Shaban, Adem dhe Hamzë Jashari

Skënder Kapiti: Viti 2018, Viti i Adem Jasharit dhe Familjes Jashari

Drenica, zemra shqiptare e cila gjithmonë ka lindur trima; Drenica gjithmonë  në shekuj ka prodhuar rezistencë, kryengritje  dhe heronj të mëdhenj  të cilët  e kanë mposhtur armikun. Dhe pra nuk ishte rastësi që edhe Komandanti legjendar, heroi i madh kombëtar, Adem Jashari  dhe heroizmi madhështor i Familjes Jashari  i lindi Drenica. Ky vit, viti 2018, përkon me 20 vjetorin e Epopesë së Lavdishme e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e familjes së tij , e cila ka hyrë njëkohësisht në histori   si Epopeja e UÇK-së, dhe si i tillë duhet kremtuar si Viti i Adem Jasharit.

A mos duhen kaluar qindra vite që të shkojnë dhe pastaj të kemi nevojë që të ndërgjegjsohemi dhe të gërmojmë historinë “për t’i rilindur” herojtë kombëtarë. Po e pyes opinionin shqiptar ,sidomos dhe veçanërisht atë të Kosovës, se kush është heroi më i madh kombëtar i shqiptarëve?

 Cila është ngjarja epokale më e lavdishme e cila mundësoi që shqiptarët të kapin kohën dhe që e ndryshoi në mënyrë të përshpejtuar historinë në favor të shqiptarëve?

Cila është ngjarja e cila e ndërkombëtarizoi si kurrë ndonjëherë më parë kaq shumë Çështjen kombëtare shqiptare?

Cila është ngjarja e cila e  detyroi Europën , pikërisht po ato shtete të cilat para 100 vitesh, në vitin  1913,bënë tragjedinë me padrejtësitë më të mëdha në Europë kundër shqiptarëve, cila ngjarje I detyroi ato  pas një shekulli  që të mblidhet në një Konferencë Ndërkombëtare për Çështjen shqiptare ku dhe për herë të parë në të të kishte përfaqësues edhe të shqiptarëve siç ishte ajo e 6 Shkurtit 1999, “Konferenca Rambujesë” në Francë, ngjarje e cila i parapriu edhe ndërhyrjes së NATO-s kundër gjenocidit serb dhe që sollën  lirinë dhe pavarësinë e Kosovës?

Mjaftojnë besoj vetëm këto për të thënë se kjo ishte Epopeja e Komandantit legjendar Adem Jashari me familjen e tij dhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kush është ai i cili jo vetëm që mbrojti kombin, por edhe e dha jetën ai dhe e gjithë familja e tij kundër një shteti kriminal dhe të armatosur me armët më moderne?

Unë këtu kam parasysh dhe pyes përsëri se pas cilës ngjarje të madhe kombëtare ndryshoi kaq shpejt dhe kaq furishëm rrjedha e historisë në favor të shqiptarëve se sa pas Epopesë së Jasharëve?

Epopeja e Jasharëve është kulmi i qëndresës dhe i  sakrificave njëqind vjeçare të  popullit heroik dhe martir të Kosovës kundër gjenocidit kolonialist serb mbi shqiptarët  me të cilën u kurorëzua Pavarësia e Kosovës.

Adem Jashari dhe familja e tij sakrifikuan vetëm për atdheun dhe për kombin e tij. A mos duhet që të importojmë dhe t’i nderojmë më shumë ata të cilët na i “propozojnë” dhe na i delegojnë të tjerët apo ata të cilët sakrifikuan gjithçka dhe jetën vetëm për kombin e vet. Ne nuk kemi pse të krenohemi aq shumë p.sh. as për kontributin heroik të arvanitasve për lirinë e kombit grek dhe për pavarësinë e Greqisë, dhe as për dinastinë shqiptare të Egjiptit, as për Perandorët e shenjtorët  iliro-dardanë që i shërbyen  Romës dhe Bizantit, dhe as me kryeministrat apo sadriazemët  shqiptarë të cilët i shërbyen  Perandorisë osmane.

Ne duhet të krenohemi së pari dhe më së shumti sidomos me ata heronj të cilët sakrifikuan për kombin, për lirine dhe  për pavarësinë e Shqipërisë. Dhe shembulli më i lartë i kësaj sakrifice është Epopeja e Jasharëve.

Po i pyes shqiptarët se po të kishin pasur në historinë e tyre fqinjët tanë dhe jo vetëm ata por edhe kombet e tjerë të mëdhenj një rast të tillë unikal në botë , sakrificën e pashembullt për liri dhe për pavarësi kombëtare si rasti i Adem Jasharit dhe të antarëve të familjes së tij, çfarë do të kishin bërë ato kombe  si mirënjohje, për ta nderuar dhe për ta përjetësuar  një  hero të tillë  dhe një vepër legjandare të tillë me përmasa të jashtzakonshme  dhe kaq madhështore?

Me sakrificën e Familjes së  Jasharëve shqiptarët do të krenohen përjetësisht.

Me këtë ngjarje madhore dhe prej  Luftës së UÇK- së  u largua dhe u dëbua përfundimisht nga Kosova kolonizatori barbar serb.

Pra Serbia u mund me luftë, dhe Kosova me luftë e fitoi lirinë, pavarësinë dhe shtetin e vet.

Është e vërtetë për rolin e madh e vendimtar që dha NATO për lirinë e Kosovës, por ama ata nuk humbën asnjë jetë njerëzore, kurse Kosova dha heronjt e saj jo vetëm tani ,por ka mbi 100 vite që për Kosovën kanë dhënë jetën mijra e mijra bij e bija të saj, dhe jo vetëm për Kosovën, por në shekuj Kosova më shumë se çdo trevë shqiptare ka dhëne heronj për të gjithë Shqipërinë, për të gjitha trojet shqiptare , për një shtetkomb shqiptar.

Por, sakrifica e Adem Jasharit dhe e familjes së tij për dinjitetin , për krenarinë, për lirinë dhe për pavarësinë dhe për Bashkimin Kombëtar është dhe do të mbetet unike jo vetëm në historinë tonë kombëtare por edhe në atë botërore.

Prandaj ky vit , me rastin e 20 vjetorit të kësaj ngjarje të madhe, si ngjarja më epokale në historinë tonë kombëtare duhej që qeveria e Kosovës ta kishte shpallur si Viti i Adem Jasharit.  Dhe a mos vallë  do duhet të  presim që ta shpallim atë pas 100 apo 200 vitesh?

Epopeja e Jasharëve rilindi dhe ngjalli shpresën,dinjitetin, heroizmin dhe madhështinë e kombit shqiptar dhe të shqiptarëve kudo nëpër trojet e tyre dhe në diasporë, madje edhe te shqiptarët e Shqipërisë, pas atyre ngjarjeve katastrofike të vitit 1997.

Pas kësaj ngjarje erdhi edhe zgjimi dhe ndërgjegjsimi i botës moderne ,demokratike dhe të qytetëruar  për çështjen kombëtare shqiptare e cila si një kualicion ndërkombëtar ndërhyri dhe e çliroi Kosovën. Adem Jashari ka meritën e papërsëritshme kombëtare sepse vepra e tij  dhe Lufta heroike e  UÇK-së e nderkombëtarizoi dhe e lartësoi si kurrë ndonjëherë atdheun e shqiptarëve dhe shqiptarizmin, Kosovën shqiptare dhe të drejtën e saj për liri dhe Pavarësi kombëtare.

Por nderim dhe respekt meritojnë  dhe duhet edhe për ata intelektualë, studiues, historianë dhe shkrimtarë patriotë të cilët dëshminë reale të ngjarjeve të tilla, si kjo e Adem Jasharit, e kanë përjetësuar pikërisht në kohën e duhur, ku më meritori do të mbetet  Libri i shkrimtarit Bedri TAHIRI, Kryevepra letraro-historike e tij  me titullin më të saktë dhe më të merituar “Adem Jashari- legjendë e legjendave”.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Periudha e rezistencës së vitit 1981 kërkon qasje, qëndrim dhe emërtim të saktë historik e shkencor

Ahmet Qeriqi: Marsi, Prilli e Maji i vitit 1981 vendosen themelet e Republikës së Kosovës

Demonstratat gjithëpopullore të Marsit dhe Prillit të viti 1981, shënuan kthesën vendimtare të ndarjes definitive …