Sherif Brahim Jashari (10.11.1951 - 7.3.1998)

Sherif Brahim Jashari (10.11.1951 – 7.3.1998)

Prekazi tashmë ka hyrë në historinë e popullit shqiptar si një vend historik, që përherë ka rritur burra trima. Ata asnjëherë s’iu përkulen asnjë pushtuesi, por gjithmonë ua kthyen pushkën shkelësve të këtyre trojeve dhe nuk lejuan që të nëpërkëmbej sedra dhe dinjiteti i shqiptarit. Adem Jashari me trimat e Lagjes së Jasharëve, me heroizmin që treguan kundër bandave vrastare të Beogradit, ia zbardhen faqen Kosovës dhe mbarë shqiptarizmit, duke i treguar botës se këto troje nuk durojnë t’i shkelë këmba e huaj.
Njëri ndër ata burra, që iu gjend përherë pranë kryetrimit Adem Jashari, ishte edhe Sherif Brahim Jashari i trungut të Jasharëve. Familja e Sherif Jasharit, si krejt Lagjja e Jasharëve të Prekazit, ishte përherë në shënjestër të regjimit serb, sepse i pari i kësaj familjeje, Brahim Shalla, ka qenë njëri ndër udhëheqësit në Luftën e Sarajit, më 14 janar 1891. Madje edhe sot e kësaj dite ruhet e gjallë në gojën e popullit kënga e këtij trimi të Drenicës.
Nga trungu i kësaj familjeje të Brahim Jasharit, në luftimet që janë zhvilluar në dhe rreth Kullës së Jasharëve prej 5-7 mars 1998, kanë rënë 6 dëshmorë: Qazim Jashari (1948-1998), Sherif Jashari (1951-1998), Beqir Jashari (1955-1998), Halil Jashari (1960-1998), Nazmi Jashari (1967-1998).
Sherifi lindi më 10 nëntor 1951 në fshatin Prekaz të komunës së Skënderajt. Ishte i biri i Brahimit dhe Hylës, të cilët patën 5 djem e 3 vajza: Ekremi, Qemajli, Riadi, Samedini e Ganiu- si dhe Sofia, Leonita dhe Leonora.
Sherifi kishte edhe tre vëllezër-Shaqiri, Salihu e Hilmiu- dhe tri motra-Hysa, Vezirja dhe Bahria.
Sherifi shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, në Prekaz, ndërsa kualifikimin e lartë në ndërtimtari, në Mitrovicë. Pas kryerjes së këtij kualifikimi, ka ushtruar punën e kryepunëtorit në kompleksin e minierës “Trepça” në Zveçan. Punës në këtë kompleks ia ka filluar në vitin 1969-’70 dhe aty ka punuar deri në vitin 1989-’90, kur organet serbe e pushojnë nga puna së bashku me punëtorët e tjerë shqiptarë. Pasi që mbeti pa punë, në vitin 1991 u detyrua të shkojë në Slloveni dhe atje punoi punë të ndryshme në ndërtimtari deri në vitin 1997, kur edhe u kthye në Kosovë. Me rastin e kthimit nga Sllovenia, në vjeshtë të po atij viti, ndalet nga policia serbe në fshatin Tërnac të Skënderajt, futet brenda në autoblindë dhe për dy orë rresht e maltretojnë rëndë, duke kërkuar nga ai që të tregonte se ku gjendeshin bazat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që atëbotë kishin filluar të vepronin në këtë cep të atdheut. Ashtu i dërrmuar nga torturat çnjerëzore të policisë serbe, Sherifi arrin në shtëpi, duke vazhduar një aktivitet edhe më të gjallë kundër pushtuesve të këtyre trojeve.
Me rastin e protestave të viteve 1989-1990, Sherifi së bashku me Ademin, Hamzën, Halilin, Xhavitin, Habibin e shumë të tjerë , merrte pjesë aktive në to. Ai që herët iu ra në sy forcave policore të pushtetit serb dhe mu për këtë u mor shumë herë në pyetje në të ashtuquajturat “biseda informative” në stacionin policor në Skënderaj.
Në vitin 1990, kur flitej se do të rrethohej Lagjja e Jasharëve, fillojnë takimet e burrave të kësaj lagjeje në Kullën e Shaban Jasharit, të Bilall Jasharit, Halit Jasharit e të Sherif Jasharit. Në këto takime bisedohej se si do të vepronin në rast sulmi të forcave policore serbe. Përderisa të rinjtë e burrat e kësaj lagjeje ditën merrnin pjesë në protestat e atëhershme, që mbaheshin anembanë Kosovës, natën caktoheshin rojat, të cilat vëzhgonin terrenin. Këto roja caktoheshin nga mësuesi Qazim Jashari (tani dëshmor i kombit). Në këtë kohë (1990), në Prekaz e në fshatra të tjera të Drenicës fillojnë të defilojnë delegacione të ndryshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga Skënderaj e nga Prishtina, të cilat propagandonin një rezistencë paqësore. Por, burrat e Drenicës e kishin kuptuar me kohë se një rezistencë e tillë ishte vetëm sa për t’iu hedhur shqiptarëve hi syve dhe për t’i mbajtur ata në vazhdimësi nën çizme të shkaut. Andaj, duke parë një politikë e rezistencë të tillë shterpë, këta burra, në krye me Adem Jasharin, fillojnë përgatitjet për një rezistencë aktive. Armiku tashmë ishte në dijeni për këtë organizim të kësaj lagjeje të Drenicës, andaj më 30 dhjetor të vitit 1991, pa aguar dita, sulmojnë Lagjen e Jasharëve, e në shenjestër të tyre ishte Kulla e Adem Jasharit. Atëbotë, siç rrëfen Qemajli, djali i Sherifit, i cili kishte dëgjuar se si policia serbe nëpërmjet megafonit i bënte thirrje Ademit që t’i dorëzonte armët, babai, i cili ka qenë në gjendje gatishmërie, sipas marrëveshjes paraprake, menjëherë ka ngjeshur armën dhe i ka shkuar në ndihmë Ademit. Në ato momente Ademi me një grup shokësh gjendeshin të pozicionuar në një pjesë kodrinore afër malit, që gjendet afër shtëpisë së Naser Jasharit dhe të Shaban Jasharit. Kur forcat policore serbe hetojnë një rezistencë dhe organizim të tillë, kërkojnë forca të reja. Pas arritjes së përforcimeve të mëdha serbe, mjete të blinduara dhe helikopterë, nën breshërinë e plumbave të Ademit e të shokëve të tij, forcat serbe futen me forcë në shtëpinë e Shaban Jasharit dhe në shtëpitë e tjera të Lagjes së Jasharëve, ku me forcë i nxjerrin burrat e shtëpisë dhe i mbajnë peng me duar pas qafe e mbështetur për muri, para shitores. Atyre iu bëhet me dije se nëse vetëm një fishek shkrehet mbi forcat policore serbe nga kushdo qoftë, ata do të pushkatohen në vend që të gjithë. Aty i kanë mbajtur për disa orë ndërsa në mbrëmje, sipas dëshmive të Xhafer Jasharit, i cili edhe ai ka qenë peng dhe i prangosur, që të gjithë i kanë dërguar në stacionin e policisë në Mitrovicë, ku shumicën prej tyre i kanë maltretuar fizikisht. Pas ekspertizave që iu kanë bërë, i kanë liruar vonë në mbrëmje, por me kusht që sa herë që të ftohen , të lajmërohen në polici.

Edhe më 22 janar të vitit 1998, kur sulmohet familja e kryekomandantit Adem Jashari, Sherifi ishte njëri ndër të parët që i shkoi në ndihmë. Pas këtij sulmi mbi familjen Jashari, burrat e kësaj lagjeje bëjnë një organizim edhe më të sofistikuar, duke u armatosur që të gjithë, duke caktuar roja në pozicione në dhe përreth Lagjes. Sherif Jashari, siç rrëfejnë të afërmit e tij, ishte një tip i mbyllur, fjalëpak e trim me fletë, që shpërthente si vullkani, kur hetonte ndonjë padrejtësi. Ai iu kishte ndihmuar luftëtarëve të lirisë e shokëve të Ademit edhe në Çirez, Likoshan e Llaushë.
Më 5 mars 1998, kur forca të mëdha policore e ushtarake, të përcjella me autoblinda e tanke, sulmojnë familjen e kryekomandantit Adem Jashari, Sherifi ishte krah për krah me kryetrimin përballë forcave armike. “Një natë para se të sulmohej lagjja jonë, më 4 mars, rrëfen djali i Sherifit, Qemajli, atëherë 20-vjeçar, unë isha në roje te Kurrizi, prej orës 21-24. Në orën 24 kanë ardhur Halil Jashari e Nazmi Jashari, të cilët na kanë ndërruar.Isha në një gjumë të thellë, kur aty rreth orës 4-5 të mëngjesit erdhi babai, i cili na zgjoi nga gjumi, duke na thënë: “Çou, se jemi rrethuar!” Unë u zgjova dhe kur dola te dera e pashë duke biseduar me Hamzën. Babai zakonisht ka bërë roje rreth Fabrikës së Municionit, te Kurrizi, së bashku me Tahir Bajram Jasharin. Ndihej vetëm zhurma e tankeve, sepse granatimet ende s’kishin filluar. Mua më thanë: “Ti rri këtu te dyert”. E mora një automat dhe u pozicionova. Më vonë m’u bashkuan edhe Bashkimi, Halili, Bilalli, Shekipi dhe Ragipi”. Gjatë luftimeve që janë zhvilluar prej 5-7 mars 1998, nga familja e ngushtë e Sherif Jasharit kanë rënë: Halil Jashari (1956), Faiku (1963), Qazimi (1950), Beqiri (1958) e Nazmiu (1972), ndërsa plagë të rënda (4 plumba në trup) ka marrë Riad Jashari(djali i Sherifit), i cili më vonë është shëruar në Zvicër. Nga rrethimi kanë shpëtuar Qemajli (djali i Sherifit), Bashkim Jashari, Bilall Jashari, Ragip Jashari dhe Shekip Fazliu nga Klina e Skënderajt. Atë ditë, më 5 mars, Sherifi ka luftuar me një kallashnjikov, ndërsa më vonë është parë me një mitraloz 100-sh. Ka pasë të kryer shërbimin ushtarak të ish- Jugosllavisë dhe ka ditur t’i përdorë shumë mirë gati të gjitha llojet e armëve.
Eshtrat e tij prehen në kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz.
Për dëshmorin Sherif Jashari është shkruar në librin “Prekazi” të Ibrahim Çitakut dhe në revistën “Dituri islame” nr.101. (Sh.K.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …