se xhindet ecin kryesisht ujërave nëntokësore me gjysmë shpejtësinë e dritës. Si do që të jetë, Zeta ishte i predestinuar të jetoj ditën me njerëz dhe të shkaktoj dhimbje e degradim moral, grindje në mes të afërmve dhe rrihte njerëz faj e pa faj sa herë që të kishte dikën në pyetje në stacionin policor ku u punësua, pasi kreu një kurs gjashtëmujor.

Thatishta, fshat i vogël por qendër administrative e rajonit më të ngratë të këtyre anëve të tokës së robëruar shqiptare. Ja këtu e sollën me detyrë Zetën, krijesë xhinde me fytyrë njeriu. Zaten këtu, në këto afërsi gjendej edhe “stacioni” i sojit të tij. Për dallim, ky ishte më ciniku nga të gjithë që vepronin në këto troje. Këtu lindi dhe jetoi famëkeqi Hekri.

Me të ardhur aty, polici gjysmë qelash, iu rrek përkujdesjes dhe mbikëqyrjes së lëvizjeve të fshatarëve. Me të shpejtë iu ngjitën informatorët e rangjeve të ndryshme. Më e keqja ishte se në grupin elitar bënin pjesë njerëz me arsim të mesëm dhe të lartë. T’i lëpish prapanicën një uniforme, për ta ishte lavdi. Sundonin fshatrave si mbretër mizorë. Ata të rangjeve të ulëta, njerëz me shumë pak klasë të kryera, shërbenin si ndërmjetësues për të nxjerrë një certifikatë apo letërnjoftim për nevojtarë, ashtu disi me të njohshëm…, pak si pa rend. Kishin të gjithë leje për pushkë gjuetie a për revole të cilat i mbanin për bythe varur. Të tjerët që “kishin shkrim e lexim” më të madh, merreshin me gjëra më të sofistikuara por për këtë, do të bëhet fjalë në vazhdime të tjera.

Ndër pisllëqet që bënte milici Zetë, do të ndalem në ngjarjen e një dite me diell kur nxënësit në mesditë, kryen orarin e mësimit dhe niseshin zakonisht në grupe nga 2-3 shoqe a shokë, drejt fshatrave ku jetonin. Disa ecnin këmbë nga një orë për në shkollë e po aq për kthim. Pata vendosur që moti të përcjellë këtë xhinde që e dinin për njeri por si rëndom, isha me mundësi shumë më të vogla se qeniet e tilla në shpejtësinë e lëvizjes e sidomos në mos rënie në sy të popullatës sepse unë nuk kisha mundësinë të kaloj prej një gjendje në tjetrën. I luftoja me sukses këta hukubetë por gjithmonë duke pasur kujdesin më të madh nga syri vëzhgues i personave të cilët as që paramendonin se ç’ngjet nëpër botën e mbushur me dukuri të pa shpjegueshme edhe për shkencëtarë të ndryshëm e sidomos nga këta ateistë të përbetuar, të cilët megjithatë, tinës kërkonin ndihmë anë e mbanë kur iu binte hise ndonjë telashe mbi kokë.

Këtë fillim qershori, Dielli përcëllonte dhe gjithë bota, edhe ata që mbulonin trupin nga bindja fetare, visheshin hollë dhe lehtë-lehtë. Tri shoqe nga klasa e VIII⁴, kaluan Xhaden e Madhe duke u zhdjergur në rrafshin që konsiderohej si më pjellori i zonës, për të trupuar arave të mbjella kryekëput me grurë e gërtuk dhe kështu e shkurtonin rrugën e kthimit për disa minuta të mira. Në këtë kohë, Zeta bisedonte me dy persona: me xhaxhain e njërës nga vajzat në fjalë dhe një fshatar tjetër që gjithashtu gati përditë vinte vërdallë rreth stacionit. Polici foli edhe diçka që i shtini dy tjerët të qesheshin si hingëllimë kali dhe hyri në ndërtesën ku punonte. E dita që do t’iu zë rrugën adoleshenteve në mes të fushës, i mbrojtur nga gërtuku i lartë… Unë u detyrova të kaloj nën shikimin e Rafo spiunit, pastrues në një ent aty pranë. Më saktë, nuk ishte spiun i rëndomtë; i takonte sojit të njerëzve që kishin në bark xhinde. Veprimet e tija plotësonin spiunimin me cytje e ngatërresa në mes të fshatarëve dhe brenda familjeve. Nuk hezitova aspak edhe pse fjalë nga më të ligat do të merrnin dhènë! Eca disa hapa breg rruge dhe u futa arave duke zgjedhur parcelat e mbjella me gërtuk e groshë. U ndala afro dy tërkuzë kali larg një kumbulle të vetme në vijë kufitare mes dy arave. Zëri i adoleshenteve dhe fillo të dëgjohet, në këtë rast një fishkëllimë e rrufeshme dhe e befasishme u dëgjua gjithashtu e kjo qe shenja se xhindeja arriti aty, në formë njeriu, ashtu si e njihnin të gjithë. Tri vajzat u afruan krejt buzagaz por në fytyrën e tyre vërehej një frikë. Zeta qeshej disi me një ndjenjë fituesi, e zuri si me pahir shtegun ku kalonin zakonisht nxënësit dhe me zë si të sharrës në gozhdë, i urdhëroi dy nga vajzat të largohen kurse atë që e thirrnin gjithë bota Kësulëkuqe (në klasën e tretë kishte luajtur në një festë shkollore, rolin e Kësulëkuqes), e kapi për dore… Vetëm ajo ende ishte në gjendje të zgjuar; dy tjerat humbën vetëdijen dhe ranë në vijat e gërtukut. Tani Zeta urdhëroi bukuroshen e njomë të ç’vesh të brendshmet. Ajo shikonte qiellin dhe pa asnjë ndjenjë filloi të plotësojë kërkesën e dhënë. E hipnotizuar plotësisht, nuk kishte asnjë shprehje që karakterizonte gjendjen normale të njeriut. U dëgjuan edhe disa zëre nxënësish… Unë nuk prita asnjë sekondës më sepse ai do të merrte vajzën e njomë dhe të zhdukej në ndonjë vend tjetër!

-Zetë, e thirra dhe dola nga sinuri pranë kumbullës. Ai shtangu se nuk kishte asnjë fuqi para meje përveçse të merrte pamjen e mësheftë për syrin e njeriut duke u kthye në formën e tij të vërtetë. Por nuk veproi në këtë drejtim! Qëndroi aty dhe morri pozitë luftarake ndaj meje. Iu afrova dhe ia dhashë një të shtyrë të lehtë. Ai ra! U zvarrit drejt brendisë së bimëve nga ku iku pa nam e nishan. Grupi i vogël që arriti në të njëjtin moment kur u rrëzua, panë reagimin tim, sikur që pa edhe Kësulëkuqja. Ishin të gjithë të lumtur që dikush e rrëzoi milicin e urryer me një të shtyrë.

Të njëjtën ditë, Rufa i cili më shumë i ngjante halabakut të bostanit, ndërroi rolet në popull, Milici kishte shpëtuar ca vasha! Kësulëkuqja dhe dy nga djemtë që panë ngjarjen, treguan (me pak zbukurim) se unë kisha rrezuar me “një grusht” Zetën që i shkulte flokët, shoqes së tyre të klasës.

Pas një javë, milicin famëkeq, e transferuan në një vend tjetër, larg Thatishtës.

*Ngjarja më është transmetuar viteve të tetëdhjeta nga vet personi (G.T.) që luftonte kundër xhindeve dhe njerëzve të sunduar nga xhindet.

**Dështim, G.T. e vlerëson si dështim nga që pas kësaj ngjarje, filluan të sajohen tregime mbinjerëzore për të sepse më shumë e pengonin gjatë betejave të tija se sa që e ndihmonin.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …