leoni

Samidin Muhamet Emini (18.5.1975 – 1.9.1998)

Samidin Muhamet Emini (18.5.1975 – 1.9.1998)

Menjëherë pas Betejës së Rahavecit në korrik të vitit 1998, forcat serbe pretendojnë ta zgjerojnë frontin kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kah Suka e Cermjanit, deri në Shaptej dhe kështu intensiteti i luftimeve kulmon gjatë javës së parë të gushtit të vitit 1998, e zjarri i luftës kaplon pjesën kryesore të Rrafshit të Dukgjinit, pak metra larg Gllogjanit. Në anën tjetër, edhe në fshatrat e Rekës së Keqe prej Smolice deri në Kallavjë, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shënojnë avantazh të dukshëm, ndërsa “Shqiponjat e Zeza” në frontin prej Hereçi deri në Çoka të Junikut, shënonin fitore pas fitoresh. Në Dushkaja, Markalleshët e Vraniqit i thyejnë forcat serbe duke mbrojtur Lagjen dhe hyrjen në fshat, ndërsa në Radishevë, drenicarët i dëbojnë forcat çetnike duke mos i lënë që t’i afrohen as Prekazit e as fshatrave përreth. Luftime të këtilla vazhduan edhe në Bukosh, Vnesht (ish-Samadraxhë), Grejçec, Rreshtan, Bllacë e Budakovë të Therandës, mirëpo ky zjarr qe shtrirë edhe në fshatrat përreth Grykës së Carralevës, me Pjetërshticën, Krojmirin, Dugën, Kleçkën, Javurin e Divjakën, duke mos u ndalur as në arealin e Zonës Operative të Nerodimes, prej Llanishte deri në Grabanicë të Kaçanikut.
Në Malësi të Vërrinit (ish-Lybeçevë) mbahej ceremonia e përcjelljes së fundit të Remzi Ademajt, ndërsa luftimet e pareshtura në Graboc, Loxhë, Sushicë e Peçan deri në Drelaj të Grykës së Rugovës, sajojnë hartën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në të gjitha arealet dhe fushëbetejat, gjatë gushtit e deri në fillim të shtatorit kur shpërthen “Zjarri i Lirisë” në Vërrinin e Xhevat Berishës e të Agim Shalës.
Ngjarjet e përmendura i dhanë krah e flatra dhe kështu ringjallen feniksët e lirisë, prandaj luftëtarët e Vërrinit betohen se nuk do të tërhiqen nga Tuzsuzi, sot Lagje e Trimave, të mos braktisin Prizrenin, të Qëndrojnë në Hoçë të Qytetit, në Billush, në Malësi të Vërrinit, në Gurrë, në Jeshkovë e Lez, sepse këtë dëshirë e kishte komandanti tyre, Xhevat Berisha, me të cilin edhe zë fill “Epopeja e Vërrinit”.
Duke qëndruar si granit për ta ndërprerë konvojin çetnik serb që ngjitej kah Lezi, me pretendim për ta marrë “Majën e Gjermanit” përjetësohen: Refkiu, Milaimi e Tamili prej Kushnini, ndërsa në Lez edhe: Xhevati, Salajdini, Bekimi, Naipi, Asimi, Shahadini, Shefqeti, Alajdini, Nehati, Asllani, të gjithë Berishë të Lezit, Ibrahim Osmani i Prizrenit dhe Samidin Emini, i Kukit të Sharrit, nip i Berishëve.
Dëshmori i kombit Samidin Emini, i biri i Muhametit dhe i Xhevahires, bijë e Berishëve të Lezit, i vëllai i Zyrafetit, Ylfetit, Hysejnit e Vahidinit, është i lindur më 18 maj të vitit 1975, në Kuk të Sharrit. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prizren. Regjistrohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, por i ndërpret studimet për shkak të kushteve të rënda ekonomike në të cilët kishte rënë familja e Muhamet Eminit. Si nip i Xhevat Berishës, veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në arealin luftarak të Vërrinit, qysh herët angazhohet në veprimtari ilegale që zhvillohej rreth organizimit të protestave dhe demonstratave, më 1989 merr pjesë në demonstratat studentore që mbaheshin në Prizren, e kishte parë të plagosur dajën, Xhevat Berisha, e më vonë angazhohet edhe në furnizimin e formacioneve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me armatim.
Pothuajse pjesën më të madhe të rinisë e kalonte në Lez e jeta me veprimtarët e shquar e frymëzonte çdo ditë e më shumë, prandaj edhe në vjeshtën e vitit 1997 bëhet pjesëtar i grupeve dhe angazhohet në kryerjen e ushtrimeve stërvitore dhe në bartjen e armatimit e të materialeve luftarake me grupet e ndryshme të Lezit, të Arbërisë, të Jeshkovës, të Kushninit e Malësisë së Vërrinit, aktivitet ky të cilin e drejtonte Xhevat Berisha, sot dëshmor i kombit. Në Shtator të vitit 1997 udhëton në Shqipëri për armatim dhe sjell 5 barrë kuajsh me armatim e mjete të tjera për punë të ambulancave e të spitaleve mobile ushtarake, ndërsa në maj të vitit 1998 kyçet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe pas arrestimit të Xhevat Berishës, më 27 shkurt të vitit 1998, Samidini nuk ndalet së vepruari: vepron në kuadër të njësitit “Petriti” dhe njihet me pseudonimin “Caki”.
Më 1 shtator të vitit 1998 fillon “Epopeja e Vërrinit” me një sulm të rrufeshëm, me kanonada granatash e breshëri të të gjith[ kalibrave, të hedhura mbi fshatrat: Kushnin, Lez, Jeshkovë, mbi pozicionet e fortifikuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbi selinë e Shtabit Operativ Rajonal për Vërrinin, prandaj edhe java e parë e shtatorit, ndërsa “Djemtë e Dukagjinit” vazhdojnë rezistencën e pashoqe rrëzë “Sukës së Cermjanit” e në tërë Dushkajën, ndërsa digjej e shkrumbohej Smolica me tërë Rekën e Keqe, ndërsa rrënohej e ndizej çdo shtëpi në Rosishtë e Gllogjan, ndërsa Budakovës i përgatitej “Simfonia e Granatave”, e Anadrinit, spastrimi total, “Djemtë e Vërrinit” rezistojnë me qëndresë heroike në rrëzë, mbi thepa e bri shkrepave të Koritnikut. Lufta ishte shumë e pabarbartë; forcat serbe që kishin arritur në Billushë, granatonin Lezin, këmbësoria që ngjitej kah Cyleni breshëronte çdo shkurre, ndërsa grykat hyrëse për në Prizren, Kobaj e Duvë ishin shumë të bllokuara nga forcat e mëdha policore, ushtarake dhe paramilitare. Pas një rezistence heroike, në altarin e lirisë, përveç “Djemëve të Kushninit” e të Lezit, atë ditë përjetësohen: Alajdin Muhamet Berisha, Asllan Emurllah Berisha, Bekim Mahmut Berisha, Hasim Sahit Berisha, Ibrahim Mursel Osmani, Milaim Xhemali Thaçi, Naip Garip Berisha, Nehat Safet Berisha, Selajdin Halil Berisha, Shefqet Murtezan Berisha, Shehadin Sherif Berisha, Refki Gani Shala, Hasim Jashar Maliqaj, Tamil Beqir Shala e komandant Xhevat Ahmet Berisha dhe Samidin Muhamet Emini.
Përcjellja e fundit për dëshmorin e kombit Samidin Emini u bë në fshatin Lez, në “Kopshtin e Dëshmorëve” e nën hijen e një lapidari madhështor që shkëlqen në majën e një kodre të Lezit, ndërsa me vjersha e krijime në prozë Samidinin e nderojnë krijuesit e vegjël të fshatrave të Vërrinit e të Sharrit. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …