U mbajt tryezë bashkëbiseduese me përfaqësuesit e bizneseve të Skenderajt

Organizuar nga Qendra Rinore Publike e Skenderajt dhe Shoqata e Bizneseve të Skenderajt u mbajt tryezë me temën “Zhvillimi i bizneseve, sfidat dhe mundësitë”. Në këtë aktivitet para përfaqësuesve të bizneseve në cilësinë e panelistëve folën ekspertë të fushës, përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, përfaqësues të Odes Ekonomike të Kosovës dhe përfaqësues të shoqatave të bizneseve.

Në cilësinë e ekspertes në hapje të kësaj tryeze foli Prof. Dr. Justina Shiroka Pula, e cila prezantoi ekspertizën e saj në fushën e ekonomisë kosovare me theks të veçantë në mundësitë që kanë bizneset dhe në kufizimet që ekzistojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai e theksoi si të rëndësishme përkrahjen e institucioneve për bizneset në të dy nivelet e qeverisjes.

Nënkryetari  i Komunës së Skenderajt Fadil Nura ka prezantuar mundësitë që po ua krijon Komuna e Skenderajt bizneseve, duke lehtësuar proceduarat dhe duke i liruar ato nga taksat komunale. Ai e përmendi si zhvillim pozitiv lirimin nga taksat komunale në dy vitet e fundit për t’u krijuar mundësi bizneseve që të rrisin veprimtarinë e tyre.  z.Nura përmendi edhe mundësinë që po ofron komuna e Skenderajt për investitoret nga jashtë, duke potencuar edhe pengesat ligjore që kanë komunat për thithje të investimeve nga jashtë.

Deputetja Ganimete Musliu e theksoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin e bizneseve vendore me ambasadat e Kosovës në Evropë, më qëllim të krijimit të kontakteve dhe plasimit të bizneseve jashtë vendit, gjë që sipas saj do t’i ndihmonte bizneset në ngritjen e kapaciteteve të tyre.

Ndërsa përfaqësuesi i Odes Ekonomike Rrustem Abiti kërkoi që në Skenderaj bizneset të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në formë të organizuar, në mënyrë që interesat e tyre të artikulohen drejt dhe në mënyrën e duhur. Ai i përmendi edhe disa prej aktiviteteve që bënë Oda Ekonomike e Kosovës në lobim në interes të bizneseve karshi institucioneve qendrore dhe atyre ndërkombëtare.

Në fund të kësaj tryeze u konstatua se bizneset e Skenderajt kanë nevojë për një organizim të përbashkët, Gjithashtu u konstatua si i nevojshëm bashkëpunimi i OEK-ut dhe bizneseve me ambasadat e Republikës së Kosovës në shërbim të promovimit të bizneseve kosovare jashtë vendit.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë

Komuna e Deçanit po merr pjesë në Panairin e Turizmit dhe Sportit 2024 në Prishtinë, …