RKL

RKL: Lirimi nga Franca i Ramush Haradinajt po mirëpritet nga të gjithë shqiptarët liridashës të vendit e më gjerë

Lirimin pas afër katër muaj të mbajtjes së Francë i Ramush Haradinajt, ku ka qëndruar i izoluar në bazë të një urdhër arresti të Serbisë së kohës së Milosheviqit me të drejtë është mirëpritur nga familja, AAK-ja, liderët e partive politike, familjarët e dëshmorëve, veteranët, invalidët e luftës, zyrtarë të lartë të Qeverisë, kryetari i Shtetit, deputetët dhe krejt shqiptarët liridashës në trojet shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, në Kosovën Lindore  në Mal të Zi dhe në Mërgatë.

Lirimi i tij po cilësohet si ngadhënjim i drejtësisë së Francës, ndërkohë që ky është lirimi i tretë, i shpallur i pafajshëm i këtij komandanti të luftës së UÇK-së.

Dy herë ka qenë i arrestuar nga Tribunali i Hagës dhe të dyja herët është shpallur i shpallur i pafajshëm dhe është liruar.

Përpjekje e regjimit të Beogradit për ta ekstraduar në Serbi nuk pati sukses, por përpjekjet e tilla të Serbisë nuk do të ndalojnë, ashtu sikur nuk do të ndalojnë të arrestojnë ish-luftëtarë të lirisë edhe shtetet e tjera të  Evropës dhe Gjykata Speciale kundër UÇK-së, e cila tashmë ka filluar punën në ndjekjen e luftëtarëve të lirisë, me qëllim që lufta e drejtë çlirimtare e UÇK-së të demonizohet dhe të mos lejohet që të bëhet shembull për çlirim i  popujve të shtypur dhe të robëruar të Evropës e të botës.

Megjithatë lirimi i Ramush Haradinajt është një dëshmi tjetër që tregon pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që tregon se ajo luftë ka qenë më se e domosdoshme, një luftë e drejtë  meqë ishte luftë për jetë a vdekje, luftë kundër një regjimi gjakatar, fashist,  që për dhjetë vjet kishte përgjakur popujt e ish Jugosllavisë me qëllim për mbajtjen nën robëri të shqiptarëve, kroatëve boshnjakëve, sllovenëve e popujve jo serbë.

Edhe Serbia e sotme, me asgjë nuk dallon nga ajo e kaluara, ku në krye të qeverisjes janë forcat më të errëta retrograde të radikalëve të Pashiqit të dikurshëm,  të Sheshelit, Nikoliqit  e të shërbëtorit të tyre,  Aleksandër Vuçiqit të sotëm, të regjimit   të Milosheviqit e tani të pionierit të tij, Ivica Daçiq.

Lirimi i Ramush Haradinajt, është një fitore për vendin në momentet kur Kosova po ballafaqohet me kërcënime të egra nga Beogradi dhe me përkrahje në rritje nga autoritetet e lartë të BE-së, të cilat gjithnjë e më zëshëm po i kërcënojnë shqiptarët  se kurrë nuk mund të bashkohen në një shtet, ashtu sikur janë bashkuar ligjshëm e natyrshëm  popujt e tjerë  të Ballkanit. Këto autoritete, jo vetëm që kanë prejardhje sllave, por janë të lidhura ngushtë me interesin sllav dhe ortodoks në Ballkan.

Jo rastësisht krerët më të lartë të protektorëve të sotëm janë nga radhët e  këtyre popujve:

Shefja   e EULEX-it Aleksandra Papadolulu, me origjinë greke,

Shefja e BE-së Natalia Apostollova, me origjinë bullgare,

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek, austriake me origjinë sllovene, ashtu sikur ishte edhe Samuel Zhbogar.

Zëdhënësja e Përfaqësuesve të Lartë të BE-së Maja Kocijanciq, po ashtu me origjinë sllave.

Kjo përbërje e zyrtarëve më të lartë dhe përgjegjës për Kosovën nuk është diçka e rastësishme. Nuk mund të jetë e rastësishme që katër postet kryesore ndërkombëtare, përgjegjës kryesorë për vendin tonë të udhëhiqen nga diplomatë të lartë me origjinë sllave dhe asnjë prej tyre të mos jetë me prejardhje  amerikane apo angleze.

Kjo përzgjedhje flet vetvetiu.

Po nuk janë vetëm këta. Edhe gjermani Jahannes Hahn, të cilin shqiptarët e konsiderojnë mik e tha me plot gojën, se shqiptarët kurrë nuk do të bashkohen dhe kjo ngjalli me të drejtë një reagim të fuqishëm të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Është e natyrshme t’i gëzohemi  lirimit të Ramushit, por duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm se  nuk do të vonojë dhe Gjykata Speciale do të fillojë “gjuajtjen e shtrigave”, do të fillojë inkuizicionin e Madh shekullor   vetëm kundër shqiptarëve, madje vetëm kundër shqiptarëve që kanë marrë pjesë në çlirimin e vendit nga barbaria serbe. Kjo do të pasohet me një tronditje në themelet e pavarësisë së Kosovës, sepse krejt kontribuesit kryesorë të  lirisë dhe pavarësisë,  do të penalizohen me akuzat më monstruoze, pavarësisht se do të dëshmohet fajësia apo pa fajësia e tyre.

Po kështu, kjo gjykatë do ta fusë thellë thikën e përçarjen në mesin e shqiptarëve, sepse të gjithë dëshmitarët e saj, të mbrojtur, shumica të blerë me para dhe me ndërrim identiteti, do të jenë nga radhët e shqipfolësve, të cilët janë të identifikuar dhe do të identifikohen në tërësi, madje  dhe familjet e tyre, nga brezi në brez  do ta bartin mbi shpinë vulën e rëndë të tradhtisë kombëtare.

Një shkizmë e re do të thellohet edhe më tej  mes krahut pacifist me prejardhje ideologjike e politike nga mbetjet e regjimeve të kaluara,  dhe krahut revolucionar, çlirimtar, atdhetar, i cili gjatë shekujve nuk ka reshtur së qëndruari e së luftuari për çlirimin e trojeve tona dhe bashkimin e tyre në një shtet të vetëm. Krahu pacifist me klanet e mediet e veta do të vihet në shërbim të Gjykatës Speciale dhe do të bëhet zëdhënës, propagandues kundër çlirimtarëve, për të forcuar pozitat e veta kolaboracioniste në shërbim të kreatorëve të globalizmit evropian, i cili edhe ashtu po e pret katandisjen e vet.

Nuk është e rrugës t i bëjmë elozhe drejtësisë franceze dhe evropiane sepse shumë shpejt do të zhgënjehemi, ashtu sikur jemi zhgënjyer sa e sa herë deri tani  në drejtësinë e Kongresit të Berlinit, të Paqes së Shën Stefanit, të Londrës, të Versajës,  të konferencës së Paqes në Paris, të Jalltës dhe të gjitha konferencave  e tilla të mujsharëve të Evropës, që na kanë ndarë në pesë shtete dhe vazhdojnë të na mbajnë në gjendje stagnimi, të ndarë e të përçarë, me qëllim për të kënaqur orekset e shteteve sllave,   në emër të qytetërimit dhe drejtësisë evropiane.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …