Shaban Fetah Hajzeraj (15.9.1979 - 28.4.1999)

Shaban Fetah Hajzeraj (15.9.1979 – 28.4.1999)

Dëshmori Shaban Hajzeraj ka lindur në Veriç të Burimit, më 15 shtator të vitit 1979. Në fshatin e lindjes dhe në Rakosh kryen shkollën tetëvjeçare, mirëpo, për shkak të racizmit serb të zbatuar ndaj shkollës shqipe në Kosovë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, nuk arrin ta vazhdojë shkollimin.
Pas tetëvjeçares, Shabani kryesisht merret me punët e bujqësisë. Megjithëse i ri në moshë dhe pa ndonjë përgatitje të veçantë arsimore, dëshmori Shaban Hajzeraj arrin ta kuptojë me kohë pozitën e nënshtruar e të robëruar të Kosovës. Ai kishte arritur ta kuptojë pozitën e tillë të Kosovës, sepse ishte rritur në atmosferën e një shtypjeje të vazhdueshme, e ushtruar nga Serbia mbi shqiptarët të cilët gjatë tërë viteve ’80 dhe më vonë demonstruan fuqishëm kërkesën për Republikën e Kosovës, e cila në realitet ishte kërkesë për çlirim nga Serbia. Po ashtu ai e kishte kuptuar mirë pozitën e shtypur të Kosovës edhe nga dhuna e përditshme, të cilën policia serbe e ushtronte ndaj shqiptarëve, në secilin fshat e qytet, derisa i doli përballë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe ia bëri me dije se durimi i shqiptarit kishte një kufi.
Shpërthimi i luftës në Prekaz, në pranverë të vitit 1998, kundër pushtimit serb, Shabanit të ri i jep vetëbesim. Meqenëse të parët e familjes së tij kishin prejardhje nga fshati Çubrel i Skënderajt, ai sikur ndinte lidhje edhe më të forta emocionale me Drenicën e Azem Bejtës e të Shotë Galicës. Prandaj, sa herë jehonte topi në atë trevë, zemra e Shabanit shpejtonte ritmin, jo nga frika, por nga urrejtja për vrasësit serbë. Ai sikur e dinte se një ditë, lufta do të përhapet në tërë Kosovën dhe do të përfshijë edhe Veriçin e tij, prandaj kishte filluar të mendonte edhe për atë ditë.
Meqenëse fshati Veriç ishte i banuar edhe me serbë e romë, ishin rrethana të papërshtatshme që aty të formoheshin e të vepronin njësitet e UÇK-së. Përgjithësisht, ky dhe fshatrat përreth i përkisnin një lloj tampon zone që ndante trevën e Drenicës me atë të Dukagjinit, prandaj në të edhe mbretëronte gjendja as luftë as paqe. Mirëpo, me formimin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, në janar të vitit 1999, as kjo trevë nuk u la anash dhe komunikimi i njësiteve të UÇK-së nga zona në zonë u bë më i lehtë.
Një etapë krejt e re e luftës, edhe për dëshmorin Shaban Hajzeraj filloi në mars të vitit 1999, kur NATO-ja nisi të bombardojë caqet serbe. Në këtë fazë edhe popullata shqiptare e Veriçit, nën kërcënimin e forcave hakmarrëse serbe u detyrua të largohet nga shtëpitë e veta. Pjesa më e madhe e saj mori rrugën drejt Kukësit. Nga Shqipëria në Shqipëri, në fillim të prillit të vitit 1999 u shpërngul edhe familja e Shabanit. Me familjen ishte nisur edhe ai, mirëpo nuk shkon më larg sesa te bazat e UÇK-së në Kalimash të rrethit të Kukësit. Atje ndahet nga familja dhe paraqitet në qendrën rekrutuese të UÇK-së, ku pas procedurave të zakonshme sistemohet në radhët e brigadës 138 “Agim Ramadani”. Në ditët në vijim, kryen stërvitjet e nevojshme dhe zhvillon aktivitete paraprijëse ushtarake, në përgatitje për betejat në kufirin shekullor të vdekjes Shqipëri-Kosovë.
Më 28 prill, Shabani me bashkëluftëtarë shkon në vijën e frontit te Rrasa e Koshares. Tashmë po zhvilloheshin luftime të pandërprera dhe forcat e pushtuesit e kishin të qartë se nuk do të mund ta mbronin kufirin. Ai ishte shembur në pikat më strategjike. Serbët po luftonin me forcat e fundit dhe egërsisht. Luftëtarët çlirimtarë po luftonin me kurajo dhe optimizëm të shtuar. Çlirimi i Kosovës po dukej në horizont. Në mesin e tyre ishte edhe Shaban Hajzeraj. Mirëpo, në ato momente, atë e godet një copë granate dhe dheu nën këmbët e tij skuqet me gjak.
Më 29 prill, shokët e luftës, dëshmorin Shaban Hajzeraj e varrosin në varrezat e qytetit Bajram Curr. Më 23 gusht të 1999, trupi i tij u rivarros në varrezat e dëshmorëve në Koshare.
Dëshmori Shaban Hajzeraj ishte i pesti fëmijë me radhë i prindërve, Fetahut (i vrarë ato ditë të pranverës së flakët të Kosovës, nga forcat serbe në fshatin Osojan) e Kadës dhe vëllai i Izetit, Ismetit, Dritës, Vahides, Selvisë, Sanies e Lirisë. Familja e tij mburret me gjakun e derdhur për liri të birit të saj, dëshmorit Shaban Hajzeraj dhe për kujtim të tij ruan si relikte, kapelen, rripin dhe kuletën që kishte ai. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …