Brickos

Shkëlzen Nijazi Krasniqi (16.4.1980 – 19.9.2000)

Shkëlzen Nijazi Krasniqi (16.4.1980 – 19.9.2000)

Pas përfundimit të aktiviteteve luftarake në Zonat Operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një pjesë e mirë e djelmoshave të kësaj ushtrie, të Komandantit Legjendar Adem Jashari, vazhdoi veprimtarinë luftarake në formimin e instrumentit të forcës, i cili do të vepronte si Ushtri Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, e më vonë edhe në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të shtrirë deri në skutat më të largëta të trojeve etnike në ish-republikën jugosllave të Magjedonisë. Të këtillët u inkuadruan në këtë ushtri dhe në formacione përkatëse nga se kishin një përvojë të gjatë të  sajuar gjatë luftimeve në Kosovë, përvojë kjo që doli nga veprimtaria shumëvjeçare në  ilegalet dhe nga  luftimet  e imponuara  që u zhvilluan në territorin e Kosovës. Një plejadë e këtillë e djemoshave të Drenicës, të Llapushës, të Rrafshit të Dukagjinit, të Llapit, të Karadakut, të Shalës e të Nerodimes, u bë krah i djathtë i djelmoshave të Luginës së Preshevës të cilët gjithashtu iu kundërvënë forcave policore,  paramilitare, ushtarake serbe që tentonin për ta përkëmbur dhe përgjakur një pjesë të konsiderueshme të trojeve etnike si në Luginë ashtu edhe në ish-republikën jugosllave të Maqedonisë.

Këta djelmosha, si Ismet Aliu, Afrim Kalanica, Agim Nebihu, Avdi Mustafa, Beqir Sadiku, Elmi Kamberi, Faik Ibrahimi, Fatmir Ibishi, Gazmend Arifi, Gjylsere Sahiti, Hasip Emurllahu, Tahir Sinani, Fadil Nimani-Tigri, Hilmi Hoti, Visar Krasniqi, Labinot Krasniqi, Hyrë Emini, Hysni Xhemajli, Isa Ahmeti, Ismet Latifi, Llokman Neziri, Mirsad Abdyli, Muzafer Agushi, Muzafer Xhaferi, Nezir Demiri, Qemajl Shaqiri, Nijazi Azemi, Nijazi Sinani, Ali Mahmuti, Arif Ibrahimi, Arsim Bajrami,  Bardhyl Osmani, Adnan Krasniqi, Ridvan Qazimi, Rrahim Beqiri,  Sahit Sherani, Salih Latifi, Sami e Shaban Ukshini, Skënder Metallari, Shefik Miftari, Shenasi Ibrahimi, Shpend Mazrekaj, Skerdilajd  Llagami,  Skifter  Arifi,  Zaim  Demiri,  Zajadin Sinani, Arton Guraliu, Besim Faiku, Brahim Ademi e shumë të tjerë, vazhduan luftën e papërfunduar, ndërsa në këtë plejadë që ia kthyen argatin Ismet Jashar-Kumanovës e Muedin Aliu-Tetovës, radhitet edhe dëshmori i kombit  Shkëlzen Nijazi Krasniqi i fshatit Apterrush të Anadrinit, i përjetësuar së bashku me  Eqrem Hoxhën dhe Betim Berishën, në Betejën e Dobrasinit më 19 tetor të vitit 2000.

Dëshmori i kombit Shkelzen Krasniqi, i biri i Nijaziut dhe i nënës Kymete, bijë e Thaçëve të Rogovës, është i lindur më 16 prill të vitit 1980 në fshatin Apterrush të Anadrinit të Rahavecit, aty ku ishin lindur edhe dëshmorët: Jeton Ali Kabashi, Besim Aziz Kabashi, Sylejman Melit Bytyçi dhe luftëtari Blerim Spahiu i përjetësuar pas pushimit të aktiviteteve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shkollën fillore Shkelzeni, i vëllaj i Kasumit,  Elvanës,  Jalldëzit,  Shehribanit dhe  Fatmirit, e kreu në vendlindje, ndërsa dëshira për të vazhduar mësimet në gjimnazin e Rahavecit nuk i realizohet pasi që gjendja ekonomike në gjirin familjar të Nijazi Krasniqit nuk premtonte shkollimin e fëmijëve. Nijaziu ishte bujk i vyeshëm por pa ndonjë kapital përveç të kaluarës së lavdishme falë të parëve atedhetarë e trima që përherë ia luanin gishtin në të kaluarën luftarake, veçanërisht kundër komitës së Hoçës së Madhe. Menjëherë pas mbarimit të tetëvjeçares Shkelzeni angazhohet në punët bujqësore të ekonomisë familjare ashtu si një pjesë e madhe e rinisë shqiptare në kohën kur u ndalua veprimtaria arsimore në shkollat shqipe, prej parashkollores deri në studimet universitetare, pas “Kushtetutës së Gazimestanit”.

Por, pas rënies së katër të rinjve; Agron Fetahut, Halim Hotit, Hilmi Krasniqit dhe Nasimi Elshanit më 27 janar të vitit 1990 në “Lakun e Dëshmorëve” afër Brestosit, Shkëlzeni u bashkohet shokëve të ilegales së Anadrinit në Qëndresë, Drinas, Hoçë e Vogël e Drenaj dhe shpërndan trakte e pamflete kundër dhunës serbe e në këto trakte ishin edhe thirrjet për rezistencë të armatosur e cila veç kishte filluar të organizohej në fshatrat e Anadrinit veçanërisht në Krushë të Madhe e në Drinas.

Më 15 maj të vitit 1998 djaloshi i ri Shkëlzen Nijazi Krasniqi kyçet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sistemohet në fshatin-kazermë Drenajt e Zatriqit, prej nga, pas kryerjes së ushtrimeve stërvitotre vjen në formacionin e vendlindjes, u bashkohet djelmoshave të fshatit Apterrush të cilët, në saje të aktivitetit në sektorin e logjistikës, në krye të të cilit qëndronte luftëtari Sylejman Melit Bytyçi, sot dëshmor i kombit, ishin armatosur me kohë, prandaj fitoret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Bardhatin, në Drinas, në Gardhisht e në Bokat e Kromnikut, i dhanë flatra skuadërës së Apterrushit, të Zaçishtit e të Retisë, shtabi i të cilës i koordinonte operacionet defansive dhe ofensive si në drejtim të rrëzës së Shkozës ashtu edhe kah Vneshti i Therandës (ish-Samadraxha) dhe Zaçishta e Anadrinit të Rahavecit. Gjatë sulmit të forcave paramilitare mbi Apterrush e Reti më 14 korrik të vitit 1998, Shkëlzeni është në krye të shokëve dhe në saje të shkathtësive që i kishte, kjo skuadër arrin të konsolidohet e ta mbijetojë tërë Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë luftimeve të gushtit kur përjetësohet dëshmori i kombit Bekim Dalip Bekteshi, bri aksit të rurales Rahavec-Therandë, Shkëlzen Krasniqi gjendet në vijat e para të zjarrit dhe kurrësesi nuk pranon ultimatumin e forcave serbe sipas të cilit apterrushasit e pastaj edhe të gjithë anadrinasit duhej që  t’i dorëzonin armët dhe ta lirojnë aksin e rrugës rurale që kalon në krye të fshatrave  Hoçë e Madhe, Zaçisht, Apterrush e Vnesht  dhe  del në Therandë. Por skuadra e Aptrrushit insiston në mbajtjen dhe mbrojtjen e këtij aksi të rëndësishëm që shtrihet rrëzë Kreshtave të Shkozës në të cilat kreshta Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte më e fortë dhe më mirë e pozicionuar.   Me rastin e riorganizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Reti të Anadrinit, gjatë tetorit të vitit 1998, Shkëlzen Krasniqi është i sistemuar në vijën Apterrush-Reti nën komandën e Ejup Kabashit, kurse në ofensivën e 25-26 dhe 27 tetorit skuadra e Apterrushit në të cilën ishin: Ejup, Agron,  Besim, Eqrem e Nevzat Kabashi, Sinan Morina, Shemsidin Spahiu, Sokol e Sylejman Bytyçi, Sevdat e Nazmi Krasniqi, mban krahun e djathtë të harkut frontal të “Betejës në Izbishtë” kur shkëlqejnë luftëtarët e lirisë të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” të Zonës Operative të Pashtrikut, betejë kjo e drejtuar nga Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici. Më 4 nëntor të atij viti, skuadra e Apterrushit reziston gjatë përpjekjeve të forcave paramilitare serbe që të zbresin prej “Kryqit të Apterrushit” në drejtim të “Gurrës” së fshatit dhe kjo mbetet fitore më e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në  njësitin e Apterrushit i cili u reziston breshërive dhe kanonadave serbe edhe më 5 nëntor. Më 6 nëntor, forcat serbe sërish provojnë për të kaluar nëpër ruralen prej Rahaveci deri në Therandë me ç’rast zhvillohen luftimet e përgjakshme kur edhe thehen forcat paramilitare e policore ndërsa në altarin e lirisë përjetësohen: Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici nga Rahaveci e Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti e Nezir Ymeri prej fshatrave të Vushtrrisë, luftëtarë të Zonës Operative të Shalës, mirëpo skuadra e fshatit Apterrush, në krye të të cilës qëndronin Shemsedin Spahiu, Sinan Morina, Sokol Bytyçi dhe Artan Kabashi, arrin që nga vija e zjarrtë t’i tërheqë të plagosurit dhe t’i zbrapsë forcat serbe që vinin prej Rahaveci por edhe prej Therande. Gjatë luftimeve në Qafën e Pagrushës që filluan në Qëndresë, Reti, Apterrush, luftëtarët e Apterrushit iu qasën pikës serboçetnike mbi fshatin Zaçisht e Apterrush ku në orët e pasditës zënë pozicionin forcave serbe në Vnesht të Therandës më 26 mars të vitit 1999, luftëtari i lirisë Shkëlzen Krasniqi është në radhët e para, ndërsa më 27 maj, në luftimet përreth Retisë, Hoçës së Vogël, Nagacit dhe Apterrushit, skuadra e Shkëlzenit arrin ta tërheqë luftëtarin e plagosur rëndë Mexhit Mustafën prej Rahaveci dhe bëri përpjekje maksimale për t’ia shëruar plagët nga luftimet përreth Hoçës së Vogël. Më 28 maj të vitit 1998 Shkëlzen Krasniqi mban  krahun e majtë që shtrihej prej Apterrushi, nëpër Reti e “Lis-Dervish” deri në “Kodrat e Mileskës” në të cilën thehen definitivisht forcat paramilitare serbe që pretendonin për ta bërë krehjen këmbësorike nëpër kodrat dhe lugjet e “Mileskës”. Në këtë betejë Shkëlzen Krasniqi u prin shokëve dhe vetëm falë shkathtësisë dhe gatishmërisë së madhe që kishte ky luftëtar i lirisë, skuadra e Apterrushit shpëton shokët e rrethuar që të shpërthejnë kah Hoça e Vogël e Nagaci dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Zona Operative e Pashtrikut, Brigada 124 “Gani Paçarizi” që mbulonte arealen luftarake të Anadrinit, Kompania e Apterrushit, nën komandën e Nuredin Gashit, shpëton rreth 30 të plagosur rndë dhe i tërheq kah Kabashi e pjesa tjetër hyri në  definitivisht hyri në Rahavec, ndërsa Shkëlzen Nijazi Krasniqi me togun e Apterrushit marshoi nëpër Prizren e “Sheshin e Dëshmorëve” të Rahavecit, por pa bashkëluftëtarët: Jeton Kabashi, Besim Kabashin dhe Sylejman Bytyçin të përjetësuar gjatë betejave të prillit, të majit e gjatë ekzekutimeve mbi të burgosurit në Burgun e Dubravës. Pas ndërprerjes së aktiviteteve luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shkëlzen Nijazi Krasniqi u kthehet punëve bujqësore në fshat dhe përpiqet që me djersë e mund të kujdeset për mirëmbajtjen e familjes së çvendosur në fshatin Xërxë të Anadrinit pasi që në vendlindje çdo gjë qe djegur e shkrumbuar. Por me angazhimin e udhëheqësve për përgatitjen e luftës në Luginën e Preshevës, Shkëlzen Nijazi Krasniqi përgatitet për t’u sistemuar në Ushtrinë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanovc së bashku me shokun dhe bashkëluftëtarin Eqrem Shefqet Hoxha nga Qëndresa e Anadrinit me të cilin Shkëlzeni nuk ishte ndarë gjatë tërë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Së bashku me Eqremin udhëtoi për në Luginë dhe mori pjesë pothuajse në të gjitha betejat që sot njihen si luftime më të përgjakshme në fushëbetejat e Luginës së Preshevës e që u zhvilluan në ato cepe e shkrepa të trojeve etnike, aty ku vlerësohej se duhet të intervenonte Njësiti Special për Intervenime të Shpejta i cili përherë qëndronte në gjendje gatishmërie pasi që për idol e mbanin Ismet Jasharin-komandant Kumanovën dhe më 19 shtator të vitit 2000 përjetësohet së bashku me Eqrem Hoxhën dhe Betim Berishën në Betejën e Dobrasinit.

Përcjellja e fundit për dëshmorët e rënë në Luginën e Preshevës u bë në “Kopshtin e Dëshmorëve” në Landavicë kur bashkëluftëtarët e Zonës Operative të Pashtrikut u mblodhën për t’ua dhënë lamtumirën e fundit dragojve që ranë në Betejën e Dobrasinit. Në krye të kortezhit marshuan bashkëluftëtarët: Agron Idriz e Senad Sejdi Kabashi nga Apterrushi dhe një eskortë që shoqëronte arkivolet e djelmoshave të Anadrinit që derdhën gjakun për bashkimin e trojeve shqiptare. Dhe sot, trupi i pajetë i dëshmorit të kombit Shkëlzen Nijazi Krasniqi pushon pranë shokëve e pranë komandant Tahir Sinanit, njeriut të tri luftërave, e në të majtë i ka bashkëluftëtarët Eqrem Hoxhën dhe Betim Berishën. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …