Brickos

Shkelzim Halid Zllanoga (27.7.1963 – 8.8.2000)

Shkelzim Halid Zllanoga (27.7.1963 – 8.8.2000)

Në ditët e fundit të majit e në ditët e para të qershorit të vitit 1998, kur zuri të lëshojë shtat batalioni i famshëm i Rahovecit, rrëzë “Majës së Kikës”, në shkollën fillore të fshatit Astaruzp të Malishevës, njëri prej djelmoshave që me “mall e shpirt” e me “krejt vllaznië” iu bashkua djelmoshave të Adem Jasharit e petritave të Luan Haradinaj, ishte edhe Shkëlzim Zllanoga i Rahovecit të Halil Homzës, Dan Retisë, Halit Hajdës, Xhelal Hajdës-Tonit e të Selajdin Mullabazit-Micit.
Luftëtarit të lirisë, të burgosurit e të mbyturit në burgun e Nishit, Shkelzim Zllanogës, iu zhdukën gjurmët gjatë luftimeve në Rahovec, qytet të cilin e kishte marrë nën kontroll Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Veçanërisht pas granatimeve mbi pikat “Rrasat e Rahovecit”, “Lugu i Rremë Nikës”, kah “Ujësjellësi” e deri te “Ura e Aliagës” e pastaj edhe gjatë luftimeve te “Kroni i Gurit”, brenda Rahovecit, ose prej datave 20-26 korrik të vitit 1998, në këto luftime përjetësohen dëshmorët: Agim Çelaj i Pejës, Agim Kelmendi i Fortesës, Afrim Krasniqi i Bardhit të Llapushës, Hamdi Berisha me kushëririn Habinin e Gurbardhit, Gani Paçarizi i Lumishtës, Tafil Zyberaj i Drenajt, Sadik Shala i Kleçkës, Liman Gegaj i Fshatit të Ri, Arian Brahimi i Shkodrës, Eshrafedin Kastrati i Drenajt, Ruzhdi Xhuliqi i Maralijës, Ramadan Morina i Qypevës, Bajram Veliu, Faik Rama, Remzi Ukshini, Mizahir e Bekim Isma, Gëzim Mullabazi, Xhevat Kasapi, Samir Nurkasa, Xhafer Nurkasa, Abdullah Bugari, Gëzim Hamza-Piktori, të Rahovecit e shumë dëshmorë të tjerë, por edhe mbi 150 qytetarë të vrarë e të masakruar nga bandat e dehura e të krisura serboçetnike.
Menjëherë pas rënies së dëshmorëve Gëzim Hamza-Piktori e Abdullah Bugari, Shkëlzimin e vendosur në pozicionet përreth lagjes “Kroni i Gurit” e prisnin Xhelal Hajda-Toni e Selajdin Mullabazi-Mici. E prisnin edhe vëllezërit Xhevati, Saferimi, Lulëzimi dhe Muharremi, të gjithë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E priste i ati, Halidi dhe e ëma, Hysnija, bijë e një luftëtari të madh të Çështjes kombëtare, bijë e Shaqir Ukës, të cilin UDB-ja e kishte dëbuar prej fshatit Hoçë e Madhe.
Shkelzimin e prisnin edhe dy motrat: Zylfija dhe Hajrija, ndërsa bashkëshortja, Mehrija, bredhte prej fshati në fshat së bashku me bijtë e Shkelzimit, Senadin, Betimin, Sabirin dhe vajzën e vetme, Xhemilen, të cilës nuk i kujtohet i ati. Ajo di vetëm se babai i saj ishte kapur rob lufte në “Luftën e Rahovecit” dhe se ishte dërguar e vrarë në Burgun e Nishit të Serbisë fashiste. Kështu, Xhemilja e vogël, në prehrin e nënës Mehrije, rritej duke kërkuar të atin dhe duke ëndërruar se njëditë ai do t’i vijë, së paku do t’i lajmërohej e do t’i shkruante e pastaj ajo do t’i hidhej në përqafim të ngrohtë, por Xhemilja nuk priste se do t’i vinte babai në arkivol e në vig. Mirëpo, luftëtarët e lirisë jetojnë tek pasi ta kenë marrë përjetësinë për një Kosovë të lirë e të pavarur, për bashkimin e trojeve etnike, sepse tërë jetën kishte dëgjuar prej nënës Hysnije se “Si Shqypnija ‘i vend nuk ka”, ajo si bijë e familjes së ndjekur qe rritur në Pobreg të Kukësit.
Dëshmori i kombit Shkelzim Zllanoga, njëri prej djelmoshave të lagjes “Kroni i Gurit”, i njohur me nofkën “Kelani”, është i lindur në Rahovec, më 27 korrik të vitit 1963. I ati, Halidi dhe e ëma, Hysnija, kishin shtatë fëmijë, 5 djem e dy vajza: Xhevatin, Saferimin, Shkelzimin, Lulëzimin, Muharremin, Zylfinë dhe Hajrinë. Halid Zllanoga në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i angazhoi të gjithë djemtë dhe tërë mallin që pati fituar me punë bujqësie e zejtarie, por në këtë luftë mbeti pa “Kelanin”.
Shkollën fillore, Shkelzimi e kreu në Rahovec, në bankat e Shkollës Fillore “Isa Boletini”.
Edhe gjimnazin e mbaroi në Rahovec, në qendrën që sot mban emrin e dëshmorit të kombit Xhelal Hajda – Toni, të cilin Shkelzimi e kishte shok, bashkëluftëtar e komandant. Me shprehi të formuara të punës, Shkelzimi me vëllezërit themeloi Ndërmarrjen Tregtare Ndërtimore “Zllanoga”, por me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Drenaj të Anadrinit të Rahovecit, më 28 prill të vitit 1998 dhe me konstituimin e Shtabit Rajonal “Arti” të Rahovecit, Shkelzim me të gjithë vëllezërit u radhit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pothuajse të gjitha kujtimet familjes së tij lidhen me veprimtarinë patriotike të “Kelanit”, i cili më 1990, së bashku me djelmoshat e Anadrinit iu bashkua profesor Ukshin Hotit dhe më 27 janar të atij viti kalon në Krushë të Madhe e niset me kolonën e Krushës së Madhe dhe ballafaqohet me forcat policore te “Laku i Dëshmorëve”, afër Brestosit, ku ranë dëshmorët e parë të Anadrinit. Ky ballafaqim që ndezi “Flakën e Janarit” në Rahovec, e forcoi edhe më shumë tërë plejadën e djelmoshave të rezistencës që tregonin gatishmëri për formimin e instrumentit të forcës dhe për organizimin e rezistencës së armatosur. Shkelzimit i shtohet urrejtja ndaj të gjithë atyre që ishin ingranuar në makinerinë udbeske të shqipfolësve dhe argatëve të Slobodan Milosheviqit.
Pas krismave të Jasharëve në Prekaz e të Haradinajve në Gllogjan, së bashku me vëllezërit, Shkelzimi u angazhua në furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veçanërisht me material lufte të blerë me mjete vetanake dhe me material ndërtimor për ngritjen e infrastrukturës në Shtabin Operativ Rajonal “Arti” të Rahovecit, por nuk munguan as ndihmat materiale të dërguara në Likoc e Gllogjan, nëpërmjet Xhelal Hajdës dhe Selajdin Mullabazit. Kështu, Shkelzimit i ra që për së afërmi t’i shohë pikat më të zjarrta të fushëbetejave kundër hordhive barbare serboçetnike, policore e ushtarake.
Në betejën e Rahovecit, Shkelzimi mobilizoi tërë qenien e vet emocionale, morale, fizike dhe materiale dhe prej “Rrasave të Rahovecit” depërtoi kah brendia e qytetit dhe operoi për marrjen dhe mbajtjen e pozicionove te “Kroni i Gurit”, në drejtimin kah “Gardhina”. Por pas rënies së Gani Paçarizit, Agim Kelmendit, Tafil Zyberajt e Skënder Kastratit, në Fortesë e Bardhabreg, të Abdullah Bugarit te Posta e Rahovecit, të Hamdi Berishës në Pallaticë, të Afrim Krasniqit, te “Kroni i Kajës”, ose pas thyerjes së harkut defansiv te “Ura e Aliagës”, drejtimin e opracioneve në këtë hark e mori Agim Çelaj, i cili niset prej “Rrasave të Rahovecit” në drejtimin kah “Ura e Aliagës”, ndërsa Shkelzimi mori krahun kah “Kroni i Gurit”. Me të arritur në lagjen “Kroni i Gurit” dhe pas rënies së pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë pjesë të Rahovecit, Shkelzimi rrethohet nga të gjitha anët dhe kapet rob nga forcat e pushtuesit. Pas torturave çnjerëzore, u dërgua në burgun e Prizrenit e pastaj edhe në atë të Lypjanit, ndërsa përfundon në kazamatin famkeq të Nishit.
Bombardimet e Aleancës Veriatlantike mbi Serbinë dhe makinerinë e saj të luftës, ai i përjeton në Burgun e Dubravës, ndërsa sërish forcat serbe e largojnë në drejtim të Nishit ku vuan në kazematet serbe së bashku me Jahir Mazrekun, Demir Limajn, Asllan Selimin, Rexhep Oruçin, Dëfrim Rifën, Nijazi Kryeziun, Bilbil Durakun dhe shumë të burgosur të tjerë. Mirëpo, më 8 gusht të vitit 2000, i rrahur shumë, i alivanosur përdhe e me gjymtyrë të nakatosura, vdes në qelitë e këtij burgu. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar lajmëron familjen dhe tërheq trupin e luftëtarit të lirisë. Më 10 gusht të vitit 2000, qytetarët e Rahovecit, nga “Sheshi i Dëshmorëve të Korrikut”, para Shtëpisë së Kulturës që sot mban emrin e dëshmorit të kombit “Mensur Zyberaj”, me nderime të thella, me në krye bashkëluftëtarët e Zonës Operative të Pashtrikut, e përcollën për në përjetësi bashkëluftëtarin Shkelzim Zllanoga dhe sot trupi i tij pushon në “Kopshtin e Dëshmorëve” të Rahovecit.
Sot, njëra prej rrugëve jo larg lagjes ku ishte lindur, mban emrin e dëshmorit Shkelzim Zllanoga. Në familjen e tij ruhen rrobat dhe shumë releke nga jeta e dëshmorit, ndërsa nderimet dhe mirënjohjet janë pjesë e dhomës në të cilën rriten dhe burrërohen të bijtë dhe bija e tij, Senadi, Betimi, Sabiri dhe Xhemilja. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …