Sefedin Ilaz Vitia (4.2.1975 - 18.4.1999)

Sefedin Ilaz Vitia (4.2.1975 – 18.4.1999)

Sefedin Vitia, i biri i Ilazit dhe Zymries, lindi në Viti të Marecit, në një familje të varfër fshatare, por që brez pas brezi e dalluar për ndjenja patriotike. Pasi kreu shkollën fillore në Marec, nisi shkollën e mesme në Prishtinë, por për shkaqe ekonomike e ndërpreu. Sefedini i kishte ndjekur nga afër demonstratat e vitit 1989 në Prishtinë dhe prej atëherë në shpirtin e tij filloi të akumulohej gradualisht urrejtja për pushtuesit, e nxitur kjo edhe nga bisedat familjare.
Komunikatat e UÇK-së për aksione kundër policisë serbe Sefedini i kish ndjekur me vëmendje, por fillimi i luftës në shkallë të gjerë nga UÇK-ja dhe shtrirja graduale e saj në pjesën më të madhe të territoreve të Kosovës, Sefedinin e entusiazmojnë gjithnjë e më shumë, së bashku me tërë familjen e tij. Në vjeshtën e fundit të vitit 1998, edhe në Viti krijohet njësiti luftarak dhe pas formimit të Brigadës 153, Sefedini, së bashku me tre vëllezërit e tij, radhitet në radhët e kësaj brigade. Pagëzimin e parë me luftën Sefedini e pati rastin ta realizonte në luftimet e 7 prillit 1999, por nuk e lejoi komandanti i brigadës, i cili e ngarkoi me detyrën të ruante vënddrejtimin e komandës së brigadës. Heroizmin e vërtetë ai e tregoi në luftimet e ditës së parë të ofensivës serbe për asgjësimin e forcave të Brigadës 153.
Më 18 prill 1999, ushtria serbe ndërmori ofensivën e saj totale në zonën e malësisë së Gollakut, sikurse edhe në të gjitha zonat e tjera të luftës, ku vepronte Brigada 153, cila kishte gati 600 luftëtarë. Kundër kësaj brigade, armiku serb angazhoi tri brigada të këmbësorisë së mekanizuar, të përforcuara ato edhe me mercenarë rusë, ukrainas dhe rumunë. Armiku sulmin kundër popullsisë së kësaj zone dhe forcave të Brigadës 153 dhe shtabit të Zonës Operative të Karadakut, e vendosur në afërsi të shtabit të kësaj brigade, së bashku me një pjesë të forcave të saj, e ndërmori njëkohësisht nga 7 drejtime: Prapashticë – Canaj – Zllash; Suteskë – Mramor – Zllash; Prishtinë – Grashticë – Stallovë – Zllash; Prishtinë – Koliq; Bërnicë – Rimanisht – Sharban- Koliq; Ballaban – Keçekoll – Zllash dhe në atë Ballaban – Koliq. Sikundër shihet, të gjitha drejtimet e goditjeve kishin për objektiv Zllashin, pasi armiku e kish mësuar se atje ndodhej jo vetëm shtabi i brigadës, por edhe për të mbyllur të gjitha shtigjet e mundshme të tërheqjes së forcave të brigadës dhe në Zllash të realizonte rrethimin e forcave të fundit që do t’i mbeteshin brigadës dhe të bënte asgjësimin e plotë të tyre.
Komanda e brigadës e parashikon sulmin dhe drejtimet e mundshme të ardhjes së armikut, prandaj edhe harton planin e saj. Nisur nga përqendrimi shumë i madh i popullsisë së ardhur nga qyteti i Prishtinës dhe ai i Besianës, komanda kish parashikuar kryerjen e luftimeve frontale dhe në rast pamundësie për ta smprapsur armikun, atëherë të kalonte në përdorimin e taktikës partizane, por me çdo kusht të mbrohej popullsia. Për këtë qëllim ajo urdhëroi sektorin civil të saj që ta evakuonte popullsinë në terrene sa më të sigurta dhe të maskuara, duke i angazhur vetë ato të ndërtonin strehimore.
Armiku e filloi sulmin me përgatitje të gjatë artilerie e bazuar në Artanë, Prapashticë, Butovc, Graçanicë, Gazimestan dhe Grashticë si dhe me tanket M-84, të cilat mësynë në drejtimin Rimanisht – Sharban; Llukar – Butovc, Prapashticë – Stallovë dhe Slivovë – Zllash, duke ecur kryesisht përgjatë rrugëve automobilistike. Vendkomanda e gjithë këtyre forcave armike ishte vendosur në një helikopter Mi-8, i cili gjatë gjithë ditës së parë të luftimeve fluturonte mbi Gollak, derisa u godit me zjarr të përqëndruar me armët e këmbësorisë nga një njsëit i brigadës, i komanduar nga Rrahman Dini, dëshmor.
Komanda e brigadës kish ndërtuar vijën e parë mbrojtëse që kalonte: lagja Canaj – Kukavicë – Vidime – Suteskë – Siçevë – Rimanisht – Ballaban – Nishec. Pjesa kryesore e forcave të brigadës u vendos në vijën e parë të përforcuara edhe nga dy njësite të Skifterave dhe ato të Zonës së Karadakut. Me urdhërin e saj ajo parashikonte edhe krijimin e njësiteve sulmuese, të cilat do të depërtonin në shpinë të armikut e ta sulmonin atë pa reshtur, me qëllim që ta detyronin atë të hiqte sa më shpejt dorë nga mësymja.
Një nga masat e brigadës ishte edhe evakuimi i spitalit të saj nga Prapashtica dhe së bashku me 13 të plagosurit rëndë ta çonin pranë spitalit të Zonës së Llapit.
Luftimet nisën të ashpra. Qysh ditën e parë të luftimeve, armiku pati përparim në drejtim të Busisë. Një pjesë e forcave të ndërhyrjes së shpejtë të brigadës, rezervë e saj, u urdhërua të kundërsulmonte në atë drejtim dhe të rivendosej situata në vijën e parë. Në përbërje të këtyre forcave ishte edhe Sefedin Vitia. Mirëpo njësiti hetohet nga forcat serbe.
Armiku, duke përfituar nga përmirësimi i pozitave kish mundur të depërtonte një skuadër më në fshehtësi dhe u organizoi pritë forcave të UÇK-së, në vendin e quajtur “lagja e Kullajve”, në trekëndëshin Viti e Marecit- Zllash – Busi. Me t’u futur kreu i kolonës së njësitit në pritën e armikut, ai hapi zjarr të befasishëm nga afërsia. Në krye të njësitit të UÇK-së ishte edhe Sefedini. Nga zjarri i armikut u plagos rëndë luftëtari Osman Gashi.
Gjatë tërheqjes, Sefedin Vitia dhe Naser Sakiraça u ngarkuan të bëjnë mbulimin me zjarr të tërheqjes së shokëve. I gjithë zjarri i armikut u përqendrua mbi këta dy luftëtarë, të cilët nuk lëvizën nga pozicionet deri në pikën e fundit të gjakut të tyre, duke siguruar tërheqjen e shokëve. Pasi armiku u zbraps, shokët u kthyen dhe u dhanë lamtumirën e fundit dy shokëve të tyre dëshmorë.
Komandantit të njësitit, ku bënte pjesë Sefedini, Behxhet Vitisë, iu ngarkua detyra e rëndë për ngushëllimin e nënës dhe motrave të Sefedinit, të cilat kishin disa ditë që gatuanin ushqim për luftëtarët e brigadës dhe popullin. Nëna ushqente më bukë dhe me vullnet fëmijët e saj që luftonin heroikisht. Burra e gra, prindër e fëmijë, vëllezër e motra të familjes së Iliaz Vitisë ishin hedhur në luftë me armë në dorë për çlirimin e Kosovës. Pas disa ditëshs plagoset edhe nëna e dëshmorit. Kur bashkëluftëtari, Behxhet Vitia, i shoqëruar nga 12 bashkluftëtarë të Sefedinit, i dha lajmin për rënien e djalit, ajo u përgjigj: “Hallal qumështi dhe buka që i kam dhënë. Kam edhe tre djem në luftë. Po qe nevoja edhe ata të bijnë, vetëm Kosova të çlirohet nga shkau!”.
Eshtrat e dëshmorit Sefedin Vitia prehen në varrezat e dëshmorëve të Brigadës 153, te Kodra e Dëshmorëve në Viti të Marecit. (D. G.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …