Rexhep Kasumaj

Rexhep Kasumaj: Mot laraskash…

Më ka rënë të lexoj parado ditësh një analizë kuranologjike që tabllonte bukur kodifikimin etik. Paskësh tre lloje njerëzish, thuhet me gjuhë aksiome, të rrjeshtuar në virtytet a veset e tyre në këtë botë.

Të parët, pakicë, janë përsosmërisht të mirë dhe shpirti i tyre i kulluar për asgjë, për asnjë çmim nuk mund ta imagjinojë a bëj të keqen.

Të dytët, ndërkaq, pakicë po ashtu, kanë prirjen, shtysën karakteriale për yshtje të gjithëhershme drejt së keqes. Dhe këtë soj njeriu mund ta ndalë vetëm ligji ose vdekja.

Kurse të tjerët, një shumicë e brumbullt në midisnajë, nuk kanë dritësinë e përkorë të të parëve, por njëkohësisht, ndryshe nga të fundmit, ndjejnë frikën, turpin e, mbase rrallë, keqardhjen e mjegullt, të shtirur e ofshamëse që i shtrëngon të shmangin saturnalet e ulta të së keqes… Ndërsa mendoja për këtë tipologji përfekte, do vëreja deshpërueshëm se ndarja, në mot laraskash pas shiut, pëson tronditje, lëvizje a lëkundje rrotulluese…Sepse prej të midismëve rrjedh ujqërisht një fluks i rrëmujtë në galerinë e të kqinjëve të pandreqshëm. Dhe atëherë peshoja prishet. Vlerat qendërmbajtëse shplahen e shfytyrohen dhe zvetnimi shndërrohet në kult social rrnese të popullit të përulur…

Mirëpo diadema e shëmtisë prek kulmet, kur galeria e të dytëve, natyralisht të këqinjë, kapin fronin e lartë. Ngjiten në majat, në kreshtat e Fuqisë së pakufizuar politike – të përceptuar si teknologji sundimi e jo si mjet shërbimi. Aty pastaj e keqja shpalosë e derdhë gjithë mbretërinë e fantazisë së saj: improvizim i shtetit, dhunë, mashtrim, vjedhje, nëntokë krimi, kartela droge, shumëftyrësi, përmbysje e koncepteve morale, improvizim i jetës, mbytje e heshtur e ëndrrave…

Tani, ndryshe prej të dytëve jashtëpolitikë, që ligji ndodh  t’ua mbyll ndonjëherë udhët, këta  të pajuarit me monopolin pushtetar, janë të kursyer prorë prej tehut të tij: ligji janë, thjeshtë, ata vetë! Ndaj dhe nuk mbetet veçse vdekja, ikja fizike e tyre si një shpresë e vetme, e zbehtë dhe e largët e drejtësiprerjes. Por ndëshkimi qiellor është një ngushëllim apatik e humbës i të liqëve. I të mundurëve të fatpajtuar në reliefin e ngjyrave farfuritëse të vegullisë…

Por ja, ky është fati i popullit bestytnor që mban sytë përpjetë për të zbukuruar prangat, pa vullnetin flijimtar për t’ i këputur ato. Sepse, më parë se në trupin, hekurat robnorë si përmasë ekzistence, janë gozhduar tashmë thellë në shpirtin e tij.

Berlin, vjeshtë 2016

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …