Selman Brahim Lokaj (31.1.1950 - 23.4.1998)

Selman Brahim Lokaj (31.1.1950 – 23.4.1998)

Në frytet e luftës çlirimtare për çlirimin e Kosovës, një emër me vlerë prej çlirimtari të çmuar la edhe dëshmori i kombit, Selman Lokaj.
Lindi më 31.1.1950, në fshatin Sllup, komuna e Deçanit në një familje me traditë patriotike. Axha i tij, Haxhi Imer Vokshi, ishte luftëtar i shquar dhe pjesëmarrës në Konferencën e Bujanit, ndërsa i ati, Brahimi, vuajti tri vite burg të rëndë në Nish të Serbisë.
Prindërit Brahim e Gjylshahe Lokaj patën dhjetë fëmijë, pesë djem e pesë vajza.
Shkollën fillore e kreu në Deçan, ndërsa Normalen në Pejë. Në Prishtinë i kreu studimet e gjuhës angleze.

Kryesisht punoi mësimdhënës i gjuhës angleze në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, pastaj kaloi në Radio-Televizionin e Prishtinës. Pas largimit të dhunshëm nga RTV, rikthehet në vendlindje, prapë me detyrën e arsimtarit të gjuhës angleze në fshatin Drenoc.

Në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u inkuadrua më 12 prill 1998 në Shtabin e Vokshit, së pari për logjistikë, ku dëshmoi vullnetin, mençurinë, guximin, heroizmin dhe atdhedashurinë prej intelektuali në momentet vendimtare për liri. Nevoja për furnizim armatimi, Selmanin me bashkëfshatarë e bashkëluftëtarë e shtyri të marrë rrugën e mundimshme e të rrezikshme për në Malësi, me qëllim të furnizimit me armatim, pa të cilat nuk mund të luftohej. Grupi i parë prej 22 ushtarësh shkoi më 18 prill 1998. Në organizimin e grupit të dytë të bashkudhëtarëve nga Sllupi, Vokshi, Batusha, Hereqi, Nivokazi më 19-23 prill, gjithsej rreth 100 luftëtarë, ku merrte pjesë edhe Selmani, pasi marrin armë e municion të mjaftueshëm atje, gjatë kthimit, në Koshare bijnë në pritë të kurdisur nga forcat ushtarake serbe.
Sipas vëllait, Hasanit, i cili e mbijetoi kërdinë, së pari ndahen luftëtarët e Hereqit, Nivokazit, Botushës e Dujakës, andej kah e kishin rrugën drejt Rekës së Keqe, mirëpo së shpejti detyrohen të kthehen e t’u bashkohen të tjerëve, për t’iu shmangur pritës së kurdisur nga armiku, ku u vra Veli Adem Nocaj. Për fat të keq edhe të ribashkuar bijnë në pritën tjetër, ku ranë edhe 18 të tjerë nga Sllupi e Hereçi, prej nga forcat policore-ushtarake serbe me helikopter të gjithë i kanë sjellur në Hereq.
Nga Sllupi aty bien heroikisht: Selman, Imer, Hajdar e Beqë Lokaj, Tahir, Xhemajl, Bekim e Bekë Mazrekaj dhe Astrit Hadërgjonaj, tetë nga fshati Hereq e dy nga Dujaka e komunës së Gjakovës.
Trupat e 19 të rënëve policia serbe i kishte lënë në fshatin Hereç, prej ku janë marrë ata të fshatit Sllup e ai i Dujakës. Varrimi i dëshmorëve në Hereç, Sllup e Dujakë, bëhet me nderime ushtarake.
Sipas bashkëshortes së Selmanit, Servetes, ai ishte i bindur se Kosova do të çlirohet, me gjithë dëmet njerëzore e materiale që do të pësonte dhe shprehej: “Lumë ata që do ta gëzojnë lirinë”.

Fatkeqësisht, ai nuk arriti ta gëzojë këtë liri, megjithëse ishte i vetëdijshëm se s’ka luftë pa sakrifica.
Trupi e fama e Selmanit si. njeri, mësimdhënës, edukator, veprimtar i shquar, përkthyes e punëtor i zellshëm i RTV -së radhitet me figurat e shquara të luftës për arsimim, dije, atdhe e liri me dëshmorët e shumtë të altarit të lirisë, madje edhe me dëshmorët e martirët e lirisë, që patën punuar në RTV: Xajë Jashari, Sabit Rrahimi (komandant Ylli), Fatmir Leci, Haki Braha, Musa Tolaj, Selim Gërbeshi etj.
Selmani ishte i martuar dhe la dy djem e një vajzë: Triumfin, Agimin e Linditën, të cilët bashkë me familjen e farefisin e mbar kombin krenohen me shëmbëlltyrën e tij, që u përjetësua në altarin e lirisë si humanist, patriot, profesor e luftëtar, së fundi dëshmor i kombit. Trupi i dëshmorit pushon në vendlindje. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Shaip Jahir Pacolli (8.3.1950 - 19.4.1999)

Shaip Jahir Pacolli (8.3.1950 – 19.4.1999)

Shaip Pacolli lindi më 8 mars të vitit 1950 në Marec. Gjashtë muaj pas lindjes, …