Tahir Haki Gashi (3.2.1977 - 11.3.1999)

Tahir Haki Gashi (3.2.1977 – 11.3.1999)

Dhuna serbe që ushtrohej mbi popullin e Kosovës, nga njëra anë, por edhe varfëria e madhe e popullatës së shkelur, sa nga thundra e okupatorit aq edhe nga injoranca e bartësve të psikologjisë së robit, nga ana tjetër, e detyruan pjesën më të madhe të rinisë shqiptare që ta marrë botën në sy: për t’u shpëtuar ndjekjeve, për të nxënë dije ose për ta fituar kafshatën e bukës. Rinia, si e këtillë, edhepse e thërrmuar dhe e dërmuar nëpër rrugët e Evropës e të Amerikës asnjëherë nuk ra në apati e defetizëm, por nën jastëk palonte shpresat për një të ardhme më të mbarë, për një jetë më të lumtur, për një Kosovë të lirë e sovrane, për një Shqipëri të bashkuar e për një ushtri e cila do ta shkundte barrën dhe marren shekullore.
Plejada e djelmoshave të gatshëm për t’u sakrifikuar për atdheun dhe gjuhën e të parëve mblidhej dhe organizohej rreth Jusufit, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës, rreth Fehmiut e Xhevës, rreth Hysen Tërpezës e shumë patriotëve të ndjekur këtu e atje. Mirëpo me daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të dëgjuar krismat e Jasharëve e të Haradinajve, kurbetçarët braktisin mërgimin dhe Perëndimin, i kthehen Kosovës martire që ofshante dhe rrënkonte “O sot, o kurrë!”. Për t’u radhitur në rreshtat e Adem Jasharit kthehen: Abedin Rexha – Sandokani, Bekim Berisha – Abeja, Mehedin Morina, Bedri Shala, Xhelal Hajda, Bejtë Rexhepi, Pal Paluca, Fehmi Lladrofci, Skënder Latifi, Milaim Krasniqi dhe vëllezërit e Tahirit të rënë në Jeshkovën e Vërrinit më 11 mars 1999.
Menjëherë pas rikthimit të Xhelal Hajdës – Tonit dhe të Selajdin Mullabazit – Micit, më 22 shtator të vitit 1998, në Rrafshin e Anadrinit, bërthama e Batalionit të Rahavecit vendoset në fshatrat: Piranë, Qëndresë, Krushë e Vogël, Krushë e Madhe, Nagac, Hoçë e Vogël e Brestos, por me pretendime që luftëtarët e lirisë, pa dallim rajoni, të kazermohen në fshatin Reti, jo larg prej çerdhes së paramilitarëve të Hoçës së Madhe ku ishin stacionuar forcat e mëdha paramilitare serbe që prisnin për ta sulmuar pikërisht fshatin Reti dhe kështu të thërrmohen: Batalioni i Lugut të Drinasit, Batalioni i Lugut të Brestosit, Batalioni i Drenajt dhe ai i Rahavecit dhe të pamundësohet zhvillimi i Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, e së andejmi edhe i brigadave 125, 126, 127 e 128 të Zonës Operative të Pashtrikut, për çka u angazhuan “Djemtë e Vërrinit” të cilëve u printe komandant Hoxha (Samedin Xhezairi).
Dëshmori i kombit Tahir Haki Gashi, është i lindur më 3 shkurt të vitit 1977 në fshatin Landavicë të Anadrinit, komuna e Pirzrenit. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje pa u larguar asnjëherë prej nënës Fahri e prej vëllezërve Bakiut, Sherifiz e Ilirit dhe motrave Fidaisë, Hanifës, Selvetit e Besirës. Shkollën e mesme e kreu në Prizren ku ra në kontakt me veprimtarët e grupit të Xhemajli Berishës nga Arbana e Prizrenit të cilin e adhuronin djelmoshat e Landavicës. Si nxënës i shkollës së mesme Tahiri angazhohet në Unionin e Nxënësve të Shkollave të Mesme ku ishin të anëtarësuar shumë nxënës të fshatit Landavicë, prandaj herët i ra që të kyçet në aktivitetet e ilegales së Anadrinit e veçanërisht të fshatrave bri aksit të magjistrales Prizren – Gjakovë. Merr pjesë në të gjitha organizimet e manifestimeve kundër dhunës serbe që u instalua me makinerinë policore, veçanërisht me përforcimet e vitit 1989 sipas projektit të kryekriminelti Slobodan Milosheviq. Së bashku me të vëllanë Sherifin, me Ahmet Morinën, Sadri Thaçin, Fazli Gashin, intelektualët Ismet Gashi e Qazim Thaçi merr pjesë në ballë të kolonës në varrimin e dëshmorëve të parë të Anadrinit që ranë më 27 janar të vitit 1990. Aktiviteti i çerdheve të ilegales anadrinase që zhvillohej para hundëve policore shtrihej me një dinamikë më të përshpejtuar prandaj edhe policia serbe shton masa, sa në shtrirje aq edhe në intensitet. Shumë shpesh bastis familjen e Haki Gashit duke ia kërkuar armët, Sherifin dhe Tahirin. Për të shpëtuar vëllezërit mërgojnë në Zvicër, ndërsa Tahiri strehohet nëpër të afërmit, së bashku me Përparim Ali Thaçin, sot dëshmor i kombit. Strukturat policore serbe fokusojnë ndjekjen e të rinjëve, Tahir Gashi e Përparim Thaçi dhe zbulojnë Shtabin e studentëve në shtëpinë e veprimtares Leonorë Morina në Arbanë dhe kështu burgosen veprimtarët e Grupit të Prizrenit. Tahiri shpëton por i merr malet me pushkë në dorë dhe duke braktisur Prizrenin u bashkohet luftëtarëve të Landavicës që vepronin në logjistikën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe del në pozicionet e para të kësaj ushtrie më 9 prill të vitit 1998. Kështu takohet me luftëtarët më emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndjeu krenari të veçantë pas takimit me Fehmi e Xhevë Lladrofcin, Abedin Rexhën, Jakup Nurën, Ilaz Kodrën, Sabit Gecin, Xhemë Gashin, Mahir Hasanin, Selim Krasniqin, Mensur Zyberajn, Bedrush e Feim Gashin e shumë luftëtarë të tjerë, sot shumica dëshmorë, invalidë, të burgosur e të ndjekur të pasluftës. Këtu Tahiri është së bashku me Vahit Ukën, Xhavit Elshanin, Nagip Morinën, Faik Berishën, Osman Qerretin e Selim Morinën, ndërsa në Landavicë shtrihej veprimtaria kah fshatrat e Hasit në mënyrë që ky grup ta mbajë vijën logjistike të Hasit të cilën e drejtonin: Qenë Qenaj, matanë Pashtriku dhe Haxhi Hoti, këtej Pashtriku. Beteja e Bardhatinit më 12 maj 1998, Tahirin e gjeti të stërvitur e me kondicion fizik të cilin e kishte kalitur me bartje të armatimit nëpër Pashtrik. Luftimet në “Qafën e Gardhishtit”, rënia e Përparim Thaçit, Sakip Bellaqës dhe Feim Gashit ndërmjet fshatrave Fortesë e Xërxë ishin shenja se Grupi i Landavicës duhet ta shtojë syçeltësinë në prerjen e akseve rrugore.
Pas Betejës së Rahavecit, i tërë Grupi i Landavicës nëpërmjet “Qafës së Pagarushës” dhe të Dabërdelanit kalon në arealen luftarake të Vërrinit dhe shquhet në luftimet përreth Lezit dhe Jeshkovës, ndërsa pas këtyre ofensivave, mungesa e municionit dhe e armatimit e detyruan që të shkojë edhe një herë në Shqipëri për t’u riarmatosur.
Më 22 shtator 1998, Xhelal Hajda – Toni e Selajdin Mullabazi – Mici, sipas instruksioneve të Bislim Zyrapit, shefi operativ i Shtabit të Përgjithshëm, fillojnë riorganizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut, prandaj, pas depërtimit nëpër fshatrat: Kushnin, Romajë, Rogovë, Piranë, Krushë e Vogël, Krushë e Madhe, Nagac e Hoçë të Vogël e Landavicë, vendosen në fshatin Reti të Anadrinit. Në këtë fshat arrin edhe Tahir Gashi së bashku djelmoshat e Landavicës të komanduar nga Hysen Rexhepi e Nehat Basha dhe kështu zuri të riorganizohet edhe Brigada 125 e Zonës Operative të Pashtrikut, krahas Brigadave 123 në Samadraxhë, jo larg Retisë dhe Brigadës 124 “Gani Paçarizi”.
Tahir Gashi pretendonte për ta zhvilluar edhe më shumë Grupin e Landavicës e ta shtrijë kah fshatrat e Vërrinit, ta vendosë në lugjet dhe prozhmet e Jeshkovës duke e zhvilluar kah Luma, Hasi dhe Opoja. Dimri i vrazhdë i Retisë për Brigadën 125 dhe për Grupin e Landavicës kaloi me stërvitje të shpejtuara deri më 10 mars, kur humbin Shkëlzen Dragajn. Kështu ky njësit braktis Anadrinin dhe Retinë duke shfrytëzuar drejtimin: Reti–Qëndresë–Piranë–Tupec–Atmagjë–Nashec e Kobaj. Nën komandën e Hysen Rexhepit njësiti pretendon ta marrë Jeshkovën, ta vendosë shtabin e Brigadës 125 dhe ta jetësojë konceptin e komandantit Remzi Ademaj dhe kështu më 11 mars fillon Beteja e Jeshkovës në të cilën marrin përjetësinë: Alajdin Xhezairi, Bashkim Suka, Besnik Kastrati, Hajdar Shala, Nuridin Shala, Hamit Thaçi, Feriz Susuri, Tahir Gashi, Skënder Latifi e Ymridin Çengaj dhe në krye të tyre edhe komandanti i Njësitit për Intervenimet e Shpejta, Hysen Nahit Rexhepi. Në luftimet e Jeshkovës, atë ditë e sot u zhdukën dhe nuk dihet gjë për Ymer, Hilmi e Shemsedin Shalën, Shehadin e Musli Gashin, Rexhep Budurin, Faik Begajn e Musli Avdajn, por edhe shumë banorë të Jeshkovës legjendare. Sipas nënës së dëshmorit të kombit Skënder Latifi nga Pirana e Anadrinit, krismat e betejës së Jeshkovës janë dëgjuar deri në Piranë, por ne anadrinasit kujtonim se pluftohej në Qëndresë e Krushë të Vogël e jo në Jeshkovë, “ashtu na patën thënë kur u nisën kah Jeshkova, – mos keni frikë, ju duhet të frikësoheni nëse dëgjoni breshëri në Krushë të Vogël e Piranë, prandaj kishim shpresë se mund të nxirren!”
Varrimi i “Dëshmorëve të Vërrinit” u bë më 17 mars në Varrezat e Pagarrushës. Kështu, atë të mërkurë, në lëndinën e mbuluar me dëborën e pragut të pranverës si pranverat e djelmoshave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej Prizreni arrinin turma për të marrë pjesë në përcjelljen e fundit e cila nëpër terr iu bë dëshmorëve të rënë në Betejën e Jeshkovës. Atë ditë, bijtë më të mirë të kombit pushuan në prozhmet e Pagarushës deri më 15 tetor të vitit 1999 kur me përcjellje solemne u sollën e u vendosën me nderime të larta ushtarake në Kopshtin e Dëshmorëve, në Landavicë dhe sot prehen pranë komandantëve: Remzi Ademaj, Ekrem Rexha e Tahir Sinani.
Tahir Gashi, djalosh bjond e me hijeshi burrërore, i lindur e i rritur në një familje bujqësore por me tradita patriotike, përherë i ndjekur e i persekutuar së bashku me vëllezër e me të anë Hakiun, karakterizohej me një vendosmëri. Kishte një karakter të fortë si djalosh i kalitur mirë nëpër valët e jetës, sa në vendlindje, Landavicë, aq edhe në Prizren. Ishte luftëtar i denjë, përherë i buzëqeshur dhe me moral të lartë.
Sot, mbi lapidarët e mermertë në Jeshkovë e Landavicë, familjarët e dëshmorëve të Jeshkovës janë së bashku për ta përkujtuar luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilës komandanti legjendar Adem Jashari ia vuri themelet duke derdhur gjakun e Jasharëve vetëm e vetëm për ditët më të mira të Kosovës së pavarur e për trojet e bashkuara etnike. Dëshmorin e kombit, Tahir Gashi, bashkëluftëtarin e Fehmi Lladrofcit, të Remzi Ademajt, të Xhevat Berishës e të gjithë dëshmorëve të Vërrinit, me shkrimet e tyre e përkujtuan Rajmonda Maleçka, Bajram Kurti, Abedin Balaj e Qazim Thaçi, ndërsa rapsodi për Tahir Gashin e për dëshmorët e betejës së 11 marsit këndojnë Zenel Zekolli, Hamëz Llapçeva, Shaqir Ninaj dhe rapsodët nga Kukësi.
Në familjen e Tahirit ruhen reliktet si vetura me të cilën vepronte grupi i Landavicës, fotografitë dhe një fletore e punës, kurse nipërit e mbesat shkruajnë dhe në kopshtin e dëshmorëve, në Landavicë i thonë vargjet e bukura kushtuar axhës dhe dajës Tahir Gashi dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …