Ruzhdi Jashari

Ruzhdi Jashari: 19 vjet nga MASAKRA E REÇAKUT

                        (15 janar 1999 – 15 janar 2018)

Vitet po ikin, janë gati dy dekada që na ndajnë nga kjo ngjarje, sa e dhembshme aq edhe krenare. Kujtimet janë të freskëta te secili prej të mbijetuarve të gjallë. Kosova gjatë vitit `98-`99 kishte dhunë të tmerrshme. Masakra e gjenocid përjetoi pothuajse secili vendbanim i Kosovës. Serbia vrastare nuk po kursente as një njeri, pa marr parasysh gjininë grupmoshat e aspektin social të popullsisë! Pra, nga bajonetat e plumbat vrastarë, të armikut shekullor, nuk u kursyen as fëmijët e porsalindur, as pleqtë, as femrat, as shtatzënat, as të sëmurët e të hendikepuarit. Nuk u kursyen as akademikët e klerikët. Edhe prona, e gjithçka e gjallë digjej e plaçkitej sipas planit serb “taktika e tokës së djegur”, për largimin e shqiptarëve të Kosovës nga tokat e veta stërgjyshore!

Reçaku ishte një rutinë, ishte masakra e radhës sipas planit e qejfit të planifikuesve serb. Reçaku ishte një pikë që po e prishte planin serb, po e pengonte zhvillimin e operacioneve për zhbërjen e Kosovës. Po e pengonte lëvizjen e makinerisë serbe mbi fshatrat tona, mbi popullsinë e kulturën shekullore të rrënjëve tona! Andaj, pas tërheqjes së ushtrisë serbe nga Pishat e Shtimes, prishej marrëveshja e pranuar nga pala serbe; që ushtria serbe të kthehej në kazerma. Kjo ishte koha kur OSBE-ja ishte vendosur në Kosovë në bazë të marrëveshjes se tetorit (1998) Millosheviq – Hollbruk. Në ballë të këtij misioni ishte njeriu i guximshëm amerikani Uiliam Voker.

Tashmë, syri ndërkombëtare, përmes mekanizmave të shumtë, e veçmas OSBE-ja po i përcillte hap pas hapi zhvillimet në Kosovë.

Ushtria serbe, në orët e para të mëngjesit të 15 janarit të vitit 1999 në koordinim me forcat e rregullta dhe të pjesës rezerve të policisë ia mësyn Reçakut. Fshati u sulmua nga pjesa lindore e veriore me artileri të rëndë. Ndërkaq edhe nga drejtimet tjera operacionet e ushtrisë serbe ndihmoheshin nga forcat e policisë! Ndërkohë që Serbia aktivizoi edhe forcat e njësiteve të helikopterëve.

Cili ishte qëllimi?

Pra, synimi ishte i qartë, asgjësimi i forcave guerile të UÇK-së. Tentohej mbjellja e frikës dhe panikut për pastrim të territorit nga elementi shqiptar. Metodat dhe format e dhunës, për Serbinë tashmë ishin të njohura. Rrënjët i kishin në planet e tyre të bekuara edhe nga kreu politik dhe kisha ortodokse serbe. Fshati në atë kohe kishte rreth 1200 banorë. Përmes masakrës planifikohej, gjithashtu, vendosja e qarjes së madhe në mes popullit dhe UÇK-së, tentohej që të hidhej baltë e pakënaqësi në UÇK-në përmes kuisilingëve dhe propaganduesve të paguar nga sigurimi shtetëror i Serbisë.

Ndërkohë që tashmë po përcillej secili veprim i Serbisë. Në Kosovë përveç mekanizmave ndërkombëtar, ishin të  akredituar edhe mediet. Në Reçak u masakruan 42 civil. Në beteja (15 janar `99- 19 janar `99) ranë edhe 11 ushtarë të UÇK-së dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, nga të gjitha grupmoshat e të dy gjinive – nga fëmija 12 vjeçar e deri te plaku rreth 80 vjeçar!

Me këtë rast ne vendin e krimit Uliam Voker deklaroi: “ky është krim kundër njerëzimit”,…., “Dreqi i zi ma nuk do te kthehet kurrë në Reçak”.

Nga Reçakasit dhe mbarë opinioni është pritur, me të drejt, që drejtësia të ishte vendosur në vend. Ushtruesit e krimit dhe urdhër dhënësit që e kishin përcjellë ekzekutimin e krimit nuk u sollën asnjëherë para drejtësisë ndërkombëtare as vendëse! Së bashku me kryesinë e fshatit Reçak, para 15 vitesh (2004), është ngritur padi kundër policisë, ushtrisë dhe forcave përgjegjëse të sigurimit serb të asaj kohe për Rajonin e Shtimes në Prokurori. Ngritja e padisë, është dorëzuar në Prokurorinë Rajonale të Prishtinës, në kohën e veprimit të UNMIK-ut. Prokuror përgjegjës ishte Osman Kryeziu.

Por, përveç 3-4 dëshmitarëve të intervistuar në procesin kundër Millosheviqit, në TPI të Hagës për Masakrën e Reçakut, veprime tjera sa i përket drejtësisë nuk u ndërmorën asnjëherë nga asnjë nivel i drejtësisë.

Sot, nuk mund të ketë amnisti, nga asnjë instancë, që nga pushteti lokal e deri te gjyqësori e drejtësia as vendëse e as ndërkombetare! Pyetjet janë të shumta: Sa ishte interesimi?, Ku ishte mbështetja?, Sa e sa herë u pyet prokuroria?, çoftë vendore e ndërkombëtare për vendosje të drejtësisë në vend..?. Cilat aktivitete u ndërmorën në këtë rast ku ishin pengesat….? etj., etj. Përgjigje natyrisht se nuk ka sepse edhe veprimet munguan nga ata që u veshën me votën e reçakaseve e të qytetarëve të Kosovës!

Në vitin 2004 u aprovua projekti për Kompleksin Memorial të Reçakut. Pa harruar të themi se një mbështetje të madhe në ketë drejtim, për realizimin e këtij projekti na e dha edhe Uiliam Voker! Ky projekt, që zhvillohet qe 15 vite, ende është i pa përfunduar…. Edhe shtëpitë që ishin nën mbrojtje, të planifikuara për shtëpi “etnologjike” të trashëgimisë sonë, tashmë janë rrënuar. Edhe aty ku ishin ekzekutuar qytetarët  gjatë masakrës, nuk kemi asnjë veprim konkret, e të mos flasim për hapësirat e gjelbëruara dhe të ndonjë doracaku apo fletëpalosje informative për vizitorët, që flet shkurtimisht për këtë ngjarje! Por si ç`duket një numër i madh i “politikanëve” tanë, kanë hyrë në “politikë” për të dalë shumë të pasur nga ajo. Reçaku thërret dhe mallkon, sa e sa herë, veçmas, ata që  kanë marrë përgjegjësitë e udhëheqjes së vendit. Jeni të mallkuar  nëse nuk punoni për vend e atdhe…. historia do t`ju dënojë!

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …