vipa
driloni com
muqa 900
vala – old
Fillimi / Analiza / RKL: Më në fund shpërthen publikisht kundër Gjykatës Speciale edhe kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi
Radio Kosova e Lire

RKL: Më në fund shpërthen publikisht kundër Gjykatës Speciale edhe kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi

Në kohën kur disa medie, që bëjnë kujdestari lidhur me ato që i quajnë ‘fajësi” dhe “krime” të UÇK-së, janë të zëna duke përcjellë fushatën për zgjedhjet vendore të 22 tetorit, fushatë  nga e cila marrin fitime kush sa mundet, lajmi për disa muaj i harruar  për Gjykatën Speciale, sërish mori dhenë.

Kësaj radhe ishte vetë kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi i cili,   në një  debat të organizuar nga disa OJQ, duke folur lidhur me temën: “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës: rreziqet dhe mundësitë”,  gjatë  fjalimit të tij  ka kritikuar Gjykatën Speciale, dhe ka bërë të ditur se Gjykata kundër UÇK-së ka bashkëpunim maksimal dhe reciprok me Serbinë, ndërsa mungon totalisht bashkëpunimi i saj me Kosovën. “Kosova mbajti fjalën e themeloi Gjykatën po bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmori asnjë hap. Kosovës veçse iu vështirësuan mundësitë. Ajo u tregua shumë besnike  por u ndëshkua më së shumti”. Thaçi duke u  bazuar në një hulumtim tha se kjo Gjykatë besohet se do të merret vetëm me shqiptaret dhe jo me serbet. “Nuk do të merret asnjë rast për shqiptaret e vrarë, dhunën ndaj grave shqiptare, pra asnjë krim që kanë bërë në Kosove”, ka thënë mes tjerash, Hashim Thaçi. Duket se deklarata e tij nuk ishte pritur mirë nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovës, O Connell, i cili ishte larguar nga salla, por jo për shkak të deklaratave të kryetarit, Thaçi.

Të gjitha këto të dhëna  që i ka aktualizuar kryetari i Kosovës, në fjalimin e tij, kanë qenë të njohura me vite dhe ai nuk ka thënë asnjë të re. Këto fakte janë ditur edhe në kohën kur Kosova, kreu i saj politik e institucional, nën një presion të madh ndërkombëtar, për hir të Serbisë, u detyrua ta pranojnë themelimin e Gjykatës Speciale, raciste e fashiste, të instruktuar  nga diplomati  zviceran me origjinë serbe, Dik Marti, i cili është korruptuar nga Qeveria e Beogradit  me  gjashtë milionë euro.

Gjykata, pavarësisht deklaratave naive dhe të pa sens të disa politikanëve të huaj dhe vendorë, është themeluar me qëllim për demonizimin e luftës së UÇK-së dhe është  drejtuar në radhë të parë kundër kreut të saj.

E kemi thënë me kohë dhe i japin të drejtë vetes të përsërisim se BE-ja ka qëllim primar demonizimin e luftës së UÇK-së, si precedent,  me qëllim për të ndaluar përpjekjet e popujve të robëruar të luftojnë me armë për çlirimin e vendeve të tyre, nga regjimet kolonialiste dhe autarkike. Referendumet në Katalunja dhe Irak e përforcojnë këtë konstatim, ashtu sikur edhe fakti se janë shumë popuj në Evropë me sovranitet të kufizuar dhe me mohim të të drejtave për vetëvendosje, sikur janë baskët, korzikanët, sicilianët, hungarezët e Vojvodinës dhe të Rumanisë, sanxhaklinjtë në Serbi e të tjerë.

Po kështu, Serbia aq shumë e përkëdhelur nga BE-ja, edhe pse vazhdon të jetë gjithnjë  afër Kremlinit zyrtar, edhe pse është duke u përgatitur për një invadim të ri në Kosovë, ashtu sikur bëri Rusia kundër Çeçenisë në vitin 1998, pasi ishte arritur marrëveshja për pavarësi, Beogradi zyrtar, falë politikanëve tanë të urtë e të lakueshëm, (sidomos ndaj ndërkombëtarëve, kushdo qofshin ata),  po arrin ta shantazhojë Kosovën dhe luftën e saj çlirimtare, krejt hapur, me vringëllimin e armëve në Serbi, me instalimin e sa e sa  raketave më të reja ruse në bazat e saj afër Kosovës dhe me përgatitjen e skenarëve, ashtu sikur kishte përgatitur sa e sa  herë skenarë  të tillë kundër shqiptarëve.

Por, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi  e tha fjalën e tij, edhe pse me ekuivoke, edhe pse më shumë me ankesa sesa me një qëndrim të duhur në një kohë të duhur, ai shfaqi mospajtimin e tij, vetëm në formë ankimi, por kurrsesi me një qëndrim kundër kësaj gjykate monstruoze, prodhim i mbetjeve fashistoide, antishqiptare në segmente të ndryshme të Evropës së sotme, veçanërisht të BE-së.

Nuk është për të besuar se Thaçi do të qortohet për fjalimin e tij, sepse kështu ka ndodhur jo vetëm njëherë me deklaratat e tij kontroverse.  Kështu ndodhi kur ai paralajmëroi themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe pastaj u zmbraps tërësisht, për të riaktualizur kohëve të fundit edhe njëherë këtë çështje.

E veçanta e qëndrimit  të Hashim Thaçit për Gjykatën Speciale, si lajm i ditës në Kosovë është se ai mori kritika të ashpra nga një gazetar i fundërrinave dhe i mbetjeve të Serbisë në vendin tonë. Është paksa paradoksal reagimi i drejtorit të “klankosovës”, Baton Haxhiu, i cili iu turr Thaçit, duke iu drejtuar me fjalë të ashpra, me qëllim për të treguar se ai qenka  “dikush” dhe u dashka të pyetet madje edhe nga Hashim Thaçi. Dihet se  këtë “dikushin” e ngriti pas luftës dhe ia fali të gjitha fyerjet e poshtëritë kundër UÇK-së, në emër të vet, vetë Kadri Veseli i cili nuk kishte mohuar pretendimet e  Bato Haxhiut se  bashkëpunëtori i zellshëm i Stanishiqit, paska vepruar  edhe në kuadër të SHIK-ut të Kadri Veselit.

Është i çuditshëm shpërthimi i këtij njeriu i njohur për bashkëpunim me serbët, madje me vetë kriminelin e luftës, Stanishiq para dhe gjatë luftës, por edhe mjaft i fërkuar ditë e natë me Kadri Veselin, dikur edhe me Hashim Thaçin dhe shumë sish që thirren në emër të kreut të luftës dhe që pretendojnë të na bindin se kanë qenë kreu i saj, në mos ndryshe të paktën në hije, për shkaqe që ata i dinë vetë.

Ky gazetar kontrovers, asokohe i Kohës Ditore të Veton Surroit,   kishte shpallur veten të vdekur gjatë luftës dhe kishte ikur me bisht nën shalë, në Gjermani, ku kishte marrë edhe “mirënjohje për trimëri”, dhe kishte sharë ata që kishin filluar luftën e nuk e kishin mbrojtur atë dhe sojin e tij të gazetarëve, duket se  ka harruar se si është shprehur  vetë për themelimin e Gjykatës.

Në një letërkëmbim me një gazetare serbe, të quajtur Liljana,  ai kohë më parë është lavdëruar për meritat që ka pasur në krijimin e kësaj gjykate, duke pranuar se ka votuar për këtë  gjykatë, duke iu betuar gazetares, koleges së tij serbe, se afrimi me te dhe më serbët kalon mbi të gjitha luftërat çlirimtare!. Do t’ju çudis nëse ju them që si publicist, gazetar, opinion-bërës, kam qenë, jam dhe do të jem për themelimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së! Le të shkojnë të gjithë atje… Sepse rruga ime, rruga jonë, Liljanë  ka qenë, është dhe do të jetë, e ndërtuar mbi ideale që shkojnë përtej çdo lufte çlirimtare.( Klan Kosova, Baton Haxhiu, Letër Liljanës)

Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi dhe politikanët tanë pa dallim, të pozitës dhe të opozitës, nuk janë të interesuar ta rishqyrtojnë vendimin dhe ta revidojnë qëndrimin e tyre për Gjykatën Speciale.  Thjesht, ata kanë qenë dhe janë të përçarë dhe udhëhiqen sipas motos së njohur reaksionare shqiptare: ”Gjarpri që nuk më helmon mua rroftë 100 vjet”.   Mbi këtë mentalitet të shqiptarit lindor edhe është ngritur Gjykata Speciale, e cila në esencë është antishqiptare dhe minon madje edhe fondamentin e pavarësisë së Kosovës, meqë është pikërisht lufta e UÇK-së shtylla kryesore e themeleve të pavarësisë së vendit tonë.

Është për të besuar se kjo Gjykatë do të dështojë, sepse luftëtarët idealistë të lirisë nuk do t’i përgjigjen asaj dhe do ta kundërshtojnë çdo bashkëpunim me të. Ky konstatim bazohet edhe  në një Raport të informacionit dhe komunikimit publik në Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale. Në të gjeturat e raportit, i cili u prezantua, lidhur me perceptimin publik për Gjykatën Speciale, thuhet se 51 për qind e qytetarëve shqiptarë, janë të gatshëm të protestojnë në rast të paraqitjes së aktakuzave të para dhe se ndjenja e padrejtësisë nga ana e të anketuarve është në masë të madhe. Ndërkaq, pakënaqësitë e njerëzve mund të çojnë në trazira civile dhe se qytetarët mund të angazhohen në pengimin e autoriteteve të Kosovës, akterëve ndërkombëtarë, Gjykatës Speciale nga ndjekja penale ndaj atyre që është ngritur aktakuza. Kjo Gjykatë duhet të dështojë dhe jemi ne luftëtarët idealistë të UÇK-së që do ta detyrojmë të dështojë, pavarësisht lëvizjeve të kryetarit Hashim Thaçi, pavarësisht disa dëshmitarëve të mbrojtur dhe të instruktuar  të EULEX-it dhe dëshmitarëve të blerë nga “drejtësia ndërkombëtare”.

Kontrolloni gjithashtu

RKL

RKL: Fushata që nuk po pushon asnjë ditë kundër kreut të luftës së UÇK-së dhe kundër vlerave të kësaj lufte

Fushata që nuk po pushon asnjë ditë kundër kreut të luftës së UÇK-së, kundër vlerave ...