vipa
vala
muqa 900
Fillimi / Analiza / RKL: Prekazi, Kosova dhe shqiptarët në 9-vjetorin e shpalljes së pavarësisë
Radio Kosova e Lire

RKL: Prekazi, Kosova dhe shqiptarët në 9-vjetorin e shpalljes së pavarësisë

Sot më 17 shkurt 2017, në Prekaz, në vendin më të vizituar  të Kosovës, u nderua  vepra dhe heroizmi i Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij. Memorialin,  në lagjen Jashari, e vizituan  veteranë, invalidë, familjarë të dëshmorëve, qytetarë liridashës nga Kosova e më gjerë,  por edhe  përfaqësues  të institucioneve dhe partive politike. Të gjithë ata i  bënë nderime dhe respekt legjendarit të kohës sonë, më meritorit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kryekomandantit të UÇK-së, Adem Jashari.

Në 9-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u përkujtuan  më meritorët e lirisë, dëshmorët, martirët dhe të gjithë ata breza shqiptarësh që u sakrifikuan për liri e pavarësi. Po ashtu, përkujtohen edhe meritorët e gjallë, ata që tërë jetën e tyre ia kushtuan kombit e Atdheut, në mesin e tyre, Simboli i Rezistencës sonë Kombëtare, bacë Adem Demaçi dhe mijëra ish të burgosur politikë, të cilët kurrë nuk u pajtuan me robërinë, kurrë nuk u dorëzuan dhe më në fund arritën ta përjetojnë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Me respekt e nderim të posaçëm  përkujtohen edhe të gjithë ata eprorë dhe luftëtarë të lirisë, që në 9-vjetorin e pavarësisë së Kosovës ndodhen të ngujuar nëpër burgjet e Kosovës,  të shpallur fajtorë dhe të dënuar për shkak se kishin marrë guxim ta luftonin regjimin kriminal fashist dhe barbar të Serbisë, të asaj Serbie e cila prej vitit 1912 e deri në vitin 1999 kishte likuiduar e masakruar më shumë se 500.000 shqiptarë, ka shpërngulur dhunshëm  nga trojet e tyre etnike më shumë se 1 milionë, ka uzurpuar më shumë se 60.000 km katrorë të trojeve etnike shqiptare në rajonin e Ballkanit.

Sot, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ne këtë ditë feste na mungojnë disa nga më meritorët e lirisë dhe pavarësisë. Mbahen padrejtësisht nëpër burgje me aktakuza të sajuara politike të kohës së regjimit kriminal të Milosheviqit, Ramush Haradinaj, Azem Syla, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Sabit Geci, Idriz Gashi,  e shumë meritorë të tjerë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Sot përkujtojmë të gjithë shqiptarët që dhanë jetët e tyre për çlirim nga robëria shumëshekullore turke, nga robëria serbe e austro-hungareze, nga robëria fashiste italiane e gjermane, nga robëria titiste e rankoviçiste, nga robëria milosheviqiane dhe shesheliane.

Sot përkujtojmë të gjithë burrështetasit shqiptarë, të cilët në kushte dhe rrethana të caktuara historike iu kundërvunë regjimeve të huaja antishqiptare, antipopullore, në krye me të madhin Skënderbe. Pavarësisht këndvështrimeve politike, ideologjike, fetare, pavarësisht bindjeve të quajtura të majta, apo të djathta, sot përkujtojmë: Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, Halil Patronë Arnautin, Ali Pasha Tepelenën, Zenel Gjolekën e Rrapo Hekalin,  Abdyl Frashërin e Ymer Prizrenin, Mic Sokolin e Sefë Kosharen, Haxhi Zekën e Ali Pashë Gucinë, Ismail Qemalin e Isa Boletinin,  Dedë Gjo Lulin e Çerçiz Topullin, Luigj Gurakuqin e Fan Nolin, Elez Isufin e Mehmet Derallën, Avni Rrustemin e Hasan Prishtinën, Bajram Currin e Azem Bejtën, Tringë Smajlin e Shotë Galicën,  Ahmet Zogun e Mit’hat Frashërin, Enver Hoxhën e Mehmet Shehun, Kajo Karafilin e Emin Durakun, Rifat Berishën e Fadil Hoxhën, Shaban Palluzhën e Gjon Serreqin, Ibrahim Rugovën e Fehmi Aganin dhe shumë e shumë të tjerë.

Vetëm me këtë integrale historike të angazhimit popullor dhe kombëtar të bijve dhe bijave të Shqipërisë, pavarësisht lëkundjeve e animeve, pavarësisht feve dhe ideologjive të caktuara, kemi mbijetuar dhe sot kemi dy shtete shqiptare, edhe pse të vogla, të dobëta ekonomikisht, të keqtrajtuar, nga të gjithë mujsharët kapitalistë të Lindjes e Perëndimit, por jemi dhe të do të jemi, derisa ta kujtojmë me pietet e respekt të kaluarën e rëndë dhe derisa ta respektojmë gjakun shqiptar të  derdhur rrëke për liri, barazi e bashkim.

Nëntë-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës na gjen në një situatë të rëndë ekonomike e sociale, na gjen nën kërcënimin djallëzor të Serbisë dhe forcave të territ. Na gjen ende të ndarë në disa shtete, në dy shtete shqiptare e  në katra  të tjera të huaja. Sot shqiptarët në Mal të Zi, në Kosovën Lindore, në Maqedoni e në Greqi, ndihen të tretur e të  lënë në mëshirë të kohës, por nuk na akuzojnë, sepse e dinë mirë se kemi bërë aq sa kemi mundur, por të bindur thellë në shpirt se e ardhmja do të jetë më e mirë, mbase edhe më me shumë sakrifica, por kurrë nuk do t’i harrojmë sakrificat e brezave. Ky kujtim dhe mos-harrim na ngjall besimin në fitore, në  çlirim dhe bashkim.

Prej shpalljes zyrtare të pavarësisë më 17 shkurt 2008, nga kryekuvendari Jakup Krasniqi, kryeministri, Hashim Thaçi dhe kryetari, Fatmir Sejdiu, e derin tani  Shtetin e Kosovës e kanë njohur 110 shtete të botës, në mesin e tyre shtetet më të mëdha dhe më me ndikim në politikat ndërkombëtare si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Turqia e shtete të tjera mike. Por Shtetin e Kosovës nuk e kanë pranuar dy shtetet grabitqare fqinje, që i kanë shkaktuar dëmet më të mëdha njerëzore kombit shqiptar, Serbia e Greqia si dhe dy shtete të fuqishme të botës, Kina dhe Rusia.  Kosova, Shqipëria dhe të gjithë ne kudo ku ndodhemi, ende kemi shumë për të bërë, sepse bëhet mirë vetëm atëherë kur do të bëhet Shqipëria një e tërë dhe e bashkuar.