Shahin Ramadan Gashi (8.9.1955 – 28.4.1999)

Shahin Ramadan Gashi (8.9.1955 – 28.4.1999)

Dëshmori i kombit Shahin Gashi u lind më 8 shtator 1955 në fshatin Buzëllap (ish Dobërdol) të Besianës. Prindrit Ramadan dhe Hajrie Gashi kishin shtatë djem dhe tri vajza : Osmani, Rrahmani, Ukshini, Shahini, Emini, Idrizi, Jakupi, Nailja, Minirja dhe Nazifja. Dëshmori i kombit ishte djali i katërt i kësaj familje që në atë kohë nuk kishte kushte aq të mira ekonomike. Shkollën fillore e kreu në fshatin Anallap (ish Bajqinë), kurse për shkak të kushteve të rënda ekonomike nuk e vazhdoi shkollimin e mesëm.

Fati i shumë të rijnë shqiptar që për shkak të kushteve ekonomike detyroheshin ta lënë shkollimin dhe të bëheshin punëtor krahu e gjeti edhe Shahinin i cili në moshë të re mori rrugën e kurbetit. Me një grup të rinjsh ai ia mësyn Malit të Zi për të vazhduar më pas në Kroaci dhe Slloveni. Ai punoi në ato vende që nga viti 1977 deri në vitin 1988. Pasi kthehet nga atje fillon të merret me punë bujqësore në fshatin e tij ku çdo punë e kryente me përkushtim dhe seriozitet të lartë.

Shahini edhe pse ishte në punë të përkohshme jashtë Kosovës ai çdo herë mendonte dhe përpiqej që ta ndihmonte që një ditë ta shoh të lirë. Kështu ai në shumë protesta dhe demonstrate të organizuara kundër pushtuesit shekullor mori pjesë që nga viti 1981 e deri në ato të vitit 1989.

Që nga ditët para të shpërthimit të luftës së UÇK-së kundër okupatorit serb Shahini kishte shprehur dëshirën që sa më parë të jetë pjesëtar i kësaj ushtrie. Kontaktet e para me UÇK-së i pati në korrik të vitit 1998 me rastin e formimit të njësiteve të mbrojtjes territoriale ku që nga ajo kohë është angazhuar dhe ka dhënë kontribut të çmueshëm në këtë drejtim. Ai vazhdimisht ka qenë në vëzhgim të terrenit derisa të rinjtë e këtij fshati kryenin ushtrimet për aftësimin ushtarak që sa më parë tu bashkëngjiten radhëve të UÇK-së dhe të dhënë kontributin e tyre për çlirimin e vendit.

Për ta siguruar një armë që ta luftoi armikun Shahini e shiti të vetmen lopë që kishte duke I lënë edhe fëmijët e mitur pa qumësht me dëshirën që atyre tua sjell lirinë e shumë pritur. Këtë e arsyetonte me faktin se në këtë moment më e rëndësishmja është të fitohet liria e pastaj ka kohë për të gjitha dhe si thoshte ai pas luftës do ti bëjmë të gjitha. Kur ta kemi lirinë do ti kemi të gjitha të mirat. Ai ishte shumë i përpiktë në kryerjen e detyrave që i parashtroheshin nga eprorët e tij dhe ku e kërkonte nevoja ai shkonte. U shkonte në ndihmë edhe pikave të tjera të UÇK-së . Më së shpeshti këtë e bënte në pikën e afërt që kishte ku Shahini me armën e vetë personale bënte roje me ushtarët e UÇK-së të njësitit “Ulpiana -39” të cilin e komandonte Naser Hyseni -“Doku” e që ishte e vendosur në fshatin Anallap, rrugës për fshatin Gegaj dhe shumë afër rrugës Besianë –Llapias ku kishte lëvizje të shpeshta të policisë serbe. Po ashtu ai vullnetarisht edhe gjatë natës i kontrollonte pikat e rojës në fshatin e tij ku ishin katër pika të rojës dhe ky vazhdimisht i kontrollonte ato për të mos lënë vakum e të mos mbahet si duhet roja.

Me rastin e urdhrit të Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së të ZOLL-it që të gjitha njësitet e Mbrojtjes Civile të kyçen në radhët e UÇK-së e gëzoi Shahinin i cili bashkë me shokët e tjerë të njësitit ku ishte u bënë ushtarë të rregullt të UÇK-së.

Meqë ai kishte të kryer shërbimin ushtarak dhe kishte njohuri solide për përdorimin e armës si dhe kishte taktikë të mirë luftarake dhe vëzhguese.

Shahini ka qenë ushtar i rregullt në njësitin ushtarak,Togu “Ulpiana-68” në kuadër të Brigadës 152 “Shaban Shala” të ZOLL-it ,i cili tog kishte për komandat Bajram Gashin dhe zëvendëskomandant Osman Gashin. Ndërsa ndër bashkëluftëtarët e tjerë të tij ishin : Fatmir, Behard, Beqir, Nexhmi, Ylber, Milazim, Afet, Gëzim, Besim, Idriz, Bislim Gashi, Ahmet Bahtiri, Bashkim Syla, Rrahman Ademi, Ruzhi, Salih Toplica, Arton Ibrahimi etj.

Përpos Shahinit kjo familje e ka ndihmuar luftën e UÇK-së e vlen të ceket kontributi mjaft i madh dhe i çuar i të vëllait Idrizit i cili ka furnizuar me armatim UÇK-së. Përpos ushtarëve të UÇK-së në Buzëllap ai armatim ka sjellë edhe në pikat tjera si në Anallap, Bradash, Llapashticë. Është me rëndësi për të cekur se Idrizi tërë këtë armatim e ka blerë në Bosnje dhe nëpërmes Serbisë e ka sjell me kamionin me të cilin ka bërë tregti por që ai me kohë kamionit ia kishte vendosur edhe një rezervar shtesë e të cilin e mbushte armatim. Ka pasur raste kur në te ka future me dhjetëra kallashë dhe armatim tjetër por edhe fishek të shumtë.

Shahini së bashku me bashkëluftëtarët tjerë merr pjesë në betejën e 24 marsit 1999 që u zhvillua nga fshati Llaushë deri në Buzëllap në kohën kur nga na e Dumnicës tentonin të kalonin forcat e armikut që kishin ardhur nga pika kufitare në fshatin Përpellac. Kjo ofensivë vazhdoi edhe të nesërmen më 25 mars 1999 dhe Shahini ishte në pjesën e Buzllapit pikërisht në lagjen e hoxhajve. Ndërsa më 26 dhe 27 mars 1999 merr pjesë në betejat që u zhvilluan në fshatrat Gegaj dhe Bradash .

Gjatë muajit prill 1999 me disa bashkëluftëtar që nga fshati Gegaj ku ishin të vendosur shkojnë në fshatin Buzëllap dhe i sulmojnë forcat e okupatorit të cilat ishin të vendosura aty. Më 27 prill 1999 forcat armike u nisën për të sulmuar pozicionet e UÇK-së në fshatin Gegaj mirëpo edhe pse forcat armike ishin numerikisht më të mëdha dhe teknikisht më të forta për nga armatimi nuk arritën që ti lëkundin nga pozicionet e tyre ushtarët e trima të UÇK-së. Forcat armike tërhiqen atë natë për të sulmuar të nesërmen sërish me përforcime dukshëm më të mëdha. Ushtarët e UÇK-së ku ishte edhe Shahini ishin të vendosur në kodrën e quajtur “Rrafshnalta” mbi fshatin Gegaj në kodrën ku bashkohen Llapi me Shalën. Njësitet e UÇK-së ishin të pozicionuara në këtë vend që nga orët e hershme të mëngjesit dhe fronti I luftës ishte në një gjatësi të madhe që nga pika e Kaqanollit deri në veri tek kufiri Kosovë –Serbi.

Këtë ditë forcat serbe kishin përgatitur forca të shumta për të sulmuar ushtarët e UÇK-së ku ata fillimisht sulmojnë me mjete luftarake të altilerisë (raketa tokë-tokë,minahedhës etj) e më pas numër i madh i këmbësorisë nisen në vijën Llapias (ish Kërpimeh) – Revcuçë-Kaqanuell. Okupatori sulmonte pa ndal ndërsa ushtarët UÇK-së mbroheshin por ata kishin vetëm armatim kundër këmbësorisë. Shahini kishte armën automatik që do të ishte e suksesshme vetëm në distance jo shumë të largëta. Ai nga vullneti shumë i madh për tu përball me forcat armike ofrohet afër pozicioneve të tyre dhe në një luftë gjoks më gjoks qëllohet nga një plumb I armikut I cili ishte vdekjeprurës. Kështu më 28 prill 1999 bie heroikisht dëshmori nga Buzëllapi Shahin Gashi duke luftuar ballë për ballë me armikun. Aty në ato pozicione plagosen edhe disa luftëtarët tjerë të lirisë si : Faik Fetahu,”Bija”,”Goni”etj.

Bashkëluftëtarët Fatmiri e Zahiri që ishin bashkë me Shahinin nuk patën mundësi ta tërheqin trupin e tij I cili ka qëndruar aty deri në përfundimin e luftës pikërisht deri më 18 qershor 1999 kur është varrosur në fshatin e tij të lindjes në fshatin Buzëllap. Në vendin e rënies në kodrën e Kaqanollit nga bashkëluftëtarët dhe bashkëfshatarët i është ngritur përmendorja.

Bashkëluftëtarët dhe bashkëfshatarët e tij sot evokojnë shumë kujtime për dëshmorin Shahin Gashi ndër të cilët edhe komandanti I njësitit”Ulpiana-68″,Bajram Gashi .Ai kujton rastin kur njësiti I tij në janar të vitit 1999 së bashku edhe me vullnetar tjerë të rinj të fshatit Buzëllap (52 veta) kishin për detyrë që në fshatin Bradash në afërsi të fshatit Peran ku ishin të pozicionuara forca të shumta armike të hapnin istikame punë që kryhej gjatë natës gjerë në orët e hershme të mëngjesit. Shahini bashkë me Fatmirin kishin për detyrë që të bëjnë vëzhgimin e terrenit. Ata duke vëzhguar terrenin shkojnë edhe në pozicionet e armikut dhe Shahini hyp në një tank përpiqet që ta shkul armën por nuk mundet dhe merr dy pelerine. Me tu kthyer e njofton komandantin dhe ai e qorton se si ka hyrë në atë rrezik. Ai ia kthen ti qortosh që nuk munda dot ta marr armën e tankut dhe ia tregon duart që në kontakt me hekur në at acar iu kishin bërë varrë. Po ashtu Bajrami rrëfen edhe për një rast kur në fshatin e tij ishin të vendosur forcat armike dhe bashkëfshatarët ankohen se kanë mbetur pa gjëra ushqimore Shahini si çdo herë I gatshëm që ti përcjell bashkëfshatarët deri në shtëpitë e tyre për të marr gjëra ushqimore .Ai afrohet afër shtëpisë së tij dhe aty ishte një tank të cilin afrohet dhe e prek me dorë dhe rojet serbe nuk e vrejnë. Ah sikur të kisha mjetë shpërthyes e ta hodhi në ajr atë tank është shprehur ai.

Shahini ishte i martuar me Sherifen dhe pas vetes la katër fëmijë dy djem e dy vajza : Albulenën, Ilirin, Valmirin dhe Arjetën. Ata sot rriten në lirinë që ua solli babi me shokët tjerë dëshmorë dhe janë krenar që janë fëmijët e dëshmorit të kombit.

Në shenjë nderimi për veprën e dëshmorit Shahin Gashi dhe dëshmorëve të tjerë të lokalitetit të Llapiasit Elfir Behrami, Mirsad Gashi dhe Visar Thaçi në çdo përvjetor të rënies se tyre të rinjtë e këtushëm organizojnë turne në futboll të vogël ku marrin pjesë ekipe të këtij lokaliteti dhe të lokaliteteve të tjera të komunës së Besianës e më gjerë.

Pas luftës familja e dëshmorit të kombit Shahin Gashi është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme, nga UÇK-së, ZOLL-it, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. (M.K)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …