RKL: Prokuroritë e gjykatat në Kosovë nuk kanë dështuar, ato kanë akuzuar e kanë dënuar qindra luftëtarë të lirisë IV

RKL: Prokuroritë e gjykatat në Kosovë nuk kanë dështuar, ato kanë akuzuar e kanë dënuar qindra luftëtarë të lirisë IV

Pretendimet e disa autoriteteve dhe analistëve, madje edhe të disa krerëve të partive politike se gjoja për shkak të dështimit të sistemit të drejtësisë  erdhi deri te themelimi i Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, janë pretendime paushalle, të pabazuara në fakte dhe thjesht pretendime, për damkosjen e luftës dhe vlerave të saj.

Në asnjë të dhënë  të faktuar dhe të argumentuar nuk mund të dëshmohet se nuk ka funksionuar  sistemi i drejtësisë, në Kosovë,  sidomos sa i përket arrestimit dhe dënimit të luftëtarëve të lirisë. Në këtë segment nuk konsiderohet se  ka dështuar ndonjë gjykatë e vendit apo gjykatë ndërkombëtare, madje edhe kur  të akuzuarit pas tri, katër, apo pesë vitesh të mbajtjes në burg janë shpallur të pafajshëm, sikur është rasti me gjykimet kundër Komandantit të Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, kundër komandantit të UÇK-së, Fatmir Limaj, tani kundër ish komandantit të, Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, i cili pas katër vitesh në burg u lirua i pafajshëm, pastaj kundër 13 shqiptarëve  të arrestuarve nga Kosova Lindore në një Gjykatë të Beogradit dhe shumë raste të tjera. Janë në evidencë edhe shumë raste, të mbajtjes me vjet të tëra nëpër burgje të luftëtarëve të lirisë së Kosovës, të cilët pas disa vitesh janë shpallur të pafajshëm por shumica dërrmuese e tyre janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar prej 1 deri në 15 vjet burg. Në gjykatat e Serbisë, shumë eprorë dhe ushtarë të UÇK-së janë dënuar prej 5 deri në 40 vjet burg, në mungesë,  shumë prej të cilëve ndiqen nga Interpoli dhe kanë probleme edhe kur kalojnë kufirin e Kosovës me të gjitha shtetet që e rrethojnë madje edhe me Shipërinë.

Sistemin e drejtësisë në Kosovës, (hetuesit, gjyqtarët, prokurorët) qysh në ditët e para të pasluftës e ka vënë në jetë administrata e UNMIK-ut,  së bashku me gjykatësit e prokurorët që kishin punuar në institucionet e KSAK-së, duke u mbështetur në Rezolutën  1244 të KS të OKB-së për periudhën e Tranzicionit. Në sistemin e drejtësisë së protektuar nga UNMIK-u  u kthyen në punë edhe prokurorë e gjykatës të tillë që kishin punuar në kohën e regjimit të Milosheviqit, sidomos në gjykatat komunale.  Dënimet e para kundër luftëtarëve të lirisë janë shqiptuar qysh në korrik të vitit 1999 dhe kjo dëshmohet fare lehtë me lëndë të lëshuara asokohe nga gjykatësi, Arif Tuhina, prokurori, Reshat Millaku, e shumë  të tjerë.

Nuk duhet harruar fakti se të gjithë gjykatësit dhe prokurorët që ishin kthyer në punë, qysh në korrik, gusht të vitit 1999, dhe që paragjykonin  për veten e tyre se ishin të rrezikuar nga UÇK-ja, shoqëroheshin nga policët e UNMIK-ut dhe shumica syresh me veturat e kësaj administrate përcilleshin nga shtëpia në punë dhe anasjelltas. Po kështu, UNMIK-u kishte marrë në mbrojtje të gjithë milic-policët shqipfolës, të cilët paragjykonin për veten e tyre se rrezikoheshin nga sulmet e mundshme  të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Në muajt e parë pas luftës, kreu i LDK-së kishte themeluar një komision ilegal për evidentimin e krimeve të UÇK-së në bashkëpunim me UNMIK-un, e më vonë edhe në bashkëpunim me hetuesit e parë të Tribunalit të Hagës.

Duke u mbështetur në dosjet e regjimit kriminal të Milosheviqit, në akuzat që i kishte ngritur gjatë luftës  kundër UÇK-së, ministria e Drejtësisë e xhelatit serb dhe shërbimi sekret serb, si dhe në dosjet që LDK-ja ia dërgonte ilegalisht UNMIK-ut, u akuzuan, u shpallën fajtorë dhe u dënuan disa qindra luftëtarë të lirisë.

Edhe nëse ka ndodhur që gjatë një jave të mos jetë akuzuar apo të mos jetë arrestuar një luftëtar i lirisë, në Kosovë, kurrë nuk kanë kaluar dy javë, apo një muaj dhe  të mos jetë arrestuar apo dënuar një ish pjesëtar, apo një grup prej dy tre e më shumë të pandehurve nga radhët e ish-UÇK-së të demobilizuar në gusht të vitit 1999.

Qysh më 5 korrik të vitit 1999, LDK-ja kishte tubuar krerët e sapo kthyer nga Kukësi e Stankoveci dhe në mbledhjen e parë, të mbajtur pas luftës, kishin propozuar themelimin e një komisioni ilegal, i cili do të merrej me hulumtimin në terren të krimeve, që sipas tyre kishte kryer jo vetëm Serbia por edhe UÇK-ja.

RKL: Prokuroritë e gjykatat në Kosovë nuk kanë dështuar, ato kanë akuzuar e kanë dënuar qindra luftëtarë të lirisë IV

RKL: Prokuroritë e gjykatat në Kosovë nuk kanë dështuar, ato kanë akuzuar e kanë dënuar qindra  luftëtarë të lirisë IV

(Këto shënime të shkëputura nga proces-verbali i mbledhjes së LDK-së me  5 gusht të vitit 1999, ia ka dërguar RKL-së, Mustafë Krasniqi)

Andaj, pretendimet se sistemi i Drejtësisë në Kosovë ka dështuar dhe për këtë shkak u arsyetuaka themelimi i Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, nuk kanë asnjë bazë reale dhe nuk mbështeten  në asnjë fakt relevant. Është për turp indiferenca krejtësisht e papërgjegjshme e zyrtarëve të lartë të pozitës dhe një pjese të opozitës që sillet në mënyrë konformiste dhe oportuniste, lidhur me sistemin e drejtësisë.

Ata zyrtarët të lartë të vendit, që për hir të ruajtjes së posteve të tyre në vazhdimësi kanë lëshuar pe mbi kurrizin e luftëtarëve të lirisë, dhe të cilët edhe e kanë ngritur zërin vetëm kur janë rrezikuar vetë, prej qershorit të vitit 1999 e deri tani  nuk kanë marrë asnjë masë ligjore, asnjë vendim të Qeveri apo në Kuvend ku do të sanksionohej ndjekja luftëtarëve të lirisë, sepse askund në botë nuk janë ndjekur çlirimtarët, por janë ndjekur dhe janë dënuar okupatorët, pushtuesit dhe spiunët e vënë në shërbim të armikut. Kështu ka ndodhë gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë shtetet e Evropës, të cilat kanë dënuar fashistët dhe shërbëtorët e tyre.

Gjykatat e UNMIK-ut, të EULEX-it por edhe nga gjykatat e Serbisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës, të cilën e ka themeluar OKB-ja, kanë funksionuar pa ndërprerë prej vitit 1999 e deri tani.

Krijimin e një gjykate speciale ndërkombëtare, me tri qendra veprimi vetëm për krimet e supozuara të UÇK-së e ka vlerësuar të panevojshëm edhe ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, e cila për më tepër ka treguar sheshit se nuk ka fakte as dëshmi që do të jenë të mjaftueshme për të ngritur akuza lidhur me pretendimet për trafikim të organeve. Ajo ishte prokurorja e parë që nxiti fushatën e “trafikimit” duke u mbështetur në dosjet e shërbimit sekret serb, dhe mbi pretendimet e saj u mbështet edhe senatori antishqiptar me origjinë serbe, Dik Martinoviq, i cili me ndihmën dhe sponsorizimin e regjimit të Beogradit arriti ta bëjë çështje në Këshillin e Evropës.

Dorëzimi i krerëve tanë politikë e institucionalë para presionit të Brukselit është krejt i njëjtë me veprimet antikombëtare të ish-kreut politik, komunist të Kosovës, në gusht të vitit 1945, kur shkelën Rezolutën e Bujanit për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe nënshkruan bashkimin e Kosovës me Serbinë.

Duhet pasur para sysh faktin se inkriminimi dhe penalizmi i UÇK-së me themelimin e një gjykate speciale vetëm kundër shqiptarëve dhe kundër UÇK-së godet themelin e pavarësisë së Kosovës, godet gjakun e derdhur për liri të dëshmorëve e martirëve, godet dinjitetin e të gjithë veteranëve të luftës së UÇK-së.

Po ashtu është evident dhe i pamohueshëm fakti se disa nga krerët kryesorë të luftës dhe politikës, për interesat e tyre individuale, grupore e partike  nuk lejuan që shoqatat e veteranëve të merrnin në mbrojtje bashkëluftëtarët, duke postuar në krye të shoqatave veteranë të dëgjueshëm, të cilët nuk kanë marrë as marrin ndonjë nismë vitale për mbrojtjen e vlerave të luftës, madje as për vetjet e tyre  pa marrë aprovimin nga “lartë”.

Veprimi i tillë krejtësisht i dëmshëm, i papërgjegjsëm ka bërë që veteranët të deprimohen, të humbin besimin në institucione, të shkapërderdhen dhe të mos interesohen për asgjë, por  vetëm për ekzistencën e tyre materiale gjithnjë të rrezikuar, sepse nuk mund të mbijetojë një familje veterani me 170 euro lëmoshë në muaj që merr nga Qeveria dhe kur dihet se  më shumë se gjysma e tyre jo vetëm që nuk kanë qenë fare në luftë, por ka në mesin e tyre edhe të tillë që e kanë kundërshatuar me forcë shtrirjen e UÇK-së gjatë luftës.

Politika perfide e klaneve politike dhe jugo-medieve në shërbim të tyre dhe   kundër UÇK-së, ka dhënë dhe po jep rezultate. Tani 18 pas luftës dhe fitores, kur duhej të ishin shëruar deri diku plagët e luftës të dhjetëra mijëra shqiptarëve të shkaktuar nga Serbia, po hapet kapitulli i demonizimit ndërkombëtar të UÇK-së, me themelimin e gjykatës fashiste e raciste kundër çlirimtarëve me përkrahjen e vetë krerëve të luftës dhe aprovimin e heshtur të mijëra veteranëve, të cilët gjatë këtyre 18 viteve kanë qenë pjesa më e atakuar, më e poshtëruar dhe më fyer nga të gjithë ndërkombëtarët, pa asnjë dallim dhe nga një pjesë e madhe e krerëve të  luftës, apo nga që kanë frerët e politikës në vend dhe kanë arritur pacifikimin e plotë të UÇK-së dhe vlerave të saj.

Tani, Gjykata Speciale, raciste e fashiste kundër UÇK-së Kosovën  e gjen sikur në vitin 1945, kur komunisët shqiptarë të Kosovës kishin marrë përsipër likuidimin,  arrestimin, dënimim me pushkatim, dënimin me burg të rëndë dhe punë të detyrueshme deri 20 vjet të luftëtarëve të NDSH-së, duke  burgosur, dënuar  e likuiduar 1200 prej tyre prej vitit 1945 e deri në vitin 1951.  Krahasimi dikujt do t’ i duket i pa qëndrueshëm, por e vërteta është edhe më e hidhur, sepse bota përparimtare demokratike e asaj kohës i kishte reaguar dhe kishte dënura viktimat e terrorit komunsi jugosllav, ndërsa tani po kjo botë të quajmë demokratike, anashkalon kriminelët më mizorë të kohës dhe dënon viktimat, ata që patën guxim dhe morën armët për të luftuar regjimin fashist të Beogradit.

Veteranët e vërtetë, ata idealistë që kanë luftuar për çlirim dhe jo për t u pasuruar pas  luftës, ata që në qenie, në shpirtin dhe forcën e tyre kanë Atdheun dhe bashkimin e kombit, nuk janë manipuluar dhe nuk mund të manipulohen. Ata tani ndodhen para dilemës hamletiane, të jesh apo të mos jesh!

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Shpërthime të eksplozivit nëpër vendbanimet shqiptare. Një pjesë e delegacionit shqiptar nga Aeroporti i Prishtinës niset për në Rambuje (13 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Shpërthime të eksplozivit nëpër vendbanimet shqiptare. Një pjesë e delegacionit shqiptar nga Aeroporti i Prishtinës niset për në Rambuje (13 mars, 1999)

Rreth orës tetë të mëngjesit  kanë filluar granatimet e forcave serbe mbi disa fshatra të …