vipa
driloni com
vala – old
Fillimi / Kultura / Semben Usman: Zemra e Afrikës është atje ku të gjithë së bashku luftojmë për bashkimin e saj
Semben Usman: Zemra e Afrikës është atje ku të gjithë së bashku luftojmë për bashkimin e saj

Semben Usman: Zemra e Afrikës është atje ku të gjithë së bashku luftojmë për bashkimin e saj

Shkrimtari i  madh i Senegalit, Osman Semben,  u lind më 1 janar të vitit 1923. Ka vdekur më 9 qershor të vitit 2007. Ishte njëri ndër shkrimtarët dhe regjisorët më të mëdhenj e më të njohur, jo vetëm të Senegalit por të mbarë Afrikës. Ka qenë luftëtar i paepur kundër kolonializmit dhe dominimit francez në vendet e Afrikës. Është i njohur për shumë romane e vepra publicistike por edhe si regjisor. Gazeta, “Los Angeles Times” e konsideronte atë si njërin nga autorët më të mëdhenj të Afrikës dhe shpesh është quajtur “babai i filmit afrikan”.

Ai ishte  biri i një peshkatari. Ka lindur në Ziguinchor në Casamance në një familje të entitetit, Lebou. Që nga fëmijëria, Sembène iu përkushtua besimit të vjetër vendës, Serer, besim që manifestohej sidomos gjatë Festivalit të quajtur  Tuur, në të cilën ai u bë shërbëtor i kultit. Edhe pse Tuur kërkon oferta të qumështit të hidhur në shpirtrat stërgjyshorë (Pangool), Sembène nuk mori seriozisht përgjegjësinë e tij si shërbëtor i kultit. Sa do që ishte një reformator e denjë preferonte edhe recetat e  paraardhësve. Disa nga veprat e tij për të rritur bazohen në temat e Sererit. Gjyshja e tij, nga ana e nënës, e ka rritur dhe ka ndikuar shumë në jetën dhe filozofinë e tij autentike, afrikane. Në të gjitha veprat e tij gratë luajnë një rol të madh dhe janë kudo të pranishme.

Ai ka njohur mirë gjuhën frënge dhe  gjuhën arabe  përveç Ufos, që ishte  gjuha e tij amtare. Si i ri gjatë shkollimit  ndoqi mësimet në një Medrese, siç ishte e zakonshme për shumë nxënës të besim islam. Pastaj, mësimet i vazhdoi  edhe një shkollë franceze, deri në vitin 1936, kur  ra në konflikt me drejtorin, francez  për shkak të diskriminimit racial që ai u bënte afrikanëve.

Në kohë i ka ndihmuar babait të tij, peshkatar kur edhe kishte marrë sëmundjen e mushkërive. Në vitin 1938, u zhvendos në Dakar, ku punoi fizikisht.

Në vitin 1944, Sembène u mor në shërbimin ushtarak senegalez, në radhët e trupave të ushtrisë franceze, të cilat e mbanin vendin në pushtim kolonialist.

Shërbimi i tij i dytë i në ushtri ishte gjatë Luftës së Dytë Botërore ku mori pjesë në radhët e forcave franceze. Pas luftës, ai u kthye në vendin e tij të lindjes në Senegal, dhe në vitin 1947 mori pjesë në një grevë  hekurudhore për një kohë të gjatë, të cilën e përshkroi në romanin e tij shumë të njohur “Grimcat e drurit”.

Në fund të vitit 1947, ai u vendos në Francë, ku punoi në një fabrikë  të firmës, “Citroën”, në Paris dhe pastaj në portet e  Marsejës,  duke marrë pjesë aktive  në lëvizjen sindikale franceze. Ai iu bashkua radhëve të Partisë Komuniste të udhëhequr nga komunistët, duke ndihmuar një grevë të madhe popullore, për të penguar dërgimin e armëve për luftën koloniale franceze, në Vietnam. Gjatë kësaj kohe, ai zbuloi shkrimtarin e Rilindjes Harlem Claude McKay dhe shkrimtarin marksist, haitian,  Jacques Roumain.

Ousmane Sembène vdiq më 9 qershor 2007, në moshën 84 vjeç. Ai kishte qenë i sëmurë që nga dhjetori 2006 dhe vdiq në shtëpinë e tij në Dakar, në Senegal, ku u varros në një qefin të stolisur me ajet Kur’anor. Sembène ka lënë  nga tre djem, nga dy martesat e tij.

Seipati, Bulane Hopa, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Panike të Filmave (FEPACI) e përshkroi Sembène si “një ndriçues që ndezi pishtarin për njerëzit e zakonshëm që të ecnin në shtegun e dritës. Ai ishte një zë që foli pa hezitim, një burrë me një mirënjohje dhe talent të veçantë, i cili vazhdimisht mbajti parimet e tij artistike dhe e bëri këtë me integritet dhe dinjitet të madh njerëzor”.

Dr. Z. Pallo Jordan, Ministër  i Arteve dhe i Kulturës, ka thënë se  Sembène ishte një intelektual i madh e mbi të gjitha  një humanist i jashtëzakonshëm, një kritik social shumë  i informuar. i cili  i dha botës një njohuri realiste dhe ndryshe nga ajo që ne e njohim, lidhur me  jetën e rëndë dhe tejet të vështirë të  popujve të Afrikës.

Në vitin 1977, Shtëpia botuese, “Naim Frashëri”, në Tiranë, ka botuar romanin, “Harmatani” të Usman Sembene, përkthyer në gjuhën shqipe nga Elvira Kola.

Ky roman për nga tema e përmbajtja që trajton, në shumë segmente na përkujton “Lumin e Vdekur” të Jakov Xoxes, edhe pse romani i tij ishte botuar 11 vjet më parë se të përkthehej e të botohej shqip, “Harmatani” i senegalezit Sembene.

Koincidencat janë pjesë e angazhimit social të dy autorëve, pjesë  e filozofisë së tyre të perceptimit e social të jetës nën robëri të popujve të shtypur e të robëruar. “Harmatani” është një erë e rrëmbyer dhe e thatë e lindjes  që e godet kontinentin afrikan me një stuhi që lë pasoja të paparashikueshme, në mes të dhjetorit e marsit të çdo viti,  pikërisht sikur zgjohet nga shtrati “Lumi i vdekur” dhe godet të gjallët, në romanin me të njëjtim emër të Jakov Xoxes.

“Harmatani” është roman social që trajton jetën e rëndë nën sundimin kolonialist francez, të popujve të Afrikës, në periudhën pas luftës së Dytë Botërore kur Franca “demokratike” ruante  kolonitë në Afrikë dhe shtypte mizorisht popujt e saj si algjerianët, marokenët, senegalezët, guineasit, nigerianët, kongolezët e popuj të tjerë me ngjyrë. që konsideroheshin të paaftë për të ndërtuar dhe për të mbajtur shtetet e tyre.

Autori ngjarjen e vendos në periudhën e fundit të neokolonializmit, në referendumin e shtatorit të vitit 1958, ku kërkohej të vendosej nëse popujt e Afrikës dëshironin të pavarësoheshin apo të mbeteshin nën sundimin kolonial të francezëve.

Në këtë roman, shkrimtari i madh afrikan e botëror, Sembene, në mënyrë tejet të thellë realiste e filozofike ka zbërthyer jo vetëm kontradiktat e thella klasore të afrikanëve të rinj, që po zgjoheshin nga gjumi dhe letargjia shekullore e robërisë dhe klasës të fjetur nën robërinë shekullore por edhe ndikimin fatal që kishte lënë robëria te popujt e robëruar dhe që kishte sjellë një ndeshtrashë të rëndë të përçarjes mbi baza fetare e klasore.

Klasa vasale, pro franceze,  shtypte mizorisht bashkëvendësit, me qëllim për të ruajtur ato pak favore që gëzonin nga padronët për veten, familjen apo klanet e tyre. Po kështu, autori ka zbardhur edhe disa nga metodat që përdorte  regjimi për t’i shtypur popujt e robëruar, sikur ishte përhapja e krishterimit katolik dhe përpjekja, që përmes favoreve, punës dhe bukës së përditshme, që iu ndanin misionarët kisha e shteti, t’ i ndante dhe t’ i përçante ata, në mënyrë që të merreshin me veten e tyre dhe jo të bashkoheshin rreth qëllimit të lirisë dhe pavarësisë.

Nuk ka roman tjetër në Afrikë, mbase edhe më gjerë ku është përshkruar niveli mizor i robërisë, i cili kishte depërtuar në çdo familje dhe kishte ndarë etër e bij, kishte ndarë vëllezër e bashkëvendës, deri në atë masë sa prindi rrezikon ta vrasë fëmijën e vetë, duke e maltretuar fizikisht deri buzë vdekjes,  nëse do të votonte për pavarësinë e kundër kolonializmit.

I tillë në roman është rasti i Tjumbesë, një e re afrikane, bija e një kleriku të pashpirt, Jozef Koebogi,  i cili e përdhunon fizikisht më keq se shtazën, jo vetëm atë por edhe nënën e saj dhe krejt familjen, duke u marrë të drejtën të votojnë lirshëm, sipas bindjeve të tyre.

Po ashtu, autori, përmes mjekut afrikan, Tangara pasqyron vuajtjet dhe rreziqet me të cilat do të ballafaqohet së bashku me krejt familjen  për shkak se përkrah “Frontin” kundër shkëputjes nga kolonializmi francez. Edhe pse doktori idealist kishte bërë emër si intelektual paqësor dhe njeri që gëzonte autoritet te të gjitha shtresat, në rastin kur vasalët e regjimit hetojnë se ai do të votojë pro pavarësisë, e diskreditojnë dhe janë në gjendje edhe ta zhdukin.

Dështimin e Referendumit, në kolonitë franceze të shteteve të Afrikës,  autori e përshkruan me realizëm,  si pasojë e mos arritjes së unitetit dhe ndërgjegjes së pa konsoliduar sociale e klasore, të afrikanëve të prapambetur e të paarsimuar, por edhe dhunës në të gjitha segmentet që kishte përdorur  regjimi i vasalëve kundër bashkëkombësve me qëllim për të ruajtur favoret, duke pranuar qeverisjen nën sundimin e Francës.

Bindjet e tij klasore, revolucionare, Sembene i ka paraqitur përmes aktivistëve të Frontit si Retenon Agemoni, Nurui, Tjumbeja e shumë të tjerë, të cilët edhe pas disfatës në Referendum nuk e kishin ndalur luftën, e cila megjithatë kishte ngadhënjyer në “Guinenë” që quhej franceze dhe ishte një shembull që rrezatonte  dritën e lirisë për popujt e tjerë.

E veçanta e këtij romani është përshkrimi realist që shkrimtari i ka bërë zgjimit të kontinentit afrikan, zgjimit të njerëzve me ngjyrë,  të cilët “qytetërimi” euro-amerikan i kishte trajtuar si kafshë për barrë, si njerëz të  gjykuar  për të qenë dhe për të jetuar skllevër, madje duke i diskriminuar me vetë faktin se ishin të zinj e jo të bardhë, duke paragjykuar se vetë Hyji i kishte krijuar për të qenë e për të jetuar si rob të të bardhëve.

Afrika kishte bartur barrën më të rëndë të skllavërisë dhe diskriminimit racial, kolektiv, gjatë shekujve të sundimeve që identifikoheshim me emrin “qytetërim”.

Këtë segment të jetës së zezë të afrikanit të zi, të diskriminuar e të përdhunuar mizorisht  gjatë shekujve, shkrimtari revolucionar dhe intelektuali i madh i Afrikës, Sembene Osman e ka trajtuar po aq me mrekulli sa e kanë trajtuar shtypjen e shfrytëzimin e njerëzve nga sundimtarët edhe Emil Zola, Balzaku, Xhek Londoni, Teodor Draizer, Hans Fallada, Dostojevski, Gogoli, Jakov Xoxe e shumë shkrimtarë të tjerë ndër më të njohurit e botës.  (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Mehmet Musa: Ne mes t'Prekazit mbi do shkrepa, djem sokola u rriten n'djepa

Mehmet Musa: Ne mes t’Prekazit mbi do shkrepa, djem sokola u rriten n’djepa

Sot, me 13 maj 2018, u mbushen plot 37 vite qe kur forcat e Policise, ...