vala
vipa
muqa 900
Fillimi / Tema Historike / Roli i medieve të Shqipërisë në ngritjen e ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve nën Jugosllavi, gjatë viteve 1945-1990
Roli i medieve të Shqipërisë në ngritjen e ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve nën Jugosllavi, gjatë viteve 1945-1990

Roli i medieve të Shqipërisë në ngritjen e ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve nën Jugosllavi, gjatë viteve 1945-1990

Roli i Radio-Tiranës, RTSH-së dhe medieve të tjera të Shqipërisë në ngritjen dhe ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve jashtë Shtetit, gjatë viteve 1945-1990

Rimbetja e Kosovës dhe e trojeve të tjera shqiptare jashtë shtetit shqiptar, në vitin 1945, kishte paraqitur një rrezik i madh që iu kanosej atyre  nga asimilimi, humbja graduale e identitetit kombëtar dhe krijimi i një identiteti hibrid, komunist, të tipit të bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë.

Pikërisht për shkak të Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare të mbetura sërish nën okupimin  Jugosllav edhe marrëdhëniet shqiptare-jugosllave kanë pësuar batica e zbatica, por përgjithësisht i ka  karakterizuar një armiqësi e shprehur me konflikte të përhershme, jo vetëm verbale, por në rrethana dhe momente të caktuara edhe me një luftë e fshehtë konspirative mes agjenturash, e cila mori jetën edhe të shumë të rekrutuarve në këto shërbime, andej dhe këndej kufirit.

Shqiptarët e mbetur nën regjimin jugosllav, pas Luftës së Dytë Botërore, megjithatë do të gëzonin një nivel elementar të të drejtave arsimore e kulturore edhe për faktin se jo pak shqiptarë të këtyre trevave kishin luftuar në radhët e partizanëve në Koalicionin Botëror Antifashist. Pikërisht për këtë, në vitin shkollor 1945/1946,  në shumë qytete dhe fshatra të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi u hapen shkolla fillore, edhe pse në mungesë të shprehur të kuadrit mësimor në gjuhën shqipe. Disa nga mësuesit e ardhur nga Shqipëria, në vitet e luftës u përzunë nga regjimi jugosllav, sepse konsiderohej se ata i kishte dërguar regjimi italo-shqiptar dhe si të tillë ishin të papërshtatshëm ideo-politikisht. Megjithatë një numër i mësuesve nga Shqipëria kishin vazhduar punën në ngritjen arsimore  të masave shqiptare në Kosovës, e cila ishte rreth 90 për qind analfabete.

Krahas zhvillimit të arsimit, kulturës, shkencës dhe përpjekjeve që po bënin shqiptarët për të shëruar plagët e rënda të luftës pas mbetjes  nën robëri, shqiptarët liridashës me kohë dhe krejt natyrshëm ishin orientuar te Mëma Shqipëri. Dhe kjo, kështu kishte ndodhur qysh prej vitit 1912, kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe kur jashtë saj mbeten gati dy të tretat e popullatës shqiptare.

Konfliktet jo vetëm verbale e ideologjike mes Beogradit dhe Tiranës, vazhdimisht janë shprehur te popullata liridashëse shqiptare, e cila ishte vënë nën shënjestër të OZN-UDB-së dhe tërë aparatit shtetëror.

Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës, krejt natyrshëm kishte bërë përpjekje për t’i mbrojtur të drejtat legjitime të shqiptarëve  dhe i kishte mbrojtur në vazhdimësi gjithandej ku iu kishte dhënë mundësia.

E bindur se lufta për çlirimin Kosovës e trevave të tjera dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë do të vazhdonte shumë gjatë, Qeveria në Tiranë krahas propagandës zyrtare antijugosllave kishte vënë në funksion edhe propagandën mediale, radion, televizionin dhe shtypin, të cilat ishin bërë diga të fuqishme të propagandës kombëtare, por edhe ideologjike.

Një rol shumë të madh në edukimin patriotik, arsimor e edukativ  të masave në Kosovë, Maqedoni e Mal të zi  luante Radio-Tirana, e cila në valët e mesme dëgjohej kudo në Kosovë dhe në trevat e tjera të mbetura nën okupim. Dëgjimi i Radio-Tiranës në Kosovë e më gjerë trajtohej si vepër penale e kundërvajtjes dhe jo rrallëherë dëgjuesit arrestoheshin, maltretoheshin dhe dënoheshin me burg deri në dy muaj. Kjo mjaftonte që secili që kishte bërë një “delikt” të tillë, t’ i hapej dosja dhe t’i lëshohej prapa lukunia e spiunëve dhe inspektorëve të UDB-së.

Përnjëherë pas luftës së Dytë Botërore, në Kosovë ishte hapur edhe Radio-Prishtina, në Prizren më 5 janar të vitit 1945.

Ky radiostacion partizan ishte krejtësisht nën drejtimin ideologjik të Radio Beogradit dhe të mediumeve jugosllave. Për vite të tëra Radio-Prishtinë nuk arriti të fitonte as minimumin e pavarësisë, meqë të gjitha emisionet censuroheshin ndërsa lajmet përktheheshin shqip nga Agjencia shtetërore jugosllave e informimit, Tanjug.

Deri në fillim të viteve 70, kur marrëdhëniet shqiptare jugosllave do të liberalizoheshin po thuajse në të gjitha fushat, Radio-Prishtina, gazeta Rilindja dhe disa revista kishin qenë krejtësisht kopje e mjerë e medieve dhe propagandës jugosllave.

Në një terren të tillë, me një censurë të shprehur politike e ideologjike, Radio-Prishtina nuk i konkurronte dot Radio-Tiranës, e cila tashmë ishte kthyer në një medium qendror në edukimin patriotik dhe ideologjik të masave, ndërsa në Kosovë dhe në trevat e mbetura nën pushtim, ishte zëri që identifikohej më lirinë dhe bashkim kombëtar. Me plot përgjegjësi e them se nuk ka pasur shtëpi shqiptare në Kosovë të mos e ketë dëgjuar programin e Radio-Tiranës. Atë e kanë dëgjuar madje edhe familjet me orientim pro-jugosllav, me qëllim për të mësuar se çka po thonë armiqtë e Jugosllavisë nga Tirana.

Në cilat segmente ndikonte Radio Tirana, më vonë Radio Kukësi dhe RTSh-ja

Në kohën kur shqiptarët kishin fituar një nivel të kënaqshëm të të drejtave të tyre kombëtare, kulturore, por edhe politike, dhe të gjitha këto nuk ishin dhuruar nga Beogradi por ishin dhënë si rezultat presionit të veprimtarisë së Lëvizjeve ilegale dhe mbajtjes në burg të mijëra shqiptarëve, të cilët trajtoheshin armiq të Jugosllavisë, doemos se rolin dominues dhe propagandues e luante Shqipëria, e cila me frymën militante marksiste leniniste, por edhe me një program me përmbajtje thellësisht kombëtare ishte e pranishme kudo në shtëpitë e shqiptarëve të mbetur nën regjimin jugosllav.

Radio-Tirana kishte një program shumë të larmërishëm. Përveç lajmeve të cilat kryesisht trajtonin zhvillimin ekonomik të vendit dhe propagandës partiake, kjo Radio transmetonte edhe emisione nga historia kombëtare, nga kultura, letërsia, shkenca, mjekësia dhe sidomos kishte një repertor shumë të pasur të këngëve të të gjitha motiveve.

Në vitet 70, një Radio-Prishtina kishte filluar edhe emetimin e disa këngëve, kryesisht popullore të Radio-Tiranës, ndërsa Shoqëritë Kulturore Artistike, kudo në Kosovë e më gjerë, në programet e tyre emetonin këngët e këngëtarëve të njohur si: Fetnete Rexha, Xhevdet Hafizi, Marie Kraja, Luçie Miloti, Aziz Ndreu,  Naile Hoxha, e shumë këngëtarëve të tjerë.

Emisionet më të dëgjueshme dhe më të preferuara të Radio Tiranës në Kosovës kanë qenë: “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”,  emision javor, Radio Drama, po ashtu emision javor,  Emisioni kulturës, Fjala artistike në mikrofon, emisionet e këngëve popullore e folklorike e veçmas edhe programi për bashkatdhetarët.

 

Emisionet e Radio-Tiranës komentoheshin nga studentë dhe rinia revolucionare e Kosovës. Shumë nga shkrimet e “Zërit të Popullit” sidomos ato që atakonin politikën jugosllave, incizoheshin me magnetofonë dhe më pas shkruheshin me makinë shkrimi, shumëzoheshin me shaptilografë dhe shpërndaheshin në formë traktesh e pamfletesh.

Në gjysmën e dytë të viteve 70, kur po bëheshin përgatitjet për të shënuar 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, valët e Radio Televizionit Shqiptar kishin depërtuar edhe në shumë vende të Kosovës. Të interesuarit kishin sjellë në treg një antenë sllovene të kanalit 12, ashtu quhej asokohe dhe me të,  duke e drejtuar në një koordinatë të caktuar mund të përcillej edhe programi televiziv i RTSH-së, që ishte një si ëndërr për të gjithë liridashësit e Kosovës e më gjerë.

Roli që asokohe ka luajtur RTSH-ja Radio Tirana dhe Radio Kukësi në ngritjen dhe ndërgjegjësimin kombëtar të shqiptarëve ka qenë i pazëvendësueshëm, edhe për faktin se në Kosovë mund të  ishte krejt e rrallë ndonjë shtëpi që nuk kishte radio, e më vonë edhe televizor.

Se deri në ç masë ishte ngulitur ky program kombëtar i medieve elektronike të Shqipërisë në kokat e shqiptarëve liridashës të Kosovës, e ilustron edhe një shembull jo sa duhet i njohur për opinionin.

Qysh në pranverë të vitit 1981, kur politika zyrtare e Shqipërisë kishte përkrahur dhe vazhdonte të përkrahte kërkesat e drejta të demonstratave studentore për krijimin e Republikës së Kosovës, krerët politikë të Jugosllavisë kishin dënuar politikën e përkrahjes nga Tirana, ndërkohë që ishin ndërprerë njëanshëm edhe marrëdhëniet kulturore e deri diku edhe ato tregtare e diplomatike.  Tirana zyrtare ishte akuzuar se kishte indoktrinuar masën studentore shqiptare, se mbante qëndrim paternalist ndaj Kosovës, se po nxiste demonstratat dhe po përkrahte armatën e rinisë militante shqiptare e cila nga regjimi titist-ranokviqist, etiketohej si “nacionaliste e irredentiste”. Qysh në verë të atij viti,  komunistët jugosllavë dhe shqipfolësit e megafonët e tyre në Kosovë, kishin marrë qëndrim ta pengonin depërtimin e valëve të medieve elektronike të Shqipërisë.

Detyra për pengimin e valëve iu kishte dhënë një ekipi të inxhinierëve shqiptarë, por edhe serbë të Radio Televizionit të Prishtinës, të cilët duhej të bashkëpunonin me një grup inxhinierësh serbë nga Nishi me qëllim për të instaluar në qendrën e distribuimit të valëve në Golesh, pengues të fuqishëm të radio-valëve që përhapeshin nga Shqipëria.

Të ndodhur para aktit të kryer katër inxhinierë shqiptarë kishin marrë vendim që ta sabotonin punën, të paktën deri sa të kryente punën Kongresi i nëntë i PKSH, i cili i u mbajt  në dhjetor të vitit 1981. Ata kishin arritur ta shtynin afatin dhe pasi kishte kryer punimet kongresi kishin aktivizuar penguesit, të cilët për 8 vjet rresht kishin penguar programet e Radio-Tiranës, RTSH-së e Radio-Kukësit. Pavarësisht pengesave dhe zhurmës së padurueshme, që kishte instaluar pushteti okupator titist,  valët e Radio-Tiranës, megjithatë përhapeshin ku më shumë e ku më pak në të gjitha viset shqiptare nën pushtimin jugosllav.

Ahmet Qeriqi