RKL: A janë disa deputetë e politikanë të zgjedhurit, apo fundërrinat e popullit?

RKL: A janë disa deputetë e politikanë të zgjedhurit, apo fundërrinat e popullit?

Deputetët tanë, gati të gjithë, pa dallim fryhen e krekosën se janë të zgjedhurit e popullit, duke u bazuar në votat që marrin, por pa treguar si i marrin ato, me meritë, me pëlqimin e  popullit,  apo të klanit e të partisë, që i cakton paraprakisht dhe pastaj i hedh në votim. Ndodh për shembull që i njëjti deputet, i cili në një parti të caktuar  ka marrë vota të mjaftueshme, sapo del në partinë tjetër, ai nuk merr as gjysmën e votave paraprake. Po kështu, një pjesë e mirë e deputetëve i blejnë votat, me para, duke i angazhuar të vetët, miqtë, farefisin, shokët, ata marrin votat e duhura dhe sigurojnë ulëset.  Dhe, kur shtrihen mirë  e mirë në ulëset e Kuvendit, një pjesë e tyre sillen sipas asaj fjalës: “Kalova Drinin…”

A ka deputet që merr votën e popullit bashkë me të edhe lejen për të sharë, për të fyer, për të shfaqur  mungesën totale të edukatës duke i dhënë gjuhës së ndragur, krejt çka i pjellë mendja e degjeneruar, krejtësisht e panjerëzishme.

Mjerisht, për fatin tonë të keq, deputetët të tillë ka me bollëk në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni. Natyrisht se të tillë ka edhe te popujt tjerë, por ne po flasim për tanët.

Kemi parë me sy e kemi dëgjuar me vesh sesi shan, Sali Berisha në sallën e Kuvendit, më keq se një rrugaç. Kemi parë sesi kapërrisej në foltoren e Kuvend dhe rrihej me grushte si një bandit, Ilir Meta, tash kryetar i Shqipërisë. Keni parë se si shtyhet me bërryla e me gjoks dhe me tërë trupin, duke u fërkuar me tërë shtatin me punëtorët e  Sigurimit, Monika Kryemadhi. Kemi parë dhe për ditë shohim sesi grushtohem fyhen, shahen, kacavirren shumë nga deputetët shqiptarë, të cilët trimërinë e tyre  nuk e kanë treguar për të mbrojtur  interesat e atdheut e të kombit, por vetëm interesat e partisë, të klaneve, pronave, plaçkës, fitimeve nga droga e nga të gjitha trafiqet ndër më të pistat, që i ka sjellë rendi i ri demokratik, kapitalist, në vendin tonë.

Duke marrë para sysh sjelljet e pamira madje dhe të neveritshme të shumë deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe të Shqipërisë, fitohet përshtypja se gati askush prej këtyre deputetëve nuk e ka lexuar Kanunin e Lekë Dukagjinit, (Të drejtën zakonore shqiptare) që në të kaluarën ka qenë dhe po mbetet një e drejtë analoge me të “Drejtën Romake”, apo  me “Ligjin e Manuit”, (“Manava Dharmasastra”). Edhe nëse e kanë lexuar shumica syresh nuk i përmbahen, as duket se kanë kod të tillë gjenetik të mirësjelljes e vetëpërmbajtjes njerëzore në radhë të parë. Të mos flasim për edukatë familjare dhe kulturë shoqërore, të cilën e kanë me mungesë të theksuar.

Ja si sanksionin Kanuni i Lekë Dukagjinit veprimet e kuvendarëve në Kuvend:

1.-Në Kuvend sa të flasë njëri, të tjerët kanë detyrë të heshtin dhe të dëgjojnë. Paragrafi. 1.118
2.-Fjala e rëndë e fyese nuk lejohet në Kuvend. paragrafi 1.122

3.-Kanuni nuk lejon që të shahet dikush në Kuvend, Po e bëri kush këtë gjë do të gjobitet me një gjobë shumë të rëndë. 1.123.

4.-Po ndodhi  kush e i thotë kujt po rren, në Kuvend, do të gjobitet me 500 grosh. paragrafi, 1.224.

5.-Po i shkrepi kush kujt armën në Kuvend, shpija i digjet, vrasësi grihet katundisht e shkon gjakhupës. 1125. (KLD, Kanuni i Pleqnisë, f. 101)

Gjuha e shkarë, e neveritshme, e ndragur  dhe e pa cipë e disa kuvendarëve tanë, mjerisht edhe e shumicës së  krye-kuvendarëve me ndonjë përjashtim, është gjuhë e cila me Kanunin e Lekës ka qenë e sanksionuar dhe njerëzit e Kanunit iu kanë përmbajtur me rreptësi e rigorozitet.

Ja disa konstatime  unike, njerëzore, me baza të edukatës së pastër qytetare, në të cilat bazohet Kanuni i Lekës  dhe që do të duhej t’i dinte çdo deputet e deputete dhe çdo kryekuvendar.

Kanuni i Maleve të Shqipërisë, nuk bën dallime të njeriut  prej njeriut. I miri dhe i keqi, kanë të njëjtin çmim. Del i miri prej të keqit, ashtu sikur i keqi prej të mirit, në kandar të vet secili peshon 400 dirhem. Shpirt për shpirt sepse dukjen e njeriut e ka falë Zoti.  Nderin, secili e ka për veti dhe nuk ka të drejtë askush t i përzihet në të. “Dy gisht nderë në lule t’ ballin na i ka falë i Madhi Zot”.

Ky përkufizim, si në aspektin sociologjik, psikologjik, filozofik, ashtu edhe në të drejtën njerëzore në përgjithësi  dhe në të gjitha kodet e kushtetutat e botës,  ka bazament të fortë të vetëdijes shoqërore e morale të njeriut shqiptar ndër shekuj.

Në Kuvendet tona, deputetët, jo vetëm që nuk dëgjojnë çka thotë kolegu i tyre por na ka rastisur t’ i shohim përmes kamerave, sesi flasin përmes telefonave, shkruajnë SMS, lexojnë portale dhe janë krejt të lirë të mos dëgjojnë kush çka flet. Ata hyjnë e të dalin në Kuvend kurdo që u teket. Hyjnë në Kuvend, japin nënshkrimin e pranisë dhe pastaj si pa të keq ikin dhe shkojnë në punët e tyre.

Fjalët e rënda dhe fyese janë karakteristika më e shprehur e kuvendarëve tanë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

E kanë të begatë fjalorin me sharje e fyerje edhe disa deputetë të pozitës e të opozitës

Shprehjet:  “po rren!” “rrenacak!”,  “mos rrej!” “hajn” madje edhe etiketimi “terrorist” janë shprehjet dhe fjalët më të rëndomta, që disa deputetë i adresojnë njëri tjetrit, në Kuvendin e Kosovës dhe në atë të Shqipërisë.

Kuvendi, sot është njëlloj Hayd-parku, një vend i caktuar ku lejohet çdo sharje e fyerje. Dhe, a mund të mendohet e të logjikohet se këta deputetë të tillë përfaqësojnë një popull, po të tillë, që i ka  vënë në ballin e Kuvendi?.

Dikush me dashakeqësi mund të thotë se  i tillë është edhe populli që i ka zgjedhur.

Me këtë rast, duhet të kemi parasysh se vetëm 40 për qind e shqiptarëve marrin pjesë në zgjedhje. Nuk mund të fajësohet shumica që përfaqëson 60 për qind të qytetarëve pse nuk merr fare pjesë në zgjedhje, sepse thjesht ajo nuk i beson kësaj qeverisjeje, nuk u beson këtyre normave, që vazhdimisht quhen demokratike, por në esencë janë autarkike, despotike dhe forma më e deformuar e qeverisjes.

 Andaj, konstatimi se deputetët që i ka zgjedhur populli, e përfaqësojnë atë dhe i japin përgjegjësi vetëm atij, janë vetëm dokrra, të cilave nuk u beson askush, as ata vetë.

Rendi i organizuar shoqëror që mbretëron në vendin tonë, mund të lakohet e të interpretohet ashtu si çdo rend tjetër shoqëror e politik, me të mirat e kufizimet, me ofertat dhe dyert e hapura për matrapazët, mujsharët, të fortët, të lakueshmit dhe poltronët e të huajve, që kanë bërë për vete pasuri duke grabitur e plaçkitur  pasurinë e resurset kombëtare, të cilat do të duhej t’iu takonin të gjithëve dhe jo vetëm atyre që kanë arritur dhe arrijnë, që në mënyrat më të ndryshme t’i përvetësojnë për vete dhe për klanet e tyre.

Sot në Kosovë 1o0 kompani apo firma të forta kanë kapital se krejt buxheti i Kosovës, sa dy milionë banorët e vendit. 

Kush ua ka mundësuar këtë?

Kush janë këta njerëz që janë pasuruar dhe pasurohen brenda natës?

Kush janë këta njerëz që flasin në emër të popullit dhe bëjnë përpjekje të na bindin se pasuritë e tyre i kanë fituar vetëm me djersë, me dije e jo me lidhje mafioze, tregti e matrapazllëqe, si dikur me regjimin e ish-RSFJ-së, ashtu edhe sot me Serbinë e me të tjerët përreth?

Kush janë këta servilë e hipokritë që mendojnë se duhet t’ua falim besimin, se qenkan të përzgjedhurit, se janë të mençurit, trimat e gjithë të diturit?

Kush janë këta njerëz që ua vrasin ardhmërinë brezave shumicë të popullit tonë, duke përfituar e duke zhvatur vetëm për familjet e klanet e tyre?

Cilët janë kë këta njerëz që mendojnë se Kosova qenka çliruar, vetëm që ata ta sundojnë, ta zhvatin, ta varfërojnë dhe ta degdisin në humnerë?

Duhet të shkundemi nga kjo anarki e letargji, para se të bëhet  vonë për gjithnjë!

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …