leoni

Rrahim Islam Bajarktari (28.3.1978 – 12.4.1999)

Rrahim Islam Bajarktari (28.3.1978 – 12.4.1999)

Familja Bajraktari e Drenasit shquhet për një traditë të vazhdueshme atdhetare, në shërbim të kombit e atdheut. Në kohën e Luftës së Dytë Botërore, Ramadan Bajraktari dhe vëllai i tij Hasan Bajraktari kishin luftuar në mbrojtje të Kosovës nga bandat çetnike dhe partizane serbe në Kollashin. Me rastin e fillimit të rezistencës antijugosllave të Shaban Palluzhës, ashtu si shumë luftëtarë të lirisë edhe vëllezërit Ramadan dhe Hasan Bajraktari bien në altarin e atdheut, në shkurt të vitit 1943 në vendin e quajtur Kolashin në Mal të Zi.

Radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për çlirim nga robëria serbe, familja Bajraktari ia ka dhënë dëshmorët: Rrahim Bajraktari, Halil Bajraktari dhe Halim Bajraktari, si dhe 6 martirët: Muhametin, Hasanin, Ekremin, Shpendin, Bekimin dhe Arbenin.

Rrahimi ishte biri i Islam Bajraktarit dhe i nënë Fetijes. U lind më 28 mars të vitit 1978, në Çikatovë të Drenasit (ish-Gllogoc) të Drenicës. Mësimet fillestare i mori në vendlindje. Të mesmen e vazhdoi në Paklek, por në kushte dhe rrethana të fillimit të luftës nuk i vijoi mësimet.

Pas Betejës në Rezallë të Re (ish-Ludovik), më 26 nëntor 1997, daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë të Skënderajt, dy ditë më vonë, qëndresës heroike të Komandantit Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë në Prelaz të Ulët më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 rinia atdhetare e Drenicës nuk kishte më hamendje se kishte apo jo UÇK, por ishte e sfiduar për t’u pajisur me armë dhe për t’iu bashkuar radhëve të kësaj lufte.

Grupet guerile ilegale ishin përhapur në vende të caktuara në Drenicë, qysh nga vitit 1993-1994. Në fshatin Abri e Epërme, qysh në vitin 1995 vepronte ilegalisht njësiti operativ i UÇK-së, i quajtur “Guri”.

Siç ka shpjeguar luftëtari i radhëve të para të UÇK-së, Isa Xhemajlaj nga Abria, gjatë luftës Komandant i Batalionit të Dytë të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Oerative të Drenicës, më 4 mars të vitit 1998, grupi gueril “Guri” kishte dalë nga ilegaliteti dhe ishte pasuar edhe nga shumë vullnetarë. Në mesin e vullnetarëve ishin edhe vëllezërit: Rrahim Bajraktari dhe Nexhmedin Bajraktari.

Më 25 qershor 1998 ishte marrë vendimi për të dërguar vullnetarë në Shqipëri, me qëllim për të marrë armë dhe municion. Së bashku me Rrahim Bajraktarin atje kishin shkuar dhe Faton Seferi, Nexhmedini, vëllai i Rrahimit, Qerim Limani, Musli Januzi, Fatmir Isufi dhe Arben Isufi. Që të gjithë kishin kaluar me sukses kufirin dhe pas dy javë qëndrimi në Shqipëri me armë, municion dhe uniforma shumë të preferuar për luftëtarët ishin kthyer në frontet e luftës në Drenicë.

Prej Drenicës niset për në Shqipëri me shokët, Qerim Limani, Faton Seferaj, Musli Januzi, Fatmir Isufi dhe me një kolonë të gjatë. Pas një ore rrugë të shkurtër mbërrijnë në Jabllanicë ku qëndruan dy ditë, prej nga nisen për në Gllogjan, ku qëndrojnë rreth tri orë derisa bëhet rreshtimi në një kolonë të gjatë për të filluar rrugën në orën 17:00, e cila vazhdon tërë natën. Gjatë këtij rrugëtimi Fatmir Isufi e kishte lënduar këmbën dhe me ndihmën e shokëve në orën 4:00 të mëngjesit mbërrijnë në Junik. Pas një pushimi nisen përsëri drejt kufirit të Shqipërisë dhe pas një rruge të gjatë, në mesnatë mbërrijnë në zonën e kufirit, ku dukeshin disa kuaj të vrarë si pasojë e një prite që kishin pasur disa nga luftëtarët derisa po mundoheshin të sillnin armë nga Shqipëria në Kosovë. Në të njëjtën pritë bie dëshmorë luftëtari i UÇK-së, Hysni Nebih Jetullahu, nga fshati Damanek i Drenasit. Pas kalimit të kufirit rreth orës 2.00, në territorin e Shqipërisë pushojnë deri në orën 5:00.

Rrahimi me vëllanë Nexhmedinin dhe me shumë shokë të tjerë niset për në vendin e quajtur Haxhaj në qytetin Bajram Curri. Pas një rruge të gjatë dhe të lodhshme, në orën 16:00 mbërrijnë atje ku takohen me qindra të rinj e të reja nga Kosova që kishin marrë rrugën për t’u armatosur. Terri tashmë kishte rënë dhe për të fjetur vullnetarët u detyruan të mbledhin dushk mali. Pas dy javë qëndrimi dhe armatosjes në Shqipëri, rreshtohen dhe nisen për në kufi. Rreth orës 23:00 mbërrijnë në pikën kufitare te “Rrasa e Zogut”, ku bien në pritë të forcave militare serbe. Luftimet zgjasin 2 orë e gjysmë dhe pasi pushojnë të shtënat kthehen mbrapa ku shohin se kolona ishte ndarë në dy pjesë: njëra kishte hyrë në Kosovë, ndërsa tjetra ku ishte Rrahimi së bashku me shokët Qerim Limanin, Musli Januzin, Faton Seferin, Fatmir Isufin e disa ushtarë të tjerë mbetën në zonën kufitare brenda Shqipërisë.

Pasi ndërrojnë pozicion takohen me një kolonë të madhe ushtarësh që po hynin për në Kosovë me armë. Aty presin deri në ora 22:00 por përsëri fillojnë luftimet dhe pas një ore urdhërohen të tërhiqen mbrapa, pa pasoja.

Pas 4 ditësh qëndrimi në pikën kufitare, Rrahimi me shokë dhe të vëllanë, Nexhmedinin, rreth orës 23:00 niser për në kufi dhe në pikën kufitare mbërrijnë në orën 1:00 të ditës tjetër. Ishte mot me shi dhe mjegull e cila lehtësoi kalimin e kufirit.Në orën 5:00 të mëngjesit hyjnë në zonën kufitare të Kosovës dhe pa pushuar aspak marrin rrugën për në Junik, ku mbërrijnë në orën 12:00 dhe qëndrojnë deri në orën 17:00 sepse nga Juniku deri ne Gllogjan duhej të ecnin natën, pasi ishte vetëm një korridor i hapur nga UÇK-ja. Në orën 4:00 hyjnë në Gllogjan. Aty kishin pushuar rreth një ore, pastaj hipin në disa kamionë dhe depërtojnë në zonën e Malishevës.

Pas arritjes nga Shqipëria ku Rrahimi me bashkëluftëtarët ishte pajisur me armë e municion, ishte sistemuar në Pikën luftarake “Guri 1” në fshatin, Rezistencë (ish-Baicë), te shkolla e fshatit e cila tashmë ishte kthyer në Kazermë ushtarake.

Me rastin e strukturimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në tetor të vitit 1998, Rrahim Bajraktari caktohet në Skuadrën e Tretë të Togës së Parë të Kompanisë së Parë, të Batalionit të Dytë të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Operative të Drenicës. Ai tashmë ishte luftëtar i dalluar dhe i gatshëm për të luftuar kudo ku paraqitej nevoja.

Gjatë kohës së luftës ka marrë pjesë në shumë luftime e beteja, në Grykën e Llapushnikut, pastaj në Rezallë, në Likoc, në Aqarevë, ku edhe ishte plagosur.

Është shquar për trimëri dhe luftë përballë forcave serbe në ofensivën e shtatorit të vitit 1998, në Baicë. Prej 22 deri më 26 shtator, forcat e UÇK-së në pikat strategjike të Baicës kishin rezistuar fuqishëm dhe nuk kishin lejuar depërtimin e forcave serbe drejt popullatës civile, e cila ishte zhvendosur në Grykën e fshatit Tërdevc. Rrahimi ishte në pikën e mbrojtjes me mitralozin e tij, e cili villte plumba mbi forcat armike serbe. Gjatë luftimeve, kësaj radhe ishte plagosur në kokë, por nuk ishte dhënë.

Në janar të vitit 1999, Rrahim Bajraktari, me urdhër të Brigadës, nga fshati Qikatovë e Re transferohen në Kompaninë e Dytë ku përqendrohet në relacionin DrenasSkënderaj, meqë ushtria e policia serbe kishte dislokuar forca të shumta të motorizuara me qëllim për ta goditur sërish Drenicën, vatrën e pashuar rë rezistencës kombëtare shqiptare nëpër shekuj.

Rrahimi ishte dalluar në sulme taktike kundër forcave serbe, të cilat kishin zënë pozicione afër rrugës në pika strategjike, nga ku pa ndërprerë hidhnin granata mbi pozicionet e UÇK-së dhe mbi popullatën civile, e cila ishte zhvendosur nëpër gryka malesh.

Pas fillimit të intervenimit të forcave ushtarake të Aleancës Veriatlantike, më 24 mars 1999, forcat serbe ishin egërsuar dhe kishin filluar ta zbrazin mllefin e zemërimin kundër UÇK-së dhe kundër popullatës civile.

Me forca të mëdha ushtarake e policore, serbët ishin drejtuar kundër të gjitha pikave të UÇK-së. Çlirimtarët e Kosovës, edhe pse krejtësisht të pabarabartë në numër dhe në municion, falë moralit të fortë dhe vetëdijes se po luftonin një armik të lig dhe të egër, taktizonin dhe zhvendoseshin nga një zonë në tjetrën. Ata ishin në hall me popullatën civile të cilën në kushte lufte detyroheshin ta ndihmonin të kalonte nga një vend në tjetrin.

Bashkëluftëtarët e tij, Shefqet Limani, shok i shkollës që nga viti i parë, pastaj Faton Seferi, Besim Leku, Qerim Limani. Musli Jonuzi, Asim Demaku, Bekim Rama, Florim Kiçina dhe vëllezërit e tij bashkëluftëtarë, Nexhmedini e Hakiu, në kujtimet e tyre për dëshmorin Rrahim Bajraktari kanë pasqyruar momente të rëndësishme të jetës dhe luftës së tij heroike. Të gjithë këta, e të tjerë, si dhe Komandanti Isa Xhemajlaj kanë spikatur guximin, vetëmohimin dhe vendosmërinë e tij për të luftuar deri në pikën e fundit të gjakut. Në të dyja rastet e plagosjes, ai nuk ishte ndalur. Duke qenë me plagë në shtat kishte bartur mbi supe bashkëluftëtarin e tij, Besim Lekun, të cilin e kishte dërguar te popullata civile dhe e kishte lënë nën përkujdesjen e një nëne, pa e ditur se ajo ishte nëna e të plagosurit, ndërsa vetë me plagë në trup ishte kthyer në front.

Më 21 mars të vitit 1999 ka marrë pjesë në luftime te Lisat Binjakë në Terstenik, ku kishte rënë në luftime komandanti Bekim Hysenaj dhe kishte marrë plagë luftëtari, Shpëtim Heta. Nën breshërinë e granatimeve të forcave serbe, Rrahim Bajraktari me bashkëluftëtarët e tij kishte tërhequr trupin e dëshmorit të rënë dhe luftëtarit të plagosur.

Më 12 prill të vitit 1999, luftëtarët e lirisë ku bënte pjesë edhe Rrahimi ndodheshin në pikën e Kozmaqit. Atë ditë gjatë luftimeve kundër forcave serbe bien në altarin e Atdheut: Rrahim Bajraktari, Elmi Lestrani dhe Ismail Thaçi. Pas rënies së vëllait dëshmor, vazhdon luftën në radhët e UÇK-së edhe vëllai tjetër i Rrahimit, Haki Bajraktari. Ai së bashku me vëllanë tjetër, Nexhmedinin dhe luftëtarët e tjerë të Drenicës mori pjesë në luftime deri në ditën e çlirimit të Kosovës nga robëria serbe në qershor të vitit 1999.

Trupi i dëshmorit Rrahim Bajraktari, një ditë pas rënies është varrosur në vendin e quajtur “Gryka e Ramadanëve”, në fshatin Baicë, ndërsa është rivarrosur në gusht të vitit 1999.

Më 26 prill 1999, forcat serbe rrethojmë fshatin Çikatovë, ndërsa cak i represionit ishte familja Bajraktari. Ata marrin Hajrullah Bajraktarin, vëllanë e dëshmorit Rrahim Bajraktari dhe e torturojnë mizorisht. E mbajnë në burg për gjashtë muaj e gjysmë duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore.

Dëshmori Rrahim Bajraktari ka lënë vëllezërit: Mehdiun, Hakiun, Nexhmedinin e Hajrullahun dhe motrat: Bahtijen, Shehrijen, Afërditën, Luljetën, Selvijen dhe Liridonën.

Familja Bajraktari ka marrë mirënjohje për dëshmorët: Rrahim, Halim dhe Halil Bajraktari nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, Komuna e Drenasit, nga Radio-Kosova e Lirë, Lëvizja për Bashkim.

Një rrugë në fshatin Çikatovë e Re mban emrin e dëshmorit Rrahim Bajraktari. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Mirsad Salih Gashi (1.2.1980 - 16.4.1999)

Mirsad Salih Gashi (1.2.1980 – 16.4.1999)

Salih Gashi nga Buzëllapi (ish – Dobërdoli) i Llapit ishte i martuar me Sabile Zekën …