Rrustem Geci

Rrustem Geci: Heroika

Poemë për Kryengritjen e vitit 1981

 

Tek po pija  kafenë e mëngjesit,

një zë  shumëzohej  nga  qyteti;

lashë kafenë  dhe dola në rrugë

 

Në  Prishtinë, kudo  kryengritje

Ajo këngë e zëshme e Kosovës,

ai zemërim gjigant i studentëve,

bekimin  e  kishte  nga  populli,

 

nga vuajtja e tij dhe padrejtësia.

O sa heroik ishte  himn i rinisë!

O sa e bukur mu duk Prishtina!

Me të tëra ato duar të bëra grusht

 

E pashë urtësinë e  një  vullkani.

Unë, më i vogli poet  i  Kosovës,

një qytetar i thjeshtë dhe pa tituj,

mblodha vetë disa pika të gjakut

që ai mars-prill 1981 të shkruhet!…

 

 

2

 

 

Studentët, loçkat  e  shpirtit,

më të mirët  e kombit, më të

dashurit; më të patremburit,

thyen xhama, pasqyra, orendi,

goditën figurën e pushtuesit,

për  ta  nxjerrë  në  shesh  të

vërtetën, dhe atë ferr të bërë.

Në kryengritjet 1968 – 2000

mbi rininë trime të Kosovës

u sul e gjithë ushtria e serbit,

individë të muzgut, karkalecë-

policë me medaljone krimesh,

njerëz me urejtje të përtejme

specialistë  të  ndëshkimeve,

titistë  me  babë  dhe  me  bir,

udbëistë të çajtoreve, berberë

miq të armiqve të sofistikuar,

drejtorë bankash, komunistë,

gjykatës me  pozita  në  shtet-

iu vërsulën rinisë së Kosovës,

moshës  sonë   më  trimërore…

 

3

 

Në ato vite të kryengritjeve

dhe të urtësisë së  vullkanit,

një  natë  në  Prishtinë , në

Tavnik e në Ferizaj, në Pejë

e Prizren , në Gjilan dhe në

Gjakovë, në Tetovë e Ulqin,

në Prizren e Skënderaj, në

Preshevë e Kumanovë, në

Mitrovicë dhe në Medvegjë

edhe ëndërrat kullonin gjak…

Prej se  njihen  të  mbjellat

dhe prej se njihen të korrat,

Kosova të bukurën e saj e ka

në gjuhë, në armë, në luftë, –

flisnin gjyshet dhe gjyshërit…

Nëpër traktet  e viteve 1981

të çdoditshme ishin thirrjet;

vullneti i popullit nuk shkilet,

vullneti i popullit nuk jepet,

vullneti popullit nuk shuhet,

as me tanke, e as me burgje

Kosova s´heq dorë nga liria!…

 

 

4

 

Në ato  vite  të  pushtimit  serb

shqiptarët ishim  të  kërcënuar

natën, ditën, në rrugë, në punë;

sulmoheshin  shkollat  shqipe,

mielli  dhe buka; mësuesi  dhe

libri, emri e mbiemri, identiteti

sulmoheshin  veshjet,  dasmat

kostumi  dhe  veturat, punët  e

ditës, ndenjat  e vona,  njerëzit

e zakonshëm, të  mbjellat  dhe

të  korrat, të  drejtat  për  festat

fëmijët na i arrestonin, sa herë

I  kremonim  festat  e betejave…

Në ato  vite  të  pushtimit serb

serbët pakicë  na gjenociduan,-

të  përkrahur   nga   Beogradi,

shtienin në çdo  gjë  shqiptare,

vrisnin që  të shpërnguleshim

nga  tokat  tona   stërgjyshore.

Në ato vite të  gjenocidit  serb

në sofër të familjes  shqiptare

mungonin  fëmijët, shija  dhe

ngjyra  e  një  Kosove  të  lirë!

 

 

5

 

Në   Kosovën   e  atyre  viteve

Prishtina,  kryengritësja   jonë,

u ngrit lotët  t´i kthejë në gurë,

në grushta, në armë, në beteja!

Zullumi këputet  prej së trashi

-shkruan  në  librin  e  urtësisë

Prishtina , trimja   e  Kosovës,

pështyn ekranin  e  televizorit,

natën e zezë  pis  dhe  ngrihet

shtypjen me  grusht ta  mbysë!..

Vlimeve të mëdha të Kosovës

kryengritësja kudo na thërriste

të bëhemi me  më shumë duar

dhe  më   me  shumë   grushta!…

Preshevë, Shkup  dhe  Tetovë,

të mblidhemi në sheshet tona,

që Kosovën  ta  bëjmë  të lirë,

të bukur  dhe  të  përbashkuar!..

 

 

6

 

Kosovë, bëje  dorën  grusht!

Është  çasti  i  sprovës  sonë,

mbaje sqimën, mos u tremb!

Prishtina  sonte s´ ka gjumë,

ajo na do të jemi  në  betejë

dhe kudo ku ka  një  prangë

të  shtjejmë  mbi pushtuesin…

Unë, më  i  vogli  poet, më i

vockli, një banor  i Kosovës

i mblodha  ca pika të gjakut

kjo poemë  të mos humbasë.

Kosovë, sonte nuk jam poet,

sonte jam i njëjtë si gjithë të

tjerët, kam  aq  gjak  në trup

që të jem  së  bashku  me  ju…

Prishtinë, e bukura e atdheut,

këngën mos  e  le  të  të  ikë,

mbaje  fort  dhe  shtrëngoje,

është gjakja  jonë  e  shpirtit!

 

 

7

 

Kosovë, te ti  jam më afër ajrit,

Më  afër  ujit  më afër  frymës,

Më afër  betejave  dhe  flamurit,

dhe më afër dheut dhe atdheut!..

Këngë të lirisë, këngë trazirash,

Kryengritja fillon  tek  shtëpitë

Në shesh i kemi djemtë e lirisë

Bijtë e dardanisë së lashtë, bijtë

e Çamërisë; labeatët  e  Ulqinit,

Këtu kemi Shkupin e Prevezën

dhe  Preshevën   deri   në  Nish!…

Prishtina  sonte nuk ka gjumë,

Ajo është e tëra në  sheshet  e

saj, populli ynë është atdhetar,

Tokat e tij  ai  nuk  di  t´i  falë!..

Armik, kot qahesh për fitoren

tonë,  zullumi   këputet   prej

së  trashi, atë  e  thotë  populli

se  ti  preke  atë  që  s´ preket,

dhe  shkele  atë  që  s´shkilet?!

 

 

8

 

S´njoh dashuri më të madhe

Se  liria, se  dheu  i  atdheut

U ngrita nga birucë e burgut

Ti  mar tokat që ti m´i more!

Se prej këtu e këtej unë jam

zot i tokave të  mia, i qiellit

Shqipërinë kam dhé e atdhe

përderisa të ketë  diell e yje!…

Serbi, famën e prangave tua

e rrëzuam, të quem në Hagë

Dhe atje ty  të  dhanë dënim

Për krimet  tua  të  përtejme

Plagët  janë  të  freskëta, kur

policët tu gajaseshin, tiiiiiiii,

kur na i dhunonit grtë e vajzat!

Serbi, armike  e kombit tim!

Ti  preke  barkun  e  butë  të

grave   tona,  pikën   më   të

ndjeshme  të  së  bukurës  së

njeriut! Zullumi këputet prej

sëtrashi!Këtë e thotë populli

Kosova lirinë e  ka  Shqipëri!..

 

 

9

 

Të gjitha  kohërave  gjak  u  dhamë

në beteja  luftash  e burg të rëndë

i  vumë  plisin  Kosovës Dardane

në  Trojën  e  parë   Trojën e ndanë,

në  Trojën  e  dytë  Trojën  e  vranë

në  Trojën  e  tretë  turqit   na   ranë

Të  gjitha kohërave  gjak  u dhamë

të  lirë  të  rrojmë  në  vendin  tonë

gjak  dhamë  për  tokë  e  për  qiell

gjak  dhamë   të  rrojmë  më  mirë!..

Të gjitha kohërave  gjak  u dhamë

vet  të  jemi  zot  në  atdheun  tonë

që  diellit  t´i  themi  mirëmëngjes

dhe  lirisë  t´i  themi  këtu  të  kem!..

 

 

Rrustem Geci – Prishtinë, mars-prill, 1981

Kontrolloni gjithashtu

Albert Zholi

-Albert Z. ZHOLI: Flasin për Ditën e Verës: Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka

Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa. Leka -Dita e Verës nuk …