leoni

Selim Shaip Selimi (7.2.1978 -14.12.1998)

Selim Shaip Selimi (7.2.1978 -14.12.1998)

Banorët e fshatit Belinc të komunës së Shtimës, luftës së UÇK-së i kanë dhënë dëshmorët: Selim Selimi, Afrim Musliu, Nusret Abazi dhe martirin Osman Halimi.

Fshati ka qenë pothuajse në tërësi i djegur, ndërsa radhëve të UÇK-së iu kanë bashkuar dhjetëra trima të tij.

Shaip Selimi me bashkëshorten, Hatixhen, rritën tre bijë: Selimin, Burimin dhe Ramizin dhe katër bija: Shehrinë, Lumnien, Dashurinë dhe Bedrien.

Selimi, mësimet e shkollës fillore me sukses shembullor i ka kryer në Belinc, ndërsa tetëvjeçaren në Shtime. Në vitin shkollor 1993/1994 regjistrohet në medresenë e mesme “Alaudin” të Prishtinës. Ishte nxënës i vitit të tretë, kur në Zborc dhe Carralevë qenë krijuar pikat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në qershor të vitit 1998, Selimi shkon në Zborc dhe kontakton komandantin e pikës ushtarake, Milaim Beha, nga Carraleva. Atje iu ndihmon ushtarëve të UÇK-së të hapin istikame, ndërkohë që merr premtime se do të dërgohej në Shqipëri për t’u armatosur. Në gjysmën e dytë të qershorit shkon në Krojmir, ku ndodhej një bazë e organizuar e luftës së UÇK-së, me qëllim që nga atje të nisej për në Shqipëri.

Duke qenë i ri nga mosha, fillimisht sistemohet në shtabin lokal të Krojmirit. Me disa bashkëmoshatarë të tij punon në kuzhinën ushtarake dhe ndihmon në hapjen e istikameve, sidomos gjatë netve, në pozicionet e Carralevës e të Zborcit.

Selimi kishte natyrë shumë energjike. Edhe pse i ri shquhej për zhdërvjelltësi, kryerje me korrektësi të detyrave, që i caktoheshin dhe për afërsi me shokët.

Brenga e tij e vetme, asokohe ishte të pajisej me armë dhe uniformë të UÇK-së. Edhe pse kryente detyra ndihmëse me rëndësi për luftën, Selimi vazhdimisht kërkonte nga eprorët që t’ia mundësonin të shkonte sa më parë në Shqipëri për të marrë armatim.

Gjatë ofensivave të 25 dhe 26 korrikut të vitit 1998, Selimi së bashku me bashkëmoshatarët e vet ndodhet në ndihmë të luftëtarëve të lirisë, të cilët po luftonin në pozicionet e Zborcit, ku bie dëshmor Ruzhdi Salihu dhe plagosen pesë luftëtarë të tjerë.

Gjatë asaj kohe ka bashkëvepruar me Elhami Qeriqin, Agron Durmishin, Epir Qeriqin, Avdi Qeriqin, Besim Jasharin e të tjerë, të cilët kryenin punë të ndryshme në shtab dhe në shkollën e Krojmirit, ku kryesisht qëndronin gjatë ditës vullnetarët, që vinin sidomos nga fshatrat e rrethit të Shtimes dhe të Lypjanit.

Me rastin e zhvendosjes së popullatës civile në Grykën e Shpëtimit, në Krojmir, Selimi me shokët e tij ndihmon evakuimin e popullatës civile. Ndërkohë caktohet të punojë në shtabin lokal të Krojmirit, i cili pas ofensivës së 25 dhe 26 korrikur vendoset në shtëpinë e Aziz dhe Heset Hamdiut, në lagjen Alluri. Gjatë mujave shtator – tetor, Selimi, i cili tashmë ishte radhitur në radhat e UÇK-së, në batalionin “Ruzhdi Salihu” të Brugadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”, depërton disa herë në Zonën Operative të Neredimës, përmes Shtabit të Rancës dhe prej atje kontakton me vëllanë, Ramizin, nga i cili merr vesh se familja ishte shpërngulur nga fshati, pasi forcat serbe granatonin përditë në drejtim të fshatit, nga pozicioni i tyre Te pishat.

Asokohe kontakton me Afrim Musliun nga Belinci, i cili së bashku me Nuhi Jakupin e Reçakut dhe me luftëtarë të tjerë, çdo muaj e më shpesh shkon për armatim në Shqipëri.

Më 2 nëntor të vitit 1998, Selim Selimi, së bashku me Elshanin, Bashkim Krasniqin, Isë Adem Ollurin, Enver Zymer Ollurin, e dhjetëra luftëtarë të tjerë të Batalionit “Ruzhdi Salihu” nga Krojmiri, niset për në Shqipëri. Përgjegjës të grupit ishin Afrim Musliu dhe Nuhi Jakupi, dy ndër luftëtarët më të njohur të Zonës Operative të Neredimes, të cilët kishin depërtuar dhjetëra herë në Shqipëri dhe kurdoherë ishin kthyer pa pasoja.

Kalimi i kufirit ishte bërë pa u hetuar nga forcat armike, të cilat zakonisht përcillnin pikat kaluese të UÇK -së, ndërsa vendosnin prita sidomos gjatë hyrjes në Kosovë.

Duke qenë se ishte një dimër shumë i ashpër dhe bora në Pashtrik vende vende arrinte deri në dy metra, eprorët e UÇK-së nuk kishin lejuar kthimin e grupit, derisa nuk krijoheshin kushte më të volitshme atmosferike dhe kushte të tjera të sigurisë.

Vendimin për hyrjen e kontingjentit të armatosur, i cili përbëhej prej 143 luftëtarëve, e mori Mujë Krasniqi, komandant Kapuqi. Më 13 dhjetor 1998, ai kishte mbajtur një fjalim para luftëtarëve dhe kishte kërkuar që të mos niseshin në rrugë, ata që nuk ndiheshin mirë, ose që ishin sëmurë, ose për shkak të kushteve tejet të pavolitshme atmosferike.

Luftëtarët e lirisë, të gatshëm për të luftuar me armikun kudo ku do të ndesheshin, vendosin që në orët e hershme të 14 dhjetorit të kalojnë kufirin në majen e Gorozhupit. Në ballë të kolonës ishin Mujë Krasniqi, Beqir Gashi, Rifat Mëziu, Gani Elshani, Luljetë Shala, Hysen Bujupaj e të tjerë. Rreth Afrim Musliut ndodheshin kryesisht luftëtarët e Zonës së Neredimës, të cilët po ashtu ishin nisur për të kaluar kufirin, të gatshëm për të luftuar me armikun, kudo ku mund të ndesheshin. Mëngjesi ishte i acartë. Shtresa e dëborës vende – vende arrinte deri në një metër e gjysmë trashësi. Rruga ishte tepër e rrezikshme, por trimat e lirisë ishin mobilizuar rreth motos “Për çlirimin e Kosovës, kthim prapa nuk ka”.

Forcat serbe kishin përcjellë me kujdes lëvizjet e luftëtarëve të UÇK -së dhe kishin zënë të gjitha pritat. Sapo vërtetojnë se formacioni i UÇK-së ishte futur në rreth, në rrëpirat malore të Gorozhupit të përthyer, ata fillojnë sulmin nga të gjitha llojet e armatimit, duke goditur pandërprerë me breshëri mitralozash të rëndë dhe me minahedhës kalibrash të ndryshëm.

Rreth Afrim Musliut, i cili e njihte më mirë terrenin, meqë kishte kalur 15 herë kufirin, ishin tubuar Selim Selimi, Agni Musliu, Rifat Mujota, Hyser Musliu, Fadil Mujota, Kadri Ademaj, Baki Rashiti, Fadil Rashiti, Idriz Hysenaj e të tjerë. Në kohën kur fillon rrebeshi i armëve armike, Afrim Musliu kishte arritur të depërtonte në një pikë të mbrojtur nga sulmi. Ndërkohë mëson se në mesin e grupit nuk ndodheshin: vëllai i tij Agniu, pastaj, Hyzeri, Selimi e disa të tjerë, ai kthehet me qëllim për t’iu ndihmuar. Në një moment kur ndodhej duke sogjetuar në një shkëmb, breshëria e armës armike godet legjendën e sjelljes së armatimit, Afrim Musliu. “Shumë ushtarë të UÇK -së kishin rezistuar trimërisht, derisa kishin shpenzuar tërë municionin”, – thotë Osman Musliu, i cili së bashku me Nuhi Jakupin dhe disa luftëtarë të tjerë, ndihmon tërheqjen e të plagosurve. Disa nga ata ishin ngrirë nga të ftohtët dhe nuk lëviznin dot nëpër dëborë. Dhejtëra prej tyre ranë trimërisht.

Kishte edhe shumë të plagosur, të cilët mezi arrinin t’i tërhiqnim, thotë ai.

Në mesin e të rënëve ishte edhe Selim Selimi, trupi i të cilit është zbuluar tre muaj pas rënies. Me rastin e zbulimit të trupit, luftëtarët e UÇK-së, në fillim të marsit të vitit 1999, Afrim Musliun dhe Selim Selimin, i kishin varrosur në vendrënie.

Rivarrimi është bërë në gusht të vitit 1999. Trupat e Selim Selimit, Afrim Musliut, Nusret Abazit dhe Istref Eminit pushojnë në varrezat e dëshmorëve të fshatit Belinc, afër Shtimes.

Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjishshëm i UÇK-së, nga Zona Operative e Neredimes, nga Kuvendi Komunal i Shtimes dhe nga shoqatat e dala nga lufta. (A. Q)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …