Harta e Betejes se Lumes

Sali Onuzi: Beteja heroike e Lumës kundër invadimit serb në nëntor të vitit 1912

Beteja heroike e Lumës kundër invadimit serb në  nëntor të vitit  1912, bazuar e vlerësuar edhe në dritën e arkivit austro-hungarez. Ky shktim është botuar në  Revisten  Ushtarake, organ teoriko-shkencor i Komandës së Doktrinës  dhe Stërvitjes të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë ,në prill  2014, faqe 13.

 

Beteja e Lumës është zhvilluar nga 15-18 nëntor 1912. Forcat serbe pas pushtimit të Prizrenit,  nisën për në Adriatik dy kolona, ndërkohë  krijuan  dhe hodhën në veprim“ Grupimin e Lumës”, për ta nënshtruar atë ( me djegie shtëpish dhe mbledhje armësh) me objektiv  për të dale në Dibër, për të siguruar kështu krahun  verilindor të pushtimit të bregdetit të Adratikut nga ana e tyre.

Lumjanët dhe pjesa veriore e Dibrës ( Reç e Dardhë) zunë qafën Kolesjanit dhe prej aty i sulmuan forcat sërbe, i thyen dhe i ndoqën në Kullë të Lumës e deri në portat e Prizrenit. Për numrin e  forcave serbe pjesmarrëse dhe të vrarët e tyre ka pasur  në shumë nga  botimet e mëparshme shifra të fryra, ashtu si dhe në pllakat e lapidarëve të ngritura për të që thuhet sikur kane qenë 12 mijë, 16 mijë apo 18 mijë të vrarë !

 

Drejtues të forcave shqiptare në betejën e Lumës
Drejtues të forcave shqiptare në betejën e Lumës

Më 2012, me botimin e dokumenteve austro-hungareze të vitit 1912 për Shqipërinë  nga Instituti i Historisë i Akademisë sonë të Shkencave, dolën në dritë edhe dy telegrame të konsullit të perandorisë Austro-hungareze, Prochaska nga Prizreni për Vjenën. Nga mbështetja në  të dhënat e tij dhe në vlerësimet që i bën Luftës  së Lumës ,del se në Lumë kanë vepruar aso kohe 6 batalione ( 6500 ushtarë  serbë). Shkrimi  sugjeron një tjetër skemë të vendosjes së forcave serbe, dhe krahasuar edhe me dokumente të tjerë,një shifër më realiste të numrit  të  të vrarëve sërbë  në këtë betejë ( 2000-3000).Tërheqja   mjeshtërore nga lumjanët dhe rënja në kurth e focave sërbe, goditja në befasi, terreni dhe moti shumë i keq, i bëjnë te besueshëm njoftimet që jepen nga disa dokumente të kohës për humbje të mëdha të sërbeve.

Kulla e Lumës, (afër derdhjes së lumit Luma në Drinin e Bardhë) ku u shkatërrua një pjese e grupimi serb
Kulla e Lumës, (afër derdhjes së lumit Luma në Drinin e Bardhë) ku u shkatërrua një pjese e grupimi serb

Në shkrim argumentohet se kjo luftë ishte një betejë  me të gjithë karakteristikat e saj, nga sasia e forcave, koha e zgjatjes , shtrirja territoriale, përfundimi dhe rezultatet e saj.

Beteja e Lumës është  beteja e fundit  e shqiptarëve kundër ushtrisë serbe për vitin 1912 dhe e fundit si betejë që eshte zhvilluar në Lumë. Populli e ka përjetuar atë emocionalisht, prandaj dhe i ka  ngritur këngë e  lapidare. Folklori në këtë drejtim  e ka bërë dhe e ka bërë mirë punën e tij, por shkrimi kërkon që historiografia të shkruajë bazuar në fakte, duke mënjanuar folklorizmin. Shkrimi jep me pak fjalë se kush ishte konsulli austro-hungarez Oskar Prochaska dhe  propozon që bëmat e këtij  diplomati  trim të nderohen nga institucionet tona dhe historia jonë.

Oskar Prohaska dhe Kosta Novakoviç (Bashkëkohës dhe dëshmitarë)
Oskar Prohaska dhe Kosta Novakoviç, Bashkëkohës dhe dëshmitarë

Aspekte të Betejës së Lumës të vitit 1912

Gjendja e palëve: Një muaj para luftës së Lumës kishte shpërthyer Lufta e Parë  Ballkanike midis aleatëve dhe Turqisë. Ushtria serbe  kishte pushtuar Kosovën deri në Shkup dhe Prizrenin,  më 30 tetor. Armata e tretë e saj, veç dy kolonave që nisi për të dalë në Mjedë e në Lezhë, kishte përgatitur forca të divizionit “ Shumadija I” për të hyrë në Lumë. Sipas Giani Baj Macarios (1),historian italian, që ka shfrytëzuar arkivat e Shtabit të Përgjithshëm sërb, këmbësoria sërbe kishte pushkë nga më të mirat e kohës ,tip “ mauzer”,model 1899 ( 2000 m largësia e hedhjes së plumbit, çdo ushtar kishte 150 fishekë ) dhe mitralozë “maksim”. Edhe artileria moderne, e tipit “shnejder”, shumica e modelit  75 mm e vitit 1907 (43 bateri) plus 9 bateri me qitje të shpejtë “shnejder-cruesot” dhe 54 topa malorë “ de bange”. Divizioni “Shumadija I”, me një efektiv 35 mije veta, ( aq sa  popullsia e  gjithë Lumës) kishte 36 topa ,mjaft nga  të cilët do t’i përdorte në Lumë. Ky divizion përbëhej nga ushtarë të thirrjes së parë (21-31 vjeç)(2) , deviza e të cilëve ishte “të shfarosim shqiptarët”.  Aleati i Serbisë, Mali i Zi ndërkohë kishte  pushtuar Pejën e Gjakovën dhe  kishte  rrethuar Shkodrën.

Shqiptarët në Kosovë, që me fillimin e Luftës Ballkanike, mbetën vetëm, ballëpërballë me ushtrinë sërbe, ngaqë ushtria osmane, befasisht u tërhoq nga kufiri drejt qendrës së Gadishullit, në Kumanovë e në Manastir. Komanda e saj  nuk u dha shqiptarëve të Kosovës  as pushkët (63000) qe iu kishte premtuar. (3)

Në këtë pështjellim që u krijua shqiptarët e Kosovës më gjithë qëndresën , nuk arritën të ndalnin agresorët, të cilët  depërtuan  edhe nëpër grykën e Cërnalevës, prej kah  hynë në Prizren. Para sërbëve ,”po atë ditë (datë 27 tetor ,shënim im) erdhi këtu  ( në Prizren. Shenim im) Baftjar Pasha me tre batalione dhe katër topa mali. Në vend që të nisej për në Levën e Zezë, mori për në perëndim, qëndroi disa ditë në Hoçë dhe nëpërmjet Lumës shkoi në Dibër,”,raportonte me 13 nëntor konsulli austro-hungarez Proçhaska  për Vjenën. Më tej: “ Gjendja e ushtrisë ( osmane) e keqe, e papërgatitur për luftë në dimër, vështërsi për mbajtjen e lëndëve ushqimore, madje ushtarët që kanë mbetur në Prizren për shumë ditë janë pa bukë dhe po lypin derë më derë…Në ushtri “që nuk e njeh qeni të zotin”.(4)

Malsorë shqiptarë në sulm kundër kolonës sërbe tek Ura e Vezirit mbi lumin Drin. Marrë nga botimi jugosllav : “ Србија и ЦрнаГора у балканскимратовима 1912-1913,Београд.1972 .Борислав Ратковиђ, Митар Буришић,Саво Скоко.”( Serbia dhe Mali I Zinëluftërat ballkanike, 1912-1913. Beograd 1972.Borislav Ratkoviç,Mitar Burishiç, Savo Skoko)
Malsorë shqiptarë në sulm kundër kolonës sërbe tek Ura e Vezirit mbi lumin Drin. Marrë nga botimi jugosllav : “ Србија и ЦрнаГора у балканскимратовима 1912-1913,Београд.1972 .Борислав Ратковиђ, Митар Буришић,Саво Скоко.”( Serbia dhe Mali I Zinëluftërat ballkanike, 1912-1913. Beograd 1972.Borislav Ratkoviç,Mitar Burishiç, Savo Skoko)

Forcat shqiptare të krahinës së Lumës, pas qëndresës në qafë të Duhles, qenë tërhequr  brenda krahinës së vet. Për efektivin e tyre jane dhënë shifra të ndryshme: 4000 veta , Sh.Braha (5), mbi  2000 shënon  Sh. Hoxha, (6) aq sa jep edhe “ Historia e Popullit Shqiptar” botim i vitit  2002 (7) dhe historiografia ushtarake jugosllave (Ratkoviç e co)(8)

Nisur nga popullsia e krahinës, (2820 shtëpi), na duket se shifra  më afër realitetit është  në 3000 veta në Qafën e Kolesjanit, 9) plus 1000 veta të çetave të  fshatrave  të Rrafshës së Lumës, të Tërthores e të Zhurit etj, plus edhe afro  1000 veta te batalionit Dibrës që erdhën pas fillimit të luftës, bëjnë rreth 5000 trupa gjithsej. Nga të gjithë burimet del se forcat shqiptare ishin më të paktë  në numër se ato serbe.

Por duhet vlerësuar cilësia e tyre: ato ishin forca të afta luftarake, jo vetëm pse kishin shërbyer e luftuar  rregullisht si nizamë e si redifë në ushtrinë osmane, por edhe pse trashëgonin  brez pas brezi e zhvillonin  atë, që  John Keegan, e quan  “ kultura e Luftës . Shfrytëzimi me mjeshtëri të jashtëzakonshme  i terrenit, në një teatër luftimi nga Gryka e Kaçanikut, në Grykë te Cernalevës,  në Qafë të Duhles, në Qafë te Zhurit , dhe së fundi në Maratonën e tyre, në Qafën e Kolesjanit, në një mbrojtje shkallë-shkallë, në prita, me sulm të befasishëm  e deri në luftim trup më trup etj, përbënte artin e kësaj kulture të të luftuari. Nuk kishin munguar të luftonin me  Dervish Pashën, në mbrojtje të Lidhjes se Prizrenit, dhe kishin  thyer për herë të parë, që nga s’mbahej mend në trojet shqiptare, forcat e ushtrisë osmane  më 1909, duke u dhënë  shpirt e krahë kryengritjeve të mëdha të  viteve 1910,11 e 12 .

Në nëntor 1912 shqiptarët e  Lumës  do ta  përsërisnin këtë edhe ndaj  forcave të ushtrisë sërbe, që kish një muaj që vetëm fitonte në teatrin e Ballkanit. Për herë të parë  do të rrethohej, e për herë të parë, do të thyhej në Lumë. Së dyti do të turpërohej në Shkodër. Në Lumë mbrohej edhe Shkodra edhe Vlora. Qamil Hoxha në veprën e tij (10) përcjell kujtimet  e Shaqir Agës nga Petkaj, i çili në moshën 94 vjeç më 1977 tregonte se duke qenë xhandar në Shkodër, në nëntor 1912, Hasan Riza Pasha dhe Esat Pasha e kishin nisur me dy besnikë të tij me një letër për Islam Spahinë dhe Isuf Xhelilin. Ai e sjell letrën në destinacion dhe tregonte se pas asaj letre filloi lufta në qafë të Kolesjanit. Pas Luftës së Lumës, Serbia nuk i kaloi më  forcat e saj për Shkodër nga drejtimi VL i Shqipërisë. I pati sjellë nga Selaniku me anije në Shëngjin 15 mijë  trupa, duke e çuar në 30 mijë numrin e forcave serbe në rrethimin e Shkodrës.( Ajo la aty 10 mijë të vrarë e të plagosur)

Në arenën   e veprimeve luftarake të Lumës do të bashkëvepronin edhe forca të krahinës së Reçit e të Dardhës së Dibrës, nën drejtimin e Elez Isufit, që ishin mobilizuar ato dite  në regjimentin e Dibrës. Pas informimit të tyre për hyrjen e trupave serbe në Lumë, qenë kthyer nga rruga për në Shkodër.(11) Një batalion arriti dhe mori pjesë në mbrojtjen e Shkodrës,  kurse pjesa tjetër e ndarë, arriti në qafë të Kolesjanit pasi kishte filluar lufta.

Por forcat e  qëndresës  në Lumë kishin edhe pikën e dobët të tyre: një armatim të pakët e të vjetëruar ,në “gjashtë vetë a kishte njeni pushkë a jo, luftonin me kosa, sakica etj”….prisnin të vritej një serb e t’i merrnin pushkën” (12).

Sipas  dokumenteve  osmane, lumjanët brenda 24 orëve të para të luftës u zunë serbëve rreth 1000 pushkë. Forcat  dibrane sollën në qafë të Kolesjanit edhe dy topa e 17  gjyle, që ua kishin zënë forcave osmane në tërheqje, fakt që e konfirmojnë edhe arkivat serbe.(13)

1-Për numrin e efektivit të ushtarëve serbë që kanë  vepruar e luftuar në Lumë në nëntor 1912 janë shprehur mendime të ndryshme dhe kontradiktore. Disa studiues, duke dashur të  “argumentojnë” numrin e 12 mijë serbëve të vrarë  ( disa thonë edhe 18 mijë), kanë llogaritur dhe vendosur apriori shifrën  16000 për ushtarët serbë që kishin arritur  në Bicaj në mes të nëntorit 1912. (14) Shifra prej 16 000 ushtarësh, në fakt është sasia e dy grupimeve që krijoi armata e tretë serbe, nga forca të divizionit “Drina II” dhe ‘Shumadija I”, të cilët rrugës për të dalë në Adriatik, kaluan  në krahun në të dy krahët  e Drinit të Bardhë. Këto grupime nuk kanë zhvilluar  betejë e luftime si ato te dates 15 –17 dhe 18 nëntor në Lumë, përjashtuar ndonje ndeshje të vogël. Ata nxitonin për të dalë në Adriatik, për të kapur sa më shpejt Lezhën dhe Durrësin, sipas urdhërit urgjent të kryeministrit serb.

Ushtarë serbë duke luftuar në Lumë, më 1912.
Ushtarë serbë duke luftuar në Lumë, më 1912. Marrë nga botimi jugosllav : “ Србија и Црна Гора у балканским ратовима 1912-1913,Београд.1972 .Борислав Ратковиђ, Митар Буришић,Саво Скоко.”( Serbia dhe Mali I Zi në luftërat ballkanike, 1912-1913. Beograd 1972. Borislav Ratkoviç, Mitar Burishiç, Savo Skoko)

Konsulli austro-hungarez, Prochaska,  më 13 nëntor   shkruante nga Prizreni për Vjenën: ”Thuhet se Ushtria serbe këtu do të shkojë në Shëngjin. Ushtarët, duhet të jetë fjala per ushtarët osmanë  të Xhavit Pashës,  që u tërhoqën nga Gjakova më 4 nëntor pa luftuar .shënim im) të cilët më 5 të këtij muaji ishin nisur për  në Lumë, me 7 të këtij muaji u kthyen nga Dibra e madhe. Më 8 filloi të shkrijë bora dhe ushtarët u nisën përsëri. Deri tani kanë shkuar 12 batalione  dhe pak kavaleri. Deri dje, kur ata hynë në Bicaj, nuk hasën në kundërshtim. Malësorët katolikë u dorëzuan me këshillën e Preng Bib Dodës. Serbët fituan sepse nuk kishte kush t’i kundërshtonte”.(15)

Kjo nuk do të thotë se 12 batalionet  kishin hyrë në Bicaj. Këto batalione  kanë  filluar të dalin nga Prizreni që nga data 9 nëntor. Ata janë nisur ne dy drejtime, njëri për Mirditë ( që kaloi ne krahun e djathtë të Drinit të Bardhë dhe te Ura e Vezirit e që përbehej nga 6 batalione( B. Ratkoviç), dhe pjesa tjetër  për në Lumë. Kur  Prochaska shkruan “ nuk hasën në  kundërshtim” e ka fjalën për të dy drejtimet, si atë te Lumës  dhe për grupimin e Adriatikut . Ushtarët e të dy drejtimeve ishin të Divizionit “ Shumadija I”,të bazuar në Prizren.Në Gjakovë ishte bazuar Divizioni  “ Drina II”.

Nga këto 12, 6 batalione të tjerë  duhet të kenë bërë pjesë në “ Grupimin e Lumës”, ndryshe çfarë shkruan historiografia jugosllave për 3 batalione: një batalion në vijë të parë, në Bicaj, një tjeter në krahun e djathtë të përroit të Shejes dhe një i tretë  pa e kaluar lumin Luma. (16) (Këta kanë qenë batalioni  2,  3 dhe i 4  të  regjimentit 10 ,dhe plus tre batalione të tjerë që historiografia jugosllave, sipas Prochaskës dhe nesh, i ka fshehur).

Mendojmë se të gjashtë batalionet janë vendosur në territorin e Lumës. Pra një regjiment e gjysëm, si grupim i veçantë ( “grupimi i Lumes”), në tri ditë kohë, në një gjatësi prej  35  km. Kemi të drejtë të themi se lufta dhe fitorja mbi to ishin betejë dhe jo thjesht një ose disa luftime. Dhe betejat e marrin emrin nga vendi ku zhvillohen, prandaj ajo me të drejtë përgjithësisht  është quajtur “Beteja e Lumës”. (17)

Në disa botime është quajtur “luftë”,po në fakt me kuptimin betejë, siç edhe përdoret  në historiografinë shqiptare ky term. Ndërsa termi “ Beteja e Drinit”, përdorur nga Shaban Braha ,etj, shpreh një zgjerim, ashtu si “ termi “ Beteja e Kolesjanit”, shpreh një zvoglim. ( Sami Ferizaj(18)Dr. Vangjel Kasapi,Hazis  Bulica etj)

Në Kolesjan dhe në dy krahët anash tij filloi sulmi i befasishëm i lumjaneve, por beteja u zhvillua  ne  gjithë territorin nga Kolesjani në Bicaj, Kulla e Lumës, Zhur, Curr etj.( shih telegramin e konsullit Prochaska )

Kjo do të thotë se skema e historiografisë serbe duhet rivlerësuar dhe studiuar sipas të dhënave të reja që jep arkivi austro-hungarez dhe konsulli Prochaska duke ndërtuar një skemë  tjetër, duke mbajtur parasysh numrin e 6 batalioneve, terrenin, kohën dhe intensitetin e veprimeve luftarake. Dhe konkretisht :

Në Bicaj duhet të jenë vendosur dy batalione këmbësore ( njëri që ka sulmuar drejt qafës së Kolesjanit dhe tjetri që ka mbrojtur shpinën e tij.)

Në krahun e djathtë të përroit të Shejes një batalion tjetër, që ka mbuluar sulmet nga krahu perëndimor i Gjallicës.

Një batalion i katërt mund të ketë kaluar lumin Luma dhe të jetë futur në luftim në fazën e dytë të Betejës  në Rrafshin e Lumës  nga  Zborri i Nangëve  në Bugajë, deri në Kullën e Lumës. ( Bëhen kështu nga qafa e Kolesjanit ne Kullë të Lumës 4 batalione sërbe)

Dy batalione të tjerë mund  të jenë mbajtur  për kontrollin dhe sigurimin e rrugës Prizren-Kulla e Lumës ( Përbreg) dhe mbrojtjen e tërheqjes. Prochaska shënon se kjo luftë e ashpër është zhvilluar edhe në Zhur e Curr afër Prizrenit.

Harta e Betejes se Lumes

Kjo skemë mund të ketë edhe variante të tjera.

Kështu informacioni që i ka dhënë Ahmet Zogu Aqif Pashë Elbasanit e ky kryesisë së Qeverisë së Vlorës, se në Lumë “ kanë vramë afro gjashtë batalione sërbe”,  flet për 6 batalione që janë përfshirë në këtë luftë ( pavarësisht nga shkalla e pjesmarrjes dhe e humbjes përkatëse të secilit: repartet serbe  nga qafa e Kolesjanit në  Bicaj  e deri në Kullë të Lumës duhet të kenë pasur humbjet më të rënda).  Sipas Prochaskës :“ të mëdha “ e të përgjakëshme”. Sipas Ahmet Zogut : “ vrarë afro 6 batalione ushtarë”.  (19)

Këtyre të dhënave u vjen ndihmë edhe një informacion i nënkonsullit britanik nga Shkupi, i cili në shkurt 1913 shkruan se në Lumë Serbia ka humbur 8 batalione.( kjo përfshin edhe fazën e tretë  pas nëntorit 1912.) (20)

Për të përfunduar: Forcat sërbe pjesmarrëse kanë pasur 6 batalione ( 6500 veta) me gjithë artleri, ndërlidhje e logjistikë. Pra, nuk kanë qenë 18000, e as 16000, siç  kanë shkruar disa studiues pa pasur mbështetje dokumetare dhe pa bërë analiza historiko-ushtarake. Po del se  nuk kanë qenë as tre 3 batalione forcë pjesmarrëse dhe as 198 të vrarë  ( apo disa qindra ),siç ka fshehur historiografia jugosllave.

Datën e fillimit të Betejës me 15 nëntor e jep  edhe konsulli austro-hungarez  Oskar Prochaska, në raportin e tij dërguar Vjenës, ato ditë ( 27 nëntor). Sipas tij forcat serbe  kishin hyrë në Bicaj me  12 nëntor pa hasur në kundërshtim. ( nga raporti i datës 13 nëntor). Por me 15 nëntor,  “lumjanët kishin  ngritur krye papritur e pakujtuar “ ( raport  i datës 27 nëntor ), gjë që vërteton tërheqjen mjeshtërore në kurth të reparteve serbe nga lumjanët dhe goditjen e tyre në befasi..”Lufta, vijon konsulli, u bë tek Kulla e Shën Gjonit (për Gjomç në Bicaj, shënim im), Kulla e Lumës dhe në Zhur e Curr afër Prizrenit”.Rënia në kurth, goditja ne befasi, terreni dhe moti shumë i keq  e  bënë të mundur ( dhe të  besueshme) humbjen e rëndë të forcave sërbe.

Në Lumë në nëntor 1912,u ballafaquan koncepte e praktika të ndryshme, madje të kundërta të të luftuarit. Forcat shqiptare të Lumës, ndonëse nuk kishin epërsinë e duhur të raporteve klasike :3:1, por vetem 1.5 me 1, organizuan e zhvilluan si tip luftimi sulmin bazuar në elemente ku ishin superiore si inisiativa, mashtrimi, befasia e goditjes dhe sidomos shfrytëzimi  mjeshtëror i terrenit, duke e ndjellë e futur armikun në një kazan të thellë midis lartësive të Gjalliçës, Pikëllimës e Kolesjanit nga lindja dhe jugu dhe lumenjve të Drinit të Zi dhe të Drinit të  Bardhë nga perëndimi  e veriu, në një terren  “të prerë” nga lumi i Lumës  dhe përroi i tmerrshem i Shejes. Zor të gjendet terren më i përshtatshëm për sulm  dhe më i veshtirë për mbrojtje në atë situatë luftarake të të dy palëve. Plus këtyre edhe errësira e natës së 15 dhe 16 nëntorit  dhe  moti i keq.Prandaj forcat shqiptare, lumjane dhe dibrane, ia dolën  të realizojnë një goditje të fuqishme që e dëmtoi rëndë armikun.

2- Të vrarët e forcave ushtarake serbe. Edhe për këtë tregues të luftimeve në Lumë ka pasur e ka një interes të veçantë. Në fakt duhet pranuar se numri  i humbjeve serbe është vështirë të nxirret me saktësi. Siç është e njohur botërisht, komandat serbe i fshihnin të dhënat e humbjeve në front dhe nuk i lejonin korrespondentët  e huaj të shtypit aty, sa për të ruajtur imazhin e gënjeshtërt që përhapte sikur ushtria e saj “ çlirimtare” po pritej krahapur kudo, ashtu edhe për të mënjanuar reagimin e familjeve të ushtarëve dhe të oficerëve të vrarë. Po edhe sot Serbia nuk i ka hapur arkivat e saj ushtarake për studjuesit shqiptarë, në përpjekje për të fshehur të vërtetat e masakrave të saj mbi shqiptarët e pambrojtur, po edhe humbjet e saj të rënda.

Historiografia ushtarake serbe mezi  ka pranuar  si humbje në Lumë vetëm disa qindra ushtarë e oficerë të vrarë, kur vetëm  njëri nga  ushtarët e batalionit të tretë  që luftoi në Biçaj, Novakoviç, ka shkruar  se mbetën disa qindra. Sidoqoftë, sipas historianëve ushtarakë serbë në Lumë janë vrarë vetëm 198 ushtarë dhe plagosur 31 të tjerë ! Këto të dhëna,që sipas tyre janë nxjerrë nga arkivat e reparteve  që vepruan në Lumë, janë të pabesueshme. Mjafton të themi se ata vetë kanë pohuar se regjimenti i 10 që luftoi në Bicaj të Lumës  (b3 dhe b4 me 15 dhe 16 nëndor)   kishte pësuar “humbje të mëdha”, madje kishte humbur edhe arkivin e tij. (21)

Në një telegram të administratës ushtarake osmane të datës 20 nëntor  1912, të dërguar nga Ohri në Elbasan thuhet se në luftë të rreptë, gjatë 24 orëve ( është fillimi i betejës S.O) s[erbët  në Lumë janë vrarë e shkatërruar keq,s e janë në tërheqje, se u   ishin  vrarë 3 oficerë dhe “ushtarë pa  numër”. Ky numër, mund të konkretizohet po të kemi parasysh se po në këtë telegram, një rresht më lart, thuhet se “ afro një mijë mauzere serbi janë pushtue”, që sigurisht kanë qenë të ushtarëve që janë vrarë, pra afro njëmijë. Dhe telegrami vazhdon më tej “ Lufta tashti po vazhdon në Bicaj edhe shpresohet sigurisht që gjer  mbrëma t’i pushtohen anmikut topa,mitraloza dhe shumë armë”(22).

Lapidari në Qafën e Kolesjanit, kushtuar fitores në Betejën e Lumës në nëntor 1912
Lapidari në Qafën e Kolesjanit, kushtuar fitores në Betejën e Lumës në nëntor 1912

Pra deri me datë 16 nëntor  një humbje prej 1000 vetësh  e bën më të besueshme  të kenë qenë në Bicaj deri në Kolesjan  dy batalione. Mund të besohet se ky ritëm humbjesh  shumë i lartë( 50 %) të ketë vijuar edhe me datë 16-17 nëntor dhe 17-18 nëntor, Pra i bie të kenë humbur rreth 2000  e më shumë   ushtare serbë dhe gjysma e tyre,( diçka më pak a më shumë) të kenë dalë gjallë e të plagosur. Kjo mund ta konkretizojë përfundimin e Novakoviçit ( serb, që ka marrë pjesë në ketë betejë ) që  thotë  “disa qindra të vrarë ”, “ humbje të mëdha “, dhe “ humbje e plotë”.(23)

Këto i përforcon  telegrami i dërguar Vjenës më 27 nëntor 1912 nga konsulli Prochaska , i cili shkruante nga Prizreni  për “ një luftë të ashpër e të përgjakshme, që u ka kushtuar serbëve humbje të mëdha dhe i ka detyruar të thrrasin për ndihmë të gjithë forcat e tyre.” Konsulli austrohungarez sjell edhe një fakt  tjetër: shkallën  ekstreme të urrejtjes ndaj lumjanëve, që flet në mënyrën e vet për shkallën e humbjeve, në Lumë. Ai i raporton Vjenës :” Në vizitën që kleri katolik bëri tek gjenerali serb ( është fjala për komandantin e Armatës së tretë ,Bozhidar Jankoviç. Shenim im),me 21 të këtij muaji (3 ditë pasi kish marrë fund beteja ( shënim im), ai deklaroi se sa u përket lumjanëve, ai ka marrë urdhër që “ fisi Lumës do të shfaroset krejt, me gra e fëmijë”. Tanimë dihet se forcat sërbe bënë krime të llahtarshme më 1912 – 1913  për të zbatuar këtë urdhër famëkeq. Në   tetor 1913  masakruan më shumë se 1800 veta në Topojan,Përbreg, Brekijë, Kalis, Palush, Lojme etj.

Në këtë sasi të vrarësh nga gjashtë apo tetë batalione vepruese ne Lumë, mund dhe duhen llogaritur edhe të vrarët e reparteve të tjera të forcave  serbe paramilitare që u futën në Lumë para datës 13 nëntor,  të ashtuquajtur “vullnetarë”, të përberë nga banditë që kishin për detyrë të hapnin rrugën për trupat e rregullta. Kryeredaktori i gazetës së armatës së tretë sërbe,Jasha Tomiç, në librin e tij “Lufta në Shqipëri dhe rreth Shkodrës”,botuar më 1913  në Novi Sad , informon për  veprimin e këtyre forcave në Lumë, me një efektiv nga 70 deri ne 200 veta,njerën prej te cilave e komandonte ish ministri i mbrojtjes së Malit te Zi,Gatallo. Veç numrit të paidentifikuar të këtyre çetave, që vepronin barbarisht, në Kosovë, kishte edhe 7 regjimete me efektiva të thirrjes së tretë, gjoja për të siguruar qetësi në prapavija.

Janë padyshim më shumë se njëmijë ushtarë dhe oficerë serbë të vrarë, dhe po te mëndojmë se për 24 orët e para ishin vrarë njëmije,  duhet të jenë vrarë edhe aq ,ne mos më shumë gjatë tërheqjes së shpartalluar nga Bicaj te Kulla e Lumës ( ku kishin humbur gjithe karrot dhe kuajt e mushkat) dhe goditjes së fortë  nga ana e forcave shqiptare të dislokuara në Përbreg.

Por edhe  disa qindra të vrarë, që pranon historiografia ushtarake sërbe për trupat e veta në Lumë, janë një disfatë, e një katastrofë, që bëhet edhe më evidente po të krahasohet me humbjet e sërbeve gjatë Luftës së parë Ballkanike, kur në betejën e Kumanovës  ( 23 -24 tetor 1912), ku morën pjesë 168 mije trupa (111000 serbë dhe 58000 osmanë) mbetën të vrarë  nga të dy palët 1887 vetë ( 687 sërbë dhe 1200 turq) .

Ndërsa numri prej 12 mijë, 15 mijë  apo 18 mijë ushtarësh sërbe të vrarë në Lumë në nëntor 1912, që jepet në disa botime shqiptare  (24), madje edhe në pllakën e lapidarit që i kushtohet kësaj lufte, është i zmadhuar dhe jo real .(25) Me të drejtë prof. Shefqet Hoxha e ka quajtur  “ nje shifër folklorike”(26). Kjo bëhet edhe më e kuptueshme po të kemi parasysh se gjithë humbjet e ushtrisë sërbe në Luftën e parë ballkanike janë llogaritur në 22  mijë  të vrarë.

Qafa e Kolesjanit
Qafa e Kolesjanit, ku me 15 nëntor 1912 filloi sulmi kundër forcave pushtuese serbe

Sërbia pati në  Lumë  edhe nje katastrofë morale .”Shqiptaret e “egër”,ushtarët tanë të zënë robër i çarmatosin dhe i lëshojnë, kurse ushtria jonë “ e kulturuar” e shkullit të XX  po i vret fëmijet e tyre “ shkruante  në shtypin e kohës social-demokrati serb, Dimitrije Tuçoviç(27). Historiani Shaban Braha  informon  për  “lirimin e dorëzimin e 720 robërve të kapur në luftën Lumës(28). Ky është një tregues tjetër i fitores  morale të shqiptarëve kundër sërbëve më 1912.

Ndërkohë janë bërë përpjekje për të evidentuar  dëshmorët  e palës shqiptare në Betejën e Lumës. Është dhënë shifra e 200 të rënëve, (nga të cilët 109  prej tyre janë identifikuar me emër dhe mbiemër me fshatin nga është dhe vendin ku ka rënë.(29)

Me 18 nëntor merr fund Beteja e Lumes, me fitoren e forcave shqiptare të Lumës dhe të Dibrës. “Grupimi serb i Lumës” shpartallohet, një pjesë e mirë e tij asgjësohet.  Pas saj komanda e armatës  së  tretë serbe  hedh kundër Lumës forca të freskëta e të shumta (nga 19 nëntori me 6 dhjetor 1912), dhe e merr vetë në dorë  drejtimin e operacionit luftarak.  Historiografia serbe ka pohuar se për këtë armatë ishte hapur në Lumë një front i ri lufte. Kundër Lumës  angazhohen të gjitha forcat e divizionit “ Shumadija I “ që kishin mbetur në Prizren, Regjimenti 11k dhe ai  i 12k i përforcuar me 2 batalione të tjera, (njeri prej të cilëve, b2 i R 10 k) dhe b1,b2 dhe b3 te R19k.

Edhe  vetë historiografia serbe ka pranuar botërisht se këto forca të dislokuara në Prizren në nëntor, janë përdorur aktivisht në fazën e tretë  kundër Lumës. Këto përbënin organikisht rreth 13 mijë veta dhe po t’u shtohet edhe efektivi  prej 1000 i forcave mbështetëse, dhe 6500 veta  të efektivit që luftoi në Lumë nga 13 deri me 18 nëntor, del se gjatë nëntorit deri me 6 dhjetor 1912 luftuan në Lumë kundër popullit të paarmatosur 20500 ushtarë dhe oficerë serbë. Po t’u mblidhen këtyre edhe efektivat e çetave  të ashtuquajtura “vullnetare” e komitë  që hynë në Lumë  në fazën e parë, menjëherë pas 30 tetorit, do të thotë se  Serbia dërgoi në Lumë  gjatë gjithë  muajit nëntor për çdo shtëpi 7-8  ushtarë dhe oficerë.

Kapaciteti dhe detyra e Lumës ishte, siç edhe ia doli me sukses, të përballonte  sulmin e forcave serbe në fazën e parë dhe të dytë. Faza e tretë e luftimeve ishte forcë dhe kapacitet operativo-strategjik, jashtë çdo mundësie krahinore. E megjithatë, ndonëse përballë forcash 5-6 herë më të mëdha në numër, shqiptarët e Lumës nuk i dorëzuan armët para divizionit dhe armatës sërbe, ata  bënë në Bardhoc e kudo, gjatë një tërheqjeje shkallë-shkallë,  një qëndresë të fortë, si në rrafshin e Lumës dhe kundër dy kolonave serbe, njëra nga Opoja në Topojan e tjetra nga Surroji në Ujmisht.  Siç dihet,  ushtria serbe  bëri  masakra  duke gjuajtur, djegur e rrafshuar fshatrat me top, ndërkohë që moti i ftohtë (borë e  madhe dhe temperatura deri minus 15 gradë nën zero (30),kërcënonte fëmijtë e vegjël, gratë dhe të moshuarit. Në fund të fundit edhe lumjanët ishin  njerëz, kanë shkruar, pa e fshehur simpatinë, kronistët e kohës.

Studimi i arkivave serbe ( që edhe sot mbahen të mbyllura, ne veçanti për shqiptarët) do te sillte të dhëna edhe më konkrete e të hollësishme për këtë betejë të famshme, të cilën e ka ruajtur aq fort kujtesa popullore dhe folklori i krahinës(31) dhe  e ka përmendur në krijimtarinë e tij artistike dhe  shkrimtari i madh Ismail Kadare. (32)

Me këto humbje të mëdha morale dhe fizike ( “the moral then physical disintegracion,”  e përcakton termin “ betejë” John Keegan,historian i madh  ushtarak britanik në ; “The face of Battle.”1976) kjo “ luftë e ashpër “ ( Prochaska),  në Lumë më 15-18 nëntor 1912 është një betejë e vërtetë,  e fundit në Shqipëri kundër ushtrisë sërbe në atë vit, dhe beteja e fundit  që Luma ka zhvilluar ndërkohë. Pikërisht se ka qenë e tillë populli e ka përjetuar emocionalisht, e ka përjetësuar në këngë dhe në lapidare( një në Qafe të Kolesjanit dhe një në qytetin e Kukësit).

erreni i Rrafshes së Lumës sot , ku 105 vjet mëparë ,u futën në kurth batalionet e ushtrisë serbe më 1912
Terreni i Rrafshes së Lumës sot, ku 105 vjet më parë, u futën në kurth batalionet e ushtrisë serbe më 1912

Përfundimisht, Beteja dhe gjithë lufta e Lumës në nëntor-dhjetor 1912, zë një vend të merituar në Historinë Ushtarake të Shqipërisë të periudhës së Pavarësisë,(33) Ajo është dëshmi e  faktit se shqiptarët luftonin të frymëzuar nga ndjenja kombëtare dhe Pavarësia që ato ditë po shpallej në Vlorë më 28 nëntor 1912. Luma, frika prej saj, i ndaloi  një javë forcat e armatës III sërbe në rajonin e Prizrenit për tu riorganizuar, duke i dhënë kohë  Ismail bej Vlorës, per  të mbërritur në Durrës  para se të mbërrinin  aty repartet  e  ushtrisë  sërbe ( Vlorën e kishin bllokuar luftanijet greke). Kjo betejë, fama e saj, shkuan larg deri në Londër, duke e  siguruar  Lumën  njëherë e përgjithmonë   brenda kufirit të shtetit të ri shqiptar.

 TIRANE, shkurt 2014

REFERENCA :

1-Macario Giani Baj: “Balkani 1912-1913 . Studio politico e militare col concorso degli stati magiori Jugosllavo e Bulgaro). “ La Prova”,Milano 1937.f.128

2- Rankin, Reginald,Lt.Çolonel.The iner history of the Balkan Ëar.Neë York.1914.f553.

3- Macario, Giani Baj, veper e çituar,f.121.

4-“ Shqiperia në dokumentet Austro-hungareze. (1912) vellimi VI ( nentor –dhjetor)” Tiranë 2012.Botim i  Instituti i Historise,f 340 ISBN 978-9928-141-04-0.

5-Braha, Shaban:” Beteja e Drinit kundër agresionit sërb”Prizren.2000 “ Kosova”f.62

6-Hoxha,Shefqet:”Lufta e Lumes kunder pushtuesit sërb,9 nëntor-6 dhjetor 1912¨Kumtesë e mbajtur  në sesionin perkujtimor me rastion e 100 vjetorit, organizuar nga Bashkia e Kukësit. )

7- Historia e Popullit shqiptar.vellimi II.Instituti Historise,Tirane,2002,f507.ISBN99927-623-1.

8-Ratkoviç,Borisllav “ Prvi Balkanski Rat 1912-1913”.v. i dyte. Beograd 1975,f.262.

9- Konsulli Prochaska në telegramin e tij të datës 13 nëntor shkruan se “ më 21 tetor …”4000 lumjanë dhe vullnetare të këtushëm, së bashku me të paktën 1000 burra, u nisën që këtu (  nga Prizreni për në Çërnalevë  S.0 )Pra jane 3000 lumjane, nje force krahinore e organizuar ushtarakisht dhe  e lëvizshme që lufton edhe jashtë krahinës së saj.

10-Hoxha, Qamil: “Jeta dhe vepra ime””Geer”,Tiranë,2008.f.381.

11-Nosi. Lef :Dokumenta historike për t’i shërbye historiës tonë kombëtare.1912-1918. Botim II.Instituti i Historise.Tirane,2007.f .26 ,ISBN:978-99956-10-04-3. ( Ne nje telegram derguar me 19 nentor 1912 nga Dibra Valiut dhe komandantit osman ne Elbasan :”Vullnetarët që do të plotësojshin fuqiën e regjimentit të formuem në Dibër, u ndanë, edhe pasi u ktheyn prapë në vendt, ndën komandën e të parit  tyne , Elez Jusufit, u turrën drejt Lumës.Atje po luftojnë sot e po u bëjnë ball sërbëve….”

12-Hoxha, Shefqet : Luma ne luftrat per liri. “Geer”. Tiranë, 2002,f 202-203.ISBN:9927-767-9-X

13-Ratkoviç, Borisllav : vepër e çituar,f.262

14-Mataj, Qemal :Veper e çituar.f.12 /  2-Braha, Shaban : vepër e çituar

15-Shqipëria në dokumentet austro-hungareze ( 1912)vëllimi VI ( nentor-dhjetor).

Botimet “ Toena”Tiranë ,2012.f.340 ISBN :978-9928-141-04-0.

16- Ratkoviç Borisllav, veper e çituar,f. 261-262

17-Hoxha,Shefqet. Në Fjalorin Enciklopedik shqiptar. Akademia Shkencave. Tiranë, 2008, f228

18-Ferizaj Sami, Kumtese e botuar ne “Elez Isufi, Kreshenik i Dibres”M.Murra,T.1996 etj f.28

19-Nosi, Lef .Dokumente historike.1912-1918.Tiranë.2007. Instituti i Historise.f138.

                    ISBN978-99956-10-04-3.( botuar per here te parë me 1924)

 20-Albania and Kosovo.Political and ethnic boundaries 1867-1946.Doçuments.Archive editions limited.1999 British Library. F.347 .ISBN 185207910X.

21- Ratkoviç,Borisllav, veper e çituar, f.261-265.

22-Nosi, Lef.Dokumente historike 1912-1918.Instituti I Historise.Tiranë,2007.f.29.

               ISBN 978-99956-10-04-3.

23-Novakoviç Kosta :Neper Shqipëri.Revista Dy Drinat.Biçaj,Kukës Nr 1.1998.f.31-35

24-Kolgjini, Tahir .Luma dhe luftat e saj.Botuar ne “ Shenjzat” nr 3-4. 1969.f.16:

 ”Simbas opinionit të Lumës sasia e ushtrisë s’asgjësuesme sërbe ka qenë 16 mijë.b)simbas të dhanave të historisë ushtarake sërbe,që e kanë njoftue  disa, kjo sasi mbrrin në 18 mijë.ç)Z. Esat Bilali në fletoren “ Shqiptari i Lirë” shënon se kjo asht 12.000.d)simbas mendimit tonë duhet të ketë qenë një division nga ushtria e zgjedhun. Sidoqë të jetë duhet të hetohet prej atyne që kanë mundësi”. Këto i risjell, (edhe  me disa autore te tjere shtese)   Dr. V. Kasapi ne “Luma, monument i natyres..f.76.)

Në pllakën e Lapidarit  kushtuar Betejës së Lumës  në  qytetin e Kukesit shkruhet :”Nga qafa e Kolesjanit deri te Kulla e Lumës në vitin 1912, populli i Lumës, i Hasit, i Reçit dhe i Dardhës, me një heroizën të paparë, vranë brenda 36 orëve rreth 12 000 shovinistë sërbë që kishin okupuar këtë krahinë”

25-Hoxha, Shefqet.Luma ne Luftrat per liri . “Geer”. Tirane,2002.f 176.ISBN:99927-767-9-X.

26-Tucoviç Dimitrije. Zgjedhje punimesh.II Rilindja. Prishtine 1981,f.154-155.

27-Braha Shaban. Beteja e Drinit kunder agresionit serb.Prizren,2000.f.115

28- Hoxha  Shefqet. Zëri ne  FESH. Akademia e Shkencave RSH Tirane 2008,v1.f 229:“ Nga qafa e Kolesjanit e deri në portat e Prizrenit u vrane mbi 200 lumjane.”

29- DurakuIzet .Kumtesë e mbajtur në sesionin jubilar me 2012 organizuar nga Bashkia e Kukësit.

30-L-t-kolonel Brevete Bouçabeille,La guerre Turço-Balcanique 1912-1913. Paris 1914.f.126

-Macario, Giani Baj, vepër e cituar f. 180.Te dy keta autore e japin kete temperature  per terrenin nga kaluan kolonat e ushtrise serbe neper Mirdite dhe Puke.

31-Kenga e luftes se Lumes qe liftoi kunder serpit, botuar ne “ Visare te Kombit nr 4.1939.

32-Ismail Kadare : Krushqit janë të ngrirë.

33-Pasi nuk ishte përmendur në asnjë botim zyrtar të mëparshëm,më 2002 botimi akademik i “  Historise se popullit shqiptar” shënonte me parë shtypjen se qëndresen e 2000 lumjanëve kundër forçave sërbe në nëntor 1912, pa thënë asnjë tjetër fjalë për një betejë të zhvilluar e  të fituar prej tyre.  Por e vërteta zhytet e nuk mbytet,  thotë populli.

Më 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë,   Instituti i Historisë  botoi veprën dokumentare në 6 vëllime “ Shqipëria në dokumentet Austro-hungareze.(1912)” përgatitur dhe redaktuar nga akademik i asocuar, Maranglen Verli dhe dr. Ledia Dushku. Në këtë vëllim janë përfshirë  dy informacione ( telegrame)  që konsulli i Perandorisë Austro-hungareze, Oskar Prochaska i dërgonte Vjenës ato ditë nëntori 1912 dhe që flasin qartë për luftë, madje “ luftë të ashpër”, e të përgjakshme” dhe “ për humbje të mëdha të sërbëve,” që i ka detyruar të thërrasin për ndihmë të gjithë forcat e tyre.

Po kush ishte ky konsulli Oskar Prochaska. Diplomat i Perandorisë Austro-hungareze Prochaska ishte konsull me rezidencë në Prizren. Me origjinë ishte çek, kishte lindur  më 12 korrik 1876 në Brno, qendër e Moravisë, qyteti i dytë në Çeki, pas Pragës. Lufta e Parë ballkanike e zuri Prochaskën aty ku shërbente, në Prizren dhe ai i dënoi,siç e meritonin ,masakrat e trupave pushtuese serbe mbi popullsinë shqiptare. Për këtë arsye serbet e arrestuan diplomatin trim,  Oskar Prochaskën “ për nxitje të popullsisë shqiptare  për qëndresë  “(Siç i shkruante Vjenës ambasadori austro-ungarez ne Beograd, Ugron,  serbet i gjetën rojës së konsullit Prochaska një letër private të  këtij të fundit,  në të çilën ai përshkruante fill e për pe barabarizmat serbe.) Ky incident i rëndë çoi në një krizë diplomatike mes Perandorisë Austro-hungareze dhe Mbretërisë së Sërbisë. Emri dhe bëmat e konsullit Prochaska u morën në mbrojtje  nga shtypi austro-hungarez dhe u bënë të njohura e popullore anekënd perandorisë shumkombëshe.  Prochaska u lirua nga burgu serb në janar 1913. Ai e vazhdoi karrierën diplomatike si konsull i Perandorisë në Rio-De Zhaneiro të Brazilit.

Po emri i konsullit Prochaska, për informacionet e tij tanimë historike dhe publike në Shqipëri meriton  te vlerësohet, të ketë, përshembull, një zë në  Fjalorin Enciklopedik shqiptar dhe  të përmendet në botimin akademik të  “ Historisë së popullit shqiptar”, Mendoj se Oskar Prochaska meriton ta ketë fotografinë e tij ne Muzetë tona, në Kukës e Prizren, po edhe  në Muzeun Historik Kombëtar. Madje ai meriton te shpallet, qytetar nderi i qarkut të Kukësit dhe i komunës së Prizrenit. Figura e tij në përkrahje të popullit shqiptar në një moment  të vështirë të historisë së tij kombëtare është shembulli i një diplomati për çdo kohë, është nder  për vendin e tij, Çekinë. Dhe mesiguri Oskar Proçhaska do të nderohet sa herë të flitet e të përkujtohet beteja e Lumës dhe lufta e popullit shqiptar kundër pushtuesve serbë me 1912.

BURIME:

  1-Historia e Popullit shqiptar, vëllimi i II,botim i vitit 2002, faqe 507

2- “Dokumente Historike”, botuar në  vitin 1924 nga Lef Nosi .faqe 163-164

  Ribotim më 2007 nga Instituiti I Historise së Akademise se shkencave te RSH.

3-Shqipëria në dokumentet austro-hungareze. (1912) vëllimi VI ( nëntor –

  dhjetor).Tiranë 2012.Qendra e studimeve albanologjike. Instituti i Historisë-Tiranë

4-Fjalori Enciklopedik shqiptar. Akademia e shkencave te RSH, Tirane, 2008

5-“ Ismail Qemali”. Permbledhje dokumentesh, Tiranë 1982 , dokumenti nr 224.

6-Shefqet Hoxha “ Luma ne lufterat per liri”,f,17

  dhe Beteja e Lumës .. në “ Shpalimet e vitit 2007”,Tiranë, 2008.

7-Shaban Braha  “ Beteja e Drinit kunder agresionit serb”.” Kosova” 2000.

8- Isa Halilaj:” Shtigjeve te kohes “. Geer 2010

9-Esat Bilali “  Shkrime historike”” Koha” Tiranë  ,2001,fq.20

10-  Idriz Basha i Novoseit. “ Esat Pashë Toptani.1912-1920”Bruksel 1982

11-Qemal Mataj : Ramadan Zaskoci. 1979

12-Nazif Dokle :Kukesi ne enciklopedi.”Koha” Tiranë,1999.

13-Tahir Kolgjini: Luma dhe luftat e saj “ Shenjzat”, me pseudonimin Lok Lumthi.

14-  Ismail Qemali : Kujtime. Botimet Toena, 2009.

15- Visaret e Kombit, vellimi IV,Tiranë, 1939,Kenga e luftes se Lumës kundër serbit

 16- Albanian and Kosovo:political and ethnic boundaries, 1867-1946”

    Londër,f.313-314.

17- Ltcolonel Reginald Rankin .The inner history of the Balcan Ëar

 18- Giani Baj Macario Ballkani 1912-1913. “ La prova” Milano 1937.

.19- Lt.colonel brevete Baucabeille. “  La guerre turco-balcanique 1913-1914”

  Paris 1914,fq    126. ( Biblioteka e Shkodres )

20-Ferik Abdurrahman Nazif, Mirliv Kirametin :’ Iskodra Mudafasi”Instambul,1933.

21- Dimitrije Tcoviç “ Zgjedhje punimesh”v.2-te.viti 1981,faqe 154-155

 botim i   “ Rilindjes”, Prishtinë

22- Borisllav  Ratkoviç : “ Prvi balkanskih rat 1912-1913”,  ( Operaçije srpske vojske) v.II, , Beograd 1975.

23-Internet: history of Serbi.

 24-Jasha Tomiç : Rat u Albaniji i oko Skadra, 1912-1913 godine

    Botim i vitit 1913, Novi Sad.

25-Borisllav Ratkoviç,Mitar Burishiç, Savo Skoko:

“ Srbija i Crna  Gora  u Ballkanskim patovima 1912-1913”.Beograd.1972

26- Enciklopedija jugosllave, botim i pare,viti 1984,fq.669-670

27- Vojna Enciklopedija, Beograd 1973-1975

 28- John Keegan “ A history of Ëarfare.USA 1994.

29- John Keegan : The face of battle” 1976

30- Richard C. Hall “ :” The Balkan Wars 1912-1913, Prelud to the first Ëorld Ëar

   London and Nev York. 2000

31-Egidio Ivetiç. Lufterat ballkanike.” Dituria”,v.2008.

Fund

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …