Rifat Fazli Mëziu (9.11.1967-14.12.1998)

Rifat Fazli Mëziu (9.11.1967-14.12.1998)

Rifat Mëziu lindi më 11 nëntor të vitit 1967 në fshatin Marinë. Ishte i biri i Fazli Mëziut, i cili së bashku me bashkëshorten Shukrie, nga familja e Shaban Polluzhës, me mund e djersë arriti të sigurojë kushte ekzistenciale për familjen e tij shumanëtarëshe.
Shkollën fillore e kreu në fshatin Makërmal, meqë në Marinë deri vonë nuk kishte shkollë. Tetëvjeçaren e ka mbaruar në fshatin Polac. Shkollën e mesme të mësimit të orientuar, drejtimin e gjimnazit, e ka kryer në Skënderaj. I kalitur me ndjenja të pastërta çlirimtare dhe atdhedashurie, sidomos nga vepra heroike e Shaban Polluzhës, të cilin e kishte dajë, te Rifati qysh herët zbulohet karakteri i tij kryengritës. Në kohën pas demonstratave studentore të marsit e të prillit të vitit 1981, ai kishte shqyer fotografinë e diktatorit komunist, Tito, e cila, edhe pas vdekjes, me urdhër të kreut komunist të Beogradit, ishte e detyrueshme të mbahej varur në mur, në të gjitha shkollat dhe nëpër institucionet e Kosovës. Edhe pse i maltretuar nga policët, ai nuk kishte pranuar veprën. Për këtë akt ishte rrahur edhe shoku i tij i klasës, Gani Geci nga Lausha, i cili po ashtu nuk kishte treguar se kush e kishte thyer fotografinë. Qysh atëherë Rifat Mëziu ballafaqohet me grushtet dhe dhunën mizore të pushtetit okupator.
Pas kryerjes së shkollës së mesme, në vitin shkollor 1988/89 regjistrohet në Degën e Fizikës të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Studimet i kreu me sukses dhe në afat kohor. Pas kryerjes së studimeve punon profesor në Gjimnazin e Drenasit (ish-Gllogoc), pastaj në paralelen e ndarë të Gjimnazit në Komaran. Një kohë ka punuar profesor edhe në Mitrovicë.
Në vitin 1992 merr pjesë në formimin e Forumit Rinor të LDK-së dhe zgjidhet kryetar i Degës për Skënderaj. Aktiviteti i tij asokohe përcillet nga shërbimi sekret serb, në mesin e të cilëve ishte edhe ndonjë shqiptar, që i shërbente atij regjimi. Njëri prej tyre, pas një tubimi në xhaminë e Polacit, e kishte kërcënuar Rifatin që të hiqte dorë nga aktiviteti politik legal, por ai nuk e kishte përfillur.
Në vitin 1994, Rifati ishte në rrjedha të përpjekjeve për të siguruar armatim për luftën që po e projektonin dalëzotësit e atdheut. Asokohe disa armë i fsheh në lokalin e dajës së vet, Tahir Kastrati. Aty i lë armët në vend të sigurt derisa gjen një vend tjetër. Për aktivitetin e tij në sigurimin e armatimit dinin edhe dy dajallarët e tij: Tahir dhe Feriz Kastrati nga Polluzha dhe Gani Geci nga Llausha.
Në vitet 1995-1997, Rifat Mëziu vepronte ilegalisht. Ai së bashku me lutëtarët e lirisë kryenin edhe stërvitje luftarake në Qubrrel, te Prroni Keq, pastaj në Runik, Kotorr e gjetkë. Për aktivitetin e grupeve të para çlirimtare kishte njohuri edhe shërbimi sekret serb. Pas disa aksioneve që kryejnë luftëtarët e Adem Jasharit mbi shumë posta policore të armikut, policët serbë gjatë natës më nuk patrullonin në asnjë vend të Drenicës. Veprimtaria e trimave çlirimtarë ishte gjysmëilegale, përderisa shpeshherë dëgjoheshin rafalet e automatikut, sidomos gjatë kohës së qitjeve dhe të stërvitjeve të grupeve.
Me rastin e luftimeve në Likoshan, më 28 shkurt të vitit 1998, veç tjerësh, morën pjesë edhe Rifat Mëziu, Nazif Ngucati, Hamit Ngucati, Mujë Shabani, Gani Geci, Xhafer Koci e të tjerë. Rifati me bashkëluftëtarë ndihmon për të dalë nga rrethimi luftëtarin Sabit Geci, i cili ishte plagosur rëndë.
Me rastin e fillimit të luftimeve në Drenicë, pas luftës titanike dhe qëndresës heroike të legjendarit Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, Rifat Mëziu me bashkëluftëtarë ndihmon në formimin dhe konsolidimin e pikave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatrat: Marinë, Rezallë, Polluzhë, Makërmal etj. Duke qenë se pozicioni i partive politike ndaj luftës nuk ishte i qartësuar, në emër të togës ushtarake të Polluzhës, Ahmet Zabeli, Ilaz Dërguti, Rifat Mëziu e të tjerë, vendosin që të mos ketë ndasi të luftëtarëve sipas përkatësisë partiake. Ishte koha kur UÇK-ja në Drenicë po zgjerohej rrufeshëm.
Daja i Rifatit, Feriz Kastrati, po ashtu luftëtar i lirisë nga fshati Polluzhë, ka marrë pjesë në shumë aksione që i ka kryer Rifat Mëziu me bashkëluftëtarë.
Me rastin e luftimeve në Çikatovë, afër Ferronikelit, gjatë luftimeve Rifat Mëziu merr plagë në këmbë dhe shokët i ndihmojnë të tërhiqet deri në Polluzhë. Pasi një infermiere ia lidh këmbën, ai shkon për ta parë djalin e vet të sapolindur, Leutrimin.
Rifati ka marrë pjesë edhe në aksionin kundër forcave serbe te Livadhet e Polluzhës, në korrik të vitit 1998, së bashku me Feriz Kastratin, Arben Ahmetin, Ruzhdi Kastratin e të tjerë. Gjatë sulmit janë likuiduar disa policë serbë.
Në ofensivën serbe të 25 dhe 26 korrikut të po atij viti, Rifat Mëziu merr pjesë në luftime te Zabeli i Istogëve, në Polluzhë. Atë ditë serbët kishin hyrë pahetueshëm në Zabel. Ndërkohë luftëtarët e lirisë, pasi e vëzhgojnë me kujdes terrenin, iu afrohen serbëve në një distancë 10-20 metra, me ç`rast i shpartallojnë në tërësi, duke ua marrë edhe armatimin.
Luftëtari i lirisë, profesori i fizikës, Rifat Mëziu, ka marrë pjesë edhe në një aksion në hyrje të fshatit Marinë, me ç’rast së bashku me Sami Oruçin e Arben Mehmetin sulmojnë policinë serbe.
Një aksion tjetër të suksesshëm Rifat Mëziu me trimat e lirisë e ka kryer në Polluzhë. Ata me raketahedhës të tipit 150 dhe 500 shkatërrojnë një tanks të forcave armike.
Më 14 shtator të vitit 1998, Rifat Mëziu me bashkëluftëtarët: Sami Aruçi, Feriz Kastrati, Arben Ahmeti, Naser Hoti, Ekrem Deliu, Muhamet Mala e të tjerë, kanë sulmuar kamionin me ushtarë të armikut, te Kollarët, në mes të Marinës dhe Polluzhës. Sulmi me raketahedhës dhe armë të tjera është kryer në distancë prej 60 metrash, me ç`rast janë likuiduar dhjetëra ushtarë të forcave serbe.
Qysh prej qershorit të vitit 1998, Rifati njihet edhe me luftëtarin Vesel Aruçi, nga Rezalla, i njohur me emrin e luftës Rambo, me të cilin mbesin shokë të pandashëm deri në rënien heroike të Rifatit.
Rifat Mëziu mori pjesë edhe në luftimet që u zhvilluan në fillim të muajit korrik në vijën e luftimeve Polac-Marinë, nga të dyja anët e magjistralit. Rifat Mëziu dhe Vesel Aruçi me disa luftëtarë ndodheshin në anën lindore të magjistralit, ndërsa Malush Ahmeti me luftëtarët e tij në anën perëndimore. Luftimet ishin intensifikuar në të gjitha pikat. Armiku kishte përqendruar forca të shumta, ndërsa luftëtarët tanë sulmonin dhe tërhiqeshin në pika më të sigurta, meqë sulmi frontal ishte i pamundshëm, për shkak të epërisisë së forcave shumëfish më të mëdha të armikut. Në luftime kanë marrë pjesë luftëtarët më të sprovuar të UÇK-së: Ilaz Dërguti, Rifat Mëziu, Malush Ahmeti, Vesel Aruçi, Sami Aruçi, Ahmet Zabeli, Musa Dërguti, Fadil Deliu, Bajram Rukolli, Naser Hoti e të tjerë. Rifat Mëziu, i kalitur në betejat e luftës çlirimtare, ishte kudo ku luftohej, jo vetëm në Rezallë e në Marinë, por edhe në Grykë të Llapushnikut, në Likoc, në Qyqavicë, në Hade e në vendluftime të tjera.
Në fillim të gushtit të vitit 1998, forcat serbe bëjnë përpjekje që nëpër Marinë të depërtojnë në Rezallë e tutje drejt Likocit. Forca e motorizuar serbe përbëhej prej shtatë tankeve, disa autoblindash, pragash, pizgauerësh dhe prej shumë ushtarësh e policësh. Në hyrje të fshatit Marinë trimat e Drenicës së Adem Jasharit sulmojnë forcat shumëfish më të sofistikuara të armikut. Ballë për ballë forcave armike qëndronte i patundur luftëtari, Zenel Mëziu, i fshatit Marinë, i cili ishte betuar se për të gjallë të tij nuk do të shihte kah do të depërtonin forcat armike nëpër Marinën e tij të djegur nga lufta, por shumë të dashur. Duke qenë se luftonte në pozicion të hapur, Zeneli bie dëshmor, ndërsa marrin plagë: Naser Hoti, Besa Mëziu, Muhamet Mala, Muhamet Zabeli, Vesel Aruçi e të tjerë. Forcat armike mësyjnë Rezallën dhe në hyrje ndeshin me qëndresën heroike të luftëtarëve çlirimtarë. Vesel Aruçi, edhe pse i plagosur, e merr në shenjë dhe e shkatërron një tanks. Në luftime ballë për ballë forcave serbe, luftonin Rifat Mëziu, Besim Mala, Rasim Kiçina, komandant Shkupi, Ahmet Zabeli, Sami Aruçi, Arben Ahmeti, Bedri Qarri, Malush Ahmeti, Ahmet Zabeli, Jahir Demaku, Imer Xhemajli, Fadil Demaku e shumë të tjerë. Tanksin tjetër të armikut e godet me zollë dhe e shkatërron luftëtari emblematik i UÇK-së, Besim Mala. Rasim Kiçina sulmonte me snajper. Në luftime merrnin pjesë disa njësi elite të trimave të Drenicës, që asokohe luftonin nën komandën e komandantit të Operativës të Zonës së Parë Mbrojtëse. Forcat armike, duke parë rezistencën titanike të trimave të lirisë, tërhiqen. Ishte kjo fitorja e parë frontale e forcave të UÇK-së, në këtë rajon.
Më 2 gusht të vitit 1998, Rifat Mëziu kishte futur në përdorim një top pa dridhje te Shkolla e Goxhulit.
Më 3 gusht, bashkëluftëtarët: Hysni Ngucati, Ekrem Deliu dhe Vesel Aruçi, tërheqin trupin e dëshmorit Zenel Mëziu, të cilin pastaj e varrosin me nderime ushtarake. Duke qenë se forcat serbe nuk kishin arritur që përmes Marinës të depërtojnë në Rezallë, ato kishin filluar sulmin nga Llausha në drejtim të Rezallës.
Luftëtari i lirisë, Rifat Mëziu shquhej për trimëri dhe karakter të fortë luftarak. Ai ishte kudo ku luftohej, por edhe mbante kontakte me kreun e luftës në Drenicë si me Sami Lushtakun, Ilaz Dërgutin, Hashim Thaçin, Besim Malën, Mujë Krasniqin, Rasim Kiçinën, Sylejman Selimin, Rexhep Selimin e të tjerë. Edhe pse kishte arsimim të lartë, ai luftoi në radhët e para të frontit, kudo ku e kërkonte nevoja.
Kohë pas kohe e vizitonte familjen, babë Fazliun e nënë Shukrien, bashkëshorten Sanie, djalin e vogël, Leutrimin, që lindi në zjarrin e luftës, dhe bijën, Trinën.
Në gjysmën e tetorit të vitit 1998, pas Marrëveshjes Holbruk-Milosheviq, me ç`rast parashihej tërheqja e një kontingjenti të trupave serbe nga pozicionet, ndërsa nga luftëtarët shqiptarë kërkohej të mos sulmonin gjatë tërheqjes, luftëtarët e lirisë e shfrytëzojnë kohën e këtij armëpushimi të brishtë për të marrë armatim dhe municion në Shqipëri. Në fillim të nëntorit të vitit 1998, Rifat Mëziu, Mujë Krasniqi, Ali Krasniqi, Rasim Kiçina, Vesel Aruçi dhe shumë luftëtarë të tjerë nga disa vendluftime të Drenicës nisen për në Shqipëri, me qëllim të furnizimit me armatim.
Duke qenë se kishte rënë dëborë e madhe, formacioni luftarak që kishte depërtuar në Kukës, edhe pse ishte armatosur, duhej të priste ditë më të përshtashme për t`u kthyer. Rifat Mëziu me Mujë Krasniqin, që ende nuk ishte shëruar mirë nga plagët, kishin filluar stërvitjen, sidomos të disa ushtarëve të rinj. Dimri nuk po lëshonte, ndërsa në frontet e luftës në Drenicë ndihej mungesë e armatimit. Më 12 dhjetor të vitit 1998, Mujë Krasniqi, Rifat Mëziu, Ekrem Rexha, i njohur si komandant Drini, po bënin përpjekjet e fundit për të filluar depërtimin e 143 luftëtarëve për në Kosovë. Të dhënat nga vija kufitare bënin me dije se serbët kishin zënë pozicione në shumë pika kalimi. Atyre iu ndihmonte edhe dëbora e trashë, që vende-vende kalonte mbi një metër. Mujë Krasniqi kishte vendosur që armiku të sulmohej edhe në kufi, sepse lufta po bëhej pikërisht për ta thyer njëherë e përgjithmonë kufirin që i ndante përmes trojet e Shqipërisë. Vendimin e komandant Mujë Krasniqit e përkrah Rifat Mëziu, i cili ishte në mesin e eprorëve që iu prinin luftëtarëve të lirisë për të depërtuar nëpër vijën kufitare. Para nisjes, Mujë Krasniqi dhe Rifat Mëziu kishin kërkuar nga ushtarët të vendosnin definitivisht për të hyrë. Ata që ishin sëmurë ose nuk mund të përballonin depërtimin në kushte të tilla të vështira, lejoheshin të qëndronin edhe më tutje në vendqëndrimet e UÇK-së në Shqipëri. Mirëpo, të gjithë luftëtarët e lirisë kishin ndjekur pas komandant Mujë Krasniqin.
Më 14 dhjetor 1998, në agun e parë dhe të acartë mëngjesor të vitit 1998, çlirimtarët, të ngarkuar me barrë armatimi e municioni, depërtojnë në relacionin Cahan-Vlahne dhe bëjnë tutje drejt Lkenit të Hasit, në Gorozhup. Sipas të gjitha gjasëve, armiku kishte të dhëna dhe po përcillte luftëtarët çlirimtarë. Forcat armike kishin rroba të bardha kamuflazhi. Në kohën kur pjesa e parë e kontingjentit po depërtonte Lkenet, forcat armike sulmojnë mu në mes të kolonës dhe fillon sulmi i rrufeshëm nga të tria anët. Në ballë të luftëtarëve prinin Mujë Krasniqi, Ali Krasniqi, Rifat Mëziu, Beqë Gashi, Qenë Qenaj, Vesel Aruçi e të tjerë. Rafalet e para të armës kobtare të pritës armike godasin Rifat Mëziun, Mujë Krasniqin e të tjerët. Rifati bie heroikisht. Një pjesë e luftëtarëve mbesin të ngujuar në dëborë, disa arrijnë të tërhiqen, duke çarë rrethimin e forcave armike.
Më 21 dhjetor të po atij viti, trupin e dëshmorit Rifat Mëziu dhe të 35 dëshmorëve të tjerë të kombit, të rënë në kufirin shqiptaro-shqiptar, komanda e Zonës së Drenicës me nderime ushtarake i varros në Varrezat e Dëshmorëve në Polac.
Rifati ka lënë babë Fazliun dhe nënë Shukrien, bashkëshorten Sanie, e cila përkujdeset për Leutrimin dhe Tringën, vëllezërit: Fatmirin, Ahmetin, Arbenin dhe motrën, Valbonën.
Në nderim dhe respekt të veprës së tij heroike, është ngritur lapidari në fshatin e lindjes, në Marinë.
Këshilli i fshatit Marinë, në përkujtim të dyvjetorit të rënies së dëshmorit, i ka dhënë Mirënjohje.
Dega e Fizikës e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, po ashtu i ka dhënë Mirënjohje.
Familja ruan uniformën ushtarake të dëshmorit. Rifat Mëziu ka mbajtur shënime në ditarin e tij të luftës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …