U INAUGURUA FILLIMI I PUNIMEVE PËR ZGJERIMIN E “RRUGËS RAJONALE R102, SEGMENTI KOMORAN-MARINË”

Në fshatin Polluzhë, u inaugurua fillimi i punimeve për zgjerimin e “Rrugës Rajonale R102, Komoran-Skenderaj, Segmenti Komoran-Marinë”. Në prani të qytetarëve dhe shumë personaliteteve të jetës politike dhe kulturore në vend, në fjalimin e tij, Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha: “Jemi mbledhur sot këtu, në këtë vend të çmuar të Kosovës, në vendin prej nga ka pasur gjithnjë rezistencë për një Kosovë të lirë e të pavarur. Drenica gradualisht po kompletohet me infrastrukturë moderne dhe kjo që po bëjmë sot është një dëshmi për këtë. I garantoj qytetarët e kësaj ane se nuk do të ndalemi me kaq, por do të vazhdojmë ta trajtojmë me prioritet mundësinë edhe për investime të tjera, siç është rruga nga Feronikeli e që lidhet me Autoudhën Prishtinë-Pejë, e gjatë rreth 6 kilometra te Kroi i Mbretit. Këto investime e bëjnë të mundur lidhjen e Drenicës me zonat e tjera, qofshin ato rurale apo urbane, e pse jo edhe me korridore. Krejt kjo për të mundësuar lëvizjen e lirë për njerëz dhe mallrat e tyre, e rrjedhimisht për të lehtësuar zhvillimin e biznesit dhe përgjithësisht zhvillimin ekonomik, jo vetëm të Drenicës por për krejt Kosovën”, tha ministri Pal Lekaj. Ndërkaq duke folur për projektin punimet e të cilit filluan sot, ministri Lekaj shtoi: “ Sot, po fillojmë punimet në  zgjerimin e “Rrugës Rajonale R102, Segmenti Komoran-Morinë”, e gjatë 17 kilometra. Kjo rrugë do t’i ketë katër korsi dhe të gjitha elementet tjera përcjellëse sipas standardeve të kërkuara të kohës, e buxhetuar me rreth 7 milionë euro. Kompanive që do ta ndërtojnë ua bëjmë të qartë se do të jemi vëmendshëm për të mos pasur vonesa në implementim të kontratave dhe që të mos ketë zgjatje e tejkalim të afateve për përfundimin e punimeve dhe besojmë që para dimrit të vitit të ardhshëm ne do të jemi sërish bashkë këtu për të bërë përurimin e kësaj rruge shumë të rëndësishme për rajonin e Drenicës. Drenicë faleminderit për pritje!”, tha në fund të fjalës së tij ministri Pal Lekaj. Me këtë rast të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtuan edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci dhe Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, të cilët pohuan rëndësinë e kësaj rruge për Drinicën dhe pelegrinazhet e Prekazit, që kalojnë nëpër këtë rrugë.

Kontrolloni gjithashtu

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal të Arsmit 2024 – 2027

Drejtoria Komunale e Arsimit në Deçan ka filluar me procesin e hartimit të Planit Zhvillimor …