Shaban Polluzha

Shaban Palluzha (1871-1945)

Shaban Palluzha  1871-1945

Më 21 shkurt të vitit 1945 në fshatin Tërstenik të Drenicës ka rënë në luftë kundër forcave partizane e çetnike jugosllave kryetrimi i Drenicës, atdhetari dhe luftëtari konsekuent i lirisë dhe bashkimit kombëtar,  Shaban Polluzha.  Në Luftërat Ballkanike, të cilat copëtuan trojet e Shqipërisë, Shaba Palluzha me trima të tjerë të Drenicës organizo rezistencë me armë. Gjatë luftës se Dyte Botërore ishte komandant i një pjesë të frontit në Mal të Zi, Kollashin Pazari i Ri e Sanxhaku. Ai me trimat e tij i kishte shkruar në ndihmë sanxhaklinjve të Asim Blytës dhe kishte luftuar kundër bandave çetnike e partizane, të cilat masakronin popullatën e kësaj ane.

Heroi i historisë sonë, të dhimbshme, Shaban Mustafë Kastrati u lind në Palluzhë të Drenicës, më 1871, në një familje të kame. Në peri­udhën e rinisë mori pjesë në kryengritjet antiosmane, kurse gjatë Luftës së Parë Botërore u ndesh me forcat pushtuese bullgare dhe austro-hungareze. Kjo i hapi udhë për pushtet në fillet e ripushtimit serbo-jugosllav, nga fundviti 1918.  Ngritjen në hierarkinë e krerëve popullorë, duke marrë për mbiemër emrin e fshatit, e arriti përmes ngri­tjes në pushtet nga kapteri i xhandarmërisë në kryetar komune në vitet e Jugosllavisë Versajase.

Ndonëse i pashkolluar, Shaban Palluzha, i dalluar me guxim për të marrë vendime të rëndësishme, kishte një intelekt që e veçonte nga perso­nalitetet e lagjes së tij, për të zgjedhur rrugën më të ndershme në situata të ndera për vendin dhe për popullin. Kjo i siguroi respektin e krerëve dhe të masave. Nuk rrinte në distancë me rivalët, as putha­dorë me miqtë. Edhe para rrezikut për jetën, bëhej jorgan apo mburojë për adhu­ruesit dhe për kundërshtarët. I tillë ishte Shaban Palluzha – bu­rrë i pashëm, i shëndetshëm, krerë autoritar. Ishte fetar i mirë dhe shu­më i vendosur. Mbante veshmbathje tipike të krero-aristokracisë dre­ni­case të kohës së tij.

Burri i Dheut, Shaban Palluzha, në mjedisin e tij, në Drenicën Veriore, mbështetej kryesisht në Miftar Bajraktarin e Llaushës dhe në Mulla Ibrahimin e Hasaprishtinës (ish-Palaci). I pari ishte personalitet i përkorë dhe shumë i mençur, kurse i dyti intelektual shumë i dijshëm. Të dytë ishin të guximshëm, patriotë të kulluar dhe për Shabanin, gjatë tërë shekullit të tij, ishin këshilltarët më besnikë. Midis rivalëve, por jo kundërshtarë në dëm të shqiptarizmës, kishte Sadik Zenelin e Abrisë, personalitet ky me ndikim më të madh në masat dhe Isuf Gradicën, mjeshtër për pushtet. Këta, Sadiku dhe Isufi, kur ishte fjala për interesat e vendit, në Shabanin kishin pushkën plot, kishin pusinë. Dhe, dhje­tëra krerë dhe burra, urtakë, pleqnarë dhe trima, që përbënin rre­thin e dytë të personaliteteve, mbi të cilët u mbështetën: Shabani, Mif­tari, Sadiku e Isufi, në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, pikërisht në Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, në Luftën e Shaban Palluzhës dhe në Lëvizjen e Rezistencës së NDSH-së, u bënë komandantë ushtarakë e udhëheqës politikë në përpjekjet për çlirimin e Kosovës dhe riba­shkimin e Shqipërisë Etnike.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore kreu detyra të rëndësishme me in­te­res për vendin: krerë popullor, kryetar komune, komandant i for­cave të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës dhe kryetar i Gjyqit Pajtues (Islihatit) për nënprefekturën e Skenderajt. Nga fillimi i vitit 1942 mbajti lidhje të afërta, politike e veprimi, me organizatën antifashiste na­cionalçlirimtare, me antifashistët shqiptarë kominternistë, dhe kjo i hapi rrugë të emërohet, komandant i njësisë së Drenicës në përbërje të Brigadës VII të Kosovës, e formuar me direktivë të Shtabit Operativ të AP dhe UNÇ të Kosmetit, nga fundi i nëntorit dhe fillimi i dhjetorit të vitit 1944.

Të themi qartë: në vitet e Luftës së Dytë Botërore, midis nëpu­nësve, më­su­e­sve dhe ushtarakëve që kishin ardhur nga Shqipëria në Drenicë, me të cilët kishte kontakt zyrtar kreu, kryetari dhe koman­danti Shaban Palluzha, 22 ishin antifashistë. Nga dashuria drenicase e virgjër për Shqipërinë, këta antifa­shistë kishin ndikim absolut të thu­ash në të gjithë krerët dhe hoxhallarët e Drenicës. Ata i ushqenin me të dhëna për fundin tragjik të paevitueshëm të nazifashimit. Si rrjedhim fitoren e sigurt të Luftës Antifashiste Nacionalirimtare Shqiptare. Së këndej­mi, sikur të na fliste, sot, Shabani për vetën, do të parapëlqente urtinë e Isak Njutonit: “Nëse kam parë larg, kjo ngaqë kam qëndruar mbi supet e gjigantëve”.

Vërtet, nga ditët e para të formimit, Brigada Partizane e Shaban Palluzhës shfaqi indinjatën dhe revoltën ndaj vrasjeve pa gjyq të perso­naliteteve shqiptare në Drenicë dhe në Kosovë. Brigadat parti­zane të Ju­gos­llavisë dhe të Shqipërisë, që morën për detyrë të “spas­tronin te­rre­nin nga bandat fashiste” të ushtarakut Mehmet Gradica me bashkëve­pri­m­ta­rët, u treguan jo vetëm antishqiptare por edhe antiis­la­me të tërbu­ara. Këto mjaftonin për të irrituar komandantët dhe ushtarët e njësisë së Shaban Palluzhës. Së këndejmi, nga mesi i janarit 1945, Brigada e Sha­ban Pallu­zhës shpalli mosbindjen ndaj urdhëresave të Shtabit Kryesor të UNÇ të Kosovës-Metohisë dhe nga Besiana (ish-Podjeva) u kthye, më 24 janar 1945, për në Drenicë, si eshkë e ndezur kjo për zjarrin e rezistencës dhe të luftës shqiptare kundër ripushtimin komunist jugosllav të Kosovës. Por, duhet të theksohet fakti se Revolta e “Brigadës së Shaban Palluzhës” në themele të Luftës së Drenicës 21 janar –21 shkurt 1945, nuk mund të shikohet vazhdim, as korrigjim, i Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare të Ko­so­vës, as i Luftës Antifashiste Na­­ci­o­nalçlirimtare Shqiptare, por si fill i qartë i një epoke të re, të për­p­jekjeve me të gjitha mjetet të popullit shqiptar për të zgjidhur çështjen shqiptare mbi parimin universal të demo­kracisë – me vetëvendosje.

Në Shtabin Drejtues të Luftës së Drenicës komandanti Shaban Palluzha, i përcjellë nga bashkëfshatari besnik, Hamëz Hetem Istogu, ka pasur rreth vetës, në takime dhe në kohë më të gjata, personalitete popu­llorë e luftarakë të shquar, intelektualë e ushtarakë. Këtu kam vend vetëm t’i përmend. Imer Fazliun nga Shqiponjasi (ish-Radi­she­va), Isa Zymerin nga Prekazi, Ramë Sejdiun nga Llausha, Bajram Baj­ra­ktarin nga Drenasi, Miftar Bajraktarin nga Llausha, Mulla Ibrahimin nga Hasaprishtina, Mu­lla Ilaz Burojen, Rexhep Gjelin nga Likashani, Azem Aruçin nga Makër­mali, Beqë Çubrelin, Jetullah Muharremin nga Rrezalla, Sadik Zenelin nga Abria, Feriz Bojiqin nga Luftari (ish-Kërnica), Sadik Lutanin nga Turiqeci, Adem Dushin, Shaban e Rifat Kotorrin, Hazir Gjakjen nga Ak­ra­shtica, Istref Temën nga Dritani (ish-Dabrashevc), Bedri Gjinin e Abdyl Zhubin nga Mitrovica, Orleanën shqiptare – Marie Shllakun e Profesor Ymer Berishën dhe së fundi edhe Isuf Gjilanin, toger Mehmet Gradicën, Brahim Lutën nga Shkabaj (ish-Gllanasellë), Osman Bunjakun nga Lum­kuqi (ish-Samadrexhë) etj.

Të theksojmë faktin se Programin e Luftës së Drenicës mund ta perceptojmë nga kundërshtimi që Shaban Palluzha u bëri, në Skenderaj, nga mesi i janarit 1945, përfaqësuesve të Shtabit Operativ të Kosme­tit: Fadil Hoxhës dhe Kërsta Filipoviqit, kundër vrasjeve e plaç­ki­tjeve të brigadave jugosllave:

“Nuk jemi kundër pushtetit të partizanëve, as kundër komu­ni­stëve. Në këtë luftë asht edhe Shqypnia, e ne nuk mund t’i kundërvi­hemi nanës. Jemi luftarë për liri dhe për nderin e familjeve e të popullit …!”. Me këtë frymë frymoi Takimi i jashtëzakonshëm i Shta­bit të Brigadës së Shaban Palluzhës në Liridon (ish-Lupçi) të Grykës së Lla­pit, në natën e 20/21 janarit 1945, ku u mor vendimi definitiv për mos­lënien e Kosovës në duart e okupatorit pa një qëndresë epike legjendare, qoftë ajo edhe ndeshje e Moisiut me Goliatin.

Në Shpjegimet e nxjerra me tradhti nga Nazmi Kursani, oficer i OZN-ës, Marie Shllaku saktësoi: “Bemë një bisedë paria, për gjendjen e ngushtë që na paraqitej, të vdesim dhe të mos biem nën Serbi. Edhe në paçim mundësi të shpëtojmë pa luftë. Në qoftë se jo, të çohemi të gjithë dhe të mbrojmë, por të mos e lëshojmë (Kosovën)”. Në Akta­ku­zën kundër saj, pjesëmarrës në Takimin e Liridonit, përmenden edhe Profesor Ymer Berisha, kapter Mehmet Gradica, Adem Shala, Ukë Sadiku, Major Qinisi, kapiten Rexhep Ismaili, Metë Dina, major Kuto­va etj. dhe saktësohej se në atë “takim u mor vendimi që të sulmohe­shin njësitë e UNÇ në Drenicë dhe në minierën Trepça, si dhe të formohej udhëheqësia që do ta drejtonte këtë luftë”.

Komandanti largpamës, Shaban Palluzha, vetëm tashti, në këtë Takim, pranoi të kthente Brigadën në Drenicë, i vetëdijshëm se lufta nëpër fëmijë e gra, është e përgjakshme dhe e dhembshme.

Tërheqja taktike nga Gryka e Llapit, e më se 4000 vetave, pjesa më e madhe pa armë, u bë nga mëngjesi i datës 24 janar, kurse ndeshja e parë ndodhi në Artakoll. Realisht më 24 dhe 25 janar 1945, ndodhi shkapërderdhja e madhe e të mobilizuarëve për partizanë në vise të Llapit, të Përmalinës dhe të Artakollit dhe, më 26 janar 1945, Shaban Palluzhën e gjejmë në Drenicën Qendrore, me 500-700 luftëtarë. Këta janë pjesa më e pandryshueshme e numrit të luftëtarëve të Luftës së Drenicës deri më 18 shkurt 1945, kur sipas udhëzimeve tashti të komandantit ushtarak të Shtabit të Shabanit, togerit Mehmet Gradica (i bashkuar me Shabanin më 12 shkurt, pak orë para se të vdiste Myftar Bajraktari), u shpërnda pjesa më e madhe e bashkëluftëtarëve, për të bërë zgjidhje individuale për fatin e tyre të mëtutjeshëm, mbështetur në amnistinë e shpallur, ditë më parë, nga Josip Broz Tito. Ishte ky fund tragjik por krenar, sepse, krahas dimrit të egër, më nuk kishte as bukë në popull, as veshmbathje, as municion në xhepat e luftëtarëve. Kurrë nuk pati ilaçe dhe as mjek.

Dhe, këtu shumë telegrafisht, detyrohem të përmbledh: Kundër forcave të revoltuara, kryengritëse dhe luftarake në arealin e Drenicës nën udhëheqjen e Shaban Palluzhës, dhe për shtruarjen e Kosovës me strategjinë serbe të tokës së djegur, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Jugosllavisë dërgoi 40-50 mijë ushtarë. Në raportet e batalioneve, të brigadave dhe të shtabeve të kësaj ushtrie, numri i efektivit të luftë­ta­rëve përreth Shaban Palluzhës paraqitej tepër i zmadhuar: 2000, 5000, e madje më 9 shkurt 1945, për të arsyetuar vendosjen e pushtetit ush­ta­rak, më 8 shkurt 1945, atë numër e ngritën në 10 000 veta, pra për rreth 18 – 20 herë më të madh.

Të konstatojmë edhe faktin se, sipas strategjisë së zbatuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të siguruar fitore mbi palën ndërluftuese, duhej të dërgoheshin tre ushtarë ndaj një ushtari të armikut. Mirëpo, Tito në Kosovë, kundër Shaban Palluzhës, dërgoi një numër enorm: 20-25 ushtarë për një kryengritës, sikur Palluzha për tërë kohën të ki­shte dy mijë të armatosur. Por, meqë në Luftën e Drenicës, prej 25 ja­na­rit – 18 shkurt 1945, luftëtarë efektivë ishin vetëm 500-700 veta, del se kundër një kryengritësi janë dërguar 40 – 50 ushtarë me armatim e logjistikë moderne.

Vërtet, nga 19 shkurti 1945, në Bezhenik, paralagje e fshatit Qën­dresë (ish-Tërstenik) të Drenicës, të lidhur me “Shtrabin e Shaban Pallu­zhës” ishin vetëm rreth 70-100 veta dhe sa filloi rrethimi dhe luf­ta, u tër­hoq pjesa absolute e tyre. Shaban Palluzha dhe Mehmet Gra­di­ca me një efektiv prej rreth 17-29 bashkëluftëtarësh, e përballuan luf­tën rreth tri orësh nga Kullat e Fekë Zenunit. Dolën nga rrethimi me luftë flaka-flakë, me një të plagosur, duke lënë të vrarë 6 ushtarë të armikut. Përshpejtuan për në Kullat e Hasan Sylë Dvoranit në Qën­dresë dhe aty, me një efektiv prej rreth 20 vetash, në natën e 21/22 shkurtit 1945, i rezistuan nga tri kulla Divizionit 52 të Ushtrisë së Jugosllavisë.

Ndër bashkëluftëtarët e orëve të fundit të Shaban Palluzhës dhe të Mehmet Gradica, ishin: Isuf Gjilani me dy-tre bashkëluftëtarë, Rexhep, Qerim e Mehmet Gjeli, Baj­rush Qazimi, Muharrem e Musli Mehmeti dhe Halil Zeqiri të Dodonës (ish Gradicë), Hazir Gjakja, Brahim Luta, Ajet Qirezi, Hamëz Istogu me t’et, Hetemin, Asllan Lladroci, etj. Sipas Marie Shllakut, në orët e fundit të luftës heroike ishin 32 bashkëluftëtarë dhe  kundër tyre ishin të anga­zhuar 17.864 (“e ndoshta edhe ma…”) – ushtarë jugosllavë. Do të thotë, kundër një luftëtari efektiv të Shtabit të Luftës së Drenicës pushtuesi angazhoi më shumë se 558 ushtarë, të mbështetur me artileri. Më 22 shkurt 1945 u kuptua se ushtria jugosllave pati rreth 50 veta të vrarë dhe të humbur. Dëmet më të mëdha armikut i shkaktoi strategu i pashoq, Mehmet Gradica.

Lufta do të zhvillohet në distancën më ideale për artilerinë e pushtuesit kundër Kullës – fortifikatë e fundit e Shtabit të Luftës së Dre­ni­cës. Në këtë rrethim ranë dy bashkëluftëtarë të Isuf Gjilanit dhe u pla­go­sën Hamzë Istogu, Shabani dhe Mehmeti. Dy të fundit, morën plagë të rëndë nga copat e predhave artilerie dhe trarët e kullës që po u shembej mbi kokë.

Zëvendëskomandanti i Shtabit të Luftës së Drenicës, Rexhep Xheli, i shquar për shkathtësi luftarake, i ndihmuar nga ana e bashkëlu­f­tëtarëve që u përmendën, me sukses e shpërtheu rrethimin e hekurt, duke bartur mbi kuaj Shaban Palluzhën, Mehmet Gradicën dhe Hamzë Istogun. Gjatë tërheqjes do të vdesin Shabani dhe Mehmeti, kur­se kufomat e tyre do të fshihen, për të mbajtur nën ethe të frikës ushtrinë pushtuese, edhe për një kohë – “u vranë apo jetojnë…!?”

Vlerësimin e parë politik, dhe shkencor, të kësaj kthese të luftës çlirimtare e bëri simboli i rezistencës dhe i mendimit politik shqiptar të lirë, nga fundvitet ’50-ta të shekullit XX, Adem Demaçi, në “Progra­min e Lëvizjes Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve”, nga fund­viti  1963 – pranverë 1964, ku, midis të tjerash, konstatoi: “Shqiptarët e viseve të robnueme deri dje, në saje të instiktit të vet të aprovuem, tue pa se ajo që u ishte premtue – se ‘do të bashkoheshin me nanën e vet Shqipninë’ – po lihej me nji anë – ngadal e me mjeshtri – në më­nyrë të vetëvetishme dhe pa kurrfarë organizimi paraprak – në Dreni­cën Kreshnike – me shpresë se do të tërhiqte vemendjen e të tjerëve jashtë dhe naltë, u ngrit në kryengritje popullore për të mundë me reali­zue premtimin e dhanun në Dokumentin e 31 dhetorit të vjetit 1943, nxjerrë nga Këshilli Nacionalçlirimtar i Kosovë – Metohisë”.

Më tutje, Mendela ynë, do të konstatojë se zemra e Kryen­gri­tjes së Drenicës “ka rrjedhë prej popullit dhe ka pasë të vetmin qëllim – bashkimin e popullit shqiptar” dhe, përfundonte: “Gjaku i trimave shqiptarë nuk shkoi kot sepse la mbas vetes gjurma të pashlyeshme për brezat e ardhshëm, për rrugën që çon kah bashkimi përfundimtar i popullit tonë”.

Të përfundojmë: Lufta e Drenicës nën udhëheqjen e Shaban Palluzhës, 21 janar -21 shkurt 1945, ishte luftë mbrojtëse e drejtë, e fun­dit në historinë shqiptare e pa planifikuar paraprakisht dhe e drej­tuar nga krerë analfabet. Kjo luftë, me përmasat e saj në hapësirë dhe në kohë, shënoi kthesën historike në përpjekjet dhe në luftën e popullit shqiptar për liri dhe për vetëvendosje për njësinë e shtetit shqiptar ku bukës i thuhet bukë dhe ujit – ujë, të riaktualizuar me Luftën Çlirimtare të UÇK-së dhe të idealistëve.

( Nga libri i dr. Muhamet Pirrakut, “Për kauzën e UÇK-së”, Botoi RKL, Prishtinë, 2006)

Kontrolloni gjithashtu

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Marie Shllaku, (1922-1946) luftëtarja heroinë e bashkimit të trojeve në një Shqipëri Etnike

Pavarësisht Kanunit, fesë dhe traditës patriarkale, në shumë raste gjatë historisë, femra  shqiptare i ka …