Themelohet komisioni për njohjen e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës

Themelohet komisioni për njohjen e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës

Qeveria e Kosovës ka miratuar kornizën afatmesme të shpenzimeve për vitet 2018-2020, strategjinë e borxhit publik 2018-2020, si dhe vendimin për themelimin e komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Ministri i Punës dhe Mirëqenies, Arban Abrashi në mbledhjen e Qeverisë, tha se anëtarët e komisionit janë me mandat 5 vjeçar. Sipas tij, themelimi i këtij komisioni shënon një datë të rëndësishme për viktimat e dhunës seksuale dhe se me këtë fillon mbështetja institucionale e munguar deri më tani. Kryeministri Isa Mustafa tha se kjo është një çështje e ndjeshme dhe e rëndësishme, sidomos për personat e prekur në këtë fushë. Ministri i Financave, Avdullah Hoti prezantoi raportin tremujor të buxhetit për vitin 2017. Ai tha se  trendi rritës i të hyrave ka vazhduar. “Në dogana të hyra janë rritur prej 0.3 për qind krahasuar me vitin paraprak. Taksat doganore janë ulur për 40 për qind. Të hyrat vetanake të komunave janë rritur prej 13.4 për qind. Shpenzimet për paga dhe mëditje janë brenda planifikimeve. Rënie të shpenzimeve për mallra dhe shërbime për 1 për qind”, tha ai. Qeveria ka ndarë mjete prej 26 mijë euro për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave. Qeveria po ashtu i ka ndarë AVUK-ut 432 mijë euro për sëmundjen gungore, mjete këto që janë ndarë nga shpenzimet e  parashikuara. Qeveria ka ndarë mjete prej 350 mijë euro për dezinfektimin e hapësirave prej etheve hemorragjike, si 30 mije euro për ndërtimin e shtatores së dëshmorit, Edmond Hoxha.

Kontrolloni gjithashtu

Ejup Maqedonci: Serbia me qasjen e saj hegjemoniste dhe agresive karshi Kosovës do të bëjë që tensionet të vazhdojnë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, dje pas bllokimit në kufi me Serbinë të …