Frank Shkreli

Thanas L. Gjika: Portret biografi kushtuar gazetarit Frank Shkreli I

Radio Zëri i Amerikës, në vitet kur Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-të, luante rolin e ambasadës amerikane për të ndihmuar popullin shqiptar duke transmetuar lajme, komente dhe artikuj mbi ngjarjet kryesore të politikës amerikane, botërore dhe asaj shqiptare, duke i treguar ato ashtu si kishin ndodhur. Në këtë mision kanë shërbyer një sërë burrash e djemsh shqiptarë si, Jozef Paskali, Talat Karagjozi e Xhevat Kallajxhi, Ilia (Louis) Prifti, spikerja Lulu Vrioni (mbesë e Mit’hat Frashërit), Ruzhdi Daca, Gasper Kiçi, Bardhyl Pogoni, Dr. Elez Biberaj, Frank Shkreli, Idriz Lamaj, etj.

Puna në këtë institucion, ku shumica e materialeve lexoheshin e transmetoheshin drejtpërdrejt nga mikrofoni, kërkonte një përqendrim të lartë për të mos bërë gabime, sepse nuk kishte mundësi korrigjimi, si me materialet që incizoheshin. Kjo lloj pune me përqendrim të lartë mendor e nervor, ua temperoi këtyre gazetarëve aftësitë e punës radiofonike, saktësinë e formulimeve, guximin e marrjes shpejt të vendimeve, leximin me ton të prerë, etj, tipare shumë të nevojshme për një gazetar të radios.

Pasi kisha lexuar disa artikuj e shkrime të ndryshme të gazetarit Frank Shkreli të botuar në gazetat “Dielli”, Illyria”, “Telegraf”, “Bota sot”, etj më ra në sy ky tipar i gazetarisë së folur në shkrimet e tij. Për ta njohur më nga afër jetën dhe krijimtarinë e tij i kërkova të më dërgonte disa të dhëna për jetën dhe librin “Demokracia nuk pret” (BOTIMET MORAVA, Tiranë 2016, 476 f.), ku ai ka përmbledhur 80 artikuj të viteve 2014-2015.  Në këto shkrime më ranë në sy disa tipare të përbashkët të shkrimeve të tij: stili vetiak radiofonik i të shprehurit me rritëm të shpejtë, përgjigja flakë për flakë ndaj problemeve e ngjarjeve, mospërdorimi i shkurtimeve, përsëritja e disa fjalëve që lidhen me thelbin e problemit dhe me emrat e titujt që kanë lidhje me të, etj.

Puna e gjatë si gazetar në Radio Zëri i Amerikës, ka ndikuar që ai të ketë formuar dhe një stil vetiak në të shkruar. Ai shkruan sikur i drejtohet dëgjuesit në proces transmetimi dhe jo sikur po i drejtohet lexuesit që do ta ketë shkrimin para syve. Kjo ndodh në të gjitha llojet e shkrimeve të tij, qofshin artikuj, komente, ese, recensione veprash, shkrime përkujtimorë për jetën e personaliteteve të ndryshëm, etj.

I nxitur nga vlerat e spikatura të përmbajtjes ideore, nga gjuha letrare e perbashket qe ai perdor dhe nga tipari i veçantë i stilit radiofonik, iu futa punës për të hartuar këtë portret biografi për të edhe pse para meje kishin dhënë për të vlerësime të spikatura personalitete si Prof. Sami Repishti, Dr. Elez Biberaj dhe Simon Miraka. Ky i fundit kishte qenë dhe një dëgjues i rregullt i Radios Zëri i Amerikës, prandaj ia kujton Frankut në shkrimin e vet edhe zërin e tij kur ky fliste si gazetar në radio.

Franku u lind në fshatin Ambull të Ulqinit më 1950 në familjen e Gjeto L. Shkrelit (1917-2003). Ky fshat banohej prej malësorëve të Malësisë së Madhe (Alpet Shqiptare). Këta banorë muajt e verës i kalonin me bagëtitë e tyre në bjeshkët e Shkrelit, kurse muajt e dimrit i kalonin si bujq poshtë në rrethinat e Ulqinit, ku kishte klimë të butë Mesdhetare. Më 1913 me shkatërrimin e Perandorisë Osmane, Mbretësisë së Malit të Zi, përveç qyteteve Tivar dhe Ulqin dhe fshatrave rreth tyre që i ishin dhënë më 1880, iu dhanë edhe shumë fshatra të tjerë të rrethinave të Ulqinit, si dhe qytezat Podgoricë, Plavë e Guci dhe fshatrat e tyre. Kështu, të parët e familjes së Frankut, si dhe ky vetë bashkë me banorët e trojeve shqiptare Veri-Perëndimore, Veriore, Veri-Lindore e atyre Jugore që u shkëputën padrejtësisht nga trungu mëmë pas vitit 1913, përjetuan tragjedinë e vijimit të jetës nën zgjedhën e re sërbo-malazeze-maqedone dhe greke, plagë që edhe pas çlirimit të Kosovës, vijon ende të shkaktojë dhimbje për më shumë se një milion shqiptarë.

Mbas vitit 1948, me prishjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, u ndërprenë plotëshisht marrëdhëniet midis shqiptarëve të të dy anëve të kufirit Shqipëri – Jugosllavi. Nëna e Frankut, e ndjera Mrikë Palokja Martini e lindur në Vermosh më 1920, e martuar me Gjeto Shkrelin më 1940 nuk pati mundësi t’i takonte më prindrit dhe vëllezërit e vet derisa vdiq më 1987 në New York.

Jeta e vështirë në zonat malore ku familja dhe vetë Franku merrej që në vogëli me punë blegtorale e bujqësore dhe njëherazi ndiqte procesin e shkollimit në shkolla larg shtëpisë, kalitën te ky djalosh karakterin këmbëngulës, tipar që bie në sy në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij.

Në Amull (Ambull), fshati i tij i lindjes, nuk kishte shkollë fillore e për të mos mbetur i pashkollë, prindërit e regjistruan në shkollën fillore të fshatit Shtodër (Shën Todër) një orë larg. Aty mësimet kryheshin shqip dhe serbisht, prandaj ky fëmijë u detyrua të mësonte gjuhën sërbe. Kurse shkollën 8-vjeçare ai e ndoqi në fshatin Katërkoll, dy orë larg fshatit të tij. Në këtë shkollë mësimet kryehshin në gjuhën shqipe, kurse sërbishtja ishte gjuhë e dytë. Gjatë udhëtimeve në këmbë për të shkuar e për t’u kthyer nga shkolla, ai me shokët e tij, kur nuk binte shi, i lexonin e i mësonin disa lëndë në ecje e sipër.

Shkollën e mesme e kreu te Seminari Katolik i Salezianëve në Kroaci dhe Slloveni, ku mori disa njohuri dhe për anglishten. Kurse përvetësimi i gjuhës shqipe, e sidomos përvetësimi i gjuhës letrare të përbashkët është meritë e punës studimore autodidakte që Franku e kreu në vitet e pjekurisë, disa vjet mbas ardhjes në SHBA.

Viti 1969 ka qenë viti i kthesës së madhe për Frankun dhe gjithë familjen e tij. Në atë vit qeveria jugosllave, duke marrë shkas nga demostratat e organizuara në Prishtinë një vit më parë, i shtoi përndjekjet e shqiptaëve anë e mbanë Jugosllavisë. Familjet malësore shqiptare të Malit të Zi, deri në atë kohë nuk e njihnin largimin nga vendlindja as në formën e kurbetit dhe as si arratisje. Familja Shkreli e përbërë nga prindërit, dy vajzat, Drania dhe Tereza dhe dy djemtë Franku dhe Toma, për të shpëtuar nga këto përndjekje, vendosi ndër të parat familje të atyre anëve, të arratisej në Itali. Mbas disa përpjekjesh u realizua ky akt. Qëndrimi në një kamp refugjatësh politikë në Itali zgjati një vit. Aty u bë njohja me punonjësit e ambasadës amerikanë dhe u mbushën dokumentet. Kjo familje bashkë me disa refugjatë të tjerë, në vitin 1970 u lejua të shkonte në SHBA, aty ku kishte kërkuar. Familja Shkreli u vendos në lagjën Bronks të shtetit New York, për të qenë pranë kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”. Franku 19-vjeçar filloi të punonte që javën e parë çdo punë që mund të gjente. Më tej ai u regjistrua në një kurs mbrëmjeje për mësimin e anglishtes, kurse ditën vijonte të punonte. Më tej ai u regjistrua në disa kurse mbrëmjeje në “Lehman College” në Bronx, ku u përqendrua në disa kurse për shkencat politike dhe historike.

Në verë të vitit 1974, i sapodiplomuar, Franku 24-vjeçar u largua prej familjes dhe u vendos në Washington DC, ku filloi punën te “Radio Vois of America” (VOA) / “Zëri i Amerikës” në seksionin e gjuhës shqipe. Largimi i Frankut nuk e tronditi familjen, pjesëtarët e saj ishin mësuar me qenien e tij larg që në vitet e shkollës së mesme. Në kryeqytet Franku, edhe pse kryente një punë që e pëlqente dhe merrte një pagë shumë të mirë, nuk i ndërpreu përpjekjet për studime të mëtejshme. Krahas punës me orar të plotë si gazetar, ai u regjistrua në “George Washington University” dega Shkenca Politike.   Ai pëlqeu të sakrifikonte në rini për kualifikimin e tij sa më të plotë, për të punuar më tej pa shumë mundime e sakrifica.

Në Washington DC nuk kishte familje emigrantësh shqiptarë me përjashtim të disa punonjësve shqiptarë të “Radios Zëri i Amerikës”. Këta edhe pse ishin në moshë të madhe e afruan djaloshin dhe u bënë si mësues për përvetësimin e shprehive radiofonike dhe për përshtatjen me jetën amerikane të kryeqytetit.

 “Xhevat Kallajxhiut, këtij dekani të gazetarisë shqiptare dhe Ilia Louis Priftit, Xho Paskalit, Ruzhdi Dacës, Talat Karagjozit e Gaspër Kiçit,  u jam mirënjohës për jetë”, shprehet Franku, duke kujtuar miqtë që e ndihmuan nga ana profesionale dhe shoqërore gjatë viteve të para të punë në radio, dhe vijon:

“Prej tyre mësova shumë hollësira për jetën e Mit’hat Frashërit, dhe shumë mendime të tij. Ata e kishin pasur djalin e Abdylit, baba shpirtëror dhe e kujtonin po thuaj çdo ditë”.

Gjatë viteve të para të punës në Washington DC, Franku shkonte disa herë në vit në fundjave tek prindërit në New York. Në një nga këto vizita në vitin 1976, ai mori pjesë në një festë që organizoi kisha katolike shqiptare, ku u njoh me vajzën simpatike Victoria, vajza e Pashk Markgjonajt (1925-2008) nga Mërturi që kishte luftuar me çetën e tij kundër forcave komuniste gjatë viteve 1947-1950 në zonën e Pukës dhe të Nikaj – Mërturit. Zoti Pashk me bashkëshorten e tij (File Dedaj (1929 –) u arratis në Itali në vitin 1955. Victoria u lind më 1956 pikërisht në Itali gjatë pritjes për të ardhur në Amerikë, ku mbërriti dy vjet më vonë. Ajo u shkollua në New York.

Pas martesës çifti i ri u vendos në Virginia jo larg Washingtonit. Victoria u punësua si llogaritare në një bankë. Nga kjo martesë u lindën tre fëmijë, një djalë Pjetri, dhe dy vajzat Kristina dhe Katrina. Prindërit i rritën me përkushtim derisa mbaruan shkollat e larta.  Sot si djali dhe vajzat janë martuar dhe punojnë në degët e tyre të përzgjedhura. Si të rinjtë amerikanë dhe ata jetojnë më vete.

Si i thonë fjalës, Zoti (disa e quajnë Fati) ndihmon ata që punojnë me ndershmëri e këmbëngulje për të arritur atje ku synojnë. Kështu edhe Franku, krahas arritjeve në krijimin dhe rritjen e familjes së tij, ka pasur arritje të njëpasnjëshme edhe në karierën gazetareske, punë së cilës ai i kushtoi dhe vijon t’i kushtojë energjitë kryesore të jetës.

Në këtë fushë ai filloi së pari si një bashkëpunëtor diletant në gazetën e “Lehman College” dhe si anëtar i këshillit redaktues të revistës “Jeta Katolike” në Nju York me kryeredaktorin Monsinjor Zef Oroshi. Në vitin 1974 ai u emërua gazetar dhe redaktor në “Radio Zëri i Amerikës” (VOA), seksioni shqip, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1984.  Më pas, po tek kjo radio, Shkreli ka shërbyer si shef i seksionit shqip (1984-1985).

Punësimi i tij në  “Radio Zëri i Amerikës” dhe jeta në Washington, i dhanë atij mundësi të reja rritjeje dhe ndryshimesh të mëdha: Në vitet 1985 – 1990 ai shërbeu si këshilltar i lartë i programacionit në Drejtorinë Europiane të “Zërit të Amerikës”, për programet në18 gjuhë të ndryshme drejtuar vendeve komuniste të Europës Lindore dhe Qëndrore. Kurse në vitet 1990 – 1994 ai u emërua Zëvendës Drejtor në këtë radio për ish-Bashkimin Sovjetik, vend ky ku përfshiheshin përveç rusishtes dhe gjuhë të tjera të atij shteti, që ndërkohë u shpërbë. Së fundi, në vitet 1994 –  2003, Shkreli punoi me detyrën Drejtor i Drejtorisë Europiane (më vonë Euro – Aziatike) të “Zërit të Amerikës”. Nga kjo drejtori varej dhe seksioni i gjuhës shqipe krahas 18-gjuhëve të ndryshme europiane.

Theksojmë se puna gazetareske te “Zëri i Amerikës” në kushtet e Luftës së Ftohtë ka qenë e ndryshme nga ajo e ditëve tona. Në ato vite menaxhimi i punës gazetareske dhe qëndrimi emocional i gazetarit duhej të shprehej në mënyrë shumë të maskuar, pra me një nëntekst të nënkuptuar. Gjë që kërkonte një vëzhgim intensiv të gjithë atyre transmetimeve ndërkombëtare radiofonike dhe televizive përfshirë edhe internetin, pra punën që kryhej prej qindra gazetarëve dhe korrespondentëve të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme drejtuar botës komuniste. Kjo punë vijoi edhe gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë.

Në postin e tij si Këshilltar Programacioni dhe Shef i Drejtorisë Europiane të Radios “Zëri i Amerikës”, Shkreli ka luajtur një rol kyç në zgjerimin e programeve gjatë viteve 80-të dhe 90-të të shek. XX. Ai themeloi programe të reja që deri atëherë nuk ekzistonin në atë radio, si gjuhën boshnjake dhe maqedone, ndërkohë që nën drejtimin e tij, VOA u bë transmetuesi i parë ndërkombëtar edhe në TV, duke transmetuar në këto programe dhe në gjuhën serbe dhe boshnjake gjatë luftës në atë territor, përfshirë më vonë edhe programin shqip dhe gjuhë të tjera europiane.  Nën mbikqyrjen e tij, VOA u bë gjithashtu transmetuesi i parë ndërkombëtar që krijoi një degë “multimedia”, brenda entit europian të VOA-s.

Gjatë viteve 1980 – 1994, kulmi i Luftës së Ftohtë dhe i luftërave në ish-Jugosllavi, shef Shkreli mori pjesë pothuaj në çdo vendim që lidhej me transmetimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara të asaj kohe, drejtuar vendeve ish-komuniste të Europës Lindore dhe Qendërore, si dhe të ish Bashkimit Sovjetik. Pikësynimi kryesor ishte informimi sa më i saktë i popujve të atij rajoni, me qëllim që të përshpejtohej shëmbja e regjimeve komuniste dhe vendosja e lirisë dhe demokracisë në ato vende. Këtë detyrë, të cilën, ne që e dëgjonim atëhere “Zërin e Amerikës”, e kemi të qartë sesa mirë u krye dhe sa shumë na ndihmoi për zgjimin tonë. Prandaj i jemi mirënjohës kësaj radioje dhe shefit dhe gazetarëve të saj…

Frank Shkreli ka qenë anëtar i delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në Mars – Prill të vitit 1991, me ç’ rast u hap për herë të parë ambasada amerikane, pas pothuaj 50-vjetësh, duke hedhur hapat e parë të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që ai së bashku me delegacionin diplomatik amerikan të Departamentit të Shtetit, mori pjesë edhe si vëzhgues në zgjedhjet e para pluraliste të atij viti.

“Gjatë vizitës së parë në atdheun e ëndërruar, rrëfen Franku, përjetova gëzimin më të madh gjatë udhëtimit për atje, por edhe hidhërimin më të thellë gjatë vizitës. Shqipëria, e ëndërruar aq shumë prej meje më shgënjeu. Ne shqiptarët e Jugosllavisë ishim pjesa më e varfër e popujve të atij shteti, por niveli i varfërisë së shqiptarëve të atdheut mëmë më tronditi. Popull i paushqyer, i veshur e i mbathur shumë keq, jetonte në apartamente të vogla të pasuvatuara nga jashtë, të mobiluara keq. Shtëpitë private po ashtu. Transporti me autobuza ku shtyheshin e shtypeshin njerëzit si sardele…”

Më pastaj, ai ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e delegacioneve të ndryshme diplomatike, politike, ekonomike dhe ushtarake të  Shteteve të Bashkuara. Gjatë këtyre vizitave ai ka parë dhe vlerësuar ndryshimet e kryera, që dëshmojnë punën e qeverive dhe vitalitetin e popullit shqiptar në ekonominë e tregut të lirë. Pakënaqësia e tij kryesore për vitet e tranzicionit lidhet me enverizmin dhe nostalgjinë ndaj diktatorit prej së cilës vuajnë një pjesë e madhe e popullit dhe e qeveritarëve të majtë, të cilat përbëjnë pengesën kryesore për mosecjen e Shqipërisë me hapat e duhur drejt Bashkimit Europian.

Pas daljes në pension më 2003 nga detyra qeveritare, pas 30 vjet shërbimi federal, Frank Shkreli me bashkëshorten u largua nga Washingtoni dhe u vendos me banim pranë familjeve në New York. Këtu atë e zgjodhën drejtor të “Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan” (NAAC), një organizatë joqeveritare që ka punuar për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik e politik në trojet shqiptare në Ballkan. Kjo është e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prani në Washington DC.

Bashkë me shoqërinë  “Vatra”, NAAC ka luajtur rol të ndjeshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara. Ishte kulmi i përpjekjeve për të bindur administratën e Presidentit George W. Bush dhe ndonjë skeptik në Kongresin Amerikan se më në fund kishte ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të njihnin pavarësinë e Kosovës, përpjekje këto që më në fund u kurorëzuan me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008.

Gjatë karierës së tij, ky veprimtar i shquar ka marrë shpërblime dhe mirënjohje për punën e tij gjatë shërbimit në detyra federale, disa prej tyre mjaft të rëndësishme, si “Thomas Jefferson Fellowship Award”, “Career Achievement Award”, “Lifetime Achievement Award” , “Superior Performance Award”,    por mbi të gjitha dhe më të rëndësishme janë titujt : “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, dhënë më 15 shtator 2016 nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e tij Z. Bujar Nishani dhe “Qytetar Nderi”, i akorduar më 2011 nga Komuna Shkrel e Malësisë së Madhe.

Për më se 50 vjet Frank Shkreli, si gjatë punës dhe tani në pension, vijon të jetë gjithnjë aktiv duke shkruar mbi çështje të interesit kombëtar shqiptar dhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare, si dhe mbi subjekte të politikës amerikane, për çështjet rajonale të Ballkanit, që drejtpërdrejt ose terthorazi, mund të ndikojnë ose kanë interes të veçantë për botën shqiptare. Shkrimet e tij botohen në shumë gazeta dhe websites (uebsajtesh) anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në Perëndim.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Vazhdon vala e pandalshme e të dëbuarve (E shtunë 17 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Vazhdon vala e pandalshme e të dëbuarve (E shtunë 17 prill, 1999)

Moti është përkeqësuar. Shi, stuhi, pastaj mjegull. Kemi mbetur në tendë dhe po presin derisa …