RKL

RKL: Afera për “trafikim të organeve të serbëve nga UÇK-ja ” u shpik shtatë vjet pas luftës

Tani, 19-vjet pa luftës, qarqet antishqiptare në Beograd, në BE dhe në Këshillin e Evropës, po bëjnë përpjekje që me ndihmën e klasës pacifiste shqiptare të Kosovës, për qëllime “humane” ndaj Serbisë, (shteti i vetëm pas Luftës së Dytë Botërore i bombarduar nga Aleanca më e madhe ushtarake e botës),  t’ia plotësojë kërkesat e Beogradit për ndarjen e veriut të Kosovës dhe  shpalljen e UÇK-së organizatë terroriste, me qëllim që ajo të barazohet me luftën e regjimit të Milosheviqit.

Ky barazim i panatyrshëm, antinjerëzor, në rastin tonë edhe antishqiptar, është përpjekje për barazim të  viktimës me xhelatin.

Përpjekjet krejtësisht demagogjike, të shumicës së politikanëve tanë se gjoja nuk po dënohet lufta e UÇK-së por individët e saj, janë tepër të tejdukshme dhe është fatkeqësi e ligësi e pafalshme  që edhe katër veta nga mesi i krerëve të luftës së UÇK-së propagandojnë mendësinë e tillë.

Fakti numër një që demanton këtë demagogji është shpallja fajtor dhe dënimi i Komandantit të SHP të UÇK-së, Sylejman Selimi, shpallja fajtor dhe dënimi i Komandantit të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, katër vjet më vonë i shpallur i pafajshëm, përpjekja me çdo kusht madje me disa gjykime të njëpasnjëshme për shpalljen fajtor të Komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, e njërit ndër komandantët e Zonës Operative të Pashtrikut, Fatmir Limaj, shpallja fajtor dhe dënimi me burg i komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi e të tjerë, nuk janë individë të UÇK-së, por kanë qenë  kreu komandues i saj . Dhe këto e qindra dënime të tjera nuk kanë mjaftuar por u dashka të formohet një Gjykatë e tipit fashist, si ato gjykatat gebelsiane  që dënonin e ndëshkonin vetëm hebrenj dhe vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike e fetare.

Kjo është e vërteta lakuriq, jo sepse po e themi ne, por sepse kështu e dokumentojnë faktet, argumentet.  Mirëpo nuk mjafton vetëm e drejta dhe e vërteta. Për t’ i mbrojtur këto dy vlera të qytetërimit duhen njerëz të dëshmuar kombëtarisht dhe të ngritur politikisht. E vërteta dhe e drejta, nuk mbrohen vetëm me fjalë e me deklarata politike. Ato duhet të mbështeten në fakte, në të gjitha faktet, të cilat në rastin tonë janë me mijëra.

 

Afera për “trafikim të organeve të serbëve nga UÇK-ja ” u shpik shtatë vjet pas luftës

 

Afera e trafikimit të organeve nga UÇK-ja ishte nismë mediatike e Serbisë përmes gazetarëve spiunë dhe kolaboracionistë të Kosovës. Është i njohur fakti se gjatë luftës, në vitet e para të pas luftës e deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008, nuk ishte shpikur gënjeshtra e trafikimit të organeve. Po të kishte ekzistuar qoftë edhe një rast i tillë, do të kishte qenë e pamundur të mos kishte ditur CIA, KGB-ja UDB-ja dhe shërbimet e tjera inteligjente, vazhdimisht të pranishme  në Kosovë.

Trafikimi nuk përmendet as në dosjet e Ministrisë së Drejtësisë  së Serbisë së Kohës së Milosheviqit, kundër 156 pjesëtarëve të UÇK-së, nuk përmendet as në dosjet shpifarake të LDK-së të viteve 1999 2002, nuk përmendet nga asnjë organizatë antishqiptare e Serbisë, Rusisë,  Kinës apo e ndonjë shteti tjetër.

Po ka një element reflektues në këtë drejtim. Vetëm dy tre muaj pas mbarimit të luftës në Kosovë, publicisti Veton Surroi, ishte i pari që luftëtarët e UÇK-së i etiketoi si revanshistë fashistë, sepse në rrethana ende të panjohura, u vranë 14 serbë, në Grackë të Lypjanit, tetë prej tyre policë të MUP-it. Shumë vjet më vonë disa gazetarë nga Shqipëria dhe Kosova, në bashkëpunim me një gazetar të huaj afishuan një lajmin paragjykues të trafikimit.

A nuk mjafton fakti se “afera për trafikim të organeve” u shpik shtatë vjet pas luftës, fillimisht nga gazetarë të paguar e pastaj nga Carla del Ponte.

A thua për shtatë vjet qindra shërbime inteligjente paskan bërë gjumë, që nuk sollën asnjë të dhënë në këtë drejtim?

Pse, vetë regjimi i Serbisë nuk ka pasur të dhëna, dhe nuk i ka publikuar ato  kur dëshmon publikisht se ka pasur njerëzit e vetë madje edhe në Komandën e SHP të UÇK-së, një fakt që s’ mund të përjashtohet.

Pse ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në fillim të aferës për trafikim të organeve nga UÇK-ja, paralajmëroi se do t’ i publikojë emrat e atyre individëve që kanë shpikur këtë gënjeshtër dhe asnjëherë deri sot nuk mori guximin e luftëtarit të lirisë, guximin e kryeministrit të Kosovës, tani të  kryetarit të Kosovës, për ta mbajtur fjalën dhe për të denoncuar denoncuesit?

A Ishte afera e “Medikusit” (më 5 11.  2008), mbi të cilin u ndërtua paragjykimi për mundësinë e trafikimit  të organeve të serbëve gjatë luftës së UÇK-së, edhe pse kjo aferë ndodhi nëntë vjet pas luftës.

Këto dhe sa e sa fakte të tjera dëshmojë më së miri se afera e trafikimit të organeve u sajua në Beograd, disa vjet pas luftës, kur regjimi i Serbisë nuk po arrinte të zbulonte të gjitha varrezat masive  të shqiptarëve dhe kur ishin hedhur dyshime të bazuara se mijëra trupa të shqiptarëve të zënë rob gjatë luftës ishin djegur nëpër shkritore të këtij shteti kriminal, pasi paraprakisht u kishin marrë organet në spitalet e specializuara të Serbisë. Kjo aferë anti UÇK pati dhe ka përkrahës në Kosovë, madje edhe në Shqipëri.

 

“Larja e UÇK-së”

 

Krerët e luftës në Kosovë, ( ata të krahut politik)  aferën e paragjykuar të  trafikimit të organeve të serbëve gjatë luftës, nga Dik Martinoviq, me prejardhje sllave, kundërshtari i pa kompromis i bombardimit të Serbisë nga NATO-ja,   e pranojnë me qëllim që pasi të themelohet Gjykata e Veçantë Speciale kundër UÇK-së, të dëshmohet e vërteta, dhe pas gjykimeve për më shumë se 10 vjet  të “pastrohet” lufta e UÇK-së. Pastrimi në këtë rast nënkupton se ajo ishte e papastër, por gjatë gjykimit të individëve, do të pastrohet, pavarësisht se të akuzuarit shpallen të pafajshëm apo fajtorë.

Po kështu, pretendimi se ka pasur krime nga të dyja palët dhe të dyja palët duhet të dënohen, është një pretendim antihistorik, pavarësisht sepse kemi të bëjmë me ndonjë rast të izoluar apo të veçantë revanshizmi. NATO-ja ka bombarduar Serbinë e Malin e Zi,  vetëm caqet serbe, jo UÇK-në, e cila ishte krejt e pabarabartë në teknikë luftarake, por në ballafaqim luftarak  kishte epërsinë morale. Bota asokohe ka demonizuar Serbinë dhe regjimin e Milosheviqit dhe jo UÇK-në. Kreu i saj i papërvojë dhe i pa përgatitur politikisht për hir të ndihmës së NATO-s kishte pranuar ta demobilizonte forcën e vet pa u shpallur pavarësia, që kishte qenë edhe motivi i luftës çlirimtare.

UÇK-ja nuk ka pse “pastrohet” nëpër gjyqe, përderisa ka luftuar në territorin e vet dhe jo në Serbi apo në Mal të ZI.

UÇK-ja nuk ka dhunuar asnjë femër serbe,

Serbët kanë dhunua mijëra femra shqiptare,

UÇK-ja nuk ka vrarë asnjë fëmijë serb,

Serbët kanë vrarë e kanë masakruar 1200  të mitur shqiptarë në Kosovës, të moshës prej gjashtë muaj deri në 12 vjet,

UÇK-ja gjatë luftës nuk ka prishur asnjë kishë serbe, nuk ka vrarë asnjë klerik serb.

Serbët kanë shkatërruar 180 xhami ndërsa kanë vrarë më shumë se 30 imamë e medresistë shqiptarë.

UÇK-ja nuk ka bombarduar asnjë shkollë serbe,

Serbët kanë shkatërruar, djegur e demoluar qindra shkolla në Kosovë.

Ushtria dhe policia serbe kanë qenë forca okupatore në Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë forcë e organizuar çlirimtare.

UÇK-ja  ka vrarë aq sa pa pasur mundësi, policë e ushtarë serbë por edhe kolaboracionistë shqipfolës, sepse në çdo luftë eliminohen argatët e armikut.

Ushtria dhe policia serbe kanë vrarë e kanë masakruar mbi 13.000 civilë të pambrojtur shqiptarë.

UÇK-ja nuk ka vrarë civilë serbë, përveç në rastin kur ata kanë qenë të armatosur dhe kanë rezistuar. Numri i serbëve të vrarë nga UÇK-ja nuk është verifikuar nga organizatat e pavarura, meqë serbët nuk bashkëpunojnë me shqiptarët në këtë drejtim. Serbët i llogarisin të vrarë nga UÇK-ja edhe ata serbë që kanë vdekur gjatë luftës, qoftë nga bombardimet e NATO-s, qoftë nga mosha e pleqërisë.

Vrasja e kolaboracionistëve nuk  është një përjashtim as specialitet  i UÇK-së.

Vetë Amerika ka dënuar me vdekje të riun 25-vjeçar sepse luftonte në anën e talebanëve.

Në vrasjen e kolaboracionistëve mund të ketë pasur gabime, por ato kanë qenë krime mbase edhe me ndonjë motiv hakmarrje gjatë luftës, dhe jo krime lufte. Nëse familjarët e tyre ngrehin padi, duhet të gjykohen të gjithë të dyshuarit në Gjykatat e vendit, derisa atje po gjykohen edhe krerët më të lartë të UÇK-së.

Krimet e pas luftës në Kosovë, qoftë kundër shqiptarëve, serbëve apo romëve duhet të ndriçohen dhe vrasësit të nxirren para drejtësisë, por jo në gjykata speciale.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …