Sylejman Krasniqi

Sylejman Krasniqi: Kreshniku, Saliu, Luli e Kastrioti çirren se më 18 shkurt Tiranën do ta kallin flakë!

(Protestat e paralajmëruara të PD-së më 18.02. 2017 në Tiranë, shikuar nga këndvështrimi  i  një prishtinasi)

Prej se u dekretua  koha e zgjedhjeve të rregullta  për  legjislaturën e re të Kuvendit  të Shqipërisë, nga kryetari i shtetit, Bujar Nishani, kanë filluar edhe pregatitjet për këto zgjedhje nga të gjitha partitë politike në Shqipëri. Secila parti e bën bilancin e të arriturave dhe  dështimeve në këto katër vjetët e shkuara dhe e orienton kursin e veprimeve të fushatës zgjedhore  për 28 qershorin e këtij viti. Ky është detyrim për partitë e pozitës dhe të opozitës. Pra të shumicës dhe të pakicës. Partitë në pushtet, pra qeveria, duhet që ta bëjë bilancin e realizimit të premtimeve nga fushata e kaluar parazgjedhore, por edhe të bëjë arsyetimet se pse nuk ka mundur t’i realizoi disa nga premtimet e dhëna. Ndërsa opozita (pakica) të hulumtoi mbi të gjitha dështimet e premtimeve të parealizuara të qeverisë së deritashme dhe të jap zgjidhje për të gjitha këto që nuk i ka bërë shumica qeverisëse. Opozita duhet të jap edhe plane dhe orientime shumë më ambicioze për mandatin e ardhshëm qeverisë, po qe se ajo i fiton zgjedhjet. Dhe të gjitha këto plane dhe projekte të jenë në nivelin e arsyeshëm të realizimit në mënyrë që të bindet elektorati për të dhënë votën në vendin e duhur dhe pastaj të bëhet një kontratë e ndershme në mes të sovranit dhe qeverisjes së ardhshme.

Këtë shkrim e pata menduar që ta përpiloj, pa më të voglin anim partiak ose ideologjik, por thjesht si një shprehje të brengës së një shqiptari të Kosovës për “acarimin” dhe “elektrizimin”  e situatës parazgjedhore në Shqipëri duke e ditur se sa dhe  si mund të dalë nga kontrolli stabiliteti i vendit nga ideatorët e këtyre protestave, për të cilët na tregon kujtesa e para njëzetë vjetëve kur u pa qartazi se “shteti po binte” për tokë Brenga e jonë, e shqiptarëve të Kosovës, e ka arsyen e fortë sepse pavarësia e Kosovës ende nuk po “shkelë” në këmbë të shëndosha dhe çdo aventurë që do të pjell në Tiranë do të dërgojë porosi të dëmshme për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi.

Këtë hov të mënyrës së shkrimit ma ndërpreu një deklaratë e të parit të “Kuq e zezëve” Kreshnik Spahiu i cili më rikujtoi pranverën  e vitit 1997 kur Shqipëria u vu buzë greminës nga partiakët dhe prijësit e fiseve shqiptare e kur Kosova kishte shumë nevojë për ndihmën e Shqipërisë dhe të Ushtrisë shqiptare. Ja se çka flet  “Kreshniku” i “kuq e zezëve” para adhuruesëve të vet “…më 18 shkurt Tirana do të jetë në zjarrë dhe se në zgjedhje do të shkojmë pa Edi Ramën. Edi Rama nuk është më i vështirë për t’u rrëzuar se Enver Hoxha dhe Ramiz Alia. Do të rrethojmë kryeministrinë për 30 ditë. Të mos shkulemi nga sheshi derisa mos t’i  rrëzojmë”.

Ditë më parë u shpreh për demonstratën e opozitës edhe socialisti i transplatuar në demokrat Kastriot Islami me këto fjalë: “ Protestat e pandalshme sepse Rama – Kryeministër s’garanton zgjedhje të lira e të ndershme. Do të ndodh revolucioni”.

Kurse kryeplaku i fisit të “demokratëve  Sali Ramë Berisha  pa fije ndrojtjeje tha se “ do të protestojmë me 18 shkurt sipas shembullit të rumunëve”.

Pas këtyre deklarimeve patjetër se njeriun normal do ta rrokë tmerri  se me kend do të shkojmë në votime dhe kujt do t’ia besojmë  dhe  kujt  do t’ia japim votën ?  Do t’a citoj një strofë nga një këngë për Azem Bejtën  “… pa u provue, nuk po u njifka trimi…”. Unë po të kisha votua në qershorin e vitit 2013 do t’ ia jepsha votën time, pa hamendje,  këtij  Kreshnikut të Spahijëve sepse në fushatën e asaj koha desh na shtini në bela me Greqinë dhe gati  sa  e “bashkoi” Kosovën me Shqipërinë  në fushatën e asaj kohe,, Por kur mbeti pa hise në “tortën” e qeverisë së Edi Ramës një,  tani dëshiron që, edhe këtë Shqipëri që ka mbetë nga Konferenca e Londrës, t’a copëtojë duke shpresuar se, helbete, do t’i mbetet një copë edhe për të. Apo  ndoshta mendon se Saliu, Luli dhe Kastrioti me shokë tashmë janë ngopë dhe këtij do t’i ndahet një copë torte më e majme. Pra , si duket, ky qenka ai “patriotizmi” i Kreshnikut të dikurshëm e i cili tani paska mbledhur mend dhe është trimëruar ndaj Edi Ramës , sikur të ishte Edi Rama ndonjë mëkëmbës i Viktor Emanuelit në Shqipëri.

Tirana do të jetë në zjarrë….” thotë “Kreshniku” i këngëve kreshnike sikur të ishim në kohën e Mujit dhe të Hallit! Shtrohet pyetja se kush do t’ia vejë zjarrin Tiranës? Nga kush pritet të sulmohet Tirana e jonë e bukur më 18 shkurt? Nga Serbia , Greqia, Rusia apo nga mbeturinat e Traktatit të Varshavës? Ndoshta edhe nga sejmenët e tyre me banim në Tiranë. Është mirë që ky  trimoshi ynë Kreshniku të bëjë një “spiunim” të vockël në Shish-in shqiptar për këtë informacion tepër të vlefshëm për të shmangë këtë zjarrëvënje në Tiranë nga të dyshuarit e Kreshnikut, sepse druaj se, do të pësoj apo mozomakeq në këtë zjarrë do të digjet edhe vet ai, nëse nuk e paraqet krimin ose kriminelin. Pra “Kreshniku” e dha kushtrimin. O burrani nga sytë këmbët! Sipas tij Tirana do të digjet nga zjarri kurse Edi Rama do të ik sikur iku më 1939 Ahmet Zogu dhe vendit do t’i dal për zot “Kreshniku” me trimat e ti, Sepse Edi Rama qenka më i lehtë për t’a rrëzua se sa Enver Hoxha  dhe Ramiz Alia bashkë. Me sa e di unë Enver Hoxha nuk është rrëzua kurrë sa ishte i gjallë. Por as Ramiz Alia nuk u rrëzua nga paraardhësit e trimoshit “Kreshnik” por e lëshoi postin nga vota e lirë e sovranit dhe krejtësisht në mënyrë demokratike.

Demokrati i transplantuar Kastriot Islami, apo si po e quajkan tiranasit- Kaçi, thotë se “më 18 shkurt do të ndodhë revolucioni sepse Rama- Kryeministër  s’garanton  zgjedhje të lira”!? E pyesim Katriotin se kur  ka pasur zgjedhje të lira e të cilat i ka organizua Edi Rama ? E di që disa herë zgjedhje ka pasë në kohën e Sali Berishës dhe dihet se sa të “lira “ kanë qenë ato?! Kaçi  thotë se do të ndodhë revolucioni më 18 shkurt. Me sa di unë revolucione bëjnë partitë me orientime të majta e jo të djathtat! Apo ndoshta i keni ndryshua rolet tash vonë? Të djathtët bëjnë kundërrevolucione. Nëse ke parasysh kundërrevolucionin e dhjetorit të vitit 1924 me rastin e rrëzimit të Fan Nolit, Bajram Currit, Luigj Gurakuqit dhe të tjerëve.  Në krye të kundërrevolucionit ishte Ahmet Zogu me mbeshtje të fuqishme dhe ndihmën e pakursyer “internacionaliste” nga Serbia e Pashiqit dhe bandat bjelloruse.. E tani kush do të jetë në prapavijë të këtij kundërrevolucioni? A do të jetë përbërja e njejtë? Apo do të zgjerohet aleanca e juaj me të tjerë akterë nga jashtë e nga brenda? Atëherë shpërblimi  ishte vetëm Vermoshi dhe Shën Naumi. Tani a ka “hypë” pazari i tenderit? A mund të llogarisim vetëm në veriun e Kosovës, Preshevën dhe një pjesë të detit? Nëse ndaleni më kaq nuk është pazari i keq jo! Nëse këto nuk i jepni me kohë, mund të iu kërkojnë edhe kamatë.

Nuk kam dashur t i barazoj as t’i krahasoj  paralajmërimet dhe parashikimet e protestës nga Kreshniku dhe nga Kastrioti me ato të Sali Bershës. Kam mendua se atij nuk mund t’i afrohet e as t’ia kalojë kush për fantazi dhe parashikime ndjellazeza për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por ja se ai e paska shtrirë ndikimin e vet edhe në vertikale dhe në horizontale. Dhe “shyqyr” që Saliu është kujdesur që të lë trashëgim të tërë “bagazhin” e tij politik tek një brez i ri ose tek brezi shtalb, si i themi ne në Kosovë. Kurse për Sali Bershën dihet, tashmë, se nga i ka të trashguara këto shkathtësi dhe pehlivanllëqe në kurdisje dhe prapaskena ndaj shtetit dhe popullit të vet. Dorën në zemër me këto kleçka ua ka kalua edhe paraardhësve të vet Esat Toptanit dhe Ahmet Zogut. Keni parasysh demonstratën e Shkodrës më 2 prill të vitit 1991 dhe viktimat e asaj demonstrate; skemat Piramidale të viteve 1996/97; zgjedhjen e Saliut për kryetar shteti më 1996-ën; dështimin e shtetit në pranverën e 1997-ën; vrasjen  Azem Hajdarit; ngjarjen e Gërdecit; 21 janarin 2011-ës e shumë e shumë të tjera  që ndodhën në kohën e Sali Berishës. E në kohën e qeverisjes së Edi Ramës çfarë e “zeze” i ndodhi Shqipërisë dhe shqiptarëve, a din kush të na e thotë?

Kryeplaku i fisit të demokratëve, Sali Berisha, tani po angazhohet që të çfaqen akte të dramës së Bukureshtit edhe në skenën e hapur të Tiranës. Prej dyshes së përmendur më parë nuk është pritur që të jenë kaq skenarist të përgatitur, kurse nga Berisha është pritur dhe pritet çdo  gjë sepse edhe Hiçkokut ia kalon me skenare të tmerrit. Nga të shprehurit e Sali Berishës nuk munda t’a kuptoj se a e kishte mendjen tek rumunët e 1989-ës apo tek rumunët e javës së kaluar?  Sipas oreksit të Berishës jam i bindur se nuk i mjaftojnë skenat e të tashmës. Ai i dëshiron skenarët e 1989-ës. Sepse Sali Berishës i shkon shumë për shtati vargu i Çajupit “…pas meje në këtë jetë, guri mbi gur të mos mbesë.

Frymëzuesi dhe ideatori i këtyre skenarëve kobëzi për Shqipërinë dhe shqiptarët në vitet e nëntëdhjeta e filloi “ demokratizimin “ e vendit me plot gojën “amerikanizëm”. Më pastaj e vazhdoi me Konferenca Islamike. Tani po u bënë “karshillëk” SHBA-së, BE-së dhe të gjithë perëndimorëve.

Për këto shqetësime dua të kërkoj falje nga anëtarërsia e gjërë e partisë demokratike për përgojimin e kreut partiak të tyre. Kjo nuk do të thotë se opinion im është i tillë për partinë në tërësi dhe për të djathtën shqiptare. Jam fort i bindur që vetëm të dy krahët e politikës shqiptare mund të na shpiejnë përpara. Sikurse trupi i njeriut që ka në të dy krahët e saj gjymtyrë të barabarta me të cilat krijohet barazpesha dhe kështu mundësohet ecja përpara, ashtu edhe spektri politik begatohet me të majtën dhe të djathtën. Partitë të kuptohen si begati sikurse janë gjytyrët e trup të njeriut. Ato duhet patjetër t’a shikojnë njera tjetrën si rivalë e jo si armiq. Armiku gjithmonë është jashtë trupit të njeriut e kurrsese brenda në trup. Prandaj kur ndonjera nga gjymtyrët e trupit fillon të lëngojë bëhet operimi i asaj gjymtyre që trupi t’i  kthehet normalitetit.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …