Brickos

Viktor Malaj: Për Edi Ramën që na duhet më shumë se kurrë

Viktor Malaj: Për Edi Ramën që na duhet më shumë se kurrë

“Tani, më shumë se kurrë, është e nevojshme që drejtuesit politikë të shquhen për ndershmëri, integritet dhe angazhim ndaj të mirës së përbashkët” – Papa Françesku

Përgjithësisht, drejtuesit e shtetit dhe të qeverive, më tepër janë produkt i rrethanave historike e politike sesa rrethanat vetë, produkte të këtyre drejtuesve. Ardhja e Edi Ramës në drejtimin e qeverisë shqiptare ka qoftë anën normale që tregon rrugëtimin e një individi nga zyrtar normal (pedagog), ministër, kryetar bashkie dhe pastaj kryeministër por, po ashtu, ky rrugëtim shfaq edhe anët e veta të pazakonta dhe të çuditshme.

Një i ri ekscentrik, rebel, sportist, artist dhe “qejfli për gjithçka”, me prejardhje nga një familje e shquar intelektuale dhe atdhetare, me prirje të majta, një ditë, në prag të ndërrimit të sistemeve politike në Shqipëri, shfaqet i revoltuar dhe radikal, madje si ekstremist i djathtë, mohues i gjithçkaje të kaluar, i prirë për të qenë protagonist përmbysjesh të mëdha, por dhe nismëtar realizimesh të dëshiruara dhe arritjesh shpresëshumta.

Ky individ energjik, ambicioz, ekstravagant, përçmues, cinik dhe anarkist, as i djathtë dhe as i majtë, vjen një ditë dhe bëhet kryetar i një partie të majtë. I mallkuar (anatemuar) nga kundërshtarët politikë dhe personalë si maniak, i sëmurë psikik, i droguar, i dhunshëm, i korruptuar, frikacak, arrogant etj. dhe nga miqtë personalë dhe simpatizantët e shumtë politikë si i zgjuar, i shkathët, punëtor, novator, nëntëdhjetë e nëntësh, guximtar etj., tani Edi Rama ka filluar mandatin e dytë qeverisës radhazi dhe shumica e shqiptarëve pret shumë prej tij.

Po çfarë mbetet nga mallkimet dhe lavdërimet që i janë bërë deri tani?

Si njeri dhe si shqiptar, edhe Rama është bartës i virtyteve dhe i veseve, i të mirave dhe të këqijave që ndeshen çdo ditë në mendimet dhe sjelljet e njerëzve të zakonshëm dhe të figurave publike. Ai nuk është as hero dhe as mbinjeri, as i pazëvendësueshëm dhe as i paarritshëm, por nuk është as injorant dhe as kriminel, as e keqja e vendit dhe as diktator.

Rama ka dëshmuar se është një shtetar reformator për të cilin kishte shumë nevojë momenti historik dhe politik i vendit.

Është zbavitëse, por edhe e dhimbshme kur lexon apo sheh që një politikan petrit me pamje hutini, gati çdo ditë i drejtohet nga kafazi i fejsbukut z. Rama si “Kryeministri shkollëpakët”. Sipas mentalitetit të petritit dija dhe kultura e njeriut përcaktohen nga gjatësia e kohës që ka ndenjur ulur në bankat e shkollës dhe jo nga cilësia e “laboratorit mendor” dhe faktit se sa kohë, gjatë gjithë jetës, ky laborator i individit mbahet në punë mbi libra.

Jo vetëm nga prejardhja familjare, por edhe si individ Rama tregon një nivel të lartë kulturor, është mjeshtër i fjalës së shkruar dhe asaj të folur, dhe ka kuptuar tashmë nevojën për t’u bërë edhe burri i fjalës së mbajtur.

Në ndryshim nga paraardhësi, ai dëshmoi se, megjithëse për pushtetin “luan çdo gur” po kaq i gatshëm, iniciator dhe guximtar është të ndërmarrë veprime që i shërbejnë forcimit të shtetit megjithëse i përmbajnë të gjitha rreziqet e rrëzimit nga pushteti.

Paraardhësi i tij Sali Berisha e ka ditur shumë mirë se kioskat, firmat piramidale, zaptimet e tokës, ndërtimet pa leje, kontrabanda e naftës, armëve dhe drogës ashtu si mospagimi i energjisë elektrike, ujit, vjedhja dhe shkatërrimi i pyjeve dhe minierave janë akte që dëmtojnë të sotmen dhe të ardhmen e popullit dhe të vendit, që tronditin fort respektin për ligjin dhe ndjenjat shtetrespektuese të popullit, por i ka lejuar ato sepse më shumë se vendi i dhimbsej pushteti, më shumë se e ardhmja e popullit i interesonte e ardhmja e vet dhe e familjes së vet. I udhëhequr nga parimi “pas meje u bëftë kiameti” ai ka menduar dhe besuar se njerëzit duhen lënë të bëjnë ç’të duan, mjafton të jenë të kënaqur me të dhe qeverisjet e tij dhe kështu të zgjatet pafundësisht sundimi i tij. Gjatë gjithë karrierës së vet politike Sali Berisha ka menduar për zgjedhjet e ardhshme dhe fare pak për të ardhmen e vendit.

Në ndryshim nga ai, Edi Rama, përveçse shumë më i kultivuar në të folur, ka rezultuar edhe më i denjë si administrator i vendit. Cili shqiptar tjetër do të guxonte që brenda një mandati qeverisës të ndërmerrte veprime reformuese të tilla si Reforma e Drejtësisë, ajo administrative, arsimore, ndalimi i ndërtimeve pa leje, detyrimi për të paguar energjinë elektrike dhe ujin e pijshëm, pakësimi i dëmtimeve në pyje dhe miniera dhe, së fundi, lufta frontale kundër kultivimit të drogës?

Çdo mendje normale do të arrinte në përfundimin se kjo betejë në disa fronte do të sillte rënien e tij nga pushteti, jo se e kishte gabim, por se do të vlerësohej gabim nga një popull i keqmësuar për 25 vjet me kaosin politik, përçmimin ndaj ligjit dhe mungesën e përgjegjësisë ndaj interesave të përbashkëta popullore e kombëtare.

Rama i ndërmori këto veprime dhe, ndonëse bëri edhe gabime gjatë rrugës së përshkuar, në fund doli më fitimtar se përpara katër viteve. Rezultatet e votimeve të fundit parlamentare duhen lexuar si mbështetje dhe shpresë për ato që do të duhet të bëjë në katër vitet e ardhshme. Me shpjegime dhe punë bindi shumicën e popullit se reformat do sillnin vështirësi, por ato do normalizonin bashkëjetesën. Në fund të mandatit të parë ndjenjat shtetdashëse të shumicës së popullsisë triumfuan mbi lirinë e rrejshme dhe kaos-sjellëse të propaganduar dhe zbatuar para 2013. Liria e vërtetë është liria që sjell drejtësi dhe siguri dhe jo ajo që mundëson të fortin të sundojë të dobëtin dhe horrin të nëpërkëmbë të ndershmin.

Një meritë tjetër e qeverisjes në mandatin e parë është edhe sjellja përgjithësisht dinjitoze e qeverisë shqiptare në marrëdhëniet me botën dhe veçanërisht Evropën, evidentimi i çështjes çame në kancelaritë perëndimore, si dhe roli sado modest i Shqipërisë në problemet e Kosovës dhe ato të shqiptarëve të Maqedonisë.

Investimet dhe realizimet e kryera nga qeveria për ndryshimin e qendrave të shumicës së qyteteve shqiptare, përgjithësisht meritojnë respekt ashtu si përmirësimet e dukshme në bregdetin e jugut. Një veprim që bie qartë në sy është edhe përkrahja dhe zhdëmtimi financiar i shumicës së të përndjekurve të regjimit të para 1990, dukshëm më shpejt dhe më mirë se të gjitha qeveritë paraardhëse.

Z.Rama duhet të jetë i vetëdijshëm se reforma arsimore dhe, sidomos, ajo e shëndetësisë ende nuk janë afër pritshmërive dhe nevojave popullore. Në qeverisjen e tij të dytë ai dhe kabineti i tij duhet të dalin nga qendrat e qyteteve drejt periferisë dhe me vëmendjen, kujdesin dhe investimet duhet të mbulojnë, sipas mundësive financiare, gjithë territorin e vendit. Disa investime në periferi dhe nëpër fshatra janë jetike për përmirësimin e jetës. Askush nuk e di me saktësi ku kanë shkuar investimet e mëparshme në bujqësi prandaj nevojitet vëmendje më e madhe ndaj fshatit, sepse fshatari nuk mund të jetojë me miklimin se është fermer kur nuk siguron asnjë të ardhur nga prona e tij private.

Pavarësisht vështirësive për të zbatuar një program politik të majtë, Rama nuk duhet të harrojë karakterin dhe tiparet e partisë që drejton dhe karakteristikat e elektoratit që e ka sjellë në pushtet. Sistemi progresiv i taksave duhet ruajtur sidomos në një vend si Shqipëria ku shumica e fitimeve të bizneseve nuk vijnë si rezultat i investimeve në teknologji moderne që rrisin rendimentin në sferat prodhuese, por thjesht nga diferencat midis blerjeve me çmime të ulëta të mallrave dhe shitjes së tyre me çmime të larta, pra fitimet janë paratë e popullit. Një qeveri e majtë në sistemin kapitalist duhet të kufizojë koncesionet të cilat, jo rrallë, janë sa të dëmshme aq edhe të dyshimta.

Qeveria shqiptare duhet të bëjë çmos që të forcojë masat e sigurisë fizike dhe asaj financiare të shtresave të mesme dhe të varfra dhe pagën minimale të punëtorëve ta përcaktojë mbi bazën e shpërblimit për orë pune dhe jo mujore, përndryshe do t’iu lërë liri veprimi të gjitha llojeve të shfrytëzimit të pamëshirshëm të këtyre shtresave.

Megjithëse opozita e sotme është ajo që dikur e kërcënonte Edi Ramën me ekzekutim fizik publik dhe me varje në palma, me armatosje të popullit apo me revolucion, ai duhet ta moderojë qëndrimin ndaj saj dhe moton “Nuk keni parë gjë akoma!” ta zëvendësojë me “Do të shihni gjëra shumë më të mira”.

Një element i panevojshëm i sjelljes politike të z. Rama është protagonizmi i tij i vazhdueshëm antikomunist. Në kushtet kur kanë kaluar thuajse tri dekada nga rënia e sistemit të kaluar dhe nuk duket kurrfarë gjase për rikthimin e tij, sjellje dhe qëndrime të tilla tingëllojnë false dhe madje të dëmshme. Edi Rama nuk duhet të bjerë pre e pasioneve të viteve ’90 kur ishte thjesht një qytetar i lirë dhe përfaqësonte vetëm veten e vet. Sot ai përfaqëson një parti dhe një elektorat shumica dërmuese e të cilëve, me të drejtë, vlerësojnë lart LNÇL dhe gjakun e të rënëve si dhe mundin, sakrificat dhe privacionet e mijëra specialistëve dhe drejtuesve administrativë që gjatë 45 viteve punuan me përkushtim në shërbim të popullit dhe vendit dhe në kontrast të dukshëm me shumicën e administratës së korruptuar të këtyre 25 viteve të fundit.

Padrejtësitë dhe krimet e kryer gjatë asaj periudhe duhen dënuar dhe arsyeja e shëndoshë të këshillon se jo pak individë të administratës politiko-shtetërore të asaj kohe duheshin burgosur pas 1990, por kjo ishte dhe mbetet detyrë e organeve të drejtësisë dhe jo e politikave ligjvënëse që ndëshkojnë në grup. Antikomunizmi në vetvete nuk është vlerë. Po të qe ndryshe, atëherë A.Hitler, si antikomunisti më i egër, do të shpallej bartësi më i madh i vlerave humane dhe demokratike, por konsiderohet njëzëri, si në botën perëndimore dhe gjithandej, si krimineli më i madh i shekullit të 20-të.

Sistemet politike diktatoriale, duke përfshirë edhe atë komunist, janë të ndaluar me Kushtetutë, por parti komuniste dhe propagandë komuniste lejohet në gjithë botën perëndimore. Me ligje dhe dekrete mund të ndalosh ndërtimet pa leje, por jo mendimet pa leje. Koha e ka provuar këtë.

Edi Ramës nuk i lejohet që në këtë aspekt të përpiqet të rivalizojë me një karagjoz dhe harabel politik si Lulzim Basha i cili beson se me antikomunizëm donkishotesk do të mund të fshehë paaftësinë e tij olimpike drejtuese dhe të amnistojë krimet e kryer gjatë kohës kur ishte qeveritar.

Edi Ramës nuk i lejohet të bjerë as në pozitat e ligjshkelësit Sali Berisha i cili me sjelljet prej banditi dhe me antikomunizmin e tij delirant dhe të shtirë beson se mund të hijesojë sadopak vargun e krimeve të tij të pafundme pas vitit 1990.

Iniciativat për heqje dekoratash disa kategorive shoqërore nuk janë as më pak dhe as më shumë se qëndrime ekstreme ideologjike, të padrejta. Respekti për pjesën e shoqërisë së përndjekur padrejtësisht duhet treguar me anën e dëmshpërblimeve financiare dhe me ndihmën për të gjetur dhe siguruar provat e përndjekjes, por nuk duhet lejuar që shoqërisë shqiptare t’i imponohet me dhunë morali i kalbur i një klike njerëzish politikë që antikomunizmin e thërrasin në ndihmë sa herë e ndiejnë vetëdiskreditimin e tyre moral dhe politik.

Nuk mund t’ia heqin dekoratën Muho Asllanit, që i është dhënë për kontribut në ndërtimin e mijëra banesave të rrëzuara nga tërmeti i vitit 1979, individë si Lulzim Basha që i ka përlarë popullit 230 milion euro nga buxheti i shtetit dhe ua ka dhënë gangsterëve të Perëndimit në këmbim të përkrahjes politike dhe etiketimit si “yll në ngjitje”.

Nuk mund t’ia heqësh dekoratën Foto Çamit që nuk ka kryer asnjë krim dhe t’ia lësh Sali Berishës me një varg krimesh mbi shpinë.

Si mund t’iu heqësh dekoratat dhe titullin “Hero i Popullit” Hasim Alikos dhe Jorgo Suliotit që, edhe pse kanë punuar në Sigurimin e Shtetit, kanë parandaluar shumë vrasje dhe krime të tjera nga terroristët e vënë në shërbim të zbulimeve të huaja dhe t’ia lësh dekoratën një krimineli të regjur si Ndue Pjetër Gjomarkaj i cili u dekorua nga sharlatani Sali Berisha pak ditë pasi deklaroi se me urdhrin e tij ishin vrarë mbi 60 shqiptarë?

Si mund t’iu hiqen dekoratat dhjetëra individëve që kanë informuar shërbimet shtetërore për lëvizjet dhe krimet e banditëve të pajisur me ushqime dhe armë nga agjenturat e lindjes apo perëndimit dhe të futur ilegalisht në territorin e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër të pretendosh dhe kërkosh bashkëpunimin e individit të sotëm shqiptar në luftën kundër terrorizmit me motive politike apo fetare? Në fund të fundit, si punonjësit e Sigurimit ashtu edhe bashkëpunëtorët e tyre të fshehtë i kanë shërbyer shtetit të vet, sado i keq të ketë qenë. E si mundet atëherë të nderohen dhe dekorohen spiunët dhe bashkëpunëtorët e të huajve me pretekste nga më banalet?

Si mund t’iu hiqen dekoratat kontribuesve të luftës për çlirimin e vendit dhe mbrojtjen e ekonomisë së përbashkët të popullit dhe t’i lihen dekoratat, t’i ngrihet përmendore dhe emërtohen rrugët apo sheshet me emrin e Ahmet Zogut që braktisi atdheun në momentin e pushtimit nga të huajt dhe mori me vete pjesë të konsiderueshme të thesarit të shtetit me të cilat siguroi jetesën luksoze të familjes së tij?

 

Edi Rama i nevojitet sot më shumë se kurrë shoqërisë shqiptare, por ai duhet të përmirësojë vazhdimisht veten nëse do që të mos i shkojë dëm kontributi i deritanishëm.

Ai duhet të punojë e sillet në mënyrë të tillë që t’i njihet si historikisht e vlefshme e gjithë karriera e tij politike.

Do të jetë fatlume dita kur të shfaqet një individ tjetër politik akoma më i vlefshëm për të qeverisur, por ne duhet të bindemi se cilësia e qeverisjeve do të ndryshojë atëherë kur të ndryshojë cilësia jonë e të menduarit dhe të gjykuarit.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …