Vetëvendosja: Isa Mustafa i ka harruar 70 dosje në Prokurori dhe flet për “kulturën” e korrupsionit

Në një reagim të Vetëvendosjes lidhur me një deklaratë të kryeministrit Isa Mustafa  thuhet se kryeministri  paska shkruar një hartim në të cilin si  autor i patalentuar tregon se si populli i Kosovës korrupsionin e paska problem kulturor, e se si ky popull më shpesh e më shpejt fajëson (pushtetin) për korrupsion, se sa që e vërteton atë korrupsion. Këto “perla diturie” Isa i vogël autor hartimesh i paska dëgjuar nga një ndërkombëtar imagjinar (që si gjithë këshilluesit imagjinarë, i bie të jetë i madh). A ka harruar Isa për 70 dosjet në prokurori, të cilat ia ka përmendur edhe ambasadorja joimagjinare Jacobson? Ato 70 dosje faktojnë në mënyrë fizike (por jo shteruese) korrupsionin e Isës dhe i familjarëve të tij. A e ka harruar Isa faktimin e korrupsionit në aferën Pronto, të cilat janë përgjime të mbledhura prej ndërkombëtarëve joimagjinarë të EULEX-it? Ato përgjime tregojnë se si shefat e Isës në PDK e kanë kapur çdo instancë publike, prokurorinë, gjykatat, policinë, e bordet e çdo ndërmarrjeje.

Korrupsioni, i nderuar hartim-shkrues, nuk është mit apo defekt kulturor i kombit tonë. Është zakoni kriminal i pushtetit tuaj, që prej luftës e deri sot, e dorën në zemër, për do prej jush, korrupsioni ka qenë zakon edhe para luftës. Korrupsioni juaj ka shkatërruar industrinë e punësimin, përmes privatizimeve katastrofale të fabrikave. Ka shkatërruar bujqësinë dhe ekonominë, përmes ryshfeteve të megaimportuesve në dogana. Ka shkatërruar jetët e qytetet, përmes lejeve absurde që i keni dhënë ndërtuesve të parregullt. Ka shkatërruar drejtësinë, me gjykatat, prokurorinë e policinë që tërësisht është në mbrojtje të interesave të pushtetit. Ka shkatërruar arsimin duke prodhuar analfabetizëm te nxënësit e te mësuesit e punësuar nga partia, ka shkatërruar mjekësinë e cila sot është pa barna për faj të tenderëve. Por korrupsioni ka rregulluar jetët tuaja, shtëpitë e ranchet tuaja ku qytetari nuk guxon as të afrohet për të protestuar. Ka bërë me biznese familjarët tuaj, ka bërë me diploma prestigjioze fëmijët tuaj. Korrupsioni ju ka mundësuar juve edhe të “loboni” madje në qendrat e pushtetit botëror, ku paguani paratë e bukës së Kosovës së pangrënë, për të blerë një rrahje shpatullash prej ndërkombëtarëve. Korrupsioni juaj po e kthen Kosovën në shkretëtirë Isë. Lëri hartimet, se në burg do të kesh mjaft kohë për të shkruar, meqenëse leximet siç duket nuk i ke dhe fort për zemër.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …