vipa
muqa 900
vala
Fillimi / Dëshmorët / Sylejman Mustafë Abdyli (10.4.1978 – 7.7.1998)
Sylejman Mustafë Abdyli (10.4.1978 – 7.7.1998)

Sylejman Mustafë Abdyli (10.4.1978 – 7.7.1998)

Kur Kosovës iu rrezikua mbijetesa e ju vërsulën me gjitha mjetet luftarake dhe ushtarake bishat serbo-sllave, në mbrojtje të kombit të tyre u rreshtuan trimat e trimëreshat më të mirë të kombit, për mbrojtjen e gjitha trojeve Iliro – arbërore – dardane – shqiptare. Në ballë të kësaj furtune ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nga të gjitha anët e Kosovës filloi mobilizimi për përgjigje ndaj atdheut, për çlirimin nga zgjedha një shekullore serbo-sllave.

Në mesin e vullnetarëve, ndër të parët që kapën pushkën për t’i dalë Zot vatanit ishin edhe djemtë e Mustafë Abdylit  nga Morina e Gjakovës.

Mustafë Ismajl Abdyli i lindur në vitin 1941 ishte  rritur jetim pa  babanë, Ismajl Isuf Abdylin, i cili e kishte lenë vetëm dy vjeçar. Mustafa u rrit me plot sakrifica herë tek dajallarët  e here ne fshat, deri sa u bë i zoti i vetvetes që ta fitojë kafshatën e gojës për veti edhe për nënën, Ajmonen. Me gjithë varfërinë dhe kushte të rënda ekonomike që kishin në atë kohë të okupimit, ai mbijetoi duke krijuar  një familje të shëndoshë ku zoti i kishte falur 7 djem dhe tri vajza: Isanë, Ismajlin, Ademin, Xhavitin, Sylejmanin, Ekremin,Valonin, Sabahaten,Valdeten dhe Vlorën.

Okupatori serb, kishte filluar qysh herët të ketë në shënjestër shtëpinë e Mustafës, sepse babi i tij, Ismajl Isuf Abdyli ishte i përndjekur nga xhandarmeria serbe, për shkak  se iu kishte rrëmbyer  dy xhandarëve serbë,  dy pushkë martina dhe kishte ikur për në Shqipëri duke mos iu ra kurrë  në dorë regjimit të huaj. Edhe babë Mustafa qysh i ri e kishte kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar, në mënyrë ilegale, në vitet e pesëdhjeta. Ishte arrestuar dhe kishte vuajtur dënime me burg si në Shqipërinë e asaj kohe edhe  në ish-Jugosllavi. Po ashtu edhe djali i dytë i bacës, Mustafë  Ismajli ishte nën vëzhgim të regjimit serb, sepse ai kishte qenë pjesëmarrës i luftës së Kroacisë, në betejën e Dubrovnikut,  në vitin 1991.

Në marsin e vitit 1998 kur Kosovës filloi t’i kanosej rreziku në të gjitha  anët, në luftën e UÇK-së u radhiten katër vëllezërit, Abdyli:  Ismajli, Ademi, Xhaviti dhe Sylejmani. Ata u radhiten për t’i dal zot vendit dhe   për t’i dalë në mbrojtje fshatit dhe gjithë brezit kufitar, sepse korridori i Morinës  ishte korridori më i mirë dhe me i lehte për hyrje e dalje në shtetin shqiptar për furnizimin me armatim të UÇK-së.

Por njësitet  elite të UÇK-së si dhe vëllezërit Abdyli ishin shumë mirë të organizuar dhe nuk ndaleshin dot në asnjë çast. Ata  ishin bërë  shtyllë e fortë në mbrojtje të gjitha fshatrave të brezit kufitare dhe e mbajtur  si korridor të lirë për furnizimin me armatim nga Viçidoli deri në Morinë dhe duke bërë  shpërndarjen  në të gjitha pikat e shtabeve të UCK-së. Ndër këta vëllezër trimi i dalluar  ishte edhe do të jete, Sylejman Avdyli

Sylejman Mustafë Abdyli u lind me 10 prill të vitit 1978, në Fshatin Morinë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Ponoshec, ndërsa të mesmen në shkollën “Hysni Zajmi”, në Gjakovë. Ishte nxënës i rregullt,  i urtë, i ëmbël edhe shumë liridashës. Sa herë që organizoheshin demonstrata  dhe kryengritje për Kosovën, Sylejmani ishe në ballë të tyre. Ai u rrit në një familje patriotike dhe me një gjendje mesatare  ekonomike. Pasi që nisën të rriten djemtë e Mustafës, djali i madh, Isaja, kishte dalë në botën e jashtme për t’i ndihmuar babës dhe me qëllim  për t’i shkolluar edhe edukuar vëllezërit e motrat.

Sylejmani, që nga viti 1997 kishte filluar të barte  armatim nga Viqidoli për në Morinë dhe në të gjitha vendet e Kosovës, bashkë me vëllezërit  dhe shokët  e  ngushtë të idealit.

Më 5 mars 1998, filloi Dasma e Madhe e lirisë  në krye më të pavdekshmin, Adem Jashari në Prekazin legjendar. Në sytë e Sylejmanit dukeshin lotët e përzier me ndriçimin e krenarisë dhe guximit,  duke konstatuar  se me të vërtetë i erdhi fundi durimit. Mëngjesi i së nesërmes, Sylejmanin me vëllezër dhe me bashkë fshatarë e gjeti të uniformuar dhe te rreshtuar para flamurit. Ata tashmë ishin betuar  se do ta ujisin me gjak  flamurin deri në fitore, sepse kthim prapa nuk do të kishte.

Vëllezërit Abdyli vendosen që familjen ta largonin nga fshati për  në zona ku mendohej se janë më të sigurta. Sylejmani asokohe u afrua nënës loke për t’u përshëndetur me të dhe ju drejtua me këto fjalë, shpjegon vëllai i tij,  Ismajli. –“Nënë,  unë jam biri i yt, por më shumë jam i Kosovës.  Kosova filloi dasmën e saj dhe është në flakë, e unë biri yt duhet të shkojë, që të mbrojë  këtë tokë të artë, që fëmijët e tanë dhe të mbarë Kosovës të jetojnë të lirë, që buzëqeshje e tyre të jetë ashtu sikur  i ka hije, e shqiptari të jetë i lirë përjetësisht nga ky serb barbari.

Kështu që nga e ëma e kërkoi  hallallin,  e kërkoi uratën e saj, e nënëlokja nuk e dinte  se për herë të fundit po ja dëgjonte zërin, dhe për herë të fundit po e prekte  e po shtrëngonte pranë gjoksit djalin e saj. Me gjithë zjarrin e zemrës që sot e ka ende, ajo ndihet  krenare që pati një djalë trim për t’i dhuruar pjesën e trupit të saj Kosovës Martire duke e skalitur lartë emrin e tij në flamur.

Sylejmani ishte fëmija i  pestë i Bacës, Mustafë dhe nënës loke, Gjylshahe Abdylit. Ai  ishte ndër të parët që nuk pushoi kurrë duke kontribuar për çdo moment e duke furnizuar me armatim ushtarët e UCK-së. Sylejmani ishte alfa dhe omega e çdo nisme për të zmbrapsur hordhitë serbe nga këto anë të Morinës e më gjerë. Ndërsa kufiri për të ishte bërë shumë i thjesht si prej pragut te shtëpisë e deri në oborr. Kjo familje bujare kurrë nuk u ndal duke shërbyer në të mirë të kombit dhe duke kontribuar për çlirimin e këtyre trojeve Ilire Arbërore Dardane. Çdo aksion, çdo herë kishte formulën e zgjidhjes, sepse atë strategji të përsosur e bënte dhe e koordinonte Sylejmani falë përvojës që e kishte marrë nga vëllai, Ismajli në luftën e Kroacisë, në betejën e  Dubrovnikut. Ishte trajnuar për intervenime te shpejta, në njësitë speciale, në fshatin Smolicë,  ku ishte përgatitur nga eprori, Afrim Basha, komandant Abi. Të gjitha aksionet që i merrte njësiti i  tij special ishin çdo herë të suksesshme, sepse në krye iu printe ideatori, çlirimtari   Sylejman Abdyli.

Pishtari i lirisë ishte trimi që nuk fliste shumë, ishte një djalë i urtë dhe me synime të qarta për të çliruar kombin e tij të robëruar. Veprimet e tij prej atdhetari ishin të pandalshme, sepse ai vepronte po si rrufeja nuk ndalej dot në asnjë çast. Kurrë nuk hezitonte, në çdo aksion ishte i pari. Ai thoshte: – “ Ejani shokë pas meje se unë do të dal i pari, në ballë të çdo aksioni”, Ai tashmë ishte bërë fortifikatë e pathyeshme  për armikun. I gjithë njësiti i tij, ndodhej kudo i gatshëm për luftë në atë pjesë të Dukagjinit e sidomos në brezin kufitare Smolicë—Popoc-Ponoshec-Brovinë-Botushë dhe Qafë të Morinës. Sylejmani ishte një grusht i fortë kundër armikut hegjemonist serb. Nuk duronte, që shkau të hynte lirshëm në shtëpitë shqiptare.

Sylejmani ishte i vetëdijshëm se  bashkimi sjellë fuqinë. Zëri i pushkëve tona kur janë të bashkuara dhe të një çasti atëherë edhe zërin e ka më të bukur,  sepse fitorja është më afër se dje, e më shpejt se nesër do të na vijë sot, thoshte ai. Kjo me të vërtet ishte pikënisja e çdo aksioni të tij që dinte të organizonte në çdo kohë e në çdo moment.

Fshati Morinë ishte një vend strategjik dhe kishte një korridor të siguruar për furnizim me armatim. Brezi kufitar ishte bërë si muri e rrethuar  nga fuqia e armikut,  po ashtu edhe rruga magjistrale Gjakovë-Ponoshec-Brovinë- Botushë- Junik, që ishte bërë kufiri i dytë nga forcat serbe. Trimat në krye me Sylejmanin nuk kishte stuhi as forcë qe i ndalonte.

Proporcionaliteti mes forcave të armikut dhe forcave tona ishte në favor të armikut, por vullneti i madh për lirinë, nuk u mungonte çlirimtarëve të Morinës e të Kosovës. Secili prej tyre kishte marrë detyrën që i takonte. Njësiti numëronte gjithsej,  tridhjetë ushtarë,  të cilët ishin gjithmonë  të suksesshëm dhe në mbrojtje të dinjitetit kombëtar, rezistuan gjithmonë ballë për ballë kundër armikut serb.

Në Morinë,  çdo herë kishte përpjekje  nga ana e pushtuesit për ta marrë nën kontroll fshatin, por gjithmonë ata hasën  në një rezistencë të fuqishme, nga çlirimtarët  e Morinës, por edhe disa trima nga viset tjera të Kosovës  si nga  Ferizaj, Prishtina, Malisheva, Theranda, Drenica e më gjerë që kishin ardhur me detyra për armatim, por kurdoherë të zhvilloheshin luftime, kudo ku paraqitej nevoja, ata merrnin pjesë në vijat e frontit .

Betejat filluan që nga 3  maji i vitit  1998 nga armata e rregullt serbe,  e cila filloi sulmet në Rekën e Keqe e sidomos ne fshatin Ponoshec, ku kishte për qëllim të kryente  një masakër ndaj popullatës  civile, në këtë fshat. Falë forcave te njësisë speciale të njësitit, të Sylejmanit me shokët e tij  si me Blerim Ukshinin, Bekimi Demirin, Mursel Avdylin e të tjerë  ju ranë në befasi,  pas shpine nga  lumi Ereniku, që  e ndan Ponoshecin me fshatin Stubull e Smolicë,  ku armiku dështoi dhe pësoi duke i lënë të vrarë shumë banditë serbë dhe duke u shkatërruar  tekniken e tyre luftarake.

“Ofensivë pas ofensive,  në muajin maj, po ashtu edhe më 13 qershor të vitit  1998, ushtria serbe mori një ofensivë në shkallë të gjerë, për ta marrë nën kontroll fshatin, Morinë. Po zhvillohej një betejë shumë e ashpër, ballë për ballë  dhe fyt për fyt. Në atë beteje në altarin e lirisë, ranë  dëshmorët:  Muhamet Ukshini dhe Shkëlzen Syla. Kjo ishte dita më e rëndë për gjithë të ushtarët tanë, ku i humbëm shokët më të mirë të luftës e të idealit ku ofensiva ishte shume e ashpër kishin ardhur shume forca serbe me armatim të rëndë e me tanke. Por vendosmëria dhe morali i luftëtarëve trima të Morinës vetëm se shtohej dhe rritej. Pushkët e çlirimtarëve jehonin dhe shkrepnin mbi caqet e ushtrisë serbe, pa u ndalur dot”, thotë, luftëtari, Ismajl Abdyli.

Çdo ditë përballeshin ushtarët e lirisë me sulme e granatime, edhe pse serbët mendonin se pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë me mijëra, në Morinë. Realisht  numri nuk ishte më shumë se 30 ushtarë të UÇK-së, por ishin të gjithë si një  dhe kjo krijonte përshtypje sikur të ishin 300 luftëtarë.

Kudo, ishte Sylajman Abdyli. Kudo i gatshëm me gjithë rrezikun që i kanosej, sepse ai kishte një guxim të jashtëzakonshëm, por ai kishte një vetëdije të plotë e me kujdes të veçantë  i kishte ndarë të gjithë vëllezërit e tij në grupe, larg njëri-tjetrit në mënyrë që po të binte  njëri prej tyre,  mos të binin  të gjithë për njëherë.

Ditë e më tepër,  këtyre trimave po ju vështirësohej komunikimi, qarkullimi dhe furnizimi, meqë  kishte filluar një rrethim i hekurt nga kufiri, si dhe nga pjesa e rrugës magjistrale Gjakovë-Junik-Morinë. Ku ata kishin mbetur mu në mes të forcave serbe. I tërë fshati bombardohej nga shumë pika si Pllaniku, Suka e Baballoqit, Kamenica, Shkoza e Molliqit, Podi i Gështenjave, Qabrati e vende të tjera, por vendosmëria e Sylejmanit me bashkëluftëtarët e tij ishte e madhe dhe kështu i thyenin gjitha pengesat dhe arritën të  dilnin fitimtar, në çdo aksion kundër ushtrisë barbare serbe.

Ishin bërë katër muaj luftime. Çdo herë e më shumë ushtria dhe policia serbe po organizohej me  kusht t’ i merrte  pozicionet e UCK-së. Djemtë e Morinës kishin mbetur pak në numër, por  edhe pse ishin pak, morali ishte shumë i lartë.  E vetmja gjë që i mundonte këta trima ishte se nuk u  gjet  dot  një epror me provojë ushtarake dhe  nuk e pat guximin të qëndronte me këta djema. Këta trima ia arritën të jenë dhe më të organizuar si kurrë më parë, meqë  morali dhe dashuria për fitoren  e ardhshme   shtoheshin për ditë.

Me datën 7 korrik  të vitit 1998, filloi një betejë,  e cila deri në atë ditë nuk ishte parë e përjetuar  në këtë anë të kufirit. Ushtria serbe në mesin e saj kishte mobilizuar paramilitarë të droguar, e mercenar rusë,  të cilët nuk ja arritën më të marrin dekorata, sepse  i lanë eshtrat e tyre në brezin kufitar të Morinës.

Për ushtarët e lirisë, 7 korriku,   ishte dita më e rëndë.  Ishte një ditë me vapë e muajit më të nxehtë të vitit. Armiku kishte armatim të rëndë dhe sulmonte  me forca të shumta paramilitare madje edhe  rus,e dhe me  njësitë elite, të quajtura “frenki”, pastaj me  tanke helikopterë të luftës,  njësi speciale,  kurse luftëtarët e lirisë ishin me një numër shumë të vogël forcash. Ishte ora 5 e mëngjesit të 7 korrikut kur filluan bombardimet dhe luftimet në një distancë, jo më larg se 10 e 20 metra. Kishte raste kur  ushtaret e armikut te droguar kishin mësyrë drejt istikameve të forcave tona ku kanë luftuar fyt për fyt. Vullneti dhe morali i ushtarëve të UCK-së ishte në nivelin më të lartë, që prej kur kishin bë betimin para flamurit.

Sylejmani ishte i pozicionuar me njësitin e tij te “Lagja e Ukshinajve”,  ku edhe aty ishte pika kyçe edhe pikësynimi që serbët dëshironin ta thyenin. Lufta vazhdonte pa u ndërprerë. Zoti ju kishte dhuruar forcë dhe guxim të fuqishëm. Çlirimtarët tanë filluan këngën, sepse nisi Dasma e Nënës Kosovë, dhe kënga e tyre nuk ndalej dot. Ajo po kthej me jehonën e tmerrshme për armikun: – O Prite, Prite, Azem Galicën. Serbët  fillonin t’i tërhiqnin të vrarët  e të plagosurit. Ata ishin ndeshur për ballë spartanëve të UÇK-së. Forcat armike kërkonin ndihmë nga ajri, kërkonin përdorimin e helmeve  të ndryshme meqë Bastioni çlirimtar te  “Lagja e Ukshinajve, nuk do të binte  në duart e armikut,  deri sa të ndalej  fryma e Sylejmanit, Arbenit, Nezirit, Ahmetit, Blerimit dhe Ymerit.

Beteja vazhdonte. Municioni i trimave po shpenzohej. Ishte ora  16.00 kur  Sylejmani nisi këngën: “Besa besë…” ushtonte i gjithë mali nga jehona,  O prite Bacë, prite… Atë ditë çlirimtarët po i tregonin  serbit se nuk dorëzohen të gjallë, se gjaku as jeta nuk  u dhimbsej për Atdhe. I tërë mali tek “Lagja e Ukshinve”  mori flakë dhe u mbulua nga tymi i helmeve kimike, por breshëritë e mitralozit të Sylejmanit nuk ndalonin. Në një çast kritik, duke u ngritur në këmbë nga istikami  për të goditur sa më mirë  mbi forcat armike, papritmas, goditet për vdekje. Gjoksi i tij ishte  mbuluar me gjak dhe në ato momente të fundit para amshimit, mitralozi i tij  nuk ndalej duke shkrepur plumbat një nga një, edhe pse ishin sekondat e fundit të jetës së tij,  thotë  bashkëluftëtari i tij dr. Bajram Zeqiri dhe ish komandanti i shtabit lokal,  Sadri  Avdyli, komandant Baca.

Menjëherë pas rënies së Sylejmanit kanë rënë edhe Arben Ukshini, Nezir Elezaj, Blerim Ukshini, Ymer Bytyçi dhe Ahmet Pulatani. Ndërkohë ishin zënë robër  dy luftëtarë të UÇK-së të cilët ishin të vjetër për nga mosha por të fortë nga morali. Ata  qëndruan  deri ne vdekje me djemtë e Morinës.  Tahir Salihu nga Morina dhe Arif Xaja nga Botusha, ishin rrëmbyer nga serbët dhe pas shumë vuajtjeve që kishin përjetuar nëpër burgjet serbe, lirohen pas çlirimit të Kosovës me një gjendje jo të mirë shëndetësore.

Amaneti i fundit  i Sylejmanit ishte që të mos ndalej lufta për çlirim deri në fitore. Ditën e rënies së Sylejmanit, në altarin e lirisë,  pozicionet kishin rënë në mungesë të armatimit, meqë trimat kishin luftuar deri në fishekun e fundit. Pas rënies heroike, komandanti i shtabit lokal,  Sadri Avdyli me bashkëluftëtarët:  Naim Balia, dr. Bajram Zeqiri dhe Ismajl Rugova, kërkojnë ndihmë për rikthim në pozicione dhe tërheqjen e trupave të dëshmorëve. Në pamundësi që t’i rikthyer  pozicionet, forcat serbe i marrin kufomat dhe i varrosin në Varrezat e qytetit,  në Gjakovë, pa i identifikuar paraprakisht. Pas mbarimit të luftës dëshmorët e Morinës,  me nderime të larta ushtarake  rivarrosen në Varrezat e Dëshmorëve, në Gjakovë.

Vëllai  i  dëshmorit, Ismajl Abdyli  thekson se në pamundësi që t’i rikthejmë pozicionet pas 7 korrikut, në fshatin Morinë, ne iu bashkuam forcave te UÇK-së në shtabin lokal,  në Dobrosh,  ndërsa Ademin dhe Xhavitin i përcolla në Shqipëri për furnizime me armë dhe municion. Ismajli u sistemua në shtabin Lokal të Dobroshit nën komandën e Rifat Sylejmanit. Veprimet e tij ishin si udhëheqës i një skuadre në Kallavajë Nivokaz dhe Junik si dhe herë pas herë edhe me detyra shtesë në Hereq,  Gramaqel dhe në Gllogjan. Pikësynimi i Ismajlit ishte organizimi i forcave të UCK-së dhe realizimi i amanetit të vëllait dhe bashkëluftëtarit të tij Sylejmanit, që njëherësh ishte  edhe amaneti i  të gjithë dëshmorëve, të cilët jetën e tyre, në moshën më të mirë ia dhuruan, Lirisë së Kosovës.

Pas shumë e shumë betejave, në korrik dhe gusht të vitit 1998, me 1 shtator, Ismajli vendosi ta takojë familjen tij, të strehuar në qytetin e Gjakovës që nuk e kish parë që nga marsi. Ai vizitoi nënën dhe babanë të cilët edhe i ngushëlloi  për djalin e rënë në betejë. Kërkoi nga prindërit,  që luftës për çlirim t’i bashkohej edhe vëllai tjetër, Ekremi,  i njohur me nofkën, “Faqekuqi’’. Më  12 shtator ai mori rrugën për në Shqipëri, ku u aktivizua në Qendrën Stërvitore, në Papaj,  me  Ekremin dhe Xhavitin. Të tre vëllezërit u radhiten në Brigadën 138 “Agim Ramadani”, të Zonës Operative të Dukagjinit dhe  vazhduan luftën duke e quar në vend  amanetin e Sylejmanit,  Muhametit, Shkelzenit, Nezirit, Arbenit, Blerimit, Ahmetit, Ymerit, Legjendarit  Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të tjerë që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Me rastin e thyerjes së kufirit më 9 prill të vitit 1999,  vëllezërit Abdyli ishin nëpër njësit e tyre të bashkuar si çdoherë. Po atë ditë heroike, në orën  11.30, gjatë luftimeve, Ismajli goditet nga një predhe mortaje duke e plagosur rëndë në kraharor dhe në këmbë. Ndihma e  parë i jepet nga komandanti i njësisë së Policisë Ushtarake, me ç’ rast tërhiqet nën mbrojtje nga komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani”,   Rrustem Berisha. Duke qenë se plaga ishte e rëndë, ai  dërgohet në Spitalin e Bajram Currit ku iu bë një ndërhyrje kirurgjike për t’i nxjerrë nga trupi copëzat e granatës. Të nesërmen u dërgua për në Spitalin Ushtarak në Tiranë për trajtim të mëtejmë. Pas shërimit u kthye prapë në frontin e luftimeve dhe iu bashkua vëllezërve dhe bashkëluftëtarëve deri në përfundimin final të luftës së shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë luftimeve të ashpra në Kosharen legjendare  lëndohet rëndë në boshtin kurrizor vëllai i Sylejmanit,  Xhaviti, i cili është  invalid i luftës së UCK-së.

Çlirimtari, Sylejman Abdyli, tani dëshmor i kombit, ëndërronte që një ditë Kosova t’i bashkohet Nënës Shqipëri, sepse  ai u rrit  dhe u edukua në atë frymë, brez pas brezi. Ai ishte i veçantë, ashtu sikur e tërë familja Abdyli, e pasur me një dashuri  të zjarrtë, për të dhënë shembull, sesi duhet atdheu dhe si duhet vdekur  për atdheun.

Gjatë gjykimit, në Hagë, kryekrimineli i Serbisë,  Sllobodan Millosheviq, gjatë një seance  gjyqësore një ditë të tërë ka folur për betejën e 7 korrikut, në Morinë. Ai ka pranuar  se i ka lënë të vrarë 64 ushtar aktivë, duke mos i përmendur edhe  ata të pjesës rezerve dhe paramilitarë të panumërt.

7 korriku i vitit 1998 ishte dita kur ti, vëlla Sylejman u rilinde përsëri. Për ty,  tash 17 vite i kemi dy ditëlindje, ditëlindjen e parë, deri në flijimin tënd,  për tokën e shtrenjtë të Shqipërisë Natyrale. Sylejman,  vëllezërit  tuaj, sot me krenari i shërbejnë Atdheut me uniformen e Ushtrisë së Kosovës, me uniformen për të cilën ju e derdhet gjakun. Këtë uniform e mban me nderë dhe krenari, Ismajli dhe Valoni. Emrin tënd të artë më krenari e mban dhe e trashëgon nipi i juaj,  Sylejman Ismajl Abdyli.

 Të dhënat për dëshmorin Sylejman Abdyli dhe dëshmorët e Morinës i përpiluan: mr. Nezir Beqiri dhe Ismajl Mustafë  Abdyli, vëllai dhe bashkëluftëtari i dëshmorit.