RKL

RKL: Cilat janë disa nga “pallavrat” e Kadri Veselit?

Tashmë jemi mësuar dhe imunizuar me zhargonet dhe fjalët e papërgjegjshme, që përditë nxjerrin nga goja shumë nga politikanët e Kosovës, mjerisht edhe përfaqësuesit e institucioneve, të cilët jo vetëm nuk u vënë fare karar fjalëve, por i nxjerrin nga goja, shpeshherë madje pa asnjë artikulim të domosdoshëm higjenik. Prijatari i parë i kontaminimit të Kuvendit të Shqipërisë me sharje e fyerje, Salih Berisha mbanë rekord me fjalorin e tij, për të mos thënë se është i denjë edhe për “Ginis”. Jemi mësuar për të mos thënë se edhe jemi imunizuar nga kjo e ligë, kur shohim e dëgjojmë sesi i pari i Vendit apo i Kuvendit krekoset me fjalorin, duke zbuluar egon e tij, krekoset me virulencën e prepotencën bajraktare, që nuk kanë asgjë të përbashkët me maturinë e vetëpërmbajtjen, me njerëzinë e përgjegjësinë, inteligjencën e arsimimin.

Shembulli i fundit i kësaj virulence  e prepotence është fjalia që e ka shqiptuar së fundmi kryekuvendari i Kosovës, Kadri Veseli, duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës në mënyrë urdhërore: “Leni ato pallavra!” Po të kishte përdorur vazhdimisht një fjalor të matur, kjo e “pallavrave” edhe mund të mos komentohej, sepse një e dy gabime edhe falen, por kryekuvendari e ka gojën plot me “xhevahire” të tilla.

Më 5 dhjetor 2017, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se “Kosova duhet t’i përcaktojë sa më shpejtë vijat e saj kufitare, duke përfshirë edhe Demarkacionin me Malin e Zi dhe me Serbinë. Ai shtoi  se çështja e kufirit është çështje shtetërore dhe jo partiake. Duhet t’i shënjojmë kufijtë se është çështje e sovranitetit. Duhet të përfundojmë me Malin e Zi e të kalojmë te Serbia”, tha Veseli. Ky nuk është qëndrim politik, por nëse më pyesni si shqiptar, kufiri do të duhej të mbrohej në Ulqin e në Shkup. Pra, nëse duhet qëndrim emocional. “Leni ato pallavra”, tha ai duke kundërshtuar ata që, sipas tij po e mbajnë peng ratifikimin e Marrëveshjes me Malin e Zi.

Është evident fakti se Veseli fjalën, “pallavër” e përdor për të bërë pallavra, por edhe më pallavër del konstatimi i tij eklektik,  kur shprehet ndryshe si politikan e krejt ndryshe  si shqiptar. Si politikan, sipas tij, Malit të Zi u dashka  t’i jepen 8000 hektarë tokë, sepse ashtu e dashka  politika, diplomacia, por si shqiptar u dashka  të luftohet për Ulqinin e për Shkupin!

Po a do të jetë kështu, një “pallavër” tjetër edhe përcaktimi i kufirit me Serbinë, ndryshe si shqiptar e ndryshe si diplomat, kur dihet mirë se Beogradi tashmë mbanë nën kontroll krejt veriun, i mbanë frerët e politikës së serbëve përmes “listës serbe”, e cila merr një të katërtën e tepsisë së Qeverisë dhe të qeverisjes, i ka prona eksterritoriale  enklavat e kishat në Kosovë, kishën e Millosheviqit në zemër të Prishtinës, të cilën e legjitimon Gjykata e Apelit e Kosovës, në pronat e Universitetit, Kishën e Deçanit mbi qindra hektarë tokë të Kosovës, kishën në Prizren, së cilës qeveria i paguan qira, hiq më pak se disa qindra mijëra euro në vit e kështu me radhë…

Realisht, konstatimet e tilla divergjente, eklektike, janë më shumë se hipokrite. Si mund të pretendosh që të luftosh për ta kthyer Shkupin e Ulqinin, kur nuk je i Zoti të ruash Kosovën në Çakorr, pastaj veriun e Kosovës, për të cilin u dashak të propagandohet se është pjesë e Kosovës, por që është një pjesë, të cilën nuk e kanë vizituar krerët e vendit qe 18 vjet, jo sepse nuk kanë pasur vullnet, por sepse nuk ua ka mbajtur as nuk ua mbanë.  Nuk mund të shkojnë atje sepse Serbia e zotëron dhe e menaxhon 20 për qind të territorit në veri. Pastaj nuk është pallavër që Kosova Lindore ka mbetur nën Serbi, dhe numri i shqiptarëve bie me mijëra në çdo vit. Nuk është pallavër por është tejet e dhembshme kur trojet shqiptare  nën Mal të zi janë në shuarje e sipër dhe janë boshatisur fare.

Patriotizmi me rrahje gjoksi, politika me servilizëm e hipokrizi, nuk janë as patriotizëm, as diplomaci. Mjerisht janë krejt pallavra.

 

Për fund vetëm tri strofa nga poezia, “Hakërrim”,  e Ali Asllanit

….

 

Vendi qenka sofra e qorrit, vlen për gojë e për lëfytë,

bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut i nxirrni sytë…

Dhe për një kërkoni pesë, po më mirë njëzet e pesë.

Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

 

Po një ditë që nis e vrerët, do mbarojë me bubullimë,

ky i sotmi zër’ i errët, bëhet sikur vetëtimë

dhe i bije rrufeja pasurisë edhe kësi lloj,

nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshatë për gojë!

 

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor

nuk është  yti, nuk është imi, është i kombit arbëror,

është i syrit në lot mekur, është i vendit djegur, pjekur,

Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …