RKL

RKL: Arrestimi i aktivistëve të Vetëvendosjes në prag të seancës së Kuvendit, veprim i pamatur i Qeverisë

Arrestimi i gjashtë aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, pak ditë para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, kur do të kërkohet nga deputetët që ta votojnë versionin zyrtar të caktimit të vijës së kufirit të Kosovës me Malin e Zi, është bërë me qëllim për sensibilizimin e opinionit  në mbështetje të koalicionit qeveritar dhe injorim të opozitës, e cila po vazhdon të mbajë qëndrim të fortë dhe unik kundër demarkacionit.

Që aksioni i Policisë është ndërmarrë pikërisht në këtë situatë, këtë e ka shpjeguar edhe Prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahman Islami, i cili ka deklaruar “se arrestimi i këtyre personave ka pasuar disa veprimeve ligjore, përfshirë këtu edhe përgjimin e telefonatave që nga nata e sulmit. Përmes përgjimeve i kemi vërtetuar dyshimet të cilat janë mbledhur më herët nga ana e Policisë dhe Prokuroria ka ardhur në përfundim dhe ka urdhëruar edhe bastisje ku janë gjetur edhe armë dhe kemi ardhur deri te dyshimi i arsyeshëm se këta 6 të dyshuar se kanë kryer vepër penale”, ka thënë Islami.

Është e ligjshme  të jetë në ingerencat e Policisë dhe Prokurorisë, të caktohet koha kur merret vendimi për arrestim, por është vështirë të besohet se ky rast nuk është i ndikuar nga politika. Arrestimit i ka paraprirë edhe  rezistenca popullore në Mushtisht kundër përpjekjeve të Qeverisë dhe Policisë së Kosovës për t’ i kthyer kriminelët serbë në vendin e krimit, si dhe “sulmit me bombë” në shtëpinë e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së dhe kohë më parë edhe në objektin e RTK-së.

Pavarësisht se kush qëndron prapa këtyre sulmeve, që fare lehtë mund të jenë edhe të kurdisura  nga qarqe të jashtme, (për këtë ka  arsye të dyshohet  përderisa nuk është zbuluar asnjë gjurmë), me arrestimet e sotme (30. 8. 2016) fajtori kujdestar për të gjitha  zhvillimet që kanë ndodhur në vitin e fundit po bëhet përpjekje t’ i vishen Vetëvendosjes.

Qeveria po bën përpjekje që të gjitha këto sulme të palejueshme dhe të pajustifikueshme nga asnjë parti, as nga Lëvizja Vetëvendosje t’i kualifikojë si sulme të koordinuara të kundërshtarëve politikë, të cilët sipas saj po synuakan ta marrin pushtetin me dhunë.

Situata aktuale politike në vend me arrestimin e aktivistëve të Vetëvendosjes është hedhje e benzolit në zjarr, meqë në këtë formë veprimi,  Qeveria vetëm sa ka nxitur edhe më tej kundërvënien, mbase edhe një formë edhe më të pakëndshme të kundërshtimit, kur dihet mirë se aktivistët e Vetëvendosjes  janë të kalitur për kacafytje me policinë dhe nuk e kanë frikë atë.

Vetëvendosja ndodhet para dilemës hamletiane.

A do ta kalojë me sukses edhe këtë gjendje mjaft të rëndë, varet shumë edhe nga veprimet e koordinuara me opozitën, por varet edhe nga mënyra si do ta menaxhojë  Qeveria e Isa Mustafës situatën mjaft të rrezikshme, me të cilën po ballafaqohemi dhe  e cila dashur pa dashur na përket të gjithëve, por  vështirë se mund të dalin pa u lagur ata që e kanë sjellë vendin në këtë pozitë.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …