Shaqir Zejnush Berisha (8.11.1969 - 15.1.1999)

Shaqir Zejnush Berisha (8.11.1969 – 15.1.1999)

Më 15 janar të vitit 1999, forcat okupatore serbe në fshatin Reçak të Shtimes kryen një masakër, një krim kundër popullatës shqiptare të këtij fshati heroik, i cili luftës për çlirimin e Kosovës i dha 11 dëshmorë dhe mbi 50 martirë. Gjatë luftimeve në Reçak, më 15 janar të vitit 1999, kanë rënë dëshmorë: Shaqir Berisha, Ali Beqa, Ismail Luma, Mehmet Mustafa, Sadik Mujota, Kadri Syla, Nazim Kokollari, Enver Rashiti dhe janë plagosur disa pjesëtarë të tjerë të UÇK-së. Në mbrojtje të kufomave, më 19 janar 1999, ka rënë komandanti i Brigadës 161, Ahmet Kaçiku dhe luftëtari Vezir Jashari. Gjatë kohë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  nga fshati Reçak kanë rënë dëshmorë në kohë dhe në vende të ndryshme edhe: Alush Mustafa, Idriz Mehmeti, Afrim Syla.  Dëshmori Bedri Kamberi ka rënë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ndërkohë janë shpallur dëshmorë: Lutfi Bilalli, Sadik Osmani, Nexhat Ramadani dhe Ragip Bajrami.

Shaqir Berisha u lind në fshatin Reçak të Shtimes, më 8 nëntor të vitit 1969. Mësimet e para i mori në shkollën fillore të fshatit. Shkollën e mesme e ka vazhduar në gjimnazin “Naim Frashëri” në Shtime. Ndërkohë  shkoi në Slloveni te vëllai, Abdullahu, ku qëndroi gjashtë muaj. Më vonë, gjithnjë duke kërkuar punë shkon edhe në Kroaci ku qëndroi 5 muaj.

Ka marrë pjesë aktive në demonstratat e zhvilluara në Shtime, gjatë viteve 1989-1990. Po ashtu mbante lidhje të fshehta  edhe me veprimtarë të ilegales patriotike. Për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat e marsit të vitit 1990 në Shtime, arrestohet nga pjesëtarët e policisë vendore dhe dërgohet në burg. Gjykata e Ferizajt e dënon me dy muaj burg për shkak të pjesëmarrjes në demonstratë. Në burgun e Dubravës, ishte plagosur me petardë. Ramiz Hoxha, ishte polic.

Burgun e ka mbajtur në Smrekovnicë dhe në Dubravë të Burimit.

Së bashku me bashkëvendësin e tij, Mehmet Mustafa, i burgosur politik i vitit 1981, për pjesëmarrje në protesta, Shaqir Berisha ishte nisur në rrugë për të mbështetur lëvizjen e armatosur për çlirimin e vendit.

Kishte pritur me shumë interesim zgjerimin e radhëve të UÇK-së në fshatrat e rrethinës së Shtimes. Kontakton  me bashkëvendësin e tij, luftëtarin, Isak Musliu, i njohur gjatë asaj kohe si komandant  “Qerçizi”.

Më 13 qershor të vitit 1998, Shaqir Berisha dhe Mehmet Mustafa takohen në Reçak me Isak Musliun, Imer Alushanin, Nuhi Jakupi, e të tjerë. Dy javë më vonë pranohet në radhët e çlirimtarëve dhe sistemohet në njësitin e “Çelikut”.

Ndërkohë, me rastin e zgjerimit të UÇK-së në Zonën e Neredimes, Shaqir Berisha gjendet në radhët e njësiti të Rancës, që ishte pika ndërlidhëse me Zonën e Pashtrikut dhe të Drenicës. Njësiti i Rancës, i cili fillimisht i takonte njësiti “Çeliku” me rastin e formimit të Zonës Operative të Neredimes, zgjerohet në Kompani, e cila ka vepruar në kuadër  të Brigadës 161, Ahmet Kaçiku, të kësaj zone.

Me rastin e strukturimit të UÇK-së në tetor të vitit 1998, Shaqir Berisha emërohet zëvendës-komandant i Kompanisë së Reçakut, komandant ishte luftëtari Afet Bilalli, po nga Reçaku.

Ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar asokohe në Reçak, Rancë, Carrelevë, Petrovë e gjetkë.

Bashkëluftëtarët më të afërm gjatë luftës kanë qenë, Sadik Mujota, Muhamet  Bajrami.

Më 15 janar të vitit 1999, Shaqir Berisha ishte në pikën e tij luftarake në vendin e quajtur “Qafa e Kërshinës”, në pozicionet e para të cilat u goditën nga ushtria dhe policia serbe. Ka rënë rreth orës 6.00 të mëngjesit së bashku me luftëtarët: Ismail Luma, Nazmi Kokallari, Enver Rashiti, Ali Beqa, Kadri Syla. Po atë ditë në një pikë tjetër kanë rënë edhe Sadik Mujota dhe Mehmet  Mustafa.

Bashkëluftëtarët, trupin e dëshmorit, Shaqir Berisha, e varrosin në “Varrezat e Dëshmorëve” në fshatin Legjendas (ish -Mollapolc).

Nga familja e këtij dëshmori të lirisë, gjatë “Masakrës së Reçakut” janë martirizuar edhe: Halit Shaqiri, Zenel Beqa, Rizah Beqa, Hasan Beqa, Bajram Mehmeti dhe Hanumshahe Mehmeti.

Shaqir Berisha ka qenë i martuar me Merveten, me të cilën ka lënë dy bija: Leoditën dhe Teutën.

Emri i nënës, Naile.

Vëllezërit: Avdullahu, Ismajli, Ejupi.

Motrat: Makfireti, Nasibja.

Për dëshmorin, Shaqir Berisha, është hartuar një biografi në librin “Masakra e Reçakut”.

Familja Berisha ka marrë Mirënjohje për dëshmorin nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga SHP i UÇK-së, nga Zona e Neredimes, nga Kuvendi komunal dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Mirsad Salih Gashi (1.2.1980 - 16.4.1999)

Mirsad Salih Gashi (1.2.1980 – 16.4.1999)

Salih Gashi nga Buzëllapi (ish – Dobërdoli) i Llapit ishte i martuar me Sabile Zekën …