Shkëlqim Millaku: "E folmja e Karadakut të Shkupit", e prof. dr. Asllan Haminit, monografi shteruese me vlerë për dialektologjinë shqiptare

Shkëlqim Millaku: “E folmja e Karadakut të Shkupit”, e prof. dr. Asllan Haminit, monografi shteruese me vlerë për dialektologjinë shqiptare

Asllan Hamiti është gjuhëtar e profesor i dalluar. Ka marrë pjesë në hartimin e planeve dhe të programeve mësimore të gjuhës shqipe për ciklin parauniversitar dhe universitar në Maqedoni, në disa projekte hulumtuese, profesionale vendore e regjionale si dhe në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Hartoi 8 libra mësimorë e fletore pune të shqipes (për shqiptarë e joshqiptarë) për ciklin fillor e të mesëm (në bashkautorësi) si dhe tekstet universitare Fonetika dhe fonologjia e gjuhës standarde shqipe, botuar e ribotuar në shqip (2005, 2011) dhe në maqedonisht (2008, 2011); Dialektologjia e gjuhës shqipe (2014, në bashkautorësi me Ajten Qamilin). Deri më tani ka botuar afër 100 artikuj profesionalë, monografitë “Paralelja shqipe në dy fjalorët shumëgjuhësh të Gjorgji Pulevskit” (2005), “E folmja shqipe e Karadakut të Shkupit” (2014) etj.

Veprat e profesor Asllan Hamitit tanimë janë bërë referenca shkencore për fusha të caktuara studimesh. Këto dhe shumë veprimtari të tjera, kryesisht të punës edukativo-arsimore dhe shkencore të profesor Hamitit janë kryer në një vend dhe kohë, ku edhe sot zyrtarisht (në 2017) gjuha shqipe në nivel shteti nuk është gjuhë zyrtare.

Kontributi mbi tridhjetëvjeçar në mësimdhënie i profesor Asllan Hamiti dhe metodologjia e tij e mësimdhënies është për çdo lëvdatë. Studentët e tij, si ata të ciklit të studimeve themelore, po ashtu edhe ata të studimeve të masterit dhe të doktoraturës, sot janë duke dhënë kontributin e tyre në qendra të ndryshme shqiptare.

Personalisht, sot më ra fati edhe mua të flas për njërën ndër veprat e profesor Asllan Hamitit, përkatësisht për monografinë “E folmja shqipe e Karadakut të Shkupit” , Logos-A, Shkup – Prishtinë – Tiranë, 2014. Për mua është nder dhe respekt të flas për një autor të nivelit të tillë, i cili më publikimet dhe rezultatet e tij meriton të propozohet nga institucionet përkatëse për anëtar i jashtëm apo i rregullt i Akademisë, qoftë në Shkup, Tiranë, Prishtinë apo ndonjë vend tjetër.

Vepra që po e promovojmë sot: “E folmja shqipe e Karadakut të Shkupit” hartuar nga prof. Asllan Hamiti dhe është një monografi e gjerë përshkruese gjithëpërfshirëse me 500 faqe tekst kushtuar një të folmeje të pastudiuar, madje pak ose aspak të njohur më parë në kërkimet e dialektologjisë. Kjo monografi shteruese plotëson një mungesë të ndjeshme të studimeve dialektologjike për të folmet shqipe në Maqedoni.

Në këtë studim përshkruhet në hollësi e folmja e Malit të Zi të Shkupit në të gjitha sistemet gjuhësore: në fonetikë e fonologji, në morfologji, fjalëformim dhe leksik, duke hartuar edhe një fjalor dialektor. Në fund janë dhënë tekste autentike, një përmbyllje dhe literatura e konsultuar me shumë njësi bibliografike.

Monografia fillon me parathënie, metodat e punës, shenjat plotësuese dhe shkurtimet. Në vjeljen e materialit dialektor autori ka zbatuar metodën e vëzhgimit të drejtpërdrejtë, ndërsa në përpunimin e materialit dhe mbarështimin e punimit është shfrytëzuar metoda e përshkrimit të të folmes në gjendjen e sotme, me shpjegime të herëpashershme teorike të gjuhësisë së sotme e historike, metodën e analizës, të sintezës, të krahasimit etj. Me paraqitjen e shtrirjes së dukurive të caktuara fonetike nëpër fshatrat e këtij areali, prof. Hamiti ka zbatuar edhe metodën e gjeografisë gjuhësore.

Punimi është hartuar mbi bazën e materialit të vjelë dialektor nga fusha të ndryshme të veprimtarisë. Për mbarështrimin e punimit, përshkrimin e këtij areali gjuhësor, të shoqëruar shpeshherë edhe me përpjekje për shpjegimin e dukurive gjuhësore, prof. Hamiti ka shfrytëzuar artikujt e tij e të studiuesve të tjerë si dhe literaturë teorike ndihmëse.

Monografia ka gjashtë kapituj. Në kapitullin e parë (f. 19-53) janë përfshirë të dhëna të përgjithshme për Karadakun, Karadaku në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, E kaluara e përgjakshme dhe e lavdishme e Karadakut, pozita gjeografike, popullsia, vendi i të folmes shqipe të Karadakut të Shkupit në strukturën dialektore të shqipes, gjendja dhe perspektiva e vëzhgimeve dialektore në Maqedoni.

Në kapitullin e dytë (f. 56-237) sistemi fonetik e fonologjik i kësaj të folmeje është përshkruar në hollësi. Aty në mënyrë analitike janë shpjeguar theksi, gjatësia dhe hundorësia e zanoreve. Me një saktësi të madhe shkencore është përshkruar çdo zanore e bashkëtingëllore, duke dhënë shembuj të shumtë për dendurinë, përndarjen dhe ndërrimet me tinguj të tjerë. Nga vepra mund të nxjerrim si përfundim se disa veçori të kësaj të folmeje janë mbarëdialektore, por ka edhe nga ato që i përkasin gegërishtes qendrore si dhe një numër dukurish që kanë shtrirje më të kufizuar. Veçori e rëndësishme fonetike e kësaj të folmeje, siç thotë autori, është ajo se një fjalë e njëjtë shpeshherë përdoret në formë të diftonguar apo të padiftonguar, të tipt: mȃik – mik ‘mik’, nȃuse – nuse ‘nuse’, dhȃit – dhe:t ‘dhjetë’, e të ngjashme; në formë të qiellzorizuar apo të paqiellzorizuar: gjur – gur ‘gur’, gjisht – gisht ‘gisht’, de:g – de:gj ‘degë’, plak – qak ‘plak’, pleh – qeh ‘pleh’, pla:nc – qa:nc ‘plëndës’, gjo:j – go:j ‘gojë’ etj.

Në kapitullin e tretë (f. 239-345) përshkruhen veçoritë morfologjike të kësaj të folmeje. Autori në këtë kapitull ka shkoqitur dhe përshkruar të gjitha pjesët e ligjëratës me kategoritë përkatëse gramatikore, përkatësisht emrin, mbiemrin, numërorin, përemrin, foljen, ndajfoljen, parafjalën, lidhëzën, pjesëzën dhe pasthirrmën.

Në kapitull të veçantë (347-357) janë shtjelluar veçoritë fjalëformuese. Gjatë përshkrimit të mënyrës së formimit të fjalëve në të folmen shqipe të Karadakut të Shkupit prof, Hamiti vëmendjen kryesore e ka përqendruar në mënyrat më produktive të formimit të fjalëve, përkatësisht në: a) fjalëformimin me ndihmën e parashtesave, b) me prapashtesim, c) me mënyrën e dyfishtë (të përzier): me paranyjëzim dhe prapashtesim, ç) me kompozim dhe përngjitje.

Me të drejtë konstaton autori se: “në këtë të folme, si dhe në përgjithësi në dialektin e Veriut, pjesëza treguese çe (< ja, shihe vetë dhe bindu në atë që po ta them) që shpesh dëgjohet edhe si çi, përngjitet me disa përemra dëftorë apo ndajfolje, duke u dhënë po të njëjtave fjalë kuptim më të sforcuar, të tipit ky dhe pikërisht (bash, mu) ky (ky – ja ky). P.sh.: çaj (çe aj) ‘ja ai’, çiki (çe ki, ky) ‘ja ky’, çajo (çe ajo) ‘ja ajo’, çikta (çe kta) ‘ja këta’, çeket (çe ket) ‘ja këtë’; ndajfolje: çagje (çe agje) ‘ja atje’, çekha (çe kha) ‘ja këtu, këndej’, çashtȃu (çe ashtȃu) ‘ja ashtu, pikërisht ashtu’, çekshtȃu (çe kshtȃu) ‘ja kështu, mu kështu’, çiktȃu (çe ktȃu) ‘ja këtu, mu këtu’ etj. Këtyre formave ndonjëherë u passhtohet edhe përemri vetor i vetës së parë njëjës une, sipas tipit: çe + kshtȃu + une (ja + kështu + unë), sidomos në fshatin malor Brezë, për të përftuar format e përngjitura çekshtȃune, çashtȃune (çe + ashtu + unë), që janë të rralla në shqipen dialektore”.

Veçoritë leksikore janë përfshirë në kapitullin e pestë (f. 359-393). Puna  këmbëngulëse dhe përgatitja e mirë profesionale, përkushtimi, logjika e argumentit, forca krijuese dhe origjinaliteti i prof. Hamitit vërehet edhe në këtë pjesë monografie. Po sjellim vetëm një paragraf të shkëputur nga kjo pjesë e tekstit: “Marrë në përgjithësi, e folmja shqipe e Karadakut të Shkupit për shkak të përdorimit paralel të krahinorizmave të gegërishtes qendrore dhe të gegërishtes verilindore është shumë e pasur me sinonime. Tipike për leksikun e kësaj të folmeje është përdorimi i çifteve sinonimike fjalësh dhe formash fonetike karakteristike për gegërishten qendrore, që mbizotërojnë dhe jo pak fjalë të gegërishtes verilindore. Me fjalë të tjera, këtu kemi dysi krahinorizmash të gegërishtes qendrore dhe të gegërishtes verilindore. Madje, ka edhe fshatra ku përdoren të dy format: njëra e cila është karakteristike për gegërishten qendrore, ndërsa tjetra për gegërishten verilindore. Konstatimin e tillë e kemi mbështetur në bazë të: a) çifteve të caktuara sinonimike të dallueshme se i takojnë njërit apo tjetrit grup të folmesh, dhe b) sipas dallimeve fonetike të së njëjtës leksemë”. Prof. Asllani ka arritur të regjistrojë një numër të madh sinonimesh, si: gjel – knus, shku:s – msit, gro:sh – ba:th, ndraidhe – krela:n, hi:rr – ku:sht, xhit? – shka?, dixhit – dishka  etj.

Kapitulli i fundit, pra i gjashti (f. 396-427) autori ka hartuar një fjalor krahinor të Karadakut të Shkupit, me shënime për përkatësinë gramatikore të fjalës, fshatrat ku është vjelë fjala përkatëse si dhe me sinonime e me shpjegime kuptimore të tyre. Në vazhdim citojmë autorin: “Nga fondi i pasur leksikor i të folmes së Karadakut të Shkupit kemi përzgjedhur një sasi fjalësh që mendojmë se paraqesin interes për dialektologjinë dhe përgjithësisht për gjuhën shqipe e gjuhësinë shqiptare. Në të kemi regjistruar fjalë me karakter krahinor, që rrallë dëgjohen në të folmet e tjera; fjalë që kanë përhapje të gjerë në shqipen që të dëshmohet uniteti i shqipes në rrafshin leksikor, por kemi sjellë edhe fjalë që dallojnë nga përbërja fonetike. E njëjta fjalë është shënuar me variante fonetike autentike nëpër fshatrat përkatëse, duke dhënë në kllapa edhe emrin e fshatit ku e kemi dëgjuar fjalën. Aty-këtu kemi dhënë edhe disa mikrotoponime”.

Në përmbyllje të monografisë (f. 429-452), prof. Hamiti në formë të sublimuar na sjell përgjithësime të vlefshme. Pason konkluzioni (në anglisht, f. 453-476). Tekste nga e folmja janë dhënë në fund të veprës (f. 477-486) si dhe krejtësisht në fund literatura e shfrytëzuar (f. 487-495) she më pas tri harta topografike të kësaj zone.

Me këtë monografi prof. Asllani ka përshkruar gjendjen e sotme të të folmes shqipe të Karadakut të Shkupit. Gjatë përshkrimit, jo vetëm që ka pasqyruar dhe që ka shpjeguar veçoritë gjuhësore të këtij areali, por ndonjëherë edhe ka krahasuar me sukses atë me të folmet përreth, me të folme të tjera të gegërishtes qendrore, me makrosistemin dialektor si dhe me shqipen standarde në përgjithësi.

Nga analiza gjuhësore, prof. Hamiti arrin të përcaktojë me saktësi vendin e të folmes së Karadakut të Shkupit në strukturën dialektore të shqipes. Sipas veçorive gjuhësore, që përkojnë me shtrirjen gjeografike, e folmja shqipe e Karadakut të Shkupit mund të cilësohet si e folme më skajore verilindore e gegërishtes qendrore. Me fjalë të tjera, të folmet e fshatrave të Malit të Zi të Shkupit, si për nga shtrirja hapësinore, ashtu edhe për nga tiparet gjuhësore, përfaqësojnë kufirin më verior të grupit të të folmeve të gegërishtes qendrore. Pjesa veriore e kësaj krahine në një farë mënyre është përvijuar me kufirin shtetëror të Maqedonisë me Kosovën: fshatrat Tanushë, Bllacë dhe Brezë kufizohen me të folmet e gegërishtes verilindore (afër kufirit të Maqedonisë me Kosovën), ndërsa vendbanimet e tjera shtrihen diçka më në jug të kësaj zone kufitare.

Në strukturën dialektore të shqipes, e folmja shqipe e Karadakut të Shkupit i përket gegërishtes qendrore, por në të gjejmë të gërshetuara mjaft tipare gjuhësore të gegërishtes verilindore. Si përfundim mund të thuhet se kjo e folme përfaqëson një izoglosë “ndërkaluese nga gegërishtja qendrore në gegërishten verilindore”.

Mund të përfundojmë se në këtë studim përshkruhet në hollësi e folmja shqipe e Karadakut të Shkupit në të gjitha nënsistemet gjuhësore: në fonetikë e fonologji, në morfologji, fjalëformim, sintaksë e leksik, duke hartuar edhe një fjalor krahinor. Në këtë monografi sillen përshkrime, shpjegime dhe tëhollime me interes. Ky nuk është vetëm një përshkrim i rëndomtë dialektor, por në të gjejmë të gërshetuara analizën e gjendjes së sotme gjuhësore të të folmes, përqasjen me të folmet e tjera gege e veçmas me ato të gegërishtes qendrore, shpjegime teorike, duke u mbështetur në literaturën dialektologjike në përgjithësi dhe atë që lidhen me temën në veçanti. Punimi përshkohet nga një stil shkencor, me një gjuhë të pasur dhe tekst të ndërlidhur për lakmi. Një punë e tillë, dëshmon formimin e gjerë e të shëndoshë teorik, praktik dhe metodologjik të autorit.

Vepra në fjalë mund të shërbejë edhe si model i shkëlqyeshëm për monografitë dialektore që do të hartohen në të ardhmen. Prof. Asllan Hamitin e përgëzojmë për këtë vepër të rëndësishme për dialektologjinë dhe përgjithësisht për gjuhësinë shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …