Xheladin Miftar Kurtaj (20.4.1976- 10.8.1998)

Xheladin Miftar Kurtaj (20.4.1976- 10.8.1998)

Xheladini ishte djalë i Miftarit dhe i nënë Emines. Lindi më 20 prill të vitit 1976 në fshatin Gabrricë të komunës së Kaçanikut.

Mësimet fillestare i kreu në shkollën e vendlindjes, ndërsa gjimnazin në Kaçanik. Në vitin shkollor 1995/96 regjistrohet në Akademinë e Arteve, Dega e aktrimit në Prishtinë.

Qysh i ri u brumos me ideale çlirimtare. Ishte në dijeni të veprimtarisë ilegale patriotike dhe përgatitjeve luftarake që po bëheshin kundër pushtuesit të trojeve të Shqipërisë.

Në pranverë të vitit 1998, e ndau mendjen. I la studimet dhe u ni për në Drenicë. Në fillim të muajit maj të atij viti, në Likoc, takohet me Shaban Shalën dhe bëhet pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në kohën e intensifikimit të radhëve të UÇK-së, nga zona e Drenicës, Xheladin Kurtaj me shumë luftëtarë të tjerë shkon në Shqipëri për të marrë armë dhe municion. Pas qëndrimit një kohë të shkurtër në Shqipëri, ku kishte kryer edhe stërvitjet ushtarake, kthehet në zonat e luftës dhe fillimisht vendoset në Kleçkë. Pas një kohe, me rastin e zgjerimit të pikave luftarake Xheladini me disa bashkëluftëtarë të rrethit të Kaçanikut, si Agim Bajrami, Besnik Begunca, Emrush Suma, Metush Zenuni, Xhemal Burniku e të tjerë, vendoset në pikën e Zborcit dhe të Carralevës. Më 14 qershor të vitit 1998, ishte në mesin e luftëtarëve: Jetë Hasani, Milaim Beha, Sylë Qeriqi e të tjerë në Grykën e Carralevës, në Lagjen e Xhamisë. Pas një beteje katërorëshe, forcat e UÇK-së e zënë grykën. Armiku kishte pësuar humbje në njerëz dhe teknikë lufte. Me rastin e konsolidimit të radhëve në Zonën Operative të Nerodimes,së bashku me shumë luftëtarë të tjerë depërtojnë në zonën e Jezercit dhe në fshatrat e rrethinës së Kaçanikut.

Duke qenë se ndihej nevojë e madhe për armatim dhe Xheladini tanimë e kishte mësuar rrugën për në Shqipëri, ai së bashku me disa bashkëluftëtarë edhe dy herë të tjera sjell armë dhe municion për trimat të cilët përditë inkuadroheshin në radhët e UÇK-së, në Zonën Operative të Nerodimes, e cila shtrihej prej Grykës së Carralevës e deri në Grykën e Kaçanikut.

Ishte shok i pandashëm i Agim Bajramit dhe Besnik Beguncës. Puna dhe aktiviteti i tyre luftarak për zgjerimin dhe konsolidimin e radhëve të UÇK-së ka qenë e pashembullt.

Në korrik të vitit 1998, nga komanda e zonës caktohet përgjegjës për formimin e Policisë Ushtarake të UÇK-së për zonën e Kaçanikut. Asokohe kontakton edhe me eprorin Qamil llazi. Luftës i bashkohen edhe vëllezërit e Xheladinit, Danush Kurtaj dhe Hajrush Kurtaj, si dhe shumë të afërm të tij.

Nga njësiti i Kaçanikut, të cilin e drejtonin Agim Bajrami, Xheladin Kurtaj dhe Besnik Begunca, më vonë u formua brigada 162 “Agim Bajrami” e Zonës Operative të Nerodimes. Në fillim të gushtit të vitit 1998, Xheladini me bashkëluftëtarët po bënin përgatitje për zgjerimin e pikave ushtarake. Ata ishin në dijeni të lëvizjeve të forcave serbe, por aktiviteti luftarak vazhdonte të zgjerohej. Në natën e 9 gushtit ishin në shtëpinë e tij të tre: Xheladin Kurtaj, Agim Bajrami dhe Besnik Begunca. Atë natë bisedojnë gjerë e gjatë për luftën, për rrjedhat e saj dhe për nevojën e konsolidimit sa më të fortë të radhëve. (Bisedën e ka incizuar me diktafon vëllai i dëshmorëve, luftëtari i lirisë Hajrush Kurtaj).

Herët, me të filluar të zbardhte dita e 10 gushtit, forcat policore serbe, në mesin e tyre edhe mercenarë shqipfolës, pasi paraprakisht kishin marrë informata të sigurta, e rrethojnë shtëpinë e Miftar Kurtajt në Gabrricë. Nëna e dy dëshmorëve Emine Kurtaj, e cila ka qenë dëshmitare e luftimeve të përgjakshme rrëfen: “Forcat e armikut e kishin rrethuar tërë fshatin, ndërsa iu kishin afruar shtëpisë sonë pa u vërejtur. Djemtë kishin bërë betimin se nuk do të dorëzoheshin, por do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut”. Katër orë kanë zgjatur luftimet. Xheladin Kurtaj, Agim Bajrami dhe Besnik Begunca luftuan derisa iu mbarohet municioni. Ata ranë heroikisht.

Pati shumë të vrarë edhe nga radhët e policëve dhe paramilitarëve. Pasi mbaruan luftimet, policët arrestuan vëllanë e Xheladinit, Danushin, dhe bashkëshorten e tij Bilgizaren, si dhe renë e djalit të madh, Havushen dhe Fatmir Kurtajn, kushëri i Xheladinit. Në mesin e sulmuesve ishin edhe kolaboracionistët me damkë Selim Topojani me qyqarët e tij, pastaj Avdi Bajgora dhe Azem Dremjaku.

Po atë ditë rreth orës 11, në shtëpinë e Kurtajve kishin shkuar: Riza Kiki, Shaip Reka, Mahmut Dardhishta, Selim Topojani dhe Isen Tusha. Këta shqipfolës iu kishin kërcënuar të gjitha familjeve në fshat se kështu do të pësonin të gjithë ata që do t’ i strehonin luftëtarët e UÇK-së.

Të nesërmen, më 11 gusht, popullata liridashëse dhe familjarët e dëshmorëve organizojnë ceremoninë e varrimit të dëshmorëve. Trupat e tyre varrosen në varrezat e fshatit. Para pjesëmarrësve flet mësuesi Hamit Berisha, i cili, për shkak të fjalës që kishte mbajtur për dëshmorët, më vonë ndiqet nga policia serbe.

Xheladin Kurtaj, Agim Bajrami dhe Besnik Begunca ishin luftëtarë të radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata kishin luftuar në Dukagjin, në Pashtrik dhe në Drenicë, për të kaluar më vonë në rrethinën e Kaçanikut, ku edhe atje lëshuan flakadanët e parë të luftës çlirimtare.

Kurtajt e Gabrricës nuk e pushuan luftën kundër armikut. Në radhët çlirimtare u radhitën edhe Danush Kurtaj dhe Hajrush Kurtaj, vëllezërit e dëshmorit. Në luftën përfundimtare për çlirimin e Kosovës më 22 maj 1999 në Burgun famëkeq të Dubravës bie Danush Kurtaj, vëllai i Xhaladinit.

Vendi ku kanë rënë Xheladin Kurtaj, Agim Bajrami dhe Besnik Begunca është përjetësuar me përmendore, ndërsa oda është përjetësuar me emrin Kulla e Qëndresës, ku krisën pushkët e para çlirimtare, në rrethinën e Kaçanikut.

Vëllai i Xheladinit, luftëtari i lirisë, Hajrush Kurtaj, e ka rujatur në diktafon bisedën, të cilën në natën e 9 gushtit kanë zhvilluar Xheladin Kurtaj, Agim Bajrami dhe Besnik Begunca. Xheladini nuk ka qenë i martuar.

Ka lënë nënën, vëllezërit dhe familjen e gjerë, të cilët kurdoherë janë krenarë për birin, vëllanë e xhaxhanë, Xheladin, dëshmor i kombit.

Për jetën dhe veprën e dëshmorit janë botuar shkrime në gazeta dhe revista të ndryshme.

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …