Shemsi Arif Ahmeti (8.6.1969 - 26.4.1999)

Shemsi Arif Ahmeti (8.6.1969 – 26.4.1999)

Si shumë officerë të tjerë të lartë shqiptarë, të shkolluar në vende të huaja, për mungesë shkollash ushtarake në Atdhe, edhe Shemsi Ahmeti, që nga nisma e shkollimit të tij në poligonet ushtarake jugosllave, mësoi me zell e kujdes të madh për t’i përvetësuar strategjitë e luftërave, në mënyrë që një ditë t’i përdorë për çlirimin e vendit të vet.
Shemsi Ahmeti u lind më 8. 6. 1969 në fshatin Kodër (ish-Zasellë) të komunës së Mitrovicës. Ishte i gjashti prej fëmijëve të prindërve, Arif e Hajrie Ahmeti. Kishte vëllezërit Haxhiun, Hakiun, Bekimin, Bashkimin e Blerimin dhe motrën Fatmiren. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në fshatin Shupkovc. Në Beograd regjistroi gjimnazin ushtarak, në vitin 1982, drejtimin e përgjithshëm dhe e përfundoi në Sarajevë. Akademinë e Lartë të artilerisë e kreu në Zarë.
Në vitet ’90-të të shekullit 20, Shemsiu komandoi një kompani artilerike në Vërshac. Ai ishte dërguar në luftën serbo-kroate, pas shpërthimit të saj në vitin 1991. Ishte detyruar të marrë pjesë në beteja, që nga Knini deri në Vukovar, ku fitoi një përvojë të madhe luftarake. Në këtë luftë kishte kuptuar edhe qëllimet dhe taktikat e pushtuesit serb. Pas përjetimeve të luftës në Kroaci e në Bosnjë e Hercegovinë, i ishte neveritur uniforma ushtarake që bartte, i vetëdijshëm që armata vrasëtare jugosllave edhe popullit të vet do t’i sillte tragjedi, prandaj më 1992 e braktisi frontin serbo-kroat dhe u kthye në Kosovë, ku një kohë qëndroi në ilegalitet.
Me fillimin e luftës çlirimtare në Kosovë, Shemi u mobilizua në radhët e UÇK-së, më 22.6.1998, në Bare të Shalës së Bajgorës. Stërvitjen e kreu në Trepçali. Dispononte armët personale, revole, kallash, snajper dhe top dore.
Fillimisht ishte angazhuar si komandant kompanie në Trepçali. Mori pjesë në betejën e Mazhiqit (11 korrik – 15 shtator 1998). Ndërkaq, pas rënies së nënkomandantit për Logjistikë të Zonës operative të Shalës, Xhevat Jusufi dhe plagosjes së komandantit Zymer Halimi, më 3 janar 1999, komanda e Brigadës mori vendim që Shemsi Ahmeti të emërohet komandant i Njësisë Speciale për ZOSH, të cilën e komandoi deri më 26 prill 1999, ku ra heroikisht në betejën e Majdanit.
Mori pjesë në betejat në Mazhiq, Trepçali, Melenicë, Preten, Rahovë dhe së fundi në Majdan. Në kuadër të kësaj njësie, u formua edhe Njësia Artilerike, pasi u siguruan edhe disa armë të rënda artilerike dhe u formuan kushtet për luftë frontale kundër armikut. Bashkë me formacionet e tjera të UÇK-së, pushtimi i bazës ushtarake serbe në Kutllovc, më 13 mars 1999, grabitja e një arsenali të madh ushtarak aty, e mundësuan zhvillimi i offensivës 24 – ditëshe nga Brigada 142 që vepronte në kuadër të ZOSH-it.
Njohuritë e fituara në shkolla e akademi ushtarake, pjesëmarrja aktive në luftën e Kroacisë e Bosnjës, urtësia, guximi e besnikëria që dëshmoi në front, dëshmojnë se dëshmori Shemi Ahmeti ishte ushtarak i kompletuar, njeri i sacrificës dhe simbol i lirisë kombëtare, siç vlerësojnë bashkëluftëtarët e tij.
Më 13 mars 1999, me urdhër të komndës së Brigadës, në koordinim edhe me njësitet e tjera ushtarake, Shemsiu me njësitin e tij, nga Kodra e Trepçalive sulmon bazën ushtarake serbe në Kutllovc, stacionin dhe punktin policor në Trepçë dhe pozicionet e ushtrisë armike në Rahovë, ndërsa nga Suma (ish-Pasoma) sulmohet baza ushtarake serbe në Bajër të Mitrovicës. Në këtë sulm frontal të artilerisë dhe këmbësorisë, të njësiteve të Brigadës 141 “Mehë Uka” fillon lufta frontale dhe e kombinuar në rajonin e Shalës së Bajgorës, që do të vazhdojë deri më 30 prill 1999. Në këto beteja, mungesën e municionit, Shemsiu e plotësoi me pushtimin e deposë ushtarake serbe në Kutllovc, më 21-22 prill 1999, i ndihmuar edhe nga njësiti i Rexhë Sumës, ku bënin pjesë edhe Ajeti, Emini etj., aty ku ra heroikisht ushtari Avni Shabani dhe u plagos rëndë Burim Idrizi. Shemsiu mbajti vijën e frontit në relacionet Trepçali – Shkëmbi i Bletës – Melenicë – Lagja e Cenaj – Majdan, deri në momentin e rënies së tij heroike, më 26 prill 1999. Më 26 prill kishin vazhduar luftimet në lagjen Cenaj dhe në Kodrën e Majdanit, me ç’rast bien heroikisht Rrustem Hyseni – Historiani, Ahmet dhe Xhemajl Haxha dhe Asllan Cimili.
Ndërkohë, ushtarët e njësitit të UÇK-së i tërheqin trupat e komandantit të rënë, Shemsi Ahmeti e të dësmorit, Arsim Muzaqi, të cilët i varrosën një ditë më vonë në Bajgorë. Trupat e katër pjesëtarëve të njësisë Speciale të komanduar nga Rrustem Hyseni, si dhe të Asllan Cimilit, Ahmet e Xhemajl Haxhës ishin kapur nga armiku dhe pas përfundimit të luftës u gjetën në varrezat e Buzibrit (ish-Suhodoll).
Pas çlirimit, trupi i dëshmorit Shemsi Ahmeti u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve, në Shipol të Mitrovicës.
Familja e dëshmorit ka marrë Mirënjohje nga Komanda e ZOSH-it, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve e institucione të tjera.
Dëshmorit Shemsi Ahmeti i është ngritur përmendorja në qendër të qytetit të Mitrovicës, dërsa me emrin e tij është emërtuar një rrugë e Mitrovicës, si dhe Shkolla Fillore e fshatit Shupkovc. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …