leoni

Sabedin Bajram Hajda (16.3.1960 - 27.5.1999)

Sabedin Bajram Hajda (16.3.1960 – 27.5.1999)

Ditët e para të pranverës së vitit 1998, për Rrafshin e Dukagjinit në përgjithësi, e për Gllogjanin dhe Shqiponjën në veçanti, prandaj edhe për kullën legjendare të Haradinajve, pas Luanit të mbetur në “Qafë-Mullar”, duhet të jenë ditët më të vështira, pasi që atyre ditëve veç ishin hartuar planet që në Gllogjan të përsëritet Prekazi, të rrënohet “Kulla e Qëndresës” e të shemben përdhe Ramushi, Dauti, Shkëlzeni, Enveri, Bujari e Hima, të gjithë Haradinajt e vënë në shënjestër të pushtetit serb që më herët, por veçanërisht pas vitit 1981. Sipas Haradinajve, “Për çlirimin e Kosovës është i domosdoshëm formimi i një mekanizmi të forcës”, prandaj edhe investimet e moderatorëve të forcës dhe të rezistencës së armatosur ishin të orientuar kah destinacioni, kah formimi i një mekanizmi që nënkuptonte formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për një qëllim të këtillë, edhe Xhelal Hajda-Toni, emrin e vërtetë të të cilit, në fillim, askush nuk e dinte për arsye se familjen dhe farefisin i, kishte në Rahavec, vuri në funksion të “Çështjes së Madhe” tërë pasurinë e fituar gjatë ditëve rinore, të kaluara në mërgim, tërë kapitalin që e kishte në Rahavec, prandaj, edhe i kishte angazhuar vëllazërit: Sinanin me të bijtë, Faikun me të bijtë, Mirsadin dhe Bajramin, Sadedinin dhe Fahredinin me dajallarët: Hysniun, Fitimin, Enverin dhe Xhevdetin, në vijat e para, kurse të afërmit e tjerë, në prapavijë.

Në Rrafshin e Dukagjinit, Xhelal Hajda, arrin në momentin e fillimit të thyerjes së mitit serb mbi pathyeshmërinë e ushtrisë serbe dhe të policisë të mbrojtur prej shqipfolësve dhe strukturave paramilitare e sekrete të sigurimit, ose në ditët e ngjalljes shqiptare, dhe si pjesëmarrës i luftërave në Kroaci e Bosnjë, gjendet në krye të shokëve e në ballë të luftës në tërë Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, me qendrat në Gllogjan e Shqiponjë. Me të ardhur në Gllogjan, Xhelal Hajda-Toni, lidhet me Selajdin Mullabazin-Micin, nëpërmjet Rexhep Selimit dhe Sokol Bashotës, prandaj edhe formohet një çerdhe për organizimin e rezistencës së armatosur e këtu angazhoi vëllezërit: Sinanin, Faikun e Sadedinin, me të bijtë, të cilëve u printe Sadedin Hajda. Për t’iu bërë krah i rezistencës edhe Selajdin Mullabazi-Mici angazhoi vëllezërit, Halilin dhe Ahmetin me të bijtë, u shtri te kushërinjtë, Nesimi dhe Gëzimi me djemë e nipër dhe kështu filloi veprimtaria aktive e skuadrës “Ura e Ali agës”.

Kjo skuadër vepronte nëpër aksin rrugor Rahavec-Xërxë dhe Bënjakë- Varri i Nuses, nëpër Shpatin e Remnikës, ku kalonin luftëtarët e lirisë nga Drenica e Adem Jasharit, nën përcjelljen e Haxhi Hotit të njohur si komandant Lleshi i Rogovës, deri në Drenoc, rrëzë Zatriqit. Me vendosjen e Shtabit Operativ Lokal të Batalionit të Rahavecit, Xhelal Hajda e Selajdin Mullabazi, të ndihmuar prej skudrës “Ura e Aliagës” ndikojnë në shtrirjen e shpejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sigurojnë qarkullimin nëpër aksin rrugor prej “Rrasave të Rahavecit” në drejtimet: Fortesë, Celinë, Krushë e Madhe, Rogovë, Romajë, Gërçinë e deri në Vlanë e në Cahan të Krumës.

Pas rënies të Xhelal Hajdës e të Selajdin Mullabazit te Kryqi i Apterrushit, më 6 nëntor 1998, vëllezërve Sadedin Bajram Hajda e Halil Hamid Mullabazi u mbetet një punë e madhe. Sadedini dhe Halili forcojnë veprimtarinë luftarake dhe kështu vazhdojnë luftën që e kishin filluar Toni e Mici, prandaj Sadedin Hajda rilidhet me Batalionin e Rahavecit në Reti, ndërsa, vepronte së bashku me dajallarët në fshatin Krushë e Madhe, me pretendime ambicioze që të zgjerohet kah Celina, Fortesa, Nagaci, Hoça e Vogël dhe Brestosi, për t’i marrë “Rrihjet e Rahavecit”. Këtë e pretendon duke u angazhuar në kompaninë e Bekim Sylkës, dëshmor i kombit, dhe kështu Sadedin Hajda, në maj të vitit 1999 gjendet në “Malet e Hamocit”, së bashku me Bekim Abdullah Sylkën e Mexhit Myrtezan Mustafën, të tretë dëshmorë të kombit.

Sadedin Bajram Hajda, i vëllai i komandantit, Xhelal Hajda – Toni, është i lindur në Rahavec, më 16 mars të vitit 1960. Ishte njëri prej gjashtë fëmijëve që i kishte lindur nënë Xhyla, bijë e Krushës së Madhe, e ardhur në vëllazërinë Hajda, vatër kjo e njohur e luftëtarëve, sepse Halit Hajda me Shaqë Leshanin e Belë Kërçagun, me Musë Metën e Ali Gërçinën, kishte luftuar kundër komitave serboçetnike të ardhura në Hoçën e Madhe e në Rahavec, menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë dhe kundër komitave të këtilla u luftua deri në vitin 1928.

Në prita e luftime kundër shkijeve, patën rënë shumë paraardhës të Sadedin Hajdës. Asnjërit nuk i dihet varri e as nishani. Edhe gjiri familjar i Bajram Hajdes, pas viteve 1968 e 1969, shembet ekonomikisht, prandaj Sadedinit i ra për hise që të rritet në një familje të varfëruar, që jetonte prej bujqësisë dhe kurbetit. Në kushtet e vështira ekonomike, në saje të punës me vek të nënës Xhylë, Sadedin Hajda mbaron shkollën fillore në Rahavec, duke udhëtuar nga 8 kilometra në ditë. Vazhdon gjimnazin në vendlindje dhe studion historinë së bashku me gjeografinë, në Shkollën e Lartë Pefagogjike “Bajram Curri” të Gjakovës. Për shok të studimeve e mbante Fadil Nimanin-“Tigrin”. Përveç Sadedinit, Fadili do ta ketë shok lufte më vonë edhe Xhelalin, me të cilin ishte njohur në Shqipëri dhe së bashku luftuan në të gjitha operacionet në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, që prej ditëve të para.

Sadedin Hajda nuk pati rastin të punësohet si mësimdhënës për lëndët që i kishte studiuar, pasi që ekonomia e shembur e trashëguar prej Bajram Hajdes dhe mërgimi i vëllezërve, Fahredinit dhe Xhelalit, e bënë të veten dhe Sadedinit i mbeti që të përkujdeset për familjen, sidomos për nënën Xhylë, të cilën ia pati lënë amanet Xhelali kur mori trastën e kurbetçarit.

Menjëherë pas përfundimit të shkollës së lartë, Sadedini tregoi një interesim të madh që të lidhet me ilegalen e Anadrinit, prandaj shumë shpesh lëviz nëpër fshatrat e Anadrinit, ndërsa me të dëgjuar për krismat e Prekazit dhe heroizmin e Jasharëve në krye me komandantin Adem Jashari, Sadedin Hajda zë të interesohet për të vëllanë Xhelalin, a është në Prekaz, apo në Gllogjan. Me t’u informuar se është në Gllogjan e Shqiponjë, lidhet me të vëllanë dhe fillon zhvillimi i Batalionit të Rahavecit.

Sadedin Hajda, me vëllazër e nipa, kujdeset për rregullimin e vendbanimit të këtij batalioni në “Kërshin e Keq”, por edhe për mobilizimin e luftëtarëve të lirisë. Shtëpitë e Hajdëve dhe të Mullabazëve u bënë çerdhe të ngrohta ku e kalonin natën shumë shpesh komandantët dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që vinin prej Drenice e Dukagjini, nëpërmjet Zatriqit, Drenajt, Nushpalit, Franajakës dhe Burimit të Poshtëm e të Epërm.

Të gjitha veprimet Sadedin Hajda i zhvillonte me të vëllanë Faik Hajdën dhe me të vëllanë e Micit, Halil Mullabazin. Gjatë luftimeve në Rahavec, Sadedin Hajda, duke u tërhequr nëpër “Malin e Kadirëve”, së bashku me Halil Mullabazin, bën rezistencë të pashoqe. Duke u tërhequr ata zbulojnë trupin e dëshmorit të rënë, profesorit Hamdi Berisha dhe operacionalizojnë tërheqjen e trupit të pajetë të dëshmorit. Aktiviteti luftarak i Sadedin Hajdës kulmon me kalimin e Batalionit të Rahavecit kah “Malet e Hamocit”, veçanërisht prej 20 majit të vitit 1999, kur komandant Tahir Sinani, në krye të Zonës Operative të Pashtrikut, forcon aktivitetet luftarake në Brigadën 124 “Gani Paçarizi” dhe Batalionin e Rahavecit. Edhe Sadedin Hajda i njihte mirë dhe i shfrytëzonte “Malet e Hamocit” dhe rrugët që zbrisnin në Rahavec. Krahas këtij zhvillimi, aktivitetin e shtrin në drejtim të Krushës së Madhe e Celinës, pasi që “Hamocet”, “Rrapishtet”, “Gryka e Bërnajakës”, “Lugi i Jollxhijës” dhe “Liqeni i Bllatës” ishin të njohura mirë për këtë luftëtar të lirisë, prandaj edhe përparësitë e këtij terreni i shfrytëzonte për mrekulli. Komandant Bekim Sylka, i ngarkuar me operacionet në “Hamoc” ia beson Sadedinit komandimin me një skuadër, e cila mbronte krahun e djathtë në një kurriz ndërmjet pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave paramilitare të Hoçës së Madhe. Kështu, Sadedin Hajda rregullon infrastrukturën komplete për sulme mbi pozicionet e Hoçës së Madhe, por edhe për mbrojtjen e pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të vendosura përreth “Lisit të Bajrakut” dhe “Vorrit të Daftit”.

Destinacioni i skuadrës së Sadedin Hajdës ishte mbrojtja e krahut të djathtë dhe pengimi i forcave serbe që të viJnë prej drejtimit të Hoçës së Madhe, eventualisht prej Brestosit, ndërsa vetë i pretendonte Rrihjet e Rahavecit. Por, me rënien e Bekim Sylkës, më 26 maj të vitit 1999, Sadedin Hajda heton se “Hamocet” po dobësohen, andaj më 26 maj udhëton në drejtim të fshatit Celinë, për të vënë lidhje telefonike me të vëllanë, Fahredinin, luftëtar i Brigadës 138 “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit. Në drejtim të fshatit Celinë analizonte “Grykën e Teheve” , “Lugjet” dhe “Parakatundet”, analizonte çdo skutë për sulm dhe tërheqje eventuale. Sajohej përshtypja se ka kureshtje për njohjen sa më të madhe të terrenit përreth “Maleve të Pisjakut” të Celinës. Bisedën e fundit e zhvillon në këtë fshat me të vëllanë Fahredin Hajdën, madje në prezencën e shumë luftëtarëve, të cilët shend e verë përcillnin se si depërtonin luftëtarët e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, ndërsa gjatë kthimit për në “Hamocet” analizon pranverën dhe lulëkuqet që kishin mbuluar prozhmet përreth fshatrave të Anadrinit.

Më 27 maj të vitit 1999, herët në mëngjes, fillojnë granatimet mbi “Pyjet e Hamocit”. Predhat vinin prej “Rrihjeve” të Rahavecit, ndërsa këmbësoria arrinte edhe prej drejtimit të Hoçës së Madhe. Në pjesën jugore të këtij shpati marrin përjetësinë, dëshmorët Milaim Morina dhe Xhevdet Krasniqi, kurse kah ora 10,00 ndodh ballafaqimi i këmbësorisë serbe me forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pikërisht në vendin ku sot gjendet “Lapidari i Hamocit”, i ngritur për dëshmorët e kombit: Sadedin Hajda, Bekim Sylka dhe Mexhit Mustafa.

Pas humbjeve të mëdha që pësuan forcat serbe nga vija e parë e zjarrit e komanduar prej Ismet Tarës dhe e ndihmuar prej Hysen Cenës me të bijtë, Batalioni i Rahavecit, tërhiqet në drejtim të “Teheve”, përkatësisht të “Pajatës së Mullabazëve”, ku luftonte Batalioni i Drinasit.

Por, tërheqja duhej të bëhej deri te “Shtëpia e Vreshtarëve”, e pastaj të thyhet këndi dhe të zbritet në oborrin e “Pajatës së Pashës”. Në këtë itinerar tërhiqet komandant Ismet Tara me bashkëluftëtarët, të cilët kishin shpëtuar pa asnjë gërvishje, ndërsa skuadra e shpartalluar e Sadedin Hajdës, për tërheqje shfrytëzon lugun në drejtim të “Pajatës së Pashës”, moment ky vendimtar kur forcat serbe veç e marrin shpatin e vreshtave dhe predhojnë kah oborri i “Pajatës së Pashës”.

Në këtë tërheqje merr përjetësinë luftëtari i lirisë, vëllai i komandant Tonit, Sadedin Bajram Hajda, më 27 maj të vitit 1999. Mbetet pranë plepave që gjenden në oborrin e “Pajatës së Pashës”, ndërsa shpëton pa lëndime bashkëluftëtari, Mahmut Ukshini-Gola.

Pas rënies së Bekim Sylkës, edhe rënia e Sadedin Hajdës shënon edhe një goditje të rëndë për forcat e batalionit të Rahavecit. Forcat serbe tashmë ishin të thyera dhe tërhiqeshin kah Hoça e Madhe.

Varrimin e trupit të pajetë të dëshmorit të kombit Sadedin Hajda, e bëjnë luftëtarët: Xhafer Kadiri, Ismet Tara, Mahmut Ukshini dhe Hysen Cena, të cilët kah ora 23,00 të së njëjtës ditë kthehen prej Udhës së Izbishtit në drejtim të Hoçës së Vogël, në mënyrë që disi të depërtojnë në “Lugun e Pajatës së Pashës” dhe ta vendosin trupin e pajetë të Sadedinit në tokën e shenjtë të Kosovës, për të cilën dhanë jetën Sadedini me të vëllanë, Xhelalin.

Grupi i Ismet Tarës, pas ndarjes së fundit me luftëtarin e lirisë, shenjëzojnë vendin dhe u kthehen shokëve, ndërsa pas arritjes së Forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahavec, zhvillohen operacionet për kërkimin e vendeve ku kishin mbetur bashkëluftëtarët, e pas tërheqjes së trupit të pajetë të Bekim Sylkës, tërhiqen edhe trupat e Bajram Veliut, të Mexhit Mustafës dhe të Sadedin Hajdës, për t’i varrosur në mënyrë solemne në “Kopshtin e Luleve”, që sot lulëzon në krye të “Lugjeve të Verdha” të Rahavecit.

Lajmi për rënien e Sadedin Hajdës tronditi familjen Hajda, tronditi skuadrën dhe kompaninë e Hamocit, ishte humbje e madhe për Batalionin e Rahavecit, për Brigadën 124 “Gani Paçarizi” dhe për Zonën Operative të Pashtrikut, sepse tash krahas Xhelalit ra edhe Sadedini dhe kështu rënia e vëllezërve Hajda mbetet një goditje e rëndë për familjen, për batalionin e Rahavecit dhe për Zonën Operative të Pashtrikut, veçanërisht për nënën Xhylë, e cila mbeti pa dy djemë, pa dy nipa e asnjë vëlla, mbeti me krenarinë e vet burrërore:

“-Amanet, Xhylë, moj nanë:

Për Kosovë, ti shumë ke dhanë.

Ta mban zemra, mori nanë-loke,

Me ja dhan Sadën k’saj toke?!

Ke dhan vllazën, ke dhan nipa,

Ke dhan djem, dragoj e diva,

Tuj luftu u përgjak Drini,

Xhelal Hajda dhe Sadedini!”

(rapsodi për vëllezërit Hajda)

Sadedin Bajram Hajda mori pavdekësinë duke u brengosur se nuk u takua me forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që thyen kufirin, duke mos u takuar me luftëtarin e lirisë, të vëllanë Fahredin Hajdën, të cilin e priste me padurim. Dhe sot, Fitorja e vogël me të vëllanë Besnikun, bisedojnë me gjyshen, nënën-Xhylë, duke vështruar në njërën anë shtëpinë e tyre, e në anën tjetër shtëpinë e Tonit, dera e të cilës nuk hapet, as nuk mbyllet, por qëndron e mbuluar me një flamur që flet se “Në këtë tokë do t’lindin Hamza e Adema – Luana e Shkëlzena”. (S. c.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …