Shqipëri - BE

Viktor Malaj: Tridhjetë vjet predikime dhe hipokrizi nga BE-ja

Kur ndryshoi sistemi politik në Shqipëri në fund të vitit 1990, shumica e shqiptarëve, të shtyrë nga gjendja ekonomike dhe sociale në vend, por edhe nga ato që kishin dëgjuar shpesh në radiot BBC, “Evropa e Lirë” etj., besonin se Evropa Perëndimore do t’i priste me përzemërsi dhe krahë hapur në shtëpinë e përbashkët evropiane. Sot, gati 30 vjet pas kalimit në fenë politike evropianoperëndimore, një e treta e shqiptarëve kanë ikur nga vendi i tyre, kryesisht në mënyra dhe rrugë të paligjshme duke rrezikuar e humbur edhe jetët e veta.

Qysh nga ai vit i largët Shqipëria ka pësuar shumë ndryshime. Ndryshimet për mirë janë shoqëruar me shumë zhgënjime dhe dëshpërime. Njëri nga zhgënjimet më të mëdhenj është mos-hapja e derës së Shtëpisë së Përbashkët nga Zonja e Vjetër Evropë. Refuzime të vazhdueshme për “regjistrimin” me arsye dhe pa arsye, me kërkesa të drejta, por edhe me pretekste nga më të ndryshmet. Përveç ndihmave ekonomike, inflacionin më të madh e kanë pasur predikimet dhe kushtet morale, ekonomike e politike. Tridhjetë vjet predikime nga Evropa por, po kaq gjatë, edhe zhgënjime të shqiptarëve; tridhjetë vjet predikime, por po kaq gjatë edhe papunësi, varfëri, pasiguri dhe padrejtësi. Popullin shqiptar dalëngadalë po e pushton zhgënjimi dhe trishtimi të cilët vijnë si rrjedhojë e shpinëkthyerjes evropiane.

Nuk ka dyshim se shqiptarët vetë janë përgjegjësit kryesorë për prapambetjen e tyre, por ku shkuan gjithë ato vajtime, predikime, premtime dhe angazhime të Perëndimit në përgjithësi dhe të Evropës në veçanti? Ne u themi na hapni derën dhe ata përgjigjen se jeni ende të varfër; ne kërkojmë të jetojmë në një “ndërtesë” me ta dhe ata na thonë se jemi të vegjël, të papjekur, të pasjellshëm, grindavecë dhe jo ligjdashës. Deri në 1990 na “qanin hallin” se na mbante regjimi ynë politik të izoluar, tani kanë 30 vjet që na mbajnë këta matanë gardhit.

Nuk ka dyshim se po të ishim më të mëdhenj, më të pasur dhe më të zhvilluar ata do ta linin derën e tyre hapur gjithë natën që ne të trokisnim, por ka shumë të ngjarë që ne nuk do iu afroheshim duke gjetur pretekste të ndryshme ashtu siç gjejnë ata sot për të na mbajtur neve jashtë. Gati gjashtë shekuj më parë ata e lavdëronin, e miklonin dhe e dekoronin Heroin tonë Kombëtar sepse po bëhej pengesë ndaj pushtimit turk të vendeve të tyre, por nuk e shihnin të arsyeshme t’i vinin në ndihmë me ushtarë e mjete. Në shekullin e 19-të na konsideronin një “shprehje gjeografike” (Oto Bismark) dhe lejuan e pranuan copëtimin e truallit shqiptar, ndërsa sot jo vetëm janë kundër bashkimit tonë kombëtar, por edhe kundër hyrjes së gjymtyrëve tona kombëtare në Shtëpinë Evropiane; në shekullin e 20-të miratuan copëtimet e mëtejshme të truallit tonë dhe dhurimin e tyre fqinjëve tanë, ndërsa sot këta fqinj tanët ose i kanë pjesëtarë të familjes së tyre ose po ua bëjnë me sy të hyjnë brenda; na pushtuan, dogjën, vranë dhe rrëmbyen arin e pakët që kishim dhe tani na thonë se niveli ynë ekonomik nuk na e mundëson marrjen “me qira” të një dhome në pallatin luksoz politik evropian; gjatë shekullit të 20-të na “qanë hallin” me propagandë për gjendjen e keqe ekonomike dhe izolimin prej tyre dhe, madje, frymëzuan dhe armatosën edhe shqiptarët e atjeshëm për të luftuar kundër shqiptarëve të këtushëm, për t’u vrarë me njëri-tjetrin derisa të vendosej regjimi politik që donin ata, por sot që sistemi politik në Shqipëri është i të njëjtit format me të tyrin, refuzojnë bashkimin tonë me ta sepse ne i hedhim miell dhe ujë njëri-tjetrit në parlament.

Bashkimi i sotëm Evropian, i cili filloi kryesisht si një marrëveshje interesash ekonomike për prodhimin dhe tregëtimin e çelikut dhe qymyrit, sot iu mëshon më shumë parimeve politike, ideologjike, morale, humane dhe juridike në marrëdhëniet brendakombëtare dhe ato midis shteteve përbërës. Deri këtu gjithçka duket në rregull dhe meriton respekt. Por, kur vjen puna në praktikë vihet re një mospërputhje e madhe midis predikimeve teorike dhe qëndrimeve praktike, midis vlerësimeve për veten dhe gjykimeve ndaj të tjerëve.

Çdo njeri normal i miraton kushtet dhe kërkesat e politikës evropiane për një shtet ligjor, drejtësi të paanshme, luftë kundër krimit, korrupsionit, trafikut të drogës etj. Mirëpo, po ky njeri normal çuditet se si është e mundur që këto fenomene negative, të pranishme në shumicën e vendeve themeluese dhe pjesëtare të Bashkimit Evropian, përdoren si argumente për të penguar disa vende më të prapambetura ekonomikisht që ndodhen në një qoshe të Evropës që quhet Ballkan.

Përveç asaj pjese të politikës evropiane e cila është haptas dhe pa kushte kundër zgjerimit të BE-së, një pjesë e establishmentit politik evropian, me të drejtë, vë në dyshim arritjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafikut të drogës etj. Mirëpo, si mundet që “Hapja e negociatave me Shqipërinë është e parakohshme, (sepse) korrupsioni në nivelet e larta dhe krimi i organizuar janë problemet kryesore të vendit” (Gunther Krichbaum) ndërsa, nga ana tjetër, vajtohet largimi nga BE i Anglisë, kryeqyteti i së cilës renditet ndër vendet e para për kriminalitet në botë dhe përcaktohet si “kryeqyteti botëror i pastrimit të parave të zeza” (National Crime Agency)? Si mundet që Shqipërisë t’i refuzohet edhe ulja në tryezë për bisedime lidhur me pranimin në BE me pretekstin se ka probleme me krimin e organizuar, ndërsa një vend anëtar dhe themelues i BE-së si Italia bashkëjeton prej më shumë se një shekull me Mafian si forma më e lartë e krimit të organizuar? Si mund të pranohet shkalla “e lartë” e krimit të organizuar në Shqipëri (pa sjellë asnjë statistikë) si pengesë drejt BE-së, ndërsa pranohet se në Evropën Perëndimore ekzistojnë dhe zhvillojnë veprimtarinë e tyre mbi 40 mijë banda kriminale (sipas BBC dhe DË)? Si mund të konsiderohet pengesë për ulje në bisedime me BE-në korrupsioni në Shqipëri (i cili ekziston realisht) kur, nga ana tjetër, pranohet se “Vendet e BE-së humbin çdo vit 120 miliard euro nga korrupsioni, e barabartë me buxhetin e Qeverisë së BE-së në një vit” (Der Spiegel-shkurt 2014)? Pse ekonomia vërtetë e dobët shqiptare, por me rritje graduale, duhet ta pengojë integrimin evropian të vendit ndërkohë që një vend anëtar i kahershëm i BE-së si Greqia shkoi drejt kolapsit total ekonomik pak vite më parë dhe ende konsiderohet faktor kyç në Ballkan nga drejtuesit e BE-së? Si mund t’i ulë pikë Shqipërisë mosarrestimi i një ish-ministri për përfshirjen e të cilit në trafikun e drogës nuk ekziston asnjë provë përveç se i përmendej emri në bisedën midis dy trafikantëve të arrestuar dhe, nga ana tjetër, figura të tilla politike evropiane si Zhak Shirak, Nikolas Sarkozi apo Silvio Berluskoni, me gjithë provat dhe akuzat e pafundme për korrupsion, mashtrim dhe ushtrim influence politike, jo vetëm nuk e shohin derën e burgut, por vazhdojnë të vlerësohen nga politika evropianoperëndimore? A do të prodhohej dhe tregtohej droga nga Shqipëria sikur të mos ekzistonte tregu i shitblerjes së saj në Evropën Perëndimore dhe si mund të penalizohet Shqipëria për këtë, kur disa vende anëtare të BE-së tashmë e kanë legalizuar përdorimin e saj? A mos vallë të pasurit dhe të madhit i ka hije dhe i lejohet çfarëdo, ndërsa i varfëri dhe i dobëti bezdis edhe me frymëmarrjen e vet?

Ndërsa pyetjet dhe mëdyshjet e mësipërme flasin për një përdorim alarmant të standardeve të dyfishta në vlerësimin e problemeve kyçe sociale dhe politike nga një pjesë e madhe e politikës evropiane, çfarë do të them më poshtë tregon hipokrizinë e padurueshme dhe bashkëfajësinë e një pjese të politikës evropiane në ngadalësimin e përparimit tonë. Nëse pluralizmi politik dhe zgjedhjet e lira janë një nga shtyllat kryesore të funksionimit të rendit politik të BE-së dhe kërkesa themelore të integrimit të vendeve të tjera në të, si shpjegohet heshtja, minimizimi apo edhe përkrahja e autorëve kryesorë shqiptarë të dhunimit masiv të zgjedhjeve të majit 1996 apo falsifikimit të zgjedhjeve të 2009 nga disa qeveri evropiano-perëndimore? A do të vuante Shqipëria ende sot nga parregullsitë sikur ato zgjedhje të mos njiheshin nga kancelaritë perëndimore dhe sikur konflikti zgjedhor i vitit 2009 të mos mbyllej me ngrënie peshku në restorantin “Krokodil”, por me detyrim për hapjen e kutive të votimit ku gjendej falsifikimi i madh dhe me diskreditimin kombëtar dhe ndërkombëtar të autorëve të krimit, si dhe me dënimin e tyre të mëvonshëm penal? Nëse marrja e pushtetit me dhunë është jo vetëm e palejuar, por edhe e paimagjinueshme në vendet që na marrin ne në “provim” dhe përbën krim të rëndë, pse qeveritë e disa prej këtyre “mësuesve” politikë ushtruan presione deri në ndërprerjen e ndihmave ndaj shtetit shqiptar, nëse do të akuzonte dhe burgoste autorët e krimit të shtatorit 1998 ? Nëse lufta kundër korrupsionit mbetet me të drejtë kriter i rëndësishëm për vlerësimin e shteteve kandidate për anëtarësim në BE, si shpjegohet gatishmëria e një pjese të rëndësishme të politikanëve evropianë për të pritur, dëgjuar dhe marrë të mirëqena vlerësimet për vendin tonë të atyre politikanëve shqiptarë që janë gjetur fajtorë për korrupsion dhe shuma marramendëse shpërdorimi, që akuzohen nga opinioni publik shqiptar për vrasje protestuesish të pafajshëm dhe fshehje të provave? A do të kishin guximin politikanët e tjerë shqiptarë të provonin kryerjen e akteve antidemokratike dhe kriminale, nëse të parët do të ishin ndëshkuar? A nuk do të ishim pra disa hapa më përpara, nëse qëndrimet e zotërinjve të Evropës do të kishin qenë më korrekte dhe në përputhje me predikimet e tyre teorike?

Nëse mosbesimi (skepticizmi) i z. Kriçbaum edhe mund të kuptohet, egërsia dhe vendosmëria e deputetit tjetër gjerman, z. Thorsten Frai, i cili pohon se “Gjermania nuk do të lejojë, me çdo çmim që të jetë, hyrjen e Shqipërisë në BE pa u përmbushur kriteret e Kopenhagës”, të lë pa mend. Të vlerësosh përparimin e Shqipërisë duke injoruar rekomandimet institucionale të BE-së dhe duke marrë në konsideratë raportimet e rreme dhe artificet e asaj pjese të politikës shqiptare që ka kontribuar më së shumti në ngadalësimin e progresit dhe që, për sjelljet dhe aktet e kryer në të kaluarën, duhej të ishte në burg, do të thotë mungesë serioziteti, mosbesim dhe mosrespekt për vetë shtetin federativ ku bën pjesë, si dhe udhëheqje nga emocionet në vend që të udhëhiqesh nga arsyeja, të udhëhiqesh nga partishmëria në vend të parimësisë, nga ligësia cinike në vend të dashamirësisë.

Nga ana tjetër, nuk na bën shumë përshtypje histeria tashmë 25-vjeçare e politikanes gjermane, Doris Pak e cila, pasi ka qenë pandërprerje miratuese dhe avokate e të gjitha krimeve të regjimeve berishiste, me arrogancën e të madhit merr përsipër të fyej Kryeministrin e Shqipërisë dhe shfaqet në rolin e një fallxhoreje nga ndonjë fshat i humbur i Ballkanit duke ia adresuar kritikat apo, qoftë edhe shpifjet e ndonjë gazete shqiptare për z. Kriçbaum, vetë z. Rama. Ndoshta znj. Pak beson se ndjenjat kombëtare, mendimet apo edhe emocionet e të gjithë shqiptarëve kalojnë nga zyra e qeverisë. Sipas konceptit dhe konkluzionit të saj do të thuhej se edhe shkrimi im i sotëm e ka burimin tek Kryeministri shqiptar i cili as më njeh dhe për të cilin, fatmirësisht, as kam pasur as kam asnjë nevojë. Po sipas kritereve të znj. Pak do të duhej të konkludonim që të gjitha shkrimet kundër z. Donald Tramp në gazetat gjermane janë të frymëzuar nga Kancelarja e nderuar znj. Merkel apo se shkrimi i gazetës gjermane Suddeutsche Zeitung i shkurtit 1998 që e cilësonte mikun politik të znj. Pak, Sali Berishën si një “ordiner i rrezikshëm” duhej të ishte nxitur nga Kancelari gjerman Helmut Kohl. Zotërinj dhe zonja mendje terratisur nuk i kanë munguar kurrë as Evropës. Në shpellat e mëdha jetojnë luanë e tigra por edhe buburreca e madje gjarpërinj.

Të gjithë këta personazhe dhe të tjerë si ata që udhëhiqen nga përkatësia dhe njëanshmëria politike dhe jo nga parimësia duhet ta dinë mirë se pengimi i hyrjes së Shqipërisë në BE nuk dëmton kryeministrat e vendit tonë, cilitdo qofshin ata, por pengon, demoralizon dhe dëmton të sotmen dhe të ardhmen e vetë popullit shqiptar. Prandaj ka ardhur koha që edhe shqiptarët të mos respektojnë askënd pa kushte, pasi është vetëposhtërim të vazhdosh të nderosh ata që të përbuzin dhe të përdallojnë (diferencojnë).

Të bësh qytetarë evropianë miliona të ardhur si emigrantë nga Azia dhe Afrika me arsye apo pretekste të ndryshëm dhe t’ua mohosh këtë të drejtë disa miliona ballkanasve që i përkasin historikisht, gjeografikisht dhe shpirtërisht Evropës është cinizëm dhe hipokrizi e shkallës së lartë. E vërteta duhet thënë, se po heshti e vërteta përshtrihet gënjeshtra (R.Qosja).

Respekti që kam për popullin gjerman si njëri nga popujt më vitalë të planetit dhe nderimi e mirënjohja për kontributin e tij historik ndaj njerëzimit në fushat e shkencës, artit, muzikës, filozofisë, letërsisë, sportit etj. më bën të besoj se mendimi dhe vendimi i arsyeshëm do të mbizotërojë ndaj konkludimeve emocionale apo partiake.

Jam i sigurt se kur brezat e ardhshëm do të studiojnë historinë e themelimit dhe evoluimit të BE-së do të çuditen dhe ndoshta tallen me burokracinë, plogështinë dhe teprimet e paimagjinueshme në pengesat që iu nxirren sot disa vendeve për t’u anëtarësuar në të, me numrin pafundësisht të madh të parakushteve, kushteve, prapakushteve, pyetjeve, formularëve apo manualeve që shërbejnë si Kod Rrugor drejt dyerve të kësaj bashkësie shtetesh. Ata, ashtu si ne sot, do të sjellin ndërmend themelimin e SHBA bashkimi i të cilëve u bë pa pyetësorë dhe manuale, madje edhe me luftë dhe në kushtet kur në të gjitha shtetet ekzistonte skllavëria, linçimi i zezakëve, segregacioni, mohimi i të drejtës së votimit për shumicën e popullsisë dhe shumë fenomene të tjera negative. Por, mbi të gjitha, brezat e ardhshëm, ashtu si edhe ne sot, do të sjellin në mendje se edhe Zoti iu vuri njerëzve vetëm dhjetë kushte (urdhërime) për t’i pranuar në Mbretërinë e Tij, ndërsa burokracia dhe politika e të pasurve dhe të fortëve të Evropës ka vënë aq shumë kushte dhe faqe manualesh saqë vështirë të të mjaftojë jeta për t’i lexuar. Nëse nuk mund të na pakësojnë kushtet, të paktën të na kursejnë hipokrizinë. Hipokrizia është mjet efikas për të na penguar, por kurrsesi nuk mund të na shitet si vullnet për të na ndihmuar.

Nëse hipokrizia evropiane vazhdon edhe më tutje nuk do të ishte keq që qeveritë shqiptare të mos refuzonin bashkëpunimin dhe ndihmën edhe nga vende të tjera si Kina, Turqia etj. me kusht që të mos cenohen integriteti territorial dhe sovraniteti kombëtar i Shqipërisë, ndërkohë që Evropa le të vazhdojë predikimet e saj pa fund. Popullit shqiptar i nevojitet një shtet demokratik dhe ligjor, por i nevojiten edhe punë, infrastrukturë, prodhim vendas dhe mirëqenie.

Kjo situatë më kujton historinë e një fshatari shqiptar përpara një shekulli. Fshatari i ngratë banonte afër kishës dhe kur fshatarët e tjerë po shkonin në kishë ky vazhdonte të punonte kopshtin. Njëri prej tyre e pyeti nëse e dëgjonte këmbanën e kishës për meshën e radhës dhe fshatari iu përgjigj: “Me shpirt do të jem atje, por me trup më duhet të jem në kopsht se fëmijët duan të hanë. Kam 30 vjet që e dëgjoj predikimin e priftit, por prifti as mbjell dhe as korr “.

Një pranim në masë i investimeve nga shtete të tjera ndoshta do t’i alarmonte evropianoperëndimorët të cilët ose do të na thërrisnin vetë brenda shtëpisë së përbashkët ose do të bëheshin promotorë të ndonjë “revolucioni” të verdhë, kaltër, portokalli etj.etj. me qëllim rrëzimin e ndonjë qeverie të ligjshme dhe zëvendësimin e saj me qeveri kukulla, të bindura ndaj tyre, por të pavlera për ardhmërinë tonë kombëtare. Dhe, sigurisht, këtë do ta shisnin për ” ndihmë për demokracinë “.

Kur shoh se si e gazmojnë Sali Berishën lajmet e hidhura qofshin të trilluara apo të vërteta (si gjithnjë), gazmim që u ngjitet në çast ndjekësve që i kanë mbetur, kujtoj thënien e Faik Konicës, para më shumë se një shekulli: “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarë, jo të tjerë”. Në vend që pushteti dhe opozita të bënin “armëpushim” derisa të arrihej objektivi politik kombëtar, po ndodh e kundërta: bojkote parlamentare, kaos në parlament, nxitje dhe udhëheqje të bllokimit të rrugëve, fushatë galopante në Perëndim për ta paraqitur Shqipërinë si qendra e krimit ndërkombëtar dhe qeverinë aktuale si një organizatë mafioze dhe në fund një pohim i thatë se janë dakord të çelen negociatat me BE-në (natyrisht nga nevojat elektorale). Politikanë opozitarë dhe analistë ziliqarë që shpresojnë në rikthime privilegjesh vetjake u bashkuan në kor duke kënduar këngën e dështimit të vizitës së Kryeministrit shqiptar në Gjermani dhe duke i drejtuar lutje Perëndimit të mos e pranojë çeljen e negociatave me Shqipërinë derisa të rrëzohet ky Kryeministër dhe të vijnë ata në pushtet. Ata e mendojnë dështimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve si një fat të tyre dhe si mundësi të vetme për të rifituar atë që s’e meritojnë. Pse të mos jetë një pjesë e Evropës hipokrite me ne kur një pjesë e jona është hipokrite me vendin dhe popullin shqiptar? Kush nuk e kupton dhe nuk e pranon hipokrizinë e të tjerëve i meriton pasojat e saj. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …