Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: Ndodhi ajo çfarë është pritur!

Shpallja e dënimit ndaj të rinjve shqiptarë, Adeas, Frashërit, Egzonit dhe Atdheut, edhe një dëshmi se “gjyqësori” jugo-kosovar, po i rikthehet praktikës së vjetër, asaj të para Luftës së Famëmadhes UÇK!

Për mua si bashkëkombës i këtyre studentëve të shkëlqyeshëm dhe njohës solid i artit të ushtarakut, të gjitha përpjekjet e prokurorisë për arsyetimin e të “gjeturave”, të siguruara nëpërmjet ndonjë zarfe, që ua përplasën fytyrës mujsharët-urdhërdhënës të saj, më duken të sajuara sipas porosisë! Vlen për t’u cekur se sidomos në gjyqësi dhe në organet e ndjekjes janë të sistemuar asi të cilët nuk do të duhej. Thjesht, në një shtet normal një gjë e tillë nuk do të lejohej! Gjithashtu vlen për t’u theksuar, se këta sojsëz, kaherë e kanë të neutralizuar terë sistemin nervor të fytyrës së tyre dhe, për këtë arsye ajo u është bërë si sholla e këpucëve-pa as edhe një ndjenjë. Gjithashtu duhet theksuar, se kjo kastë sojsëzësh me vetë-dëshirë ka pranuar të dresohet, qysh në kohen e pushtimit që të pranojnë në këtë formë të gjitha detyrat e “rëndësishme “ për shtetin nga shefat e “mëdhenj”, kështu që ata nuk skuqen fare, para as edhe një poshtërimi nga që u bëhet nga urdhërdhënësit e tyre. Për këta sojsëz, komb e Atëmemëdhe janë leku dhe nen-sofra me të mbeturat që kanë lënë shefat e mëdhenj të tyre. Të tillë janë këta të mjerë, andaj me sjelljen e tyre të përkujtojnë lopët e futura në një fushë me bari të njomë, për të cilat me rëndësi është të kenë çka për të kullotur, ndërsa pse u kërcejnë dhjetëra mëzetër në shpinë nuk mërziten fare. Prandaj, si të tillë që janë, as që mund të pritet që të kenë ndjenja të njerëzishme për të gjithë ata të cilët kanë ndërgjegjen e shëndosh dhe që duanë të vendosin vetë për të ardhmen e tyre!

Të “gjeturat” e publikuara në mjetet e informimit, ashtu si edhe shumë njerëz të cilët nuk i thonë derrit dajë dhe mua më bëjnë të dyshojë, se ato janë të sajuara duke u bazuar në argumente të shpikura. Si të tilla, përballë drejtësisë ato janë të pa qëndrueshme!

Siç edhe është publikuar në media, në të “gjeturat” e prokurorisë, në mes tjerash thuhet, se natën kritike u godit ndërtesa e Kuvendit të Kosovës nga një raketë “Zola”- e cila lansohet nga krahu. Për çudi, “zbuluesit” e kësaj të “dhëne” kanë harruar apo nuk kanë ditur ta cekin, se M 80 “Zolja” e cal. 64 mm, është një raketë e prodhuar nga serbianët, në kohën e ish Jugosllavisë.

Pas kësaj thënie, pashmangshëm lind pyetja?

Çfarë ishin përmasat e dëmit të shkaktuar nga goditja e kësaj predhë, e cila siç edhe dihet ka radius të veprimit efikas deri në 220 metra largësi, si dhe efekt depërtues deri në 300mm, në blindat e prodhuara nga çeliku homogjen?

Përgjigja e “hetuesve”, prokurorëve dhe gjyqtarëve të Gjykatës Themelore të Prishtinës, vërtetë është jo vetëm joprofesionale, por shumë e mjerë! Jo vetëm për vetë ata, por edhe për institucionet e Kosovës, në veçanti dhe popullin e saj në përgjithësi!

Thonë: u thye e një tulle e gjysmë dhe katër gjysmë-dritaret e Kuvendit të Kosovës, në rrethin e ngushtë të pikës së goditur!

E them pa hezituar, se me siguri, diçka tjetër do të ndodhte po të goditej ky mur nga një raketë e cal 64 mm!!! Për të mos  thënë, do të hapej edhe një “gjysmëdritare” në murin e goditur.

Në fund dua të shpreh pjesëmarrjen time në dhembjen e familjarëve dhe dashamirëve të të dënuarve, si dhe shpresën që sa më shpejt të lirohen dhe t’u kthehen familjeve dhe veprimtarisë së tyre të përditshme.

Kam bindjen e plotë, se familjet e këtyre të rinjve atëmemëdhedashës, edhe këtë goditje, jo të lehtë që morën sot nga pushteti i vendit për të cilin, jo pak kanë sakrifikuar, do ta përballojnë me stoicizëm, duke e shndërruar dhembjen në forcë dhe krenari!

17 nëntor 2017

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …